FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË FIER, EDVAR KODHELI
EKSTRAKT
Gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ Edvar Kodheli në Fier, kryetari i Partisë Demokratike u ka bërë thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të forcës politike, që të bëjnë gjithçka për të siguruar çdo votë.
Duke cituar ish-kancelarin e Gjermanisë, Helmut Kohl i cili ka thënë se: ‘Do të bëja 600 kilometra me biçikletë për të siguruar një votë të vetme’,- Berisha tha se, vota jonë në 14 maj, nuk ka pasur një rëndësi kaq jetike sa tani.
‘Le ta shndërrojmë këtë fushatë në një kuvend intensiv me çdo të njohur. Mediat i kemi kundër, i kanë blerë, absolutisht, me një leje kulle, me një leje të këtillë, e atillë, nga mëngjesi deri në darkë manipulojnë të vërtetat. Kurse ne duhet të ja themi njëri-tjetrit të vërtetën në sy. Ne duhet të shpjegojmë, ndaj dhe po ua rikujtoj prap, atë që thashë dje në Vorë, fjalën e Helmur Kohlit: Për një votë, – u shpreh kolosi i madh i kombit gjerman, – unë do të bëja 600 km me biçikletë për të siguruar një votë’, theksoi në fjalën e tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
FJALA E PLOTË
Demokrate e demokratë të Fierit, qytetare e qytetarë, banorë të këtij rrethi, zonja e zotërinj. Një përshëndetje të përzemërt, një mirënjohje të pakufishme për këtë takim entuziast, përcillni sonte në të 4 anët e këtij qarku dhe mbarë Shqipërinë mesazhin e fuqishëm të fitores së 14 majit, mesazhin e ndryshimit, mesazhin e shpresës për mbarë shqiptarët.
E nderuar zonja Kryemadhi, i dashur zoti Luan Baçi, drejtues politik dhe anëtar i kryesisë së PD- së, e nderuar zonja Floriana Garo, zëdhënëse e PD-së dhe anëtare e kryesisë së kësaj partie, i dashur zoti Rrapi Gjika, kryetar i PD-së për Fierin.
I dashur kandidati ynë për kryetar bashkie të Fierit, kryetari i ardhshëm i kësaj bashkie, Edvar Kodheli. Të dashur kandidatë tanë për Patosin, Sofia Alushaj, për Mallakastrën, Resmi Shanaj, për Roskovecin, Erdit Hazizaj, për Lushnjen, Eduard Sharko, për Divjakën, Aurel Marko.
Të dashur anëtarë të Këshillit Kombëtar, Myslim Murrizi, Ibrahim Morina, miq të ftuar.
Është një nder i veçantë për mua, është një kënaqësi e madhe për mua të vij sot këtu dhe të paraqes kandidatin për kryetar Bashkie, Edvar Kodhelin, i cili, e vërteta është se nuk është kandidat i Sali Berishës, i kryesisë së PD-së, por i juaji, demokrate e demokratë të Fierit, i votës tuaj, vullnetit tuaj dhe unë e mbështes me të gjithë fuqinë time, me të gjitha mundësitë e mia.
Edi, Eduarti, Sofia, Aureli, Erditi, dhe të gjithë kandidatët tanë nga jugu në veri, janë kandidatët të votës së lirë, kandidatë të vullnetit tuaj, kandidatë të një standardi më të avancuar që ekziston sot.
Këtu në Fier dhe kudo që kam shkuar, anëtarët e anëtaret e PD-së, me shumë të drejtë, kërkuan një vit e gjysmë më parë që të ishin ata që të përzgjidhnin, që të votonin kryetarin e partisë, kandidatin për kryetar bashkie, kandidatët për deputetë dhe një zotim i marrë solemnisht para jush, sot është realitet. Të gjithë këta janë nuse dhe dhëndurë të lirisë, janë njerëzit e besimit tuaj.
Me këtë proces, ne kemi përmbysur një praktikë dhe kemi vendosur lirinë, dinjitetin tuaj në themel, të përfaqësimit. Sot këta kandidatë, detyrohen ndaj jush dhe unë kam bindjen se nesër në detyrën e qytetarit të parë të bashkisë, do të jenë shërbëtorë të përulur para jush të përkushtuar dhe do të jenë menaxherë të aftë dhe jam i sigurtë se do të ndryshojnë për mbarë qytetet ku ata do të zgjidhen.
Unë ndoqa me shumë interes fjalën e Edvar Kodhelit, fjalë e cila shquhej nga dy tipare themelore.
Së pari, vendosja e qytetarit në epiqendër dhe së dyti një realizëm i madh.
Ju garantoj se Edvar Kodheli, kryetar i një bashkie dhe një moment që PD nuk është akoma në pushtet, por ka pushtet të fuqishëm të dhënë nga ju, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore jetën tuaj, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore shërbimet ndaj qytetarëve, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore klimën ndaj biznesit, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e fermerëve tanë, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore sistemin arsimor, shërbimin shëndetësor.
Dhe ky pushtet buron para së gjithash nga vendosmëria e tij për të përdorur me transparencë para jush, çdo qindarkë të taksave tuaja. Buron nga vendosmëria dhe detyrimi i tij për të zbatuar filozofinë e partisë konservatore demokratike, filozofi e cila ka në epiqendër familjen, respektin, mbështetjen e saj, ka në epiqendër dinjitetin e saj dhe respektin ndaj njeriut. Ka në epiqendër taksat e ulëta.
Taksat e ulëta janë një kusht themelor i suksesit të biznesit. Taksat e ulëta janë një kusht themelor, i dy dhe trefishimit të bizneseve në qytete. Taksat e ulëta janë një gjenerator i fuqishëm i krijimit të vendeve të punës. Por, po kështu kryetari i ardhshëm i bashkisë, në zbatim të programit të PD, do të ketë një interes madhor për fermerët në të 4 anët e këtij qarku.
Miqtë e mi!
Në filozofinë tonë nuk ka vend të zhvilluar pa fshat të zhvilluar. Nuk ka vend të begatë pa fshat të begatë dhe ju siguroj se Edvar Kodheli do të bëjë gjithçka për të ndihmuar fermerët e Fierit,
për të ndihmuar në organizimin e veprimtarive të tyre, për të lehtësuar taksat që i rëndojnë, për të investuar në sistemin e kanalizimeve, infrastrukturës.
Ne nuk jemi parti e qendrave të qytetit.
Jo ua them këtu haptas, ne nuk kemi asgjë me qendrat, por ne kemi filozofi tjetër, filozofia jonë është që qytetarët kudo që jetojnë duhet të gëzojnë po atë infrastrukturë që gëzojnë edhe lagjet e qytetit.
Pse u ndala unë këtu, sepse Edi Rama në 8 vite ka shpenzuar duke vjedhur dhe shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme, 2.3 miliardë euro vetëm rrasa guri në qendrat e qyteteve, që po të kishin qenë gurë gjysmë të çmuar nuk do të kushtonin kaq shumë. Dhe që janë bërë në mënyrë absolute, në motivin kryesor për të vjedhur, se shpenzimi për to, të paktën 70% e shpenzimeve janë vjedhur dhe shpërdoruar nga Edi Rama dhe grupi i tij.
Ndërkohë Shqipëria rurale nuk ekziston për këtë qeveri.
Ju bëj thirrje fermerëve të Myzeqesë, të kujtojnë pak sa herë e kanë dëgjuar atë të flasë për qumështin, lopën, vreshtin, plantacionet, ullishtën. Sa herë e kanë dëgjuar të flasë për kanabisin, drogën, me qindra herë. Ky është kryeministri që beson se Shqipëria duhet të mbushet në drogë, në një kohë që Shqipëria është tokë e bekuar, është një kopsht i vërtetë i Europës Juglindore thoshte Konica.
A e keni dëgjuar të flasë ndonjëherë për fshatin, fshatarët. Po ua them unë, shkon e gjen ndonjë resort agrobiznesi dhe e poston.
Por nuk janë vetëm agrobizneset. Por çdo fermer është një biznes, çdo fermë është një biznes.
Në vitin 2013 Myzeqeja kishte 35 mijë lopë rrace, Shqipëria eksportonte qumësht falë Myzeqesë. Por çfarë ndodhi, ku shkuan lopët e rracës, çfarë ndodhi me tokën. Hapi kufinjtë me Ballkanin e Hapur, mbushi Shqipërinë me qumësht pluhur, krijoi monopolet private në të gjithë imputet bujqësore dhe fermerit i kushton dengu i barit aq shtrenjtë sa nuk e mban lopën e qumështit më, e ther.
Cilat janë mbështetjet që i jep, fermerëve kjo qeveri. Kjo është armike e fermerëve ua them unë. Po pse është armike se është pak fjalë e ashpër. Është armike sepse e përdor TVSH-në vetëm për të ndëshkuar fermerët shqiptarë. Ka hequr TVSH në blerje dhe e ka vendosur vetëm në shitje. Nuk ka vend në botë që e bën këtë. TVSH me ligj është në blerje dhe në shitje. Për këtë shkak përpunuesit, që të gjithë preferojnë mallin e importit dhe lënë në fushë mallin e fermerit shqiptare.
Për të mos folur për subvencionet.
Ishin 5.2 miliardë një vit më parë, zbritën në 3.2 miliardë këtë vit dhe shumica i marrin administrata. Subvencionet për fermerët në Shqipëri, janë 6 herë, 8 herë më të ulëta se në Kosovë se në Maqedoni, se kudo. Kosova subvencionon, çdo hektarë grurë, 400 euro, subvencionon çdo hektar sera 1 mijë euro. Subvencionon çdo hektarë perime në fushë, 500 euro, subvencionon çdo hektar vreshtë, 1 mijë euro, subvencionon çdo lopë 90 euro. Subvencionon çdo kilogramë qumësht 30 cent, subvencionon çdo bletë, 25 euro, çdo dhi, çdo derr, çdo dele, 25 euro. E këto janë më të ulëtat se të tjerët i kanë më të larta. Maqedonia, Serbia, Mali i Zi i kanë më të larta subvencionet. Kurse ky pothuajse zero, ose disa militantë. Pra ne do të kthemi dhe këta qytetarë të parë do të japin sinjalet e para, përpjekjet e para për fermerët shqiptarë.
Zonja e zotërinj!
14 maji janë zgjedhjet e jetës tonë. Kurrë ndonjëherë nga viti 1992 e deri më sot, vota jonë nuk ka pasur një rëndësi kaq jetike sa ç’ka me 14 maj. Me 14 maj ne votojmë për ndryshimin, votojmë Edvar Kodhelin, por votojmë ndryshimin. Votojmë për të ndryshuar në mënyrë rrënjësore këtë vend. Për të bllokuar, ndaluar rrokullisjen e tij.
Qytetar dhe qytetare!
Sot nga Fieri dhe mbarë Shqipëria, në 8 vite kanë ikur 35% e qytetarëve dhe kjo është statistika evropiane. Të ndalemi, çdo shqiptar duhet të ndalet dhe ti thotë vetes, a kam unë në dorë diçka për të ndihmuar unë vendin tim, për të mos lejuar shkretimin e tij. Të shtrojë pyetjen, po si ka mundësi të ikin nga Fieri, i cili si rreth ka fushën më të madhe të naftës në Europë, ka tokat më pjellore në Shqipëri e Europë, ka ujërat më të shumta, ka brigjet më të bukura, ka njerëzit më punëtor, më të mençur, më të zotë.
Po atëherë çfarë ndodh, pse ikin, pse e braktisin këtë vend. Ka vetëm një arsye, varfëria e frikshme në rritje e këtyre 8 viteve. Nga 2007-2014, popullata në Fier dhe Shqipëri rritej nga viti në vit. Po është statistikë e dy viteve më parë kjo që them. Po tani. Rënie katastrofale, sepse në vitin 2013 ne ishim qytetarët me rroga më të larta në Ballkan. Ne paguheshim më shumë se bullgarët, se rumun, se serbët, malazezët.
Po pse paguheshim më shumë ne. Sepse nuk ka vend të pasur se Shqipëria, ua them unë ju, kjo tokë është e pasur se çdo vend në Ballkan dhe qytetarët meritonin plotësisht. Po, po me atë buxhet me ato të ardhura jeni dëshmitarë, u ndërtuan 11 mijë km rrugë, u ndërtuan 1300 shkolla, u ndërtuan qindra sisteme kanalizimesh, qendra shëndetësore e spitale, u ndërtuan mbi 14 impiante të ujërave të zeza, dhe prap se prap, paratë arritën për të dyfishuar rroga e pensione. Ai ishte një qëllim madhor. Ne ishim rropatur në dhjetëvjeçarë dhe shekuj në varfëri, duke jetuar në një tokë të bekuar, në një tokë me pasuri të mëdha, ne nuk meritonim kurrë varfërinë.
Edi Rama nga 2013 e deri më sot në vend që të kishte trefishuar gjer tani rrogat dhe pensionet, dhe të ishim siç u ngjitëm nga fundi, nga më të fundit, në 1992, 204 dollarë për frymë kishim ne, të vazhdonim ngjitjen dhe të kapnim edhe Slloveninë.
Po pse do thoni ju, prap do ju them unë, nuk ka një vend tjetër më të pasur se Shqipëria, pasuri përrallore.
Por kjo kërkonte që kjo qeveri, paratë që krijon, që merr nga qytetarët, të ua kthejë qytetarëve, jo ti vjedhë, ti shpërdorojë. Ku shkojnë paratë? Në qoftë se nga viti 2005-2013, borxhi u rrit nga 58.2 % në 62.6 %, pra me 4.4 %, nga 2013 e gjer sot, borxhi është rritur me 43%, është 107 %. Ka marrë borxh 5 miliardë euro. Ku shkuan, nuk po them miliarda e miliarda të tjera të mbledhura nga të ardhurat, nga taksat.
Ku shkuan. Që të gjitha u vodhën dhe u shpërdoruan. 5 miliardë euro mund të rrisje të paktën 6 herë rrogat e shqiptarëve, mund të rrisje të paktën 3 herë rroga e pensione. Kjo është e vërteta.
Ku shkuan. Po sigurisht, si vidhen. Ajo rruga që thatë ju, Lekaj-Fier, rruga anësore kushton për Edi Ramën dhe Belinda Ballukun, 7.2 milionë euro kilometri, në një kohë kur autostrada vetë ka kushtuar 2 mln euro kilometri. A mundet kjo, në botë nuk ndodh kurrë.
Autostrada në fushë ndërtohet prej tyre me 24 mln euro, ndërkohë që në Gjermani kushton 2-3 milionë euro. Shkollat në manuale ndërtimi, në Berlin, Paris, kudo, shkolla publike e kam fjalën, kushton 700 mijë euro, në Tiranë, 4-5-6 milionë euro. Hajdutë si këta nuk i ka parë toka. Këta nuk pyesim më për asgjë. Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin.
Ndaj dhe kjo shtrëngicë ekonomike, ndaj kjo varfëri e frikshme.
Në vitin 2013 nuk ishim të pasur ne, por varfëria ishte në pakësim, ne ishim në ngjitje, dhe ajo ishte shpresë, optimizëm sa që vinin edhe nga jashtë, ktheheshin edhe emigrantë. U krijua një klimë biznesi e mirë, një potencial i mirë për të investuar për të prosperuar. Kam shkuare njëherë në një komunë këtu afër. Më tha, ne i mbollëm çfarë kishim toka me ullinj, dhe nuk kemi ku të mbjellim më ullinj, dhe ky tani u thotë, me injorancë absolute dhe cinizëm ekstrem, u thotë, e bëtë gabimin vetë, pse i mbollët. Po si qenka gabim të mbjellësh ullinj. Këtë e thotë një njeri, e thonë ata të cilët janë të zhveshur nga çdo lloj nocioni.
Sigurisht ai që ka alfën e bujqësisë, e di që ka vite mbiprodhimi, që ka vite nën prodhimi, që ka vite të cilat dëmtohen nga moti, por shteti ndërhyn në çdo rast. Shteti ka një çmim fiks për ti zhdëmtuar fermerët.
Kosova subvencionon 75% të produktit bujqësor nga fermerët. 75% të të gjitha prodhimeve. Kosova nuk është në krye, është mbrapa Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, mbrapa këtyre vendeve. Por çdo vend e bën këtë. Këta në vend që të bëjnë një politikë me ullirin, në vend që ta përhapin në të gjithë Shqipërinë, se zonat veriore dhe verilindore nuk e përdorin në shkallën
e duhur dhe për ta përdorur duhet një politikë, duhet ta subvencionosh, sa ta përdorin, ta përdorin edhe në Kosovë. Të krijojmë tregun shqiptar të ullirit.
Shihja unë ministren, memorandum me Italinë. Shumë mirë, por Italia ka aq shumë prodhim ulliri or miqtë e mi, saqë edhe probleme ka me eksportin e tij. Ndaj dhe ne, hajde njëherë ta çojmë në të gjitha trojet shqiptare ullirin. Të bëjmë gjithçka për ta eksportuar, por të braktisësh fermerët dhe tu thuash se ke gabuar që ke mbjellë ullinj, asnjë pushtues nuk do ti thoshte fermerëve shqiptarë një gjë të tillë.
Vjedhja e tyre është e pakufishme. Ju keni lexuar, se kanë importuar 500 milionë euro energji elektrike. Ua them këtu, ua bëj të qartë, ua bëj me dije se dy vite me radhë kemi prodhuar 2 miliardë kilovat orë më shumë se konsumi ynë. Strategjia e HEC-eve e përmbysi situatën. Sot HEC-et private prodhojnë, gjer tani 58 % të prodhimit të përgjithshëm të energjisë.
Por çfarë bëjnë këta. Këta kanë gjetur mekanizmin e vjedhjes të tmerrshme me energji dhe të ndëshkimit tuaj, të bizneseve. Verës zbrazin digat, e ndaluar me ligj zbrazja e digave verës. Zbrazin digat, ua shesin sekserëve të tyre shqiptarë, që kanë krijuar firma këta, ua shesin me 30 euro me dokumente, me 40 euro dhe këta energjinë e blerë nga HEC-et publike me 40 euro, e sheshin në bursë me 200 euro, e shesin në bursë me 180 euro dhe ndajnë paratë me ta. Vjen vjeshta, kaskada e zbrazur, çmimet janë në stratosferë, shkojnë dhe blejnë energji me 300 euro kilovatin. Gjithçka është vjedhje që u bëhet qytetarëve. Në një kohë kur kaskada është një mrekulli, se kaskada të lejon të depozitosh energji. Kaskada e mbushur nga Vau i Dejës gjer në Kukës, ka një rezervë të madhe energjie, dhe ti në vend që ta ruash për në vjeshtë kur çmimet kapin qiellin, e zbraz në verë për tu pasuruar vetë.
Çfarë bënë me bordet ndaj jush, se është e rëndësishme të kuptohet pse po ikin shqiptarët. Një shkak kryesor është, jo se nuk e duan këtë vend, e duan vendin, e duan familjen, por varfëria, varfëria. Ndërtuan bordet, mblodhën 520 milionë euro për shkak të rritjes së çmimeve. Çdo qeveri ua kthen qytetarëve ato.
Kosova prap, se tani është bërë të marrim shembull Kosovën, imagjinoni ju që ka 15 vite shtet i pavarur gjithsej. Kosova i dha çdo pensionist 100 euro, çdo studentit 100 euro, çdo rrogëtari, 120 euro. Kurse ky, u dha pensionistëve 5 mijë lekë. A e dini ju se vetëm nga rritja e çmimeve nga viti 2021-2022, çdo qytetar ka humbur 430 mijë lekë. Ai i cili premton rrogën e 13, u grabiti shqiptarëve edhe rrogën e 12 dhe i la me 11 rroga. Imagjinoni pensionistët, se kjo që thashë unë është për ata që marrin rrogë mbi 400 mijë lekë. Pra pensionistëve u grabiti dy pensione. Dhe thotë se ditë e lumtur shumë se po u jap 5 mijë lekë, në një kohë kur u ka grabitur 430 mijë lekë.
Pra a duhet ne të pranojmë këtë situatë. Këtu është shkaku, këta nuk kanë asnjë lloj cipe. Ky drejtësinë e ka futur ne xhep, e kontrollon në çdo qelizë. Shkoni në gjykata po të doni, asnjë gjyq nuk fiton qytetari. 96 % të proceseve i fiton qeveria. Lere që tani do të prisni, 10-20 vite me reformën e Xhorxh Sorosit për të marrë një vendim gjykate. Dhe tani mendon se gjykatat
ndërkombëtare janë si gjykata e Tiranës dhe thotë do të dal nga gjykata ndërkombëtare. Dil provoje njëherë se çfarë do të gjesh.
156 milionë dollarë janë ndarë nga buxheti për të paguar gjobat që kemi marrë në arbitrazh, 156 milionë janë rrogat e plota të të gjithë punonjësve të administratës për dy muaj e gjysëm.
Ju garantoj këtu, se me 12 çështje të tjera, që ndodhen në të njëjtën gjykatë të bankës Botërore dhe me 5-6 çështje të tjera që ndodhen në gjykatën e Parisit dhe të Zvicrës, gjoba e Shqipërisë do të shkojë të paktën 1.5 miliardë dollarë. Do të shkojë pra, më shumë se 2 vite rrogat e të gjithë shqiptarëve. A mbahet një njeri i tillë, a mbahet një kryeministër i tillë i papërgjegjshëm. Hajdut dhe mashtrues, kurrën e kurrës.
Ndaj dhe 14 maji është një ditë që ndan historinë, është një ditë që ne duhet të bashkohemi të gjithë, demokratë, të paparti, socialistë. Po çfarë i lidh socialistët me Edi Ramën, i cili edhe këtë kryetarin këtu e mban peng me dosje se e kishte vendin në burg. Ai ka firmosur për tokat, të gjitha. Futi bashkëpunëtorët tij në burg dhe vetë e nxori Rama. Çfarë i lidh këta me qytetarët, vjedhja. Këta i urrejnë qytetarët, këta përçmojnë qytetarët. Është e domosdoshme të bisedoni me çdo socialist, është e domosdoshme të bisedoni me të çdo paparti. Në qoftë se themi, ç’më duhet mua, kjo është ndihma më e madhe që u japim këtyre. Nëse themi se këto janë njëlloj është mbështetja më e fuqishme që u japim këtyre, se absolutisht nuk jemi njëlloj.
Cilido që i thotë të vërtetës, të vërtetë, do të konstatojë shumë lehtë, shumë lehtë e keni për të përcaktuar se nuk jemi njëlloj, se kemi një raport krejt tjetër me qytetarin. Se po të mos kishim atë raport nuk dyfishonim rroga e pensione. Por çdo kryeministër që ruan raportin më të madh me qytetarët, nuk mund të ketë mision më të madh, se sa përmirësimin e jetës së tyre. Se sa mëkëmbjen e jetës së tyre, se sa investimin tek qytetari, tek njeriu, tek resurset njerëzore.
Ndaj dhe le ta shndërrojmë këtë fushatë në një kuvend intensiv me çdo të njohur. Mediat i kemi kundër, i kanë blerë, absolutisht, me një leje kulle, me një leje të këtillë, e atillë, nga mëngjesi deri në darkë manipulojnë të vërtetat. Kurse ne duhet të ja themi njëri-tjetrit të vërtetën në sy. Ne duhet të shpjegojmë, ndaj dhe po ua rikujtoj prap, atë që thashë dje në Vorë, fjalën e Helmur Kohlit: Për një votë, – u shpreh kolosi i madh i kombit gjerman, – unë do të bëja 600 km me biçikletë për të siguruar një votë.
Le të bëjmë gjithçka për të siguruar çdo votë të të gjithë atyre të cilët besojnë tek Shqipëria. Le të bëjmë gjithçka, të firmosim me 14 maj fitoren e kandidatit tonë të shkëlqyer Edvar Kodheli, kandidatëve tanë në qarkun e Fierit.
Rroftë Fieri, rroftë Shqipëria.