FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT TË PD-ASHM NË FASONERINË NË DURRËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një takimi në një biznes fasonerie në Durrës, shpalosi programin e PD-ASHM ku theksoi rëndësinë e ekonomisë për zgjedhjet. Berisha u angazhua për mbështetje të prodhimit shqiptar dhe për adresimin e dëmeve të shkaktuara nga kursi i “narko-euros”, i cili ka goditur eksportuesit dhe bizneset. Berisha njoftoi ngritjen e një bordi për monitorimin e kursit të euros dhe kompensimin e humbjeve për sipërmarrësit.
Lideri opozitar, Sali Berisha, gjithashtu preku çështjen e çmimit të energjisë elektrike, duke premtuar se do të mbetet më i ulëti në Europë për bizneset. Ai theksoi nevojën për një sistem taksash të ulëta, duke përmendur taksën e sheshtë 10% si më të drejtën dhe si një mjet që ka sjellë rritje të të ardhurave për shtetin. Sipas Berishës, ulja e taksave dhe mbështetje për prodhimin do të ndihmojnë bizneset të investojnë dhe të krijojnë mundësi për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi disa masa për përmirësimin e jetesës, si uljen e çmimit të naftës dhe krijimin e kartës së konsumatorit për punonjësit me rroga të ulëta dhe pensionistët. Ai propozoi rrogën minimale prej 500 eurosh dhe bonuse për fëmijët, me shtesa në rrogë për fëmijën e parë, të dytin dhe të tretin deri në moshën 23 vjeçare. Gjithashtu, Berisha foli rreth politikës për të nxitur kthimin e emigrantëve, duke ofruar pesë vjet pa taksa për ata që kthehen në Shqipëri.
Lideri historik i PD, Sali Berisha, premtoi mbështetje për bizneset që drejtohen nga gratë, duke ofruar kredi të buta dhe lehtësira në sigurime shoqërore për to. Berisha gjithashtu, premtoi një minimum jetik prej 200 eurosh brenda tre muajve të ardhshëm dhe rikthimin e TVSH-së për produktet bazë. Berisha akuzoi qeverinë aktuale për trajtimin e pensionistëve dhe shpërndarjen e buxhetit, duke u angazhuar për rritjen e pensioneve dhe rrogave. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për keqmenaxhim dhe korrupsion në projekte të ndryshme, si ndërtimi i inceneratorëve dhe rrugëve, dhe premtoi dyfishimin e pensioneve dhe rrogave duke shfrytëzuar paratë që janë keqpërdorur.
Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i PD, Sali Berisha, talli kryeministrin Rama për monologët e tij dhe për premtimet e pambajtura. Ai tha se çdo herë që Rama flet, është si 1 Prilli, duke theksuar se premtimet e tij janë shpikje. Berisha i rikujtoi Ramës se, pas 12 vjetësh në pushtet, Mali i Zi dhe Rumania kanë bërë përparim në pensione dhe paga minimale, ndërsa Shqipëria ka mbetur mbrapa. Berisha përfundoi duke thënë se Shqipëria duhet të fokusohet në prodhim, punësim dhe teknologji të larta, dhe se ky është programi që do të realizojë për një “Shqipëri Madhështore”.

FJALA E PLOTË
Këto zgjedhje janë para së gjithash për ekonominë, ekonominë, ekonominë.
Ne kemi përcaktuar ‘Made in Albania’, si krenaria kombëtare dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mbështesim prodhimin shqiptar.
Të bëjmë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptar.
Të lehtësojmë në maksimumin e mundshëm barrën fiskale.
Të mbrojmë eksportet.
Ju jeni një sipërmarrje eksporti.
Unë e kuptoj vështirësinë e madhe që u krijon narkoeuro.
Narkoeuro është një goditje shumë e rëndë për mijëra punonjës dhe sipërmarrje.
Ata sjelln kontejnerë dhe vagona me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri.
I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë.
Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta.
Të kesh një rënie të euros në 35 përqind sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron.
Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë.
Ekonomia shqiptare ka nevojë për prodhim, prodhim, prodhim.
Prodhimi në Shqipëri po bie çdo vit.
Ka një rënie të dhimbshme sepse shoqërohet me humbjet e vendeve të punës të burrave dhe grave që detyrohen të marrin mërgimin si alternativë të vetme për të mbijetuar.
Gjithashtu unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, energjia elektrike do paguhet me 6 lekë.
Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Europë për biznesin.
Ne e kemi pasur, nuk është se po bëjmë diçka të re. Do ta rikthejmë përsëri fuqishëm në mënyrë që t’i japim hapësirë më të madhe investimeve,por edhe të lehtësojmë biznesin.
Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë.
Taksa 10 përqind është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10 përqind, më e drejta.
Nuk duhet të synosh t’i marrësh tjetrit më shumë se 10 përqind taksën. Ka një moral njerëzor dhe ne i përmbahemi atij morali.
Ne jemi të bindur se ajo është taksa më e drejtë.
Dhe gjithçka që është e drejtë, funksionon shumë më mirë.
Kur e vendosëm taksën e sheshtë në vitin 2005, ne na thanë se do e pësoni nga kjo gjë, do t’u falimentojnë financat.
Mirë, u thamë ne FMN-së, ju rrini e shihni si po ecën dhe ne po e bëjmë.
Ne e bëmë dhe në fund të 6 muajve, në arkën e shtetit, në buxhet erdhën 300 milionë euro më shumë se sa kishin ardhur me taksat e larta.
Pra, taksa e drejtë funksionon shumë më mirë. Lehtëson biznesin, ia lë paratë në konto biznesit dhe biznesi i përdor ato për të investuar, për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e punës.
Në këtë aspekt pra ne do krijojmë lehtësira të mëdha fiskale për biznesin.
Do ulim naftën. Ata që nuk kanë vetura, mund të thonë se ç’na duhet nafta.
Çdo njeri paguan në çmimin e naftës.
Ata që nuk kanë vetura,e paguajnë në transportin që bëjnë me autobus, e paguajnë në çmimet që blejnë në dyqane. Sepse rritja e çmimit të transportit rrit çmimet e mallrave që blejnë.
Ne kemi çmimin më absurd. Nafta vjen në Durrës me anije. Në Kosovë shitet 30-40 përqind më lirë. Këtu shitet 30-40 përqind më shtrenjtë.
Po pse shitet më shtrenjtë? Sepse qeveria e taton naftën 1.1 euro.
Qeveria u merr nga xhepi qytetarëve për një litër naftë nga 1 euro. Kjo është hata e vërtetë. Kjo do hiqet.
Nafta do tatohet njëlloj sa në Kosovë dhe Maqedoni dhe çmimi i saj do bjerë minimumi me 40 përqind.
Punonjësit me rroga të ulëta 500 euro do kenë së bashku me pensionistët kartën e konsumatorit. Kjo do jetë kartë konsumatori, që ju të mund të merrni TVSH-në e të gjitha gjërave bazë që blini nga shteti, kundrejt kuponave që dorëzoni, dhe kjo shkon në 450 euro në vit, shkon përafërsisht sa një rrogë, kurse me pensionin shkon sa dy pensione.
Pra ne duam të ndryshojmë në mënyrë rrënjësore gjendjen, jetesën, mirëqenien e qytetarëve.
Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro, por ne në dialog dhe bashkëpunim me sipërmarrësit, do bëjmë gjithçka që kjo të mos dëmtojë sipërmarrjet.
Sepse t’i çosh sipërmarrjet drejt falimentimit është një marrëzi.
Ne do kemi një dialog me sipërmarrësit se çfarë duhet t’i kompensojmë që të kenë rrogë minimale 500 euro.
Përveç kësaj, nga qeveria do keni kartën e konsumatorit ku do i merrni ushqimet me një vlerë minus 20 përqind. Pra do merrni taksën e TVSH-së.
Do ketë bonuse për fëmijët si shtesë në rrogë. Shtesa në rrogë për fëmijën e parë nga qeveria do të jetë 70 euro, për të dytin 60 euro, për fëmijën e tretë, nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare, qeveria do marrë përsipër çdo shpenzim. Ne do ndjekim politikën e fëmijës së tretë sepse ne u shkatërruam.
Kjo politikë e fëmijës së tretë i ka shpëtuar kombet në histori. I ka shpëtuar nga zvogëlimi i tyre i madh.
Sikundër do bëjmë gjithçka që fëmijët, djemtë, vajzat, ata që janë larguar në mërgim, ata të kthehen në Shqipëri.
Do bëjmë një politikë sa të mundemi nxitëse për kthimin e tyre.
Pesë vjet do jenë pa asnjë taksë.
Unë shoh se këtu dominojnë gratë.
Absolutisht do ketë stimuj të veçantë për bizneset që dominohen nga gratë.
Do ketë lehtësira qoftë në sigurimet e tyre shoqërore, qoftë në trajnimin e tyre.
Sikundër për gratë që hapin biznese, se ne duam të barazojmë gjendjen financiare të burrave dhe rgave, dhe në këtë aspekt ne do favorizojmë bizneset e çelura nga gratë.
Do i favorizojmë me një vit pa sigurime shoqërore, do i favorizojmë me taksa, do i favorizojmë me linja të buta krediti.
Pra, ne do kemi një bankë zhvillimi, e cila në përparësitë e saj do ketë financimin me kredi të buta dhe grante të bizneseve të drejtuara nga gratë dhe të rinjtë.
Kështu pra me 11 maj ne me votën tonë çelim një kohë tjetër për Shqipërinë Madhështore.
Çfarë është Shqipëria Madhështore? Shqipëria Madhështore është Shqipëria në të cilën njerëzit nuk vuajnë për kafshatën e gojës.
E ka thënë një burrë i madh se madhështia e një kombi dëshmohet se sa ai tregon interes për të mbështetur të vobektit e tij.
Prandaj ne do bëjmë që asnjë shqiptar të mos jetë më në mjerim brenda tre muajve të parë.
Brenda tre muajve të parë të qeverisjes sonë to vendosim minimumin jetik 200 euro.
Në këtë mënyrë, sipas përllogaritjeve, u bëhet e mundur që të blejnë ushqimet dhe ilaçet. Natyrisht që këta të gjithë do kenë taksën e konsumatorit, do të përfitojnë rikthimin e TVSH-së.
Kjo ishte paketa e dhembshurisë, shtylla e parë, se ne nuk mund të ecim duke injoruar 700 mijë, 800 mijë pensionistë.
Shiko se çfarë bëri ky zotëria në qeveri. Pati 8 miliardë buxhetin vjetor dhe ndau për pensionistët 16 milionë euro.
Absolutisht Gjermania për kafshët e shtëpisë, për qenin ose macen, paguan tre herë më shumë.
T’u japësh ti 700 mijë vetëve, 16 milionë euro ën vit, kjo është gjëja më e pashpirt. Në një kohë kur Albin Kurti në Kosovë, që ka gjysmën e numrit të pensionistëve dhe gjysmën e buxhetit të Shqipërisë, as 4 miliardë jo, ndau 100 milionë euro. Çdo pensionist mori 20 përqind më shumë.
Ne do bëjmë një ndarje të drejtë të buxhetit duke rritur pensionet, duke rritur rrogat, dhe u garantoj se mbeten përsëri për të ndërtuar rrugë, për të ndërtuar infrastrukturë mbeten edhe më shumë se sa në periudhën kur ne kemi qeverisur dhe kemi ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë.
Por këta i vjedhin, këta i zhdukin.
Ku është inceneratori i Tiranës? A mund ta merrni me mend ju, të merren nga taksat tuaja dhe të përdoren për të ndërtuar një incenerator, të harxhohen 130 milionë euro dhe të mos i gjenden gjurmët atij.
Belinda Balluku, Lubi Balluku se ashtu e meriton, ka pasur detyrën që ta mbikëqyrë ndërtimin çdo muaj. Ajo nuk raportonte dhe paratë jepeshin, ndërtimi nuk ndodhte.
Pse? Sepse ajo e dinte se paratë i merrte Edi Rama. Se unë nuk them se i merrte vetë, ajo e dinte se paratë i merrte Edi Rama dhe duhet të mbyllte gojën.
Ky është një shembull, unë mund të jap shembuj të tjerë ku rrugët ndërtohen me 10-fishin e çmimit.
Është një hotel këtu qëndërtohet, hoteli më i madh, në xham i tëri, 20-katësh. Doli punonjësja e tha se ky është i Lali Erit. Tani janë arrestuar 3-4 drejtorë, në një kohë kur të gjithë firmat janë ose të Maznikut ose të Veliajt sepse ata kanë qenë kryetarë të entit kontraktues.
Po pse nuk shkuan më tutje? Sepse po ato ditë, punonjës nga hoteli më informuan se aty është aksioner edhe Olsi Rama. Po po qe Olsi, është edhe Edi Rama.
Prandaj ajo dosje mbyllet, priten disa koka drejtorësh, por ata që kanë përfituar më shumë, japë sipër tyre dhe ata nuk akuzohen me asnjë presje.
Pra këtu do i gjejmë ne paratë për t’ua kthyer shqiptarëve në dyfishim pensionesh, në dyfishim rrogash.
Njeriu që del çdo mëngjes dhe flet me vetë në një monolog dhe thotë se po flas me qytetarët, asnjë prej tyre nuk është qytetar, i shpik vetë, sot e ka ditën e tij.
Po problemi është se ai çdo ditë e ka 1 prill.
Vetëm një gjë, sa herë ta dëgjoni, kujtoni 1 prillin se është dita e Edi Ramës.
Prej 15 muajsh, dërguam në parlament minimumin jetik.
Pavarësisht se po e votuan, qeveria do fitonte kredit, po le të fitonte.
Një zonjë thoshte një ditë që kam 130 euro pension, 60 euro paguaj qiranë në ndërtesën sociale dhe mbetem me 70 euro. Çfarë mund të bëjë njeriu me 70 euro?
Kështu që e dërguam atë në parlament. E kishte përllogaritur Avokati i Popullit dhe organizata ndërkombëtare e punës.
E mbajti dhe nuk pranonte kurrsesi ta votonte.
Tani, që e sheh se populli nuk po i pranon dokrrat e tij me zhapikë, hardhuca me kafshë të ndryshme që jeton me to, atëherë deklaroi dje se po, do e bëj pensionin 400 euro në vitin 2030.
Po pse nuk e bëre për 12 vite 400 euro, Mali i Zi e bëri për 12 vjet, Mali i Zi i kishte më të ulëta se ne, sot i ka 450 euro.
Rumania e kishte më të ulët se ne rrogën minimale, sot e ka 4 herë më të lartë se ne.
Sepse çdo qeveri, kur ndan buxhetin, mendon një pjesë qytetarëve, një pjesë rrugëve, një pjesë shkollave, një pjesë arsimit.
Prandaj ne do bëjmë gjithçka për një Shqipëri Madhështore.
Për ne, Shqipëria Madhështore është Shqipëria që prodhon, që punëson. Shqipëria e teknologjive të larta dhe unë jam e bindur se këtë program do e realizojmë.