FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË GRUPIN PARLAMENTAR
Mblidhemi sot në një ditë kur Shqipëria është në epiqendër të një stuhie, e cila në memorien historike, nuk ka ekzistuar të paktën në 50 vitet e fundit.
Shqipëria, Edi Rama, kreu i ekzekutivit është i përfshirë në mënyrën më të pakontestueshme në një nga aferat më të zeza të kohërave, në një akt që tejkalon çdo normë, çdo standard, çdo ligj,çëdo moral, çdo imagjinatë.
De facto, ai ka përdorur si aset të tij, një nga njerëzit më të rëndësishëm të sistemit të sigurisë së SHBA, për definicion të botës së lirë, ish-shefin e kundërinteligjencës të FBI, një nga njerëzit më të besuar të asaj toke dhe atij vendi, Charles McGonigal.
Me qëndrimin e tij të papërgjegjshëm, Edi Rama përpiqet të hiqet duar jashtë.
Në një kohë kur aktakuza e botuar nga Ministria e Drejtësisë e SHBA, në 16 faqet e saj, të paktën 15 i kushtohen fund e krye, Edi Ramës, ish-oficerit të policisë sekrete, bashkëpunëtorit të SHISH, Agron Nezaj, këshilltarit në hije të Edi Ramës, Dorian Duçkës.
Edi Rama është sjellë në mënyrën më të pabesë, më jo miqësore ndaj partnerit tonë strategjik kryesor, duke keqshfrytëzuar, duke përdorur si aset të fshehtë, një njeri që nuk e meritonte kurrë atë post që kishte.
Charles McGonigal ka dy akuza kryesora. Njëra akuzë është se ky i ngarkuar për të mbikëqyrur Oger Deripaskën, një njeri nga më të afërt të Putin, në fakt u shndërrua në aset të tij. Dhe ajo që është akti më i rëndë, një kryeministër vend anëtar i NATO-s, përdor mjete të paligjshme për të korruptuar këtë zyrtar. Çfarë dëshmon për Shqipërinë dhe shqiptarët kjo aferë, duhet ta kemi të qartë, se mafia shqiptare është më e rrezikshmja e botës së lirë.
Se tentakulat e kësaj mafie, Neza, Duçka, Rama, janë të aftë të kryejnë çdo lloj operacioni të fëlliqur. Duke shkelmuar interesat jetike të sigurisë të SHBA, por edhe të NATO-s dhe botës së lirë në tërësi, si vend udhëheqës që janë.
Mafia qeveritare shqiptare është më e rrezikshmja, e Europës dhe planetit ndoshta. Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë shtet të fuqishëm, por për Shqipërinë që me dy mafiozë, Agron Nezën dhe Dorian Duçkën arrin të fusë në rrjetë një njeri të brishtë nga morali dhe çdo gjë. Në vend që të informonin vendin partner, këta e shfrytëzuan dobësitë e tij dhe e angazhuan atë në një luftë politike të paimagjinueshme.
E paguan atë për veprimtari antikushtetuese në SHBA. E paguan atë për përdorimin e institucionit themelor të sigurisë së SHBA, të brendshëm, për qëllime të tyre politike. E paguan atë që ai të trajtojë FBI-në si një agjenci private. Edi Rama është bashkautor në këtë krim të shëmtuar.
McGonigal ka bërë 6 takime në Shqipëri, ka bërë takime jo veç me Ramën, por edhe me Ardi Veliun, shefin e shërbimeve, kupolën e policisë dhe të tjerë. Të gjitha këto takime i ka bërë me pagesë, të gjitha këto udhëtime të fshehta, e paimagjinueshme. Të gjitha udhëtime duke mos deklaruar hijen e zezë, oficerin e sigurimit të shtetit që e shoqëronte kudo, Agron Nezën, askund nuk e tregonte. Krijonte, merrte shuma 225 mijë dollarë prej tij dhe krijonte ndërmarrje që të zhvaste edhe nja 500 mijë euro në Bosnje, për takime politike në misionin e SHBA në OKB.
Edi Rama me Agron Nezën dhe Duçkën, bënë gjithçka që ti japin këtij njeriu çdo mundësi që të shkelmojnë rregullat, kodin e institucionit të tij, me rëndësi kapitale themelore jo veç në SHBA, por për mbarë vendet e NATO-s dhe vendet e lira.
Ajo që të bën përshtypje, ndonëse flet e mbarë bota, është lajm kryesor në çdo media, mendon se do e kalojë me një Twitter, ku thotë se aty nuk flitet për mua.
Nxjerr mjeranë dhe pseudoanalistë dhe betohet që në 16 faqe, ku flitet vetëm për të dhe bashkëpunëtorët e tij, se akuzën tjetër, për paratë e Deripaskës nuk e kanë publikuar.
Pra 16 faqe janë vetëm afera shqiptare. Ajo e Bosnjes është veç 1 faqe.
Këto janë akte tmerrësisht të rënda në marrëdhëniet mes dy vendeve. Është një pabesi ekstreme.
Të vijmë pak te Oleg Deripaska, i cili duket se e ka aset McGonigal, sepse thuhet se është paguar prej tij dhe se kanë larë paratë së bashku.
Por ky na del në Shqipëri investitor strategjik, ndërtues hidrocentralesh, pronar licencash hidrocentralesh.
Mos të harrojmë se është një nga njerëzit më të afërt të Putinit.
Me të drejtë shtrohet pyetja, si ka mundësi që përdoren paratë për të lobuar kundër opozitës?
Shqiptarët mësuan, e kam deklaruar shumë herë, se është përdorur korrupsioni ndërkombëtar për të luftuar antikorrupsionin në Shqipëri.
Dëgjojeni pak se çfarë thotë ortaku i McGonigal në firmën e përbashkët që kanë ngritur në Tiranë, Mark Rossini. Edhe ky ish-zyrtar i lartë.
Ky në një deklaratë të paguar, në vitin 2019, thotë se Berisha është një kukull e Putinit. Për llogari të Edi Ramës.
Pra, kjo ishte një ofensivë e korruptokracisë kundër opozitës.
Edi Rama ka shkelur çdo ligj dhe ai duhet të shkojë menjëherë para korrupsionit në Shqipëri. Ne do të krijojmë Komision Hetimor Parlamentar. Është shumë e thellë, kjo që dimë ne është sipërfaqja, por kjo është një aferë botërore, e cila ka synuar sigurinë e SHBA në njërën anë dhe pushtetin, karrigen e Ramës nga ana tjetër. Edhe njëherë them, kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe analist të shquar amerikanë janë të këtij mendimi.
Komisioni hetimor parlamentar është një emergjencë. Edi Rama ka vetëm një alternativë, të shndërrohet në i penduar dhe të kontribuojë në zbardhjen e kësaj afere, që do të mbetet një njollë e tmerrshme e zezë, në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Të shndërrohet në të penduarin e drejtësisë dhe të dëshmojë çdo gjë. Absolutisht nga asgjë nuk mund të shpëtojë. Të paktën të gjejë moralin për të bërë të penduarin dhe për të dëshmuar dëmin kolosal që ka bërë me qëndrimet e tij.
Një kryeministër vend anëtar i NATO-s, sillet në këtë mënyrë ndaj vendit drejtues të NATO.
Unë i kam ndjekur, edhe ju sigurisht, debatet dhe analizat për këtë çështje. Dje, sot e gjithnjë do të them se Edi Rama në këtë aferë është sjellë absolutisht si agjent i Putin. Se përfituesi më i madh në këtë aferë është Rusia.
Pse unë them se është sjellë si agjent influent. Unë konstatova se pati reagime nga analistët. Çfarë u kërkoj unë këtyre analistëve, u kërkoj njerëzit të hapin dhe të lexojnë se çfarë është agjenti influent.
Agjenci influent është person që ka një status, në përkufizimin e fjalorëve politikë, dhe e përdor pozicionin e tij për të influencuar publikun në qëndrime, drejtime dhe politika të caktuar siç i intereson një fuqie tjetër.
Agjentët influentë janë tre kategori, u them këtyre zotërinjve që e quajtën të tepërt këtë që thashë.
Agjenti që ka një status dhe ka firmosur dhe atij i vijnë udhëzimet përmes agjentit tjetër. Nuk e di, megjithëse ka shumë gjëra të errëta, qoftë në trashëgimi familjare, qoftë në drurin familjar, nuk e di.
Kategoria e dytë e agjentit influent janë ata që veprojnë me ndërgjegje, pa firmë dhe janë njëlloj me të parët. U them atyre që reaguan se do gjeni prej tyre që kanë shkuar edhe në gijotinë për veprimin e tyre pa firmë, por kanë mbrojtur edhe njëlloj sikur të ishin nazistë apo stalinistë, kauzat e gabuara. Këta quhen agjentë influentë.
Kategoria e tretë e agjentëve influentë janë idiotët e dobishëm. Idioti i dobishëm është spontan, është sporadik. Bën deklarata dhe shfrytëzohet deklarata e tij dhe pastaj është një copë asgjë.
Të më thotë kush se a ka deklaratë më të dobishme për Putinin se deklarata e Edi Ramës: mos i bini në qafë Serbisë, për të respektuar sanksionet? Me fjalë të tjera, lëreni të mbetet prapavijë e Rusisë. Është e qartë si drita e diellit se kujt i intereson kjo deklaratë. Asnjë lider evropian, përveç tij nuk e bën. Këtu Deripaska është strategjik.
Së dyti, kujt i intereson deklarata e Edi Rama në Davos se e ndaluat mallin e pistë rus, dhe morën nga të tjerët, më keq se rusët. Po kush është sot më keq se rusët, që agreson dhe bën kasaphanë në një popull? Kujt i intereson kjo? Pse, nuk e di Europa? Në vend të duartrokitet Gjermania, që e zeroi importin rus, Edi Rama u thotë se e latë mallin e pistë, për të marrë mall më të pistë.
A nuk është kjo një shprehje me kuptim politik totalisht në mbrojtje të Putinit.
Unë shprej që të gjitha këto të hetohen, qoftë nga komisioni parlamentar, qoftë nga drejtësia në SHBA.
Por e mbyll përsëri fjalën time, shko e dorëzohu si i penduar sepse ke bërë një dëm të pallogaritshëm me aktet më të papranueshme, dënueshme. Kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s përdor si aset tëndin, njeriun kryesor të kundërzbulimit të FBI-së. E paguan, e përdor kundër opozitës.
Pra jemi në një situatë shumë kritike. Unë kam bindjen se qytetarët do të flasin, kështu nuk mund të vazhdohet. Ky njeri është i pakallur. Departamenti i Drejtësisë iu përgjigj sot një rrjeti televiziv kur u pyet për kryeministrin; i keni të gjitha publike tha. 16 faqe ja ku janë, fillojnë dhe mbarojnë me ‘personin A’, Agron Nezën, ish-oficerin e Sigurimit të Shtetit dhe SHISH, me ‘personin B’, Dorian Duçkën, një nga mafiozët më kryesorë dhe me vetë kryeministrin i cili nga zyra e tij i ngarkon detyra McGonigal për veprime të zeza ndaj opozitës shqiptare dhe mos harroni se ka pjesë të redaktuara jo pak.
E vërteta është se kjo është vetëm maja e ajsbergut, ky dokument 16 faqesh i publikuar.
