FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TURIN E FOLTORES NË DURRËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, zhvilloi mbrëmjen e sotme turin e Foltores në qytetin e Durrësit, ku shprehu mirënjohje ndaj demokratëve dhe qytetarëve për kontributin e tyre në zhvillimin e Durrësit të ri.
Berisha akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Rama për korrupsion, keqmenaxhim të fondeve publike dhe paaftësi në menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Ai theksoi përmbytjet që preken qytetarët, zhvendosjen e hidrovorëve dhe vjedhjen e pompave si shembuj të mafies shtetërore dhe cinizmit ekstrem të pushtetit.
“Ne kemi arritur një stad të paimagjinueshëm,” tha Berisha, duke akuzuar qeverinë se sillen si pushtues dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara. Ai përmendi gjithashtu shkatërrimin e rrugëve, ndërtesave dhe tunelit të Shkumbinit, si pasojë e ndërtimeve të dobëta dhe korrupsionit të lidhur me qeveritarët.
Një pjesë të madhe të fjalës së tij, Berisha e kushtoi portit të Durrësit, të cilin e konsideron pasurinë më të madhe publike të vendit. Ai paralajmëroi se qeveria synon ta privatizojë dhe ta përdorë për përfitime personale, duke e krahasuar projektin me një “Dubai të 1001 netëve” për Edi Ramën dhe investitorë të lidhur me pushtetin.
Lideri demokrat paralajmëroi Edi Ramën se, çfarëdo gjëje që të bëjë ose çfarëdo negociate që të ndërmarrë, e ka vendin në burg, dhe këtë fat nuk e ndryshon dot askush.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi mbrojtjen e pronave të qytetarëve, dyfishim ose trefishim të rrogave dhe pensioneve, si dhe urbanizim dhe shërbime moderne për qytetin dhe të të gjithë Shqipërisë.
“Çdo ditë që kalon bëhet më keq për ne. Ne kemi vetëm një rrugë: të përballemi dhëmb për dhëmb dhe ta nxjerrim këtë qeveri nga pushteti,” tha Berisha, duke theksuar se Shqipëria ndodhet në një moment kritik për të ardhmen europiane dhe integrimin në Bashkimin Europian.

FJALA E PLOTË
Të dashur demokratë dhe demokrate, të qytetit të Durrësit, të qarkut, një përshëndetje të përzemërt ju që jeni këtu, dhe të gjithë të tjerëve kudo që ndodhen: në Durrësin e ri, në Durrës, në qarkun e Durrësit, në Shqipëri, jashtë vendit, kudo që ndodhen, një mirënjohje e pakufishme.
I nderuar z. kryetar, udhëheqës politik i qarkut të Durrësit, z. Bylykbashi, të dashur deputetë, kryetar i PD, deputetë, drejtues të grupseksioneve, kandidatë për deputetë dhe anëtarë të strukturave tona,
Vij këtu së pari për të shprehur një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, dhe jam i bindur se kjo mirënjohje është e madhe dhe e drejtë, sepse ju në këtë vend, në këtë territor, ngritët me djersën e ballit, me sakrifica të jashtëzakonshme, një Durrës të dytë, Durrësin e ri.
Ju nuk zgjodhët që këto sakrifica dhe djersë t’i derdhni në vende të tjera, edhe pse ishte plotësisht e mundshme. Por zgjodhët një terren, më të papërshtatshmin në disa aspekte, që quhej Kënetë, dhe e tillë ishte. Por njerëz guximtarë, njerëz punëtorë u përveshën punës, sakrificave dhe e shndërruan atë në një nga qytetet e mëdha të Shqipërisë.
Një homazh dhe nderim të veçantë për qytetarët e Durrësit, ata kanë një meritë shumë të madhe. Qytet port, dhe askush nuk ka pritur prurjet më me fisnikëri, më me zemër të hapur se qyteti i Durrësit, dhe kjo u bën nder këtyre qytetarëve.
Por unë kam mirënjohjen time për ju, sepse i keni dhënë një mbështetje të madhe PD-së, një mbështetje për të cilën ne i detyrohemi shumë.
Miqtë e mi!
Durrësi dy muajt e fundit ka nxjerrë në pah të gjithë shëmtinë, fytyrën e shëmtuar të këtij pushteti dhe të kësaj qeverie. Ne shqiptarët e kemi një fjalë të vërtetë: “Miku i mirë njihet në ditë të vështirë.” Durrësi, këto muajt e fundit, qyteti i ri dhe i vjetër, rrethinat, kanë njohur përmbytjet pothuaj apokaliptike, të papara ndonjëherë.
Ka njohur më keq se kaq: injorimin e plotë nga pushteti dhe qeveria, mashtrimin e plotë nga pushteti dhe qeveria, cinizmin ekstrem nga pushteti dhe qeveria.
Përmbytjet, natyrisht, të shkaktuara nga shirat, por po aq edhe nga korrupsioni, nga vjedhja e fondeve të përcaktuara për pastrimin e kanaleve, për tërheqjen dhe evakuimin e ujrave nga hidrovorët dhe sistemi i kanalizimeve.
A ka ndokush që të ketë pësuar më të voglën? Ta quajmë sabotim, është pak; se të përmbysësh 600 familje, t’u fusësh ujin dhe t’i lësh ato me ditë të tëra, është një krim i shëmtuar i shumëllojshëm. A dha kush llogari për këtë që ndodhi? Askush!
Kush i vodhi paratë e kanaleve, 42 milionë për pastrimin?
Kush e spostoi hidrovorin në kundërshti me të gjitha kondicionet, nga aty ku ishte, dhe e ngriti 1.2 metër më lart?
Kush i vodhi pompat e hidrovorit të Hamallës?
Të gjitha pronat shtetërore, të mbrojtura, u vodhën nga vet shteti.
Pra, ku jemi ne?
Ne kemi arritur në një stad të paimagjinueshëm. Këta që qeverisin sot shqiptarët, ju garantoj, sillen si pushtuesit më të egër që shqiptarët kanë njohur ndonjëherë. Mund të ishte një pushtues këtu, por po të përmbyteshin 600 familje, ai do të bënte planin e emergjencës dhe ndihmë tek secili.
Asnjë. As emergjencën nuk e shpalli. Sepse ligji i emergjencës është i domosdoshëm që qeveria të marrë fonde dhe t’ua japë të dëmtuarve. Pa ligjin e emergjencës, qeveria nuk vepron dot.
Por Kushtetuta ka përcaktuar rregullin. A nuk ishte fatkeqësi natyrore përmbytja e 600 familjeve këtu? Zona juaj, zona përreth, i gjithë Durrësi, si kurrë ndonjëherë. Por këta sillen si pushtues. Këta kanë krijuar një grup, një klasë të degjeneruarish, njerëz si shushunja që vjedhin nga mëngjesi në darkë dhe nuk pyesin për qytetarët.
A keni parë ndonjë të vendoset para ligjit për pompat e vjedhura, për kanalet e zëna, për ndërtimet mbi kanale? Asnjëri!
Shkojmë më tutje.
Ra tërmeti këtu. Pamje shumë, shumë të rënda. Si sot, kujtoj një vilë të bukur, 3-katëshe. Pronarët e saj ishin në Greqi, kishin punuar atje, kishin marrë projektin dhe e ndërtuan këtu. Vila u shemb sikur të ishte vilë tallashi. Ata thoshin se ishte hedhur beton njësoj si në ndërtimet e Greqisë. Por problemi është se betoni i Gjushit ishte beton tallashi, beton i mafies.
U shemb vila sikur të ishte prej kartoni, dhe qartë fare që betoni nuk ishte beton. A dëgjuat ju që sipërmarrësi i betonit të përgjigjet? Asnjë! Po pse? Sepse është i mafies shtetërore. I keni parë vetë rrugët, meqë jemi te betoni, të rrimë pak këtu. Si kurrë ndonjëherë, e paimagjinueshme. Të gjitha rrugët e ndërtuara gjatë këtyre viteve, pa përjashtim, u shembën si të ishin karton. Keni dëgjuar ndonjë të vihet para ligjit? Askush! Dhe a e dini pse? Sepse ata që ndërtuan ato rrugë ndanë paratë me qeveritarët.
Dhe, meqë jam këtu, do t’ju tregoj një gjë të vogël.
Në vitin 2004, Koço Kokëdhima, që unë e sulmoj për mënyrën si ndërtonte rrugët për faqe të zezë në Tiranë, më vjen një ditë dhe më thotë: “Sali, ke të drejtë ti më thotë. Po të tregoj unë ty.” Çfarë po më tregon, Koço? Kur këta më marrin mua 20-30% gjobë, unë nuk ndërtoj dot rrugë, thotë. Unë pastaj bëj sikur ndërtoj, thotë.
Ekzakt! Ato ishin rrugica të Tiranës, jo rrugë. Kurse këta, këta marrin 50%. Ndaj të gjitha rrugët një nga një u shembën, dhe askush nuk ka përgjegjësi. Jo, natyra i shembi.
Dha lejen për të gërryer shtratin e Shkumbinit dhe për të hedhur lum rrugën, të cilën e ka të paktën 70-80 vjeçare. Ia gërryen lumi. Dhe rruga dhe hekurudha të gjitha u shembën. U shemb edhe tuneli. E fshehën tunelin e shembur.
Ka kush përgjegjësi? Asnjë s’ka përgjegjësi.
Ka shumë rëndësi për të kuptuar ju se çfarë është krijuar, çfarë armiku kemi përballë, sa të rrezikshëm, sa të pamëshirshëm, sa të ligë. Një lloj përzierjeje: mafie shtetërore e zyrtarëve me mafiozë të tjerë, të cilët rëndojnë mbi shpatullat, mbi shpirtin dhe mbi trupin tonë, që largojnë çdo ditë shqiptarët nga Shqipëria, që varfërojnë çdo ditë shqiptarët. Të cilët sillen absolutisht si pushtuesit më të këqinj që Shqipëria ka njohur ndonjëherë.
Edhe pushtuesit e vërtetë bazonin pushtetin e tyre në disa ligje. Kishte disa konventa ndërkombëtare, kishte disa rregulla. Sigurisht, shfrytëzonin pasuritë. Kurse këta shfrytëzojnë të gjitha pasuritë, të gjithë buxhetin, shfrytëzojnë të gjitha pasuritë publike.
Le të marrim portin.
Të dashur miq! Porti i Durrësit është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve. Porti është pasuri më e madhe publike se kaskada e Drinit, e cila edhe ajo është pasuri shumë e madhe publike, por porti është më i rëndësishëm. Porti i Durrësit, me vlerën e tij, me të gjithë operacionet dhe ndikimin që ka në të gjitha, është pasuria publike numër 1. I vuri syrin e ciklopit dhe do të ndërtojë aty Dubain e 1001 netëve për veten e tij. Nuk ndodh ndonjëherë, nuk ndodh kurrë. Durrësi ka 3 mijë vjet jetë, por Durrësin e ka bërë porti; Durrësi ka lindur këtu sepse është porti. Dhe tani, për t’u pasuruar vet, për të ndërtuar Dubain e tij të 1001 netëve, heq portin.
Atje do të jetë, që ta dini ju, një port rreth 5 herë më i vogël se ky, sepse nuk ka sipërfaqe. Atje do t’i kushtojë shqiptarëve 1 miliard euro nga taksat tuaja, dhe ky me Franc Çopjan, me Elvis Doçin, me Suel Çelën do të ndërtojnë parajsën e tyre në Dubain që thotë ky. Ai, Alabari, investon as 1/30 e parave që i nevojiten. Nuk ka vjedhje si këto.
Miqtë e mi!
Unë kam shumë besim se në këtë moment kritik, sa asnjëherë tjetër, ua them këtu vëllazërisht: jemi në momentin më kritik që kemi qenë ndonjëherë. Pse?
Kurrë nuk ka ndodhur kjo: të kapet duke vjedhur, të dalin dokumentet që e provojnë dhe për 3 muaj të mban vendin peng, pa i hequr imunitetin asaj që ka të regjistruara 300 apartamente, 15 markete, 2-3 vila në Dhërmi, pa llogaritur pasuritë në Greqi dhe vende të tjera. Dhe para 2 ditësh iu tha secilit prej jush dhe çdo shqiptari se kjo ka bërë punë të jashtëzakonshme.
Ajo ka bërë vjedhje të jashtëzakonshme, sa në historinë e Shqipërisë nuk ka njeri që të ketë vjedhur kaq shumë sa ajo në emër të Edi Ramës.
Tani vjen momenti që çdo njeri duhet t’i shtrojë vetes pyetjen: çfarë do bëj? Do pranoj që këta njerëz janë në pushtet për të më mbrojtur nga vjedhjet, këta që janë në pushtet për të krijuar shërbimet më të mira me taksat që jap, këta që janë në pushtet për të më garantuar të drejtat e mia? Jo. Këta tani bëjnë ligjin që të më vjedhin çdo ditë dhe të qendrojnë mbi ligjin. Të tillë nuk e ka bërë askush kurrë. Nuk kam dëgjuar kurrë që një qeveri, pasi të kapet një hajdut, të bëjë ligjin që nuk mund të kapet. Kjo është njëlloj si të themi se vjedhja nuk është krim, se vjedhja nga qeveritarët është legjitime.
Atëherë, të shtroj pyetjen: A mund të presim ne nga kjo organizatë kriminale, nga ky kryetar i kësaj organizate kriminale, zgjidhje, miq?
E përkundrazi, çdo ditë që kalon, bëhet më keq për ne. Dhe ne kemi vetëm një rrugë: të përballemi dhëmb për dhëmb dhe ta nxjerrim nga pushteti.
Ky konsideron qytetarin, më falni për shprehjen, si ‘hunj të kuq’, njerëz që nuk kanë mendje, që nuk arsyetojnë.
Të gjithë fushatën e bëri me integrimin europian. U tha se në 2027-2028 do të jemi në BE. Tani thotë jo. Tani thotë nuk ka më nevojë të shkojmë aty. Merr edhe Vuçiçin si dëshmitar dhe i bën letër. Por a do lejojmë ne të përcaktojnë fatin tonë kriminelë si Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç?
A do lejojmë ne që të mbyllin ata dyert e Europës për ne? Kurrën e kurrës!
Ky, po të dojë të shkojë në Beograd, aty do e kapin, aty do e gjejnë. Por ne rrugën e Europës nuk na e mbyll dot njeri. Imagjinoni, për çfarë është Durrësi? Durrësi në shekuj ka qenë kryeura e kombit me Perëndimin, dhe tani që po ecnim, del ky dhe thotë: “Jo, do bëj vjedhjet e mia unë, nuk kam punë me standardet e Europës.” Kurrë ndonjëherë fati i Shqipërisë nuk ka qenë kaq në rrezik. Pse? Ua them unë.
Enver Hoxha, në 1946, e ndau Shqipërinë nga bota Perëndimore, një armik i vërtetë. Por ishin dy kampe; e vendosi në kampin e gabuar. Kurse ky, ku po e nxjerr Shqipërinë që do ta largojë nga BE? Ku do ta çojë? Me Serbinë? Ku do ta çojë?
Ky Shqipërinë do ta shndërrojë në çiflikun e tij për ta vjedhur çdo ditë. Ndaj dhe ne do t’i përgjigjemi këtij me guximin më të fuqishëm, me zemërimin më të madh, dhe do ta rrëzojmë këtë.
Miq, stina është e demokracisë, e demokratëve, jo e diktatorëve.
3 mijë djem dhe vajza i vrau Ajetollah Khamenei në Teheran para 1-2 muajsh. Nuk tha një fjalë për ekzekutimin e tyre. Pse nuk foli? Kompleksi i diktatorit. E ndjen në shpirt se është si ai, diktator. E ndjen se koha për të nuk po punon. Por edhe ne tani nuk presim as Amerikën, as dikë tjetër. Ne jemi mirënjohës dhe duhet të jemi shumë mirënjohës.
Dhe ju e dini që unë e bëj me gjithë zemër mirënjohjen ndaj miqve që erdhën dhe thanë: që në qoftë se mbron Belindën, ti me ne nuk ke punë më. Nuk mund të pranojmë një qeveri që del mbi ligjin, mbi Kushtetutën për të vjedhur. Ia thanë gjermanët në mbledhjen e grupit: ata na kanë bërë shumë të këqija, na kanë dhënë 1.5 miliardë euro ndihma në të gjithë Shqipërinë. Edhe këtu ndihmat e tyre janë ndjerë; i kujtoj si sot. Po kështu vendet e tjera.
Sado të na mbyllësh dyert e Europës, do të të mbyllim ty në qeli, Edi Rama. Dhe ta them haptas: ti do shkosh në burg, po. As mos negocioni, as mos u lodhni të negocioni, sepse forcë në botë që pengon popullin shqiptar pa të çuar ty aty ku e meriton nuk ka. Por tregove se je i aftë të bësh ndaj tyre ato që bëri Enver Hoxha: ta izolosh, ta grabisësh, ta shtypësh, ta plaçkisëh.
Miq! Unë e shoh me shumë kënaqësi dhe me shumë vlerësim entuziazmin tuaj. Por duhet që çdonjëri prej nesh të ulet me secilin që nuk e kemi këtu dhe t’i themi çfarë duhet të bëjë. A mund të durojmë më? A durohet më ky regjim? Çfarë po bën në Durrës?
Projekti thotë se do të prishen 8 banesa. Do të prishë 78 banesa për të ndërtuar një kullë. Dhe bën ky hajdut, që nuk ka asnjë vlerë tjetër përveç vjedhjeve që bën, se po bëj rrjetëzimin, po bëj këtë e atë. Dhe ka 4 muaj që përballet me banorët, të cilëve do t’u rrëmbejë pronën, shtëpinë, si bandit, me një shpërblim të parëndësishëm dhe me një prishje pa asnjë motiv.
Është një rast ky. Raste të tilla janë të shumta. Prandaj, miq, është koha jonë tani. Ora është e jonë. Ora e guximit tonë, e vendosmërisë për të shpëtuar Shqipërinë, për të shpëtuar Durrësin, për të shpëtuar Durrësin e ri.
Unë ju jap fjalën se i tërë projekti i urbanizimit të plotë dhe modern të këtij qyteti të ri, i krijimit të shërbimeve më të mira, i furnizimit me ujë dhe i urbanizimit të plotë, do të jenë përparësi e PD-së.
Garantoj qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë se dy-trefishimi i rrogave në vazhdim do të jetë objektivi ynë, zotimi ynë. Garantoj pensionistët se dy-trefishimi i pensioneve në vazhdim është premtimi ynë.
Asnjë njeriu, kurrë, nuk do t’i dhunohet prona. Por e thamë. Kemi ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë në të katër anët e Shqipërisë, pa asnjë sherr me banorët dhe pronarët. Asnjë.
Në një moment, në Tiranë, tek shkolla Teknologjike, një grup banorësh, po ndërtohej Unaza, dolën në protesta në të vetmin rast. Të gjitha rastet e tjera, krahas grupeve të ndërtimit dhe supervizimit, ishin grupet e shpronësimit të çdo metri katror që zihej nga rruga dhe s’e kundërshtoi askush. Pse? Sepse rrugën e donin, por edhe shpërblimi ishte i ndershëm. Dhe nuk është përdorur forcë, por kudo ka pasur mirëkuptim.
Ata banorë dolën. Unë i pyes: z. ministër, çfarë kanë këta që po protestojnë? Nuk janë dakord me shpronësimin. Kishin të drejtë. Ata e kanë në sensin e ligjit dhe të së drejtës shumë më tepër se pushteti, këtë ta dini mirë. Pushtetarët duhet të frymëzohen nga sensi i ligjit dhe i të drejtës që kanë qytetarët.
I them: mirë atëherë, le të bëjmë ligjin dhe t’u përgjigjemi atyre. Kanë të drejtë ç’po kërkojnë. U bë ligji, u shua, asnjë sherr, asnjë grindje, asnjë fjalë.
Këta kërkojnë të ngrejnë themelet e Durrësit të ri për të ndërtuar mafia. Absolutisht kurrë nuk do ndodhë. Do të ndodhë vetëm atëherë kur ju të bini dakord plotësisht njeri me tjetrin. Por nëse ju bini dakord njëri me tjetrin që këtu ku janë, keni shtëpitë, vilat, doni të ndërtoni pallat shumëkatësh për interesat tuaja, qeveria do të bëjë planin, do ua paraqesë dhe do të miratohet së bashku. Por kurrë ndryshe jo; me imponim nuk mund të ketë. Ajo është shtëpia juaj.
Të them një gjë. Nuk ka si ajo, por më keq se ajo është Rama me Linda të tjera. Ato dy Lindat e tjera, ato nuk i gjen as në romane. Veprat e tyre të zeza: me AKSHI-n, me marrje peng të biznesmenëve, me plaçkitje, me tendera 75 milionë për inteligjencën artificiale të kunatit. E kuptoni ju vetë. Kina, Deepseek-un 6 milionë, kurse inteligjenca artificiale e Edi Ramës dhe e familjes Rama, 75 milionë, pa bërë asgjë. Asnjë blerje, asnjë shitje, asnjë gjë, absolutisht. Të gjitha paratë nga xhepi juaj në thesar, nga thesari tek ata.
Ndaj, në këtë betejë, ai është i pashpresë. Guximit tuaj, zemërimit tuaj, nuk ka forcë në botë që t’i rezistojë.
Faleminderit!


