Berisha në “Panairin e Librit”: Heqje taksash për shtëpitë botuese, ulje për shtypshkronjat

VIZITA NË PANAIRIN E LIBRIT, FJALA E PLOTË E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA

Sot në këtë panair, festival madhështor i librit, me gjeninë e tyre krijuese, ata janë kontributorët kryesorë në forcimin, shkëlqimin e identitetit tonë kombëtar. Asgjë nuk lidhet me identitetin e shqiptarëve më shumë se gjuha dhe libri e libri dhe gjuha.

Në këtë kontekst, kjo mori publikimesh shqiptare dhe të huaja në gjuhën tonë amtare, përbëjnë një arritje të re, për kulturën, letrat shqipe.

Por unë jam këtu për të dënuar politikën antilibër, antikombëtare të Edi Ramës, të këtij armiku të egër të librit, kulturës, të këtij antishqiptari që i futi buldozerët Teatrit Kombëtar, që mbuloi me ndërtime 120 objekte të trashëgimisë kulturore, që po rrënon Butrintin dhe vlerat e tjera të mëdha.

Por jam këtu për të denoncuar qëndrimin antilibër të tij. Shqiptarët duhet ta dinë se libri këtu tatohet më shumë se kudo në Europë. Shqiptarët duhet ta dinë se ato përpjekje që u bënë për të krijuar, jetësuar bibliotekat në të gjitha shkollat e vendit, ato fonde që u përcaktuan për të blerë libra për ato biblioteka, u ndaluan me një vendim antilibër të Edi Ramës.

Kur flasim për librin nuk mund të mos parashtrojmë këtu të gjitha problematikat e mëdha që ka krijuar ky njeri që për veten e vet, pretendon se me një libër ndërtoi sarajet e Surrelit dhe tani takson si shtëpitë botuese, edhe shtypshkronjat, duke rritur kostot dhe ulur tirazhet e librave në mënyrë dramatike.

Kjo politikë antilibër në të vërtetë është politikë e mirëfilltë antishqiptare. Vetëm tarifat dhe taksat dogane që ky vendos e bën librin pothuajse të ndryrë në territorin e Shqipërisë, në një kohë kur ne jemi një komb ku ¾ i kemi në dhera të tjera. Dua të garantoj të gjithë autorët, krijuesit se një politikë tjetër krejtësisht e ndryshme nga kjo do të instalohet.

Se bibliotekat që Borges i quan pothuajse parajsa, do të njohin mbështetje të fuqishme për të blerë dhe pasuruar me librat e autorëve tanë dhe ndërkombëtarë. Se nuk do të ketë taksë edhe për shtypshkronjën edhe për shtëpinë botuese. Përkundrazi ajo e shtëpive botuese do të hiqet dhe ajo e shtypshkronjave do të jetë në nivelet më të pranueshme.

Do të bëhet gjithçka për një hapësirë shqiptare libri. Libri në raportin fiskal nuk do të ketë kufi. Do të ketë një mendësi krejtësisht tjetër. Kolonat e mendimit shqiptar do të jenë kollonat e bibliotekave tona në mbarë Shqipërinë.

Ftoj të rinjtë  të lexojnë sa më shumë libra. U rikujtoj këtu një shprehje të Xhorxh Martin, i cili thotë se, njeriu me librat që lexon jeton me mijëra jetë. Pra pasurohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Unë e kuptoj pasionin e tyre për dixhitalet por asgjë nuk mund të zëvendësojë magjinë e librit.

Uroj që edhe ky festival, dhe më bëhet shumë qejfi e gëzohem që e shikoj me të rinj, adoleshentë dhe fëmijë. Uroj që ky pasion të ju bëhet pasion i jetës së tyre, pasi në tërë jetën nuk do të gjejnë një mik më të mirë se libri.

Pyetje: Qeveria ka pasur një qëndrim në lidhje me datën e protestës, 6 dhjetorit kur pritet të mblidhet dhe një samit i vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke e quajtur vendosjen e datës 6 dhjetor si një qëndrim antieuropian. Cili është mendimi juaj?

Sali Berisha: Është një qëndrim kryekëput pro europian, një qëndrim që synon ti thotë Europës së krahas narkoshtetit të Edi Ramës, krahas politikave të shpopullimit që shndërroi shqiptarët në kombin e gomoneve, krahas regjimit të monizmit të plotë që ka degdisur Shqipërinë 4 vende nën Vietnamin komunist për indeksin e zbatimit të ligjit.

Pra, të rikujtojmë ne që ata vijnë në një vend që është poshtë Vietnamit për standardet e demokracisë është dhe një popull i tërë i fuqishëm opozitar, që do të mbushë sheshet e rrugët, nga e gjithë Shqipëria në mbrojtje të idealeve demokratike evropiane dhe të ëndërrës evropiane të shqiptarëve.

Pyetje: Në cilin vend do të mbahet protesta?

Sali Berisha: Do të përcaktohet.

Pyetje: Keni disa libra në duart…

Sali Berisha: I mora disa, bleva disa, bleva pa diskutim. Këtu në panair pati mjaft që donin të dhuronin. Në panair librat blihen, nuk merren dhurata në panaire. Kam blerë një botim të plotë të bibliotekës Françeskane të Anton Patër Harapit, kam blerë libra të shkrimtarit tim të dashur, Markez, kam blerë libra për fëmijë, për nipin tim dhe një seri librash.

Mora një libër të një ish-shoqes time në vitet e para të fakultetit, Ana Cohen. Ana është një mjeke në fakt, por që është edhe shkrimtare tani, me origjinë hebreje nga Vlora, por në Nju Jork ajo u shndërrua në një nga aktivistet më të zjarrta të çështjes shqiptare dhe një avokate e vërtetë e shqiptarëve dhe prandaj mora libri e saj për të lexuar se çfarë ka.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale