Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Unë kam durim, i ftoj sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohemi kundër Edi Ramës. Ne zotohemi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, ODIHR ka paraqitur një plan për ndarjen e partisë nga shteti

PRONONCIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT JASHTË PARLAMENTIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën për korrupsion të përmasave të mëdha, duke deklaruar se për aferat e tij, nëse provohen para drejtësisë, do t’i duheshin tri jetë për të vuajtur dënimet. Në një prononcim për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, ai e cilësoi mazhorancën si një parlament pa legjitimitet dhe e akuzoi qeverinë për varfërimin e qytetarëve. ‘Fjalën e merr kreu i tyre, ai të cilin e quajnë rëndom Padrino i Shqipërisë. Në fakt, e merr fjalën si njeriu më i diskredituar, më i damkosur në 35 vitet e fundit në këtë vend. E merr fjalën si kreu më hajdut i ekzekutivit në historinë e vendit’, u shpreh Berisha.

Lideri i demokratëve Sali Berisha përmendi aferat e inceneratorëve, aeroportin e Vlorës, tunelin e Llogarasë, AKSHI-n dhe Portin e Durrësit, duke pretenduar se kryeministri ka përgjegjësi për vjedhje në këto projekte. ‘Në rast se shkojmë këtu 4 miliardët e Portit të Durrësit, do t’i duheshin tre jetë për të vuajtur dënimet për krimet e shëmtuara ndaj shqiptarëve’, deklaroi ai.

Kryetari i PD-së Sali Berisha, u ka bërë sërish thirrje faktorëve opozitarë për bashkim kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se ftesa e tij mbetet e hapur për të gjitha forcat politike që e konsiderojnë kryeministrin si të keqen më të madhe për vendin. ‘Unë kam durim. Prapë i ftoj të gjithë faktorët opozitarë që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe. Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin’, deklaroi Berisha. Ai theksoi se bashkimi nuk kërkon që partitë opozitare të heqin dorë nga qëndrimet apo platformat e tyre politike. Sipas tij, forcat opozitare mund të ruajnë identitetin dhe bindjet e tyre, ndërsa të bashkërendojnë veprimet kundër qeverisë.

Lideri i opozitës Sali Berisha u ndal edhe te reforma zgjedhore, duke deklaruar se Partia Demokratike zotohet për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe krijimin e një kuadri të ri zgjedhor. Ai bëri të ditur se PD ka kërkuar përfshirjen e ekspertëve të ODIHR-it në këtë proces. Ai i’u referua edhe draftit të përgatitur nga ODIHR-it për ndarjen e partisë nga shteti, duke e cilësuar këtë si një çështje thelbësore për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. ‘Ne zotohemi për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për një kuadër të ri zgjedhor. ODIHR ka një material shumë të mirë për ndarjen e partisë nga shteti’, u shpreh Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha theksoi se opozita duhet të ndërtojë një front të gjerë dhe të koordinojë qëndrimet e saj, duke e vendosur bashkimin kundër Edi Ramës si prioritet të përbashkët.

PRONONCIMI I PLOTE:

Ky parlament krimi ka humbur çdo legjitimitet, çdo përgjegjësi dhe qëndron aty në sistemin e pengmarrjes dhe të krimit.

Tani fjalën e merr kreu i tyre, ai të cilin e quajnë rëndom Padrino i Shqipërisë.

Në fakt, e merr fjalën si njeriu më i diskredituar, më i damkosur në 35 vitet e fundit në këtë vend.

E merr fjalën si kreu më hajdut i ekzekutivit në historinë e vendit.

E merr fjalën si ortaku i shpifur i Lubi Ballukut që në fakt ka 60 përqind të vjedhjeve në aferat e saj.

E merr fjalën si njeriu që ka shndërruar AKSHI-n në kopshtin e tij privat dhe që Lindat e AKSHI-t, Linda Karçanaj dhe Linda e Surrelit, kanë arritur si bashku të zhdukin qindra, qindra milionë euro në llogaritë bankare të Padrinos.

E merr fjalën si njeriu, i cili me aferat e tij të djegësve, aeroportin e Vlorës, tunelin e Llogarasë, është i përshtatshëm, i ndëshkueshëm nga ligji shqiptar të paktën për 70 vite.

Në rast se shkojmë këtu 4 miliardët e Portit të Durrësit, do t’i duheshin tre jetë për të vuajtur dënimet për krimet e shëmtuara ndaj shqiptarëve.

E merr fjalën një njeri që ushtroi dhunën më barbare ndaj protestuesve dhe studentëve, të cilët nuk kërkojnë asgjë tjetër vetëm një qeveri legjitime. Kërkojnë zgjedhje të ndershme, kërkojnë një qeveri që të përgatisë zgjedhjet.

Pra, a mund të qëndrohet në parlament kur ky njeri mban ligjëratën e mashtrimit?

Po ju kur erdhët, e dinit që do fliste ai?

Sali Berisha: Unë e dija që do fliste, prandaj dolëm.

Thjesht ai nuk mund të dëgjohej.

Po nëse del disa herë ai, do dilni jashtë ju?

Sali Berisha: Jo, ne do themi fjalën edhe brenda. Ne do t’ia themi në sy të gjitha ato. Po ai ikën, ai ia mbath.

Ia mbath ai, ikën ai, nuk rri.

Ndaj dhe dola tani të flas flakë për flakë me të, t’i them se çfarë malli është, çfarë burri është, se ai nuk është burrë fare.

Pra, flet njeriu, i cili nga viti në vit me vjedhjet e mëdha varfëron shqiptarët.

Tani ju e dëgjuat së fundmi raportin e EUROSTAT-it.

Shqipëria është i vetmi vend në botë që të ardhurat për frymë shtohen, por varfëria rritet sepse të ardhurat për frymë të shtuara janë falsifikuara.

Pse janë fake?

Për arsye se Fondi Monetar ka pjesëtuar produktin e përgjithshëm bruto me një numër shumë të vogël shqiptarësh, me 500 mijë shqiptarë më pak.

Dhe kjo ka bërë që nga vjet gjer sivjet, të ardhurat të duken 1 mijë dollarë më shumë.

Pse janë rritur të ardhurat?

Të ardhurat janë rritur se dollari ka pësuar një zhvlerësim nga narkodollarët prej 35 përqind.

Po pse janë varfëruar shqiptarët?

Shqiptarët janë varfëruar se me të ardhurat e disponueshme, thotë EUROSTAT-i, ata duhet të shpenzojnë 108 përqind më shumë se sa evropianët. Ndërkohë që maqedonasit shpenzojnë për ushqime 68 përqind të asaj sa shpenzojnë qytetarët evropianë.

Pra, siç e shihni edhe rritja në fatkeqësi, në varfëri dhe mjerim.

Të ardhurat e shqiptarëve grabiten në mënyrën më të paskrupullt nga lukunia, nga organizata kriminale që quhet qeveri dhe Padrino i cili ka Gysët.

Mos harroni një gjë, Ergys Agasë, Edi Rama ka në çdo sektor të prokurimeve dhe ekonomisë. Po.

Ato që vidhte me Gysin tek AKSHI, ato i vjedh me Gysin e shëndetësisë, me Gysin e energjetikës, me Gysin e infrastrukturës. Pra, në të gjitha fushat ai ka Gysët e vet.

Pra të ardhurat e tij në bankat offshore, të cilat sipas OSBE në vitin 2014 ishin 200 milionë, sot kanë kaluar në të paktën minimumi 2 miliardë euro.

Por unë zotohem para shqiptarëve se do gjenden.

Fatmirësisht gjurmët janë.

Dhe ai prandaj ishte si i ngordhur. E patë se si i kishte rënë çehrja e meitit?

Zoti Berisha, ai qëndron në pushtet gjithsesi. Akuzat tuaja, protestat, pavarësisht Gysëve siç thoni ju, ai vijon të qëndrojë në pushtet. Ku e ka shpresën Partia Demokratike? A mos keni ndonjë shpresë te përçarjet e brendshme që të rrëzohet Edi Rama? Se të gjitha të tjerat deri më tani s’e kanë rrëzuar.

Sali Berisha: Sepse kjo është një diktaturë. Kjo është një diktaturë! Dhe narkodiktaturat, dhe diktaturat, e vërteta është, që sa herë janë rrëzuar, janë rrëzuar me forcë. Kjo është e vërteta.

A u shua protesta?

Sali Berisha: Prit një minutë, do përgjigjem. Keni parë Nepalin, keni parë Bangladeshin, keni parë Senegalin, pra në të gjitha këto raste ka qenë forca që i ka përmbysur.

A do ikë ky me protesta paqësore? Absolutisht jo.

A ikën ky me zgjedhje? Jo.

A ikën me SKAP? Jo e jo, në asnjë mënyrë.

atëherë shqiptarët e dinë vetë se me ikën dhe unë kam besim të plotë se do i japin përgjigjen e merituar.

A duket sikur u shua protesta pas masave represive që mori kryeministri, qoftë gjobave administrative dhe qoftë faktit që shumë të rinj u dhunuan, u mbajtën në komisariate, i ka stepur kjo njerëzit?

Sali Berisha: Ambrozia, shkaku është diku tjetër.

E vërteta është, të jemi realistë, studentët janë në tërësi në mësim.

Studentët janë në tërësi në mësim, t’ua them se nuk mund të jetë sekret, se qe një vendim bumerang mbyllja e universitetit.

Mbyllja e universitetit na riktheu një skenar të vitit ’91, kur studentët u shpërndanë në rrethe. Ky është shkaku kryesor.

Kurse këta që vazhdojnë, vazhdojnë, por mendoj se një strategji tjetër duhet të mendohet sepse është e domosdoshme që opozita të bashkohet.

Të bashkohen të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe dhe t’i përmblidhen me protesta të fuqishme.  Protestat e përditshme shprehin shpirtin e revoltës të atyre qytetarëve, por rëndësi kryesore ka të krijohet një front i gjerë i fuqishëm dhe kjo kërkon një bashkërendim të gjithë faktorëve opozitarë.

Pavarësisht se ju keni bërë këto ftesa, duket se disa nga partitë e vogla e kanë refuzuar, madje kanë nisur të njoftojnë edhe kandidaturat e tyre për Bashkinë e Tiranës. Kur do vendosë opozita kandidatin e saj për Bashkinë e Tiranës dhe a mendoni se nuk keni asnjë shans për të fituar për sa kohë që opozita nuk bashkohet?

Sali Berisha: Tani, unë nuk humbas durimin.

Ftesa ime nuk ka në bazë se ne nuk kemi kandidat, ne kemi kandidatë të shkëlqyer, ju garantoj.

Por ftesa ime ka në bazë bashkimin e të gjithë faktorëve që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, që e konsiderojnë Edi Ramën si një rrezik ekzistencial për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Prapë unë tregoj durim, prapë unë i ftoj dhe ftesa ime është shumë e qartë. Asnjëri nuk ftohet të ndryshojë programin e tij, të ndryshojë qëndrimin ndaj Sali Berishës, të ndryshojë platformën e tij, jo!

Bashkohemi siç jemi kundër një armiku që është më i rrezikshmi sot për kombin dhe për vendin dhe pastaj të votojnë të lirë.  Secili merr votat që meriton, secili bën koalicionet që dëshiron.

Në këtë kuadër, unë prapë kam durim, megjithëse unë i dëgjoj që refuzojnë, por në qoftë se janë të vërtetë për largimin e Edi Ramës, është absolutisht alfa që duhet bashkuar të gjithë faktorët opozitarë.

Shikoni çfarë ndodh, dëgjoni se është shumë interesante. Edi Rama nuk i nxjerr më socialistët në televizion.

Ua ka ndaluar, vetëm Blendi Klosi që flet përçart, që mund të flasë një muaj rresht e s’i mban mend kush një fjalë. Asnjë tjetër.

Tani edhe kjo Sara Mile u zhduk, që e kur e thirrën atje, e zhdukën nga ekranet.

Kush del tani? Dëgjojeni se është interesante. Dalin vetëm ish-të mi! Ish-të mi, të cilët janë, t’ju them unë ju këtë, po të paktën Dash Sula ka burrërinë dhe e ha bukën me turp dhe turpin me bukë me rrogë të Edi Ramës. Kurse këta i marrin nën dorë. Këta janë më të ligj se Dashi.

Dashi del dhe thotë se flas dhe në 2 të natës, kënaqësia e tij se flet në 2 të natës me Edi Ramën… e kuptoni ju apo jo se çfarë bëjnë.

Dashin ju e larguat vetë sepse nuk e përfshitë në lista…

Sali Berisha: Prit një minutë. Kënaqësia e Dashit është se flet në ora 2 të natës me Edi Ramën.

Kurse këtyre Rama ua ka lidhur gjuhën me xhepin, xhepin me gjuhën, dhe dalin vetëm këta në televizione për të mbrojtur Edi Ramën, dhe në vend që të bëjnë thirrje për një koalicion jetik për vendin, këta përpiqen me çdo kusht të vjellin vrer kundër PD-së, kundër Sali Berishës, bëhen protagonistë.

Në fakt këta ish-ët e mi, si puna e Spahisë për shembull, a e keni dëgjuar atë Spahinë ju, një hajdut me çizme, që i merrte gjykatësit, sipas raporteve, 250 mijë euro për transferim nga Durrësi në Tiranë.

Ja ai dhe shkon e raporton nga Gjermania me para të vjedhura.

E keni pasur aleat, gjithsesi…

Sali Berisha: Unë nuk po them gjë, unë thash Ish Spahiu. Hiqja emrin Kreshnik dhe thuaj Ish Spahiu. Të gjithë këtyre hiqua emrin dhe vëruani Ish përpara. Çfarë të vijnë në studio, thoni ish-filani, ish-Meçja, ish-ky, ish-ai.

Ju flisni sot për ish-ët ndryshe kur i kishit ata pjesë? Ata kanë qenë atëherë ashtu apo janë edhe tani?

Sali Berisha: Po pse nuk janë a thua? Pyet pak pse iku në Gjermani, pse ia mbathi.

Këta që dalin janë absolutisht të gjithë pengje dhe ua ka lidhur Rama.

Të paktën Dashi shkon dhe firmos në bordero, po këta as nuk firmosin.

Problemi i tyre është se këta i marrin nën dorë paret.

As taksë nuk paguajnë, gjithë ditën shpifin.

Të kthehemi pak tek reforma zgjedhore. Partia Demokratike ka paraqitur dje në komisionin e reformës zgjedhore kërkesat e saj sa i përket reflektimit të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe një sërë çështjesh të tjera. Por zoti Gjiknuri e ka cilësuar këtë si një listë dëshirash. Pyetja ime është, ju e dini që Rama nuk do të pranojë një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve që lidhen me ndarjen e partisë nga shteti. Pse qëndron Partia Demokratike sërish në tryezën e reformës zgjedhore, kur ju e dini që Partia Socialiste do të shkojë me axhendën e saj?

Sali Berisha: Nuk kemi asnjë dyshim.

Por ne kemi përgatitur një kuadër, i cili shpreh në tërësi kërkesat e të gjithë spektrit opozitar aktual.

Kërkesat e forcave politike, kërkesa të aleatëve tanë, kërkesa të paraqitura në protesta.

Pra, ne zotohemi për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe një kuadër të ri zgjedhor.

Tani, në qoftë se ne nuk ulemi, Edi Rama vetëm duatroket. Një gjë është e sigurt, që ai mirëpret çdo formë bojkoti të opozitës.

Po ai do të bëjë planin e tij siç bëri me reformën territoriale?

Sali Berisha: Po, pa diskutim. Shumë të drejtë e ke. E dimë atë. Çfarë kemi arritur? Është arritur që dje një kërkesë është pranuar nga ndërkombëtarët, do i dërgohet ftesë ODIHR-it, kërkesa bëhet gjithmonë bilaterale, dhe do instalohet ODIHR-i në komision.

Pse është bërë kjo kërkesë?

Të gjitha reformat e mëparshme, përveçse në dy raste, janë bërë me praninë e ekspertëve të ODIHR-it.

Në fakt, ODIHR ka paraqitur një material, mund t’u them të shkëlqyer, për ndarjen e partisë nga shteti.

Ata mund të mos pranojnë asgjë, por ne do jemi avokatë të asaj reforme, e cila, e realizuar, është më e mira për shqiptarët.

Zoti Berisha, ju thatë pak më herët që me protesta paqësore Edi Rama nuk ikën, ndërkohë bënit thirrje për protesta të fuqishme. Për çfarë lloj protestash e keni fjalën? Ndërkohë me datë 28 është thirrur një protestë kombëtare…

Sali Berisha: E gjithë Shqipëria, i gjithë kombi do jetë. Më 28 Nëntor kombi i tërë do jetë në lartësinë e flamurit, në mbrojtje të lirisë dhe të flamurit.

Zoti Berisha, thatë që nuk ikën me zgjedhje Edi Rama. A po paralajmëroni humbjen e PD-së apo në çfarë forme do ikë Edi Rama?

Sali Berisha: Jo shiko, tani që ta dish ti, aty ku nuk ka zgjedhje, zgjedhjet i grabit diktatori.

Kjo është shumë e gabuar, ky është mashtrim publik.

Pse? Në qoftë se bëhet fjalë për humbje të opozitës, atëherë kur ka zgjedhje, kur ka zgjedhje, po.

Por kur ka farsa, ta dish mirë në të gjithë historinë, nuk fiton kurrë një opozitë në farsa elektorale.

Problemi është, opozita a do të vazhdojë të qëndrojë e të bëjë betejë apo të shkrihet?

Jo, do vazhdojë të qëndrojë të bëjë betejë si një opozitë e vërtetë.

Por aty ku zgjedhjet janë farsë, aty ku zgjedhjet zhvillohen në kushtet e partisë-shtet, ato nuk janë zgjedhje dhe fatkeqësia më e madhe në këtë vend është se nuk thuhet fjala farsë, por thuhet fjala zgjedhje.

Edhe ish-të mi, po t’i dëgjoni ish-të mi, ja fillojnë, hë thonë, Berisha humbi dy zgjedhje, thonë. Nuk thonë që Rama zhvilloi dy farsa elektorale, por duke pasur gjuhën të lidhur me xhepin, dalin ish-i dhe thotë i ka humbur dy zgjedhje.

Pale kur thonë se atë edhe sheshi nuk e do shumë.

Zoti Berisha, njeriu nga ish-ët është dhe ish-nënkryetari juaj, Edmond Spaho.

Sali Berisha: Urdhëro? Lëre se çfarë përmend atë, lëre, lëre.

Pra u qartësua kjo punë e ish-ëve, besoj u qartësua.

Hiquani emrin, ish-Berishë.

Pse u jepni kaq rëndësi?

Sali Berisha: U jap se i kanë zëvendësuar, e di pse u jap? Se nuk shkojnë socialistët, shkojnë këta në vend të socialistëve për të mbrojtur Ramën aty. Këta shkojnë bëjnë Dash Sulën, por Dashnori është i ndershëm në raport me ta se i pandershëm nuk ka ku të shkojë më shumë, por Dashi shkon firmos në bordero me turp, han bukën me turp e thotë po unë jam Dash Sula dhe flas në dy të natës me Edi Ramën. Kjo është kënaqësia e tij tani.

Edhe një pyetje tjetër, duke qenë se ju u keni bërë ftesë forcave opozitare që të bashkoheni dhe madje keni folur edhe për mundësinë e një kandidati konsensual, po marr rastin e Bashkisë së Tiranës, mund të jenë dhe në bashki të tjera. Do prisni ju për të arritur ndoshta një konsensus me këto forca opozitare apo Partia Demokratike do të shkojë me kandidatin e saj politik?

Sali Berisha: Do bëjmë gjithçka për të arritur një konsensus. Nuk ftoj njeriun kurrë kot. Formalisht nuk ftoj.

A ka një afat final?

Sali Berisha: E drejtë është pyetja, por duhet të kesh durim. Sepse tani, për shembull, mund të mendojnë se jo, na zvogëlohen pikët, na zvogëlohen votat. E vërteta është që nuk u zvogëlohen votat, u rriten votat, absolutisht.

Po unë nuk jam ai që t’i bind ata se ata duhet të binden vetë në radhë të parë, që po shpëtoi vendi nga e keqja më e madhe, fitojnë të gjithë, fitojnë ata, fiton çdo shqiptar.

Ndaj dhe unë uroj që le të vijnë siç i kanë programet. Nuk u them unë hiqi ato.

Zoti Berisha, po kur shkon në tryezë ka emra, a është Partia Demokratike e gatshme të lëshojë Bashkinë e Tiranës, të mos ketë një kandidat politik nga Partia Demokratike, apo ju do negocioni me emra që mund të vijnë nga Partia Demokratike, por i negocioni që të zgjedhin ata mes emrave që sillni ju?

Sali Berisha: Askush nuk përjashton njeri aty. Secili mund të paraqesë. Ne nuk mund të themi se Partia Demokratike po fton dhe s’po paraqet asnjë kandidat, jo! Hajde të paraqesim kandidatët dhe të biem dakord për kandidatin, kjo është normale.

Po kjo historia e kandidatit që ju arritët për zgjedhjeve të pjesshme, është një ish tani për ju?

Sali Berisha: Ne jemi të hapur për të gjitha diskutimet. Për ne, ylli polar është bashkimi.

Kthehemi pak në qershor pak.

Cili ishte mesazhi më absolut i qershorit?

Mesazhi më absolut i qershorit ishte bashkimi. Aty më datën 10 qershor mund të kenë qenë 50-50 socialistë dhe demokratë në shesh. Të gjithë të bashkuar kundër Edi Ramës.

Pra, ky ishte mesazhi më kryesor.

Ajo ishte mrekulli, se aty ishin socialistë dhe demokratë që po kërkonin largimin e Edi Ramës.

Edhe tani, hajde të bashkohemi forcat opozitare të gjitha, nga ai frymëzim i cili kërkonte largimin e Edi Ramës dhe të përqendrohemi për largimin e tij.

Zoti Berisha, duke qenë se zgjedhjet e nëntë majit vendore po ofrojnë, kundërshtari juaj politik, Partia Socialiste ka nisur organizimin në struktura të veta dhe ka dërguar edhe delegatët në zonat zgjedhore, po Partia Demokratike ku është në këtë fazë?

Sali Berisha: Kam konstatuar se po i presin shumë keq socialistët. A e patë si ia bënë rrugën Edi Ramës, nga Sukthi gjer në Lalz ia shtruan me vezë.

E patë apo jo? Kur të presin në katër anët me vezë, do të thotë që s’ke punë me populli, je larguar nga populli.

Kështu që ka vënë në krye të Tiranës këtë xhelatin Demo, që krimet që ka kryer ndaj studentëve, ai është i dënueshëm dhjetëra- dhjetëra vite.

Po ju kështu, fillimisht i akuzoni, pastaj kur ikin nga Rama edhe i thërrisni, edhe mendoni ndryshe?

Sali Berisha: Jo, jo. Kur ikin nga Rama, kundër të keqes më të madhe unë e pranoj, unë e pranoj, të gjithë duhet të bashkohemi kundër të keqes më të madhe.

Edhe për zonjën Spiropali

Sali Berisha: Edhe jo po të dojë të kontribuojë kundër të keqes më të madhe, është e mirëpritur. Cilido!

Ai ishte udhëheqësi i një vendi të lirë, u bashkua me Stalinin kundër një të keqeje më të madhe. Pse? Ishte rrezik ekzistencial.

Dhe të shtrojë secili pyetjen: a është regjimi i Edi Ramës dhe Edi Rama rrezik ekzistencial për kombin? Dhe në qoftë se thotë po, atëherë natyrisht duhet të gjejë forcat të bashkohemi.

Ndërkohë si e shkoni sjelljen e ndërkombëtarëve, ju duket sikur kanë qenë, nuk mund të them neutralë, por shumë të heshtur dhe si gjithmonë ndoshta edhe pak më shumë në anën e kryeministrit?

Sali Berisha: Jo dhe aq të heshtur tani Ambrozia. Ia anuluan takimet. Ajo ishte goditja më e rëndë që i është dhënë. A ju kujtohet që thoshte se me dronët e shqiptarëve do mbrojmë Donald Trump-in? A e mbani mend? Kur njoftoi takimin se si do bëhet, e ku do bëhet, e çfarë do bëhet, dhe ia ngrinë buzëqeshjen.

Takimi anulohet. Imagjinojeni se çfarë mase tmerrësisht e rëndë është. Një kjo.

E dyta, lexo ti raportin e Bashkimit Evropian. Ai raport është shkruar këtu. Kryesisht, se janë ambasadat që çojnë informacionet. Dhe aty si mullari i zi është Lubi Balluku dhe Edi Rama.

Lubia që s’iu hoq imuniteti dhe Rama që e mbrojti. Rama shkoi dy ditë, bëri punë nga mëngjesi deri në darkë dhe përpjekje të jashtëzakonshme që të hiqte Lubinë nga emri, atë frazë, nuk u hoq.

Ama IBAR-in ia kaluan, nuk ia bllokuan për shkak të çështjes Balluku, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka një standard tjetër, sepse në vendet e Bashkimit Evropian u hiqen imunitetet deputetëve në momentin që ata hetohen. Bashkimi Evropian duket sikur e fali Shqipërinë, pavarësisht se ishte një rast shumë flagrant i mbrojtjes së një zyrtari të lartë.

Sali Berisha: IBAR-in e ke të drejtë. E kaluan, por e transferuan në raportin e Komisionit. Çështjen Balluku, çështjen e zgjedhjeve, të gjitha çështjet që i kishte IBAR, pasi u modifikua shumë, se ishte fillimisht IBAR-i ishte rozë, po IBAR-i përfundimtar u kaloi në raport.

Por një gjë është e sigurt që gjë në botë që ta rikthejë Edi Ramën nuk ka. Edi Rama është një kufomë politike e pakallur. E

Po ndërkohë thoni që është një kufomë politike, por nga ana tjetër thoni që është një diktator. Tani si mund të jenë të dyja?

Sali Berisha: Po dhe diktatorët kanë kufomë. Nuk janë pa kufomë diktatorët.

Nëse është një kufomë politike ju duhet të arrini që ta mundni.

Sali Berisha: Jo, do ta mundim ne! Absolutisht. I garantoj shqiptarët se ky është në rrokullisje dhe gjë në botë ta shpëtojë nuk ka. Jo, jo, kjo s’ka diskutim. Nuk ka diskutim. Ky është i pashpresë.

Kur do ta mundni?

Sali Berisha: Kur? Ne vazhdojmë këtë betejë. Besoj se në qoftë se ka një fakt, ai mandat që grabiti, po i del për hundësh. A është e vërtetë kjo? Është e vërtetë.

Kur do ta mundni ju?

Sali Berisha: Ne persistojmë drejt fitores tonë. Ne do fitojmë. Kjo është e sigurt.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale