Berisha në Kurbin: Brenda një viti do mbyllim të gjitha plagët e tërmetit! Majlindën do e dërgojmë tek Erion Veliaj. 300-400 mijë shqiptarë po vërshojnë nga Europa që ta përcjellim Edi Ramën në banesën e turpit të historisë

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA GJATË TAKIMIT ELEKTORAL NË KURBIN

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar në Kurbin, kandidatët për deputetë të kësaj zone. Ai u shpreh se, ‘Edi Rama, po numëron orët dhe ditët e fundit të regjimit të tij, nuk ka të ardhme dhe u garantoj ju se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta gjejmë dhe do ta mundim’. ‘Njishi është numri i perëndisë, është numri i fitores, numri i dritës dhe i diellit’, theksoi Berisha në fjalën e tij.

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin madhështor në Kurbin, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se, brenda 1 viti do të mbyllen plagët e tërmetit tragjik të 2019. Ai gjithashtu ka paralajmëruar edhe kryebashkiaken e Laçit, Majlinda Cara se do të shkojë tek Erion Veliaj, pra në burg.

‘Ajo që do shkarkohet menjëherë është Majlinda. Bëhu gati. Dhe i them këtu para jush se do të duhet të punojë ose të ketë vite burgu të paktën 30 vjet për rrogat që paguan për ata që janë në Spanjë, që janë në Dubai, dhe që i merr paratë dhe i ndaj me të tjerët, të gjitha taksat tuaja.  Ndaj edhe Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit dhe të tjerë, do shkoni tek Erion Veliaj, atje e keni vendin. Miqtë e mi, qytetarë të fitores, kjo energji, kjo entuziazëm rrezaton fuqishëm në mbarë Shqipërinë. Fitorja është në duart tona, ndaj këto 9 ditë që kanë mbetur, ta bëjmë natën ditë’, theksoi Berisha.

Lideri i opozitës Sali Berisha, duke folur për kongresin e Partive Popullore Europiane në Valencia, u shpreh se aty Edi Ramës iu gris pasaporta. Berisha theksoi se, me Edi Ramën nuk ka integrim në BE.

‘Edi Rama është i famshëm, ka në supe thesin me 225 mijë euro me të cilin korruptoi McGonigalin. Absolutisht atje do të shkojë në burg si ai. E patë ju, e patë në Valencia pasaportën e tij si ia grisën, ia hodhën në kosh. Me Edi Ramën nuk ka integrim, me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës’, deklaroi kryetari i PD, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, ka bërë të ditur se janë 300-400 mijë emigrantë që do vijnë në Shqipëri gjatë këtyre ditëve që të votojnë dhe të përcjellin Edi Ramën në banesën e turpit të historisë.  

‘E keni konstatuar ju që ka një vërshim të emigrantëve nga të gjithë vendet.  Përveçse janë regjistruar çerek milion prej tyre, tani edhe 300-400 mijë të tjerë po vërshojnë të vijnë të votojnë, ta përcjellim Edi Ramën në banesën e turpit të historisë. Ta përcjellim atje ku e ka vendin’, tha lideri i demokratëve Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Kurbin.

FJALA E PLOTE:

Përshëndetjet më të përzemërta, njishat e Kurbinit, njishat e Shqipërisë.

Njishi është numri i perëndisë, është numri i fitores, numri i dritës dhe i diellit.

Rrofshi ju, rroftë Kurbini, rroftë Shqipëria.

E nderuara zonja Erika Mazeti, parlamentare e Forza Italia-s në parlamentin italian.

Një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, Forza Italia-s dhe Italisë mike për praninë tuaj, mbështetjen për opozitën shqiptare në këtë betejë, në të cilën do përmbysë diktaturën e vetme dhe të parë, të bazuar në drogën dhe krimin në Europë, narkodiktaturën e Edi Ramës.

Miqësia dhe bashkëpunimi tradicional i PD me Forza Italia daton që në themelimin e saj, nga i pavdekshmi, italiani më i madh i kohërave, Silvio Berluskoni, mik i shquar i kombit shqiptar.

Dhe sot prania juaj e nderuara Mazeti është dëshmi e vazhdimit të kësaj miqësie dhe bashkëpunimi në interesin më të madh të dy forcave tona politike dhe të dy vendeve mike.

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Kurbinit, qytetare dhe qytetarë të fitores, sot në të katër anët e Shqipërisë, në sytë dhe zemrat e shqiptarëve shndrit fitorja e 11 Majit.

Sot ne jemi më afër se kurrë fitores për të cilën luftuam 12 vite, fitores për të cilën qëndruam të pamposhtur, fitores për të cilën sakrifikuam dhe ja ku jemi sot, më të vendosur se kurrë, më të sigurt se kurrë, të firmosim fitoren më 11 Maj.

Edi Rama, po numëron orët dhe ditët e fundit të regjimit të tij.

Edi Rama nuk ka të ardhme dhe u garantoj ju se edhe prapa diellit po të shkojë, do ta gjejmë dhe do ta mundim.

Nuk ka shpresë për të më!

Ndaj dhe çfarëdo që të bësh, sado që të fshihesh, je tërësisht i pashpresë.

Do kesh fundin e çdo diktatori, fundin e merituar të atyre që u shndërruan në të keqen e kombit të vet.

Ai kalon nga sheshi, nga takimi në takimi, me zyrtarët e tij të mbledhur me firmë, pa takuar kurrë në tre muaj rresht, një ditë të vetme 10 apo 20 qytetarë të lirë sepse edhe një i lirë kur ndodhet në takimin e tij, i përvishet me guxim dhe shfazon.

Edi Rama u ka bërë të këqija të mëdha shqiptarëve.

Miqtë e mi, jam këtu në Kurbin, qytet që me 26 nëntor të vitit 2019 përjetoi një katastrofë natyrore të madhe.

Sot pas 6 vitesh nga qeveria shqiptare pothuajse nuk është bërë asgjë.

U ndërtuan apartamentet nga qeveria turke dhe unë e falënderoj me mirënjohje, po sot mbi 200 familja qëndrojnë në çadra dhe jo në banesat e tyre.

Sot një seri pallatesh sërish janë jashtë çdo standardi.

Edi Rama nuk e ka mendjen të zgjidhë problemet e qytetarëve të Kurbinit, qytetarëve të Durrësit, qytetarëve të Shqipërisë që pësuan një tronditje të madhe, por e ka mendjen se si të pasurohet, si të fryjë më shumë kontot e tij bankare.

Miq, në shtator të vitit 2019 ndodhi një tërmet që pothuajse thërrmoi pallatet në Thumanë. Qytetarët e Thumanës u lanë në pallate të pabanueshme gjersa tërmeti tjetër u mori jetën dhe sot nuk ka asnjë përgjegjës.

Askush sepse të gjithë ata ishin klani i Edi Ramës, ministrat e Edi Ramës, zyrtarët e Edi Ramës.

Miqtë e mi, jam këtu për t’u zotuar para jush se vitin e parë do përmbyllen të gjithë plagët e

krijuara nga tërmeti në këtë qytet dhe në të gjithë territorin e zonës së tij. Pa përjashtim!

Jam këtu për t’u zotuar para jush se Kurbinit dhe çdo rrethi tjetër në Shqipëri do i rikthehen të gjitha institucionet siç i kanë pasur para reformës famëzezë të Edi Ramës. Që të gjitha, me gjykata dhe prokurori, që të gjitha pa përjashtim.

Miq, largimi i shërbimeve nga ju është gjobë për ju. Kjo merr fund.

Ajo që do shkarkohet menjëherë është Majlinda. Bëhu gati.

Dhe i them këtu para jush se do të duhet të punojë ose të ketë vite burgu të paktën 30 vjet për rrogat që paguan për ata që janë në Spanjë, që janë në Dubai, dhe që i merr paratë dhe i ndaj me të tjerët, të gjitha taksat tuaja.

Ndaj edhe Majlinda bashkë me Sakon e Durrësit dhe të tjerë, do shkoni tek Erion Veliaj, atje e keni vendin.

Miqtë e mi, qytetarë të fitores, kjo energji, kjo entuziazëm rrezaton fuqishëm në mbarë Shqipërinë.

Fitorja është në duart tona, ndaj këto 9 ditë që kanë mbetur, ta bëjmë natën ditë. Të takojmë çdo të njohur, t’i telefonojmë çdo miku që të bashkohemi me 11 Maj në votën e fitores.

U garantoj ju, garantoj çdo qytetar të këtij rrethi se programi nuk është program partiak. Se ky program nuk synon pushtetin e Sali Berishës.

Por ky program synon t’u kthejë paratë e taksave çdo shqiptari, demokrat, socialist, pa parti, çfarëdo që të jetë ai.

Ky program ka për qëllim të krijojë mundësi të re për çdo qytetar të Kurbinit, pavarësisht bindjeve të tij politike.

Një mundësi të re për punësim, për pagë më të mirë, për jetesë më të mirë dhe jetë më të sigurt.

Ndaj dhe ne në parimin t’u kthejmë paratë qytetarëve, 100 ditët e para do vendosim pensionin minimal 200 euro. Minimumin jetik 200 euro.

560 mijë pensionistë që marrin sot nën 172 euro, do të marrin 200 euro.

200 euro të marrin dhjetëra mijëra qytetarë që janë në ndihim ekonomike, do marrin qytetarët e papunë, do marrin fëmijët me një prind, do marrin studentët me bursë.

Jo vetëm kaq. 500 euro do marrin rrogëulëtit.

Dhe të gjithë rrogëulëtit, të gjithë pensionistët, të gjithë qytetarët me minimumin jetik do marrin ushqimet me një çmim 20 përqind më të ulët se të tjerët. Karta e konsumatorit u garanton atyre rikthimin e TVSH-së 450 euro në vit.

Paratë qytetarit nënkupton që qeveria kur të ndajë buxhetin, në çdo buxhet më së pari të ndajë

paratë për rrogat dhe pensionet, për ata që janë ndihmë ekonomike.

Nuk do ketë më pensionist, nuk do ketë më shqiptar që do qajë me lot të ftohta mjerimi për kafshatën, për ilaçet, për qiranë.

Jo, jo, do ketë një ndarje krejt tjetër të të ardhurave.

Edi Rama pensionet i la pothuajse aty ku ishin. Rrogat e larta i trefishoi, i pesëfishoi.

Shqipëria është i vetmi vend në botë ku një nëpunës i lartë merr sa 50 pensionistë.

Nuk ka asgjë më çnjerëzore se kjo. Merr fund.

Rrogat e larta mbeten aty, do rriten rrogat e ulëta dhe të mesme.

Rrogat e mesme do jenë 1250 euro, të ulëtat do jenë 500 dhe do rriten vazhdimisht gjersa

shqiptarët të paguhen më mirë se të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit.

Shqipëria është vendi më i pasur dhe ju e meritoni pagesën.

Miq, Edi Rama po numëron ditët.

Është në rreth të kuq.

Ju e dëgjuat rezolutën e 82 partive politike që qeverisin Europën sot se si e damkosën si armik të votës së lirë, si armik të opozitës, si baloz i lidhur me krimin.

Në Valencia triumfoi kauza juaj.

Në Valencia triumfuan idealet tuaja të lirisë.

Idealet për një Shqipëri pluraliste dhe mori goditjen më fatale Edi Rama dhe bandat e tij.

Kudo që shkon e ndjek si lugat, e ndjek si fantazmë McGonigali, dosja e tij.

Edi Rama është i famshëm, ka në supe thesin me 225 mijë euro me të cilin korruptoi McGonigalin. Absolutisht atje do të shkojë në burg si ai.

E patë ju, e patë në Valencia pasaportën e tij si ia grisën, ia hodhën në kosh.

Me Edi Ramën nuk ka integrim, me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës.

Ai përpiqet të mbrohet duke e shndërruar fushatën në tallava dhe banalitete vetëm e vetëm si të shpëtojë nga ju për vjedhjet që u ka bërë, për dështimet që ka bërë.

Por ditët e ka të numëruara. Sot janë nëntë, nesër do jenë tetë.

Dhe së shpejti do marrë fund me 11.

Vota juaj është vota e historisë.

Vota e shqiptarëve.

Miq, unë garantova me fjalë nderi udhëheqjen politike të Europës, se shqiptarët që përmbysën diktaturën më staliniste në Europë, do përmbysin më 11 Maj diktaturën e parë të drogës dhe krimit të Edi Ramës.

Pra, do çlirojnë Shqipërinë dhe do çelin një kapitull të ri, kapitullin e shqiptarëve dinjitozë, kapitullin e besimit tek Shqipëria, e prosperitetit dhe mirëqenies së tyre, e punësimit.

Kapitullin me të cilin kombi do ecë në rininë e tij.

U jap këtyre të rinjve fjalën se qëllimi më madhor i programit tonë është që ata ëndrrën e tyre të bukur shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri.

Që ata të mos e eksportojnë ëndrrën jashtë Shqipërisë.

Shqipëria e ka jetike ëndrrën e tyre.

Pa ëndrrën e tyre kombi nuk ka të ardhme.

Ndaj dhe ne do dyfishojmë investimet në arsim. Do modernizojmë shkollat.

Garantoj mësuesit se do paguhen me rrogë minimale 1500 euro. Se nuk do ketë asnjë mesatare apo pengesë. Dyert e universiteteve do jenë të hapura për ju.

Pas përfundimit të studimeve, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore çdo punëdhënësi që punëson të ri.

Një çati për çdo çift të ri, 30 mijë euro grant për të përballuar kredinë e butë për strehim për ju.

Bonus për fëmijën e parë 70 euro.

Bonus për fëmijën e dytë 60 euro.

Pagesë e plotë nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë.

Përpjekjet më të mëdha për të kthyer në Shqipëri çdo shqiptar që u largua këto vite. 5 vite pa taksa, kredi të buta për strehim, hiqet çdo taksë mbi pronat e emigrantëve.

Miq, e keni konstatuar ju që ka një vërshim të emigrantëve nga të gjithë vendet.

Përveçse janë regjistruar çerek milion prej tyre, tani edhe 300-400 mijë të tjerë po vërshojnë të vijnë të votojnë, ta përcjellim Edi Ramën në banesën e turpit të historisë.

Ta përcjellim atje ku e ka vendin.

Garantoj bizneset e Kurbinit se klima më miqësore do krijohet 100 ditët e para për ta. Se energjia do shitet tre herë më lirë, me 6 lekë nga 18.

Tarifat e ujit do përgjysmohen.

TVSH do zbresë në 15 përqind.

Tavanet për tatim fitimin dhe TVSH për bizneset e vogla do rriten në 150 mijë euro.

Bashkitë, Majlindat si puna e kësaj këtu, kufirin tek thana.

Nuk do mund të vendosin kurrë tarifa dhe taksa që tejkalojnë 1 përqind të xhiros së biznesit.

Ne besojmë se kjo është rruga e punësimit, e mirëqenies, e begatisë dh e zhvillimit të shqiptarëve.

Fermerët, mbështetje të plotë dhe pesëfishim të subvencioneve për çdo fidan, për çdo kokë vagëti, për çdo njësi prodhimi.

Nga 32 milionë, subvencionet do kalojnë në 230 milionë. Do dyfishohet buxheti për bujqësinë.

Pra miq, Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria e qytetarëve që jetojnë me dinjitet, që nuk derdhin lot të ftohta mjerimi, që punësohen në vendin e tyre dhe përfitojnë nga pasuritë përrallore të Shqipërisë.

Do jetë Shqipëria e patriotëve që e duan këtë vend, duan të ndërtojnë ëndrrat e tyre në këtë vend.

11 Maji është dita e fitores.

Votoni ndryshimin, votoni fitoren.

Rrofshi ju, rroftë Kurbini, rroftë fitorja.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale