Përshendetje, zonja dhe zotërinj deputetë.
Z. Kryetar i Grupit Parlamentar. Të dashur qytetare dhe qytetarë.
Ne hymë në një vit të një rëndësie vendimtare për demokracinë, për pluralizmin, për shoqërinë shqiptare, dhe PD, Grupi ynë Parlamentar mbetet totalisht i përkushtuar për të përmbushur me përgjegjësi të plotë, me transparencë, me guxim detyrimet e tij madhore. Ne jemi në një moment shumë të rëndësishëm elektoral, kemi përpara zgjedhjet vendore të cilat duhet të përmbysin monizmin e plotë në Shqipëri të Edi Ramës.
Përbën një punë, më transparente në historinë e vendit, dhe kandidatët që ne paraqesin janë sot, dlain para çdo qytetari shqiptar, si kandidatë të vullnetit të lirë të anëtarësisë dhe simpatizantëve të PD. Kandidatë të tjerë janë kandidatë të shpellës, të hurit.
Se thonë që në Durrës ka kërcitur sërish huri, po ec e merre vesh tani, se atje kërcet shpesh. Po, po, janë kandidatët e grupeve kriminale, mafioze. Janë kandidatë që përcaktohen tërësisht nga interesat e Edi Ramës dhe atyre klaneve mafioze që e mbështesin atë. Në këtë platformë ne do vazhdojmë edhe me këshilltarët, parlamentarët.
E vërteta është që kjo gjë e ka tmerruar Edi Ramën. Këto zhvillime brenda PD atë e kanë tronditur deri në palcë, pasi e sheh që betejën e ka të humbur. Ky tmerr, ky trishtim ka bërë që ai të humbasë jo vetëm mendjen, arsyen dhe logjikën, por të vazhdojë me flamurin e zi të një krimineli elektoral. Të dalë hapur me platformat e plaçkitjes së votës. Me dhunim e ekzekutimit të saj paraprak. Të dëshmojë se ai është i aftë të bëjë gjithçka. Të ushtrojë çdo formë terrori për të grabitur votat e qytetarëve shqiptarë.
Natyrisht, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë. Në kontekstin e përpjekjeve të tij, ai ka ndërmarrë një sulm të paprecedentë kundër forcës kryesore politike opozitare, kundër PD. Ai mendon se mund të mnbajë peng këtë forcë, por e vërteta është që ai do mjerohet. Ai mendon dhe përpiqet të bëjë çdo gjë që forca jonë politike në garën e ardhshme elektorale të hyjë siç dëshiron ai.
Edhe njëherë dua të theksoj për qytetarët e këtij vendi. E vërteta, lidhur me PD dhe rregjistrimin e saj është se në përputhje me të gjitha standartet e një vendi të lirë Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin e saj plotësisht kushtetues dhe ligjor. Ndaj dhe dua t’u them qytetarëve, demokratëve, të mos vendosë gishtin aty ku nuk qendron. Gjykata ka bërë punën e saj. Në çdo vend të lirë, çdo grup qytetarësh që vendos të krijojë një shoqatë apo një parti, harton një rregullore apo statut të vetin, plotëson kushtet ligjore dhe e dorëzon në gjykatë, e cila, pasi vërteton saktësinë e dokumenteve, përputhjen e statutit me parimet e Kushtetutës, vendos rregjistrimin e saj.
Në vendet diktatoriale kjo bëhet në ministrira. Kur unë kam qenë kardiolog, shoqata jonë e kardiologjisë rregjistrohej në ministri. Statuti miratohej në ministri. Liria ia heq këtë të drejtë ekzekutivit dhe ia jep gjykatës për të garantuar autonominë dhe pavarësinë e shoqatave dhe partive politike. Në Shqipëri kjo ka ndodhur. Çdo konfundim i saji është i padrejtë. Gjykata më 25 mars ka vendosur, pasi e shtyu tre muaj.
Por çfarë ka ndodhur në Shqipëri?
Edi Rama është ai që ndalon rregjistrimin e aktit të gjykatës në rregjistrin e partive politike, në një akt absolutisht antidemokratik dhe diktatorial. Është vetëm Edi Rama ai që nuk lejon me një kancelar, me një sekretare, që ka detyrë absolute ligjore, të çojë aktin në regjistër. Kjo është e vërteta. Pra, nuk është një problem gjykate, është një problem Edi Rame. Është problem i atij, që ka ndaj pluralizmit politik të njëjtat ndjenja armiqësore si i ati i tij, i cili si xhelat, firmoste në gusht të vitit 1988, varjen në litar të poetit që shprehej për frumën e Helsinkit, për të drejtat e njeriut.
Edi Rama bën këtë tani, me forcën kryesore politiko-opozitare të vendit. Pra, kemi të bëjmë me një urdhër ekzekutiv stalinist të Edi Ramës, që nuk do që kjo parti të rregjistrohet. E them këtë se konstatoj konfuzion, sidomos në media.
Por media, gazetarët dhe qytetarët duhet t’i përmbahen të vërtetës se kjo është esenciale. Gjykata ndonëse e mbajti përreth tri muaj, por në fund vendosi. Po kaq i shëmtuar bëhet akti i bashkëngjitjes për palë të atyre që kurrë nuk ishin palë. Të keqpërdorur edhe nga Edi Rama. Në çdo proces gjyqësor, palë janë ato që paraqesin pretendime në sallën e gjyqit.
Në rastin e PD, çdo qytetar që kishte dyshimin më të vogël për këtë vendim gjykate, ka të drejtën të hapë proces gjyqësor, por kurrë të bëhet palë. Palë në atë vendim jemi vetëm ne, dhe ne kemi të drejtë nqs gjykojmë, të apelojmë. Por askush tjetër mbi tokë, përveçse në drejtësinë e Edi Ramës. Kurrë! Kurrë!
Përdor një të keqpërdorur, një të keqshfrytëzuar në shkallën ekstreme, në mënyrën më të pamëshirë, duke shkelmuar mbi të, dhe e urdhëron të bëhet palë. Se në këtë mënyrë mund të prishet çdo proces gjyqësor mbi tokë. E drejta e gjithësecilit për të hapur një proces është e patjetërsueshme. Por jo të të bëhet palë aty ku nuk është.
U ndala edhe njëherë në këtë moment, për të theksuar se ne nuk kemi problem me drejtësinë. Ne kemi problem me Edi Ramën, dhe këtë e krijon ai si armik i egër i pluralizmit. Këtë situatë e krijon ai që me çdo kusht të marrë zgjedhjet, duke kryer edhe manovrat më anti-demokratike. Kjo është e vërteta. Nuk ka asnjë shpjegim, apo rrethanë tjetër.
Kjo parti është gjetur nga gjykata e vlefshme me të gjitha dokumentet, statutin dhe ka urdhëruar rregjistrimin. Edi Rama nuk e lejon atë.
Të njëjtën gjë po ai, po kaq në mënyrë armiqësore, dhe anti-demokratike duke u shërbyer po nga të njëjtët njerëz me grupin parlamentar. Ai e sheh se kohërat i ka të numëruara. Ai e sheh se vjedhjet që bën çdo ditë, po i kthehen tani në një bumerang të tmerrshëm. Ai e sheh që nuk ka shpëtim nga një shtet ligjor, për një seri aferash, vjedhjesh të tmerrshme, nga ajo e djegësve, e Butrintit, e Portit të Durrësit, etj. Nuka ka! Ai ka të vetmen shpresë të mbajë me çdo kushtet pushtetin. Prandaj shërbehet po nga të njëjtit njerëz. Njerëz të zhveshur nga çdo lloj dinjiteti njerëzor, integriteti njerëzor.
Papritmas, në kulmin e skandalit të gjysmë milionë eurove të vjedhura, ose të dhëna në roje, atë s’keni për t’a marrë vesh ndonjëherë, tregojnë se kur një shefe kabineti mbante në tubat e aspirimit, në frigoriferë dhe lavatriçe, gjysmë milionë euro, imagjinoni sa kanë në kontot bankare, Edi Rama, Olsi Rama, Arben Ahmetaj, etj me rradhë. Je bërë qerpaze para shqiptarëve. Gjysmë milionë euro. Një ditë thonë janë të Ballukut, ditë tjetër thonë janë të Spiropalit, ditën e tretë thonë se janë po të kësaj, ditën tjrtër thonë janë të Arben Ahmetajt, por eurot aty janë. Tre thasë me euro mbeten jetimë, sepse atë që i kanë vjedhur kërkojnë të shpëtojnë prej tyre.
Në këtë kulm skandali të pashembullt, në kulmin e skandalit të kryetarit të bashkisë i cili kapet si kurrë ndonjëherë më parë, që bashkia bën tender për të vjedhur paratë e taksapaguesve, ndërton rrugën me buldozerët e vet, me rrulat e vetë, ndërkohë hap tenderin që pas 20 ditësh të shpallë fitues kompaninë e vet. Se rruga po ndërtohej. Po sa? 400 e sa mijë euro. Dhe bën fiktivisht sikur po anulon tenderin, i kapur në mënyrën më flagrante, kryetar bashkie që shpall tendera për të vjedhur bashkinë. I bën rrugën me njerëzit e bashkisë, dhe do shpallte fituese një kompani tjetër, për t’i marrë paratë vet. Sigurisht kompaninë e vëllait të vet, apo të ndonjë lloji tjetër, siç bëri dasmën e vet.
Këta nuk fitojnë, qytetarët nuk i votojnë këta. Këta e kanë kuptuar, e ndjejnë që janë të përfunduar ndaj edhe bëjnë gjithçka. Në kulmin e këtyre skandaleve, i keqpërdoruri i tij shpall se ka përjashtuar 4 deputetë nga grupi. Një njeri që s’ka asnjë funksion. I bën Edi Rama, se Edi Rama i di këto. Linda e parlamentit i di këto
Përveç Koresë së Veriut, nuk mund të gjesh parlament në botë, që të dalë një i vetëshpallur kryetar grupi dhe të përjashtojë katër deputetë nga grupi pa asnjë forum, pa asnjë bazë, rregullorja nuk e përjashton këtë. Rregullorja e firmosur në 2018 parashikon zero përjashtime nga grupi. Edhe statuti nuk përjashton. I mëparshmi, po ky i sotmi, jo e jo.
Po pse ndodh kjo?
Kjo ndodh nga Edi Rama, se si e si të ngushtojë në maksimum hapësirën parlamentare të PD, se si t’i lërë jashtë komisioneve, se si t’u lërë atyre dy minuta kohë për diskutim. Ky është një akt i padëgjuar ndonjëherë në histori. Është prapë Edi Rama. Unë e kuptoj, që ka prej jush që thonë Alibasha, apo Bashaliaj. Jo, ata janë lëvozhga njerëzore, nuk janë as njerëz. Nuk kemi pse merremi me ta. Është Edi Rama, sepse në çdo vend, po të mos ishte Edi Rama, kryetari i parlamentit do i thoshte: Nisu! Nuk mund përdorësh metoda staliniste në parlament. Tjetri mund t’i thojë shko në psikiatri, mjekohu, se je i sëmurë.
Edi Rama, krahas këtyre metodave kalon në akte të tjera anti-kushtetuese të hapura. Ne si opozitë çfarë kemi të dashur qytetarë? Ne kemi detyrim ndaj jush kontrollin e qeverisë. Se nuk marrim ne vendime për qeverinë, por kontrollin po. Vjedhjet e qeverisë po. Në qoftë se ne nuk e bëjmë këtë, e kemi haram votën tuaj! Në qoftë se nuk e bëjmë këtë, ne nuk ju mbrojmë ju.
Prandaj dhe, ligji parashikon, Kushtetuta parashikon kontrollin e pushtetit nga opozita. Ligji parashikon komisionet hetimore parlamentare. Në këtë kontekst, u mblodhën firmat dhe u dorëzua kërkesa për të hetuar Edi Ramën. Sepse një njeri, që kryen 136 udhëtime me çarter, në një kohë kur qytetarët e tij, me mijëra e mijëra rrezikojnë jetën dhe çdo gjë në gomone. Ky është një njeri i degraduar në çdo lloj aspekti.
Nuk po flas për transportin që flitet se bën avioni i tij të parave dhe lëndëve të tjera, dhe në itenerare të caktuara, nuk po ndalem këtu. Nuk po ndalem këtu në fluturimet e tij që janë para Ismailit, që janë në hetim absolut ndërkombëtar, jo në një, por në dy vende. Që ai ka pasur atë Duçkën e tij drejtor aty ai. Edhe këtu mund të ndalemi, sigurisht sepse ky është kryeministër, por ne po ndalemi në 136 fluturime, 22 milionë euro. Dhe duhet të ndalemi. Në çdo vend të botës, kjo gjë përbën një superskandal.
Cila është përgjigjia? Përgjigjia është: E rrëzojmë në kryesinë, ku nuk kanë asnjë kompetencë për rrëzimin e saj. Zero kompetencë! Ajo është e drejtë e patjetërsueshme e deputetëve. I ka dhënë përgjigje përfundimtare Gjykata Kushtetuese, edhe në person për Edi Ramën.
Ky nuk do të na lejojë ne të hetojmë. Ky nuk do që të na lejojë ne që të hetojmë. Ne do e hetojmë atë në çdo qelizë. Do e hetojmë në gjithçka, do e hetojmë në çdo gjë që dyshohet se janë vjedhur taksapaguesit shqiptarë.
Nuk ka vend që nuk do t’ua kontrollonte dyshekët gjithë ministrave dhe zyrtarëve, kur dalin papritur 500 mijë e 700 mijë euro. Edhe në romanet e realizmit fantastik këtë gjë nuk e gjen dot kurrë. Dhe ky tani thotë që, do të na pjesëtojë ne fuqinë hetuese.
U ndala në të gjitha këto për të theksuar detyrat shumë të rëndësishme që kemi si grup parlamentar për të mbrojtur Kushtetutën, për të justifikuar besimin e 620 mijë votuesve që kanë votuar kundër Edi Ramës, dhe që ai kërkon me përjashtime, me urdhra ekzekutivë të asgjësojë përfaqësimin e këtyre 620 mijë votuesve. Kurrë s’do ta pranojmë ne këtë!
Ndaj dhe ne duhet të bëjmë punën tonë, duhet të shumëfishojmë të gjitha përpjekjet tona në parlament. Ta shndërrojmë parlamentin në tribunën më të fuqishme të mbrojtjes së interesave të qytetarëve. Të kontrollit mbi këtë regjim. Pusetat e llumit të cilat hapen çdo javë. Të përpjekjeve më të mëdha për zgjedhjet e 14 majit, të sigurtë drejt fitores.
U ndala në këtë analizë për të theksuar se çfarë analize jetike ka veprimtaria jonë këtë vit, jo vetëm për PD-në, për për shoqërinë shqiptare, për kombin shqiptar, për Shqipërinë.
Faleminderit shumë.