FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT PËR BASHKINË POGRADEC, ZINI TOLLOZHINA
Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë. Banorë të këtij qyteti të bekuar, të këtij rrethi të mrekullueshëm. Banorë të Pogradecit.
Ju përshëndes!
Sot, përzemërsisht ju në këtë sallë, pogradecare dhe pogradecarë, kudo që janë, në Pogradec në Shqipëri, në emigracion dhe kudo që ndodhen. Përulem me nderimin më të madh para jush. Mirënjohje më të thellë për këtë pritje vëllazërore.
I dashur deputet Edmond Spaho. Z.Kryetar i PD Gent Çela, Z.kandidat për kryetar të Bashkisë Pogradecit me votën tuaj, qytetar i parë i Pogradecit, Zini Tollozhina.
Vëllezër e motra! Zonja e zotërinj!
Jam sot para jush për të paraqitur si kandidat për qytetar të parë njërin nga demokratët më të përkushtuar, nga njerëzit më punëtorë. Njëri prej bijve të Pogradecit, si kandidat për kryetar bashkie.
Këtu në Pogradec, dje isha në Korçë, dhe kudo që shkoj ndiej një kënaqësi të veçantë, sa asnjë nga kandidatët që unë paraqes nuk janë kandidatë të kryetarit, apo kryesisë së partisë. Janë kandidatë të votës, vullnetit tuaj. Janë kandidatë të lirisë.
Në vjeshtën e vitit 2021 në Pogradec, në Korçë, në mbarë Shqipërinë kishte një kërkesë legjitime: të caktojmë ne vetë kandidatët, dhe kjo ishte një kërkesë e drejtë e cila u mor krejtësisht parasysh. Me votën tuaj dhe të simpatizantëve tanë, sot garojnë në 61 bashki të vendit kandidatët e lirisë karshi kandidatëve të bodrumeve, shpellave dhe dosjeve të fshehta.
Asnjëri nuk ka dëgjuar një fjalë të vetme se çfarë procedure ndjek partia tjetër e krim-ministrit për emërimin e kandidatëve të saj. Ndjek procedurën e gjobave, e nënshtrimit, e propozimit të klaneve kriminale, e valixheve me euro që paguhen për të kandiduar.
Pra, kemi një start që nuk e kemi patur kurrë në 32 vite, dhe kjo është në nderin tuaj më të madh, dhe këtë e meritonit plotësisht.
Të dashur miq, ne vijmë sot në një moment të paprecedentë në 32 vite, sepse si kurrë më parë një përpjekje anti-kushtetuese, anti-demokratike bëhet për të përjashtuar forcën politike kryesore opozitare të vendit nga zgjedhjet. Bëhet për të mbështetur, për të konsoliduar monizmin e bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë nga Edi Rama.
Në asnjë vend të botës së lirë akte të tilla nuk kanë ndodhur. Por ne jemi të sigurt se jo vetëm do marrim pjesë me kandidatët tanë të lirisë, por do fitojmë zgjedhjet dhe do shkojmë drejt përmbysjes përfundimtare të regjimit monist të Edi Ramës.
Ne kemi besim se kjo pritje, se ky përkushtim, se ky entuziazëm ka një qëllim kryesor, shpëtimin e shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë nga ky monizëm i egër që po shfaros kombin. Sot, çdo qytetar, fermer, intelektual që hedh sytë përreth tek fqinjët, vetja, lagjia, blloku, fshati konstaton me dhimbje se 1/3 jonë nuk është në Shqipëri. Se brenda 8 viteve nga ky vend u larguan në hapësirën e BE, 937 mijë shqiptarë, kurse në të gjithë botën bëjnë më shumë se 1 milion. Në 8 vite ne humbëm 1/3 e kombit. E vërteta është, se nga kjo 1/3 rreth 80% janë nën moshën 30 vjeçare. Ne humbëm me shpejtësi dhe po humbasim rininë.
A nuk është kjo një thirrje e ndërgjegjes njerëzore, kombëtare për çdo shqiptar që të ngrihemi, të mos lejojmë që vendi ynë të tretet para syve tanë. Të ngrihemi, të mos lejojmë që dhe për 8 apo 16 vite të tjera, këtu nuk dihet se kush do të jetë me këto ritme. Të ngrihemi, sepse kjo që po ndodh është absolutisht pasojë e politikave anti-shqiptare.
Unë ju rikujtoj ju këtu, se në vitet 2007-2014, çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit. Popullata u rrit. Dhe nga 2014 e deri më sot, shqiptarët tejkalojnë çdo komb tjetër për një hark të tillë kohor në braktisjen e vendit të tyre.
A duhet ne të qendrojmë duarkryq? A duhet ne ta përcjellim këtë me indiferencë? A duhet ne të shkojmë të udhëtojmë të përgjumur në fatin tonë? A duhet ne t’i nënshtrohemi këtij fati? Kurrën e kurrës!
Secili nga ne nuk ka në Shqipëri 1/3 e familjes. Nuk ka në Shqipëri 1/3 e miqve, 1/3 e njerëzve të tij. Dhe ku kanë shkuar? Sigurisht, kanë shkuar në vende tjera që janë më të pasura.
Po ju them një gjë. Si Pogradeci, si Shkodra, si Korça, si Vlora, si Shqipëria nuk ka vend më të pasur mbi tokë me rezervat natyrale.
Asnjë vend nuk ka pasuritë përrallore të Shqipërisë, por kjo kërkon t’i përgjigjemi asaj thirrje të brendshme që na thotë të ndryshojmë gjendjen. Sot një kushtrim, një apel buron nga çdo zemër, mendje, ndërgjegje. Të ndryshojmë, në mënyrë që shqiptarët të ndertojnë të ardhmen e tyre më të bukur në Shqipëri, në Pogradec, në Korçë dhe kudo.
Sot, një thirrje për të rinjtë shqiptarë. Unë i kuptoj kushtet me të cilat ju përballeni. Por, para largimit pranoni betejën. Betejën do e fitojmë, në qoftë se ju vendosi të bëheni energjia e kësaj lëvizjeje dhe të shpëtoni vendin tuaj. Betejën e do fitojmë, sepse edhe në të shkuarën ne kemi përjetuar të këqija të mëdha, dhe prapë kemi dalë mbi to. Betejën do ta fitojmë kësaj radhe, sepse nuk ka shqiptar që nuk e do këtë vend, që nuk e do lirinë e tij dhe vendit të tij. Që pajtohet me veprimet primitive, të turpshme të opozitës nëpërmjet vendimeve të gjykatave.
Nuk ka shqiptar që do një Shqipëri pa opozitë. Ju e shihni Edi Ramën, sesi përpëlitet gjatë këtij viti. I frikësuar dhe i tmerruar nga opozita. Se si nuk shkel në parlament, se nuk përballon dot opozitën. Se si shkelmon Kushtetutën, dhe nuk lejon komisionet hetimore të saj për udhëtimet dhjetër e dhjetëra milionë euro, për lukset e tij, për aferat e tij kriminale me McGonigal e të tjerë.
Qytetarët shqiptarë nuk janë kurrë dakord me një fasadë opozitë. Edi Rama përpiqet të mbojë opozitën me Alibravë dhe Alibashë, duke blerë siç bleu kryezbuluesin e SHBA-ve.
Ka njerëz që shiten dhe blihen, por ka dhe të tjerë që nuk shiten dhe nuk blihen kurrë. Ka të tjerë që jetojnë me djersën e ballit, dinjitetin e tyre. Ka të tjerë që duan të jenë të lirë, dhe këta janë shumica e shqiptarëve. Ndaj koha është të bashkohemi. Të firmosim ndryshimin më datën 14 maj.
Zgjedhjet e vërteta është që janë lokale. Janë për ju, për hallet e dertet tuaja, të rrugicave, të blloqeve, të infrastrukturës suaj. Ju garantoj që, Zini Tollozhina do bëjë çdo përpjekje që ato që ardhura t’ua kthejë ju në mirësi, në shërbime, në infrastrukturë. Por, këto zgjedhje janë më shumë sesa lokale. Këto zgjedhje janë një mesazhqë qytetarët e Shqipërisë dhe Pogradecit duhet të japin, se nuk mund të pranojmë më kurrë një organizatë kriminale që kërkon të zhdukë opozitën nga vendi.
Nuk mund të pranojmë ne kurrë, një grup, një organizatë kriminale, e cila për vete jeton në luks, e cila punon ditë e natë për të pasuruar veten dhe klientelën e vet, dhe nuk punon aspak për qytetarët, por i përçmon ata. Kurrë nuk kam qenë dhe nuk do jem kundër të pasurve, por sa të jem gjallë në politikë të parin do të vendos qytetarin, hallet dhe dertet e tij, problemet e tij, dhe nuk do bëhem kurrë pjesë e asaj amalgame, pushtet oligarki që iu thith gjakun çdo ditë qytetarëve me vjedhjet dhe plaçkitjet e tyre.
Zgjedhjet e 14 majit, janë zgjedhje për ndryshimin. Ne sot jemi njerëzit më të vjedhur dhe më të varfër në Europë. Ne kemi patur udhëtim të vështirë. Pasuritë e Shqipërisë këtu kanë qenë përrallore, të cilat ky regjim i shndërroi në mallkim për shqiptarët, në pasuri për vete dhe oligarkët e tij.
Atëherë, do vazhdojmë të mbetemi ne qytetarët më pak paguar të Ballkanit dhe Europës? Në një kohë kur në vitin 2013 shqiptarët arritën të kenë rrogat më të larta në të gjithë rajonin, përfshi Bullgarinë dhe Rumaninë. Sot ku jemi? Sot jemi me rroga 30-40% më të ulëta se Kosova.
Kosova ka buxhetin 50% të të ardhurave më të ulëta se Shqipëria. Me një buxhet 2 miliardë. Kosova paguan rroga deri në 30-50-100% më të larta se Shqipëria. Si ndodh kjo? Ndodh, se çdo kryeministër që udhëhiqet nga parimet minimale njerëzore është i detyruar të mendojë për jetesën e qytetarëve të tij. Është i detyruar të mendojë sesi jeta e qytetarëve të përmirësohet, jeta e tyre të begatohet. Është idetyruar të bëjë çdo kursim për të rritur rorgat dhe pensionet.
Në vitin 2005-2013 ne gjetëm borxhin 58.2%. Në 8 vite e rritëm 4.4% dhe 62.6%. me këto para borxh që morëm, të ardhurat që mblidhnim arritëm të dyfishojmë rrogat dhe pensionet. Po, pse? Po ishte qëllim. Dhe ju garantoj, se në qoftë se në vitin 2005 Shqipëria nuk do kishte gjithësej vetëm 2400 km rrugë të asfaltuara, rrogat edhe do të trefishoheshin. U detyruam të ndërtojmë rrugë, se pa rrugë nuk ka zhvillim.
Më kujtohet si sot. Një nga rrugët e para që kemi nisur ka qenë rruga Korçë- Qafë Plloç. Erdha në verë këtu, Pogradeci pothuajse bosh. Gjë e trishtuar. Korçarët me atë rrugë gropa-gropa nuk zbrisnin në fundjavë këtu. Rruga u rregullua, dhe Korça uikendin vinte e bënte në Pogradec. Rrugët ishin jetike, dhe janë jetike.
Në vitin 2013 përfundoi ndërtimi dhe rindërtimi i 11 mijë km rrugë, mbetën edhe 3 mijë të tjerë, nga ku absolutisht secila rrugë ishte rrugë kombëtare me fonde të garantuara nga ne. Bypass-i i Fierit, Vlorës, rrugët e tjera, rruga e Arbrit, rruga e Qukës, Qafë-Plloç. Që të gjitha me financim të garantuar.
Pse e bëra këtë analizë? E bëra për t’ju thënë ju se në qoftë se kryeministri që erdhi mbrapa kishte shpirt e zemër, kishte kënaqësi, begatinë e qytetarëve dhe përmirësimin e jetës së tyre, ai kishte mundësi të plotë 100% që rrogat jo t’i dyfishonte, por absolutisht t’i trefishonte pa asnjë lloj problemi.
Rrogat sot janë 30% më të ulëta për shkak të inflacionit sesa ishin në vitin 2013.
Ka dy muaj që kalon nga studio në studio, pensionistët do marrin 80 mijë lekëshin. Po e morën, ta gëzojnë. Por iu garantoj pensionistëve, se ajo 80 mijë duhet t’iu jepej atyre rrogë rritje të paktën çdo dy vjet.
Çfarë ndodh? Në qoftë se ne rritëm borxhin 4.4%. Sa e rriti Edi Rama borxhin? Edi Rama e rriti borxhin në 107%, e rriti 43%. Në çfarë e kthej? Në pasurim të papërmbajtur të vetes, ministrave, zyrtarëve të tij, oligarkëve dhe klientelës së tij.
Ajo rrugë që nuk po përfundon kurrë, Qukës-Qafë Plloç, ajo kishte projektin, financimin. Është 43 km. Kushtonte me të gjitha përllogaritjet 70-73 milionë euro, asnjë qindarkë më shumë. Sa ka shkur gjer më sot më thoni ju mua? 250 milionë euro dhe do të shkojë më shumë. Çfarë ndodh? Për të kuptuar se pse nuk rriten rrogat. Njëherë e bllokoi, pastaj tha: jo, jo nuk është projekti. Bankat nuk japin kurrë kredi, po nuk çove projektin dhe po nuk e studiuan një për një atë. Nuk japin kredi ato.
Jo, tha nuk është projekti. Se duhet të ndryshonin projektin që të vidhnin. Nuk ndryshuan asgjë. Dhe ajo është rruga e vetme në Europë, ndoshta rruga e vetme në botë së cilës vidh e vidh nuk të sosur tani nuk i puqen segmentet. A keni dëgjuar kështu jo more zotërinjt, më kuptoni apo jo?
Po ka hajdutë më të paskrupullt, më të pafytyrë se këta?
Mund të ndodhë ndonjëherë në 100 apo 1000 që tuneli nuk përputhet, po të mos përputhet segmenti i rrugës në sipërfaqe. Vetëm hajdutët ecin si e si të shtojnë çmimin, të vjedhin me thes paratë tuaja. A keni dëgjuar ju të ketë një hetim për ata të cilët u dalin me 14 metra diferencë niveli i rrugëve në sipërfaqe? Asnjëri. Askush nuk bëhet përgjegjës.
Vjedhin dhe vetëm vjedhin.
Unë mora rrugën Qukës-Qafë Plloç, por çdo rrugë është e tillë. Çdo rrugë ka histori të tmerrshme vjedhjeje.
Greqia po ndërton autostradën e fundit Janinë-Kakavijë me një terren shkëmbor, zallor me 4 milionë euro/km me parametrat më modernë.
Shqipëria po ndërton rrugët më anësore në fushë nga Lekaj i Kavajës në Fier me 7 milionë euro km e tyre. Këta vjedhin dhe vetëm vjedhin. A duhet tani t’i ndryshojmë?
Këto zgjedhje pra, janë për Shqipërinë. Janë për cdo qytetar. A mund të pranojmë ne të vidhemi në këtë mënyrë? A mund të prnaojmë ne që pasuritë tona të shndërrohen në një mallkim për ne?.
Kush përfiton sot nga pasuritë publike? Qeveritarët dhe klientela e tyre, dhe asnjë qytetar. Qytetarët ikin, ikin, ndërkohë kur ne këtu kemi potencilaet më të jashtëzakonshme.
Sot kemi një terr informativ. Mediat fillojnë dhe mbarojnë me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, sepse ata i blejnë. Atëherë, çfarë kemi ne në dorë? Kemi bisedat me njëri-tjetrin. Të vërtetat t’ia themi njëri-tjetrit. Kemi në dorë rrjetet sociale, kemi në dorë vendimin tonë, për të bërë gjithçka për ndryshimin e kësaj klike.
Miqtë e mi!
Shqipëria po rrokulliset, po shkretohet. Shqipëria po varfërohet. Shqipëria po dominohet në të katërta anët nga krimi. Po pse nga krimi? Sepse është i lidhur fund e krye me qeverinë. Njëri pas tjetrit dalin investitorë, trafikantë të burgosur në Itali, Greqi e vende të tjera, kurse qytetarët nuk marrin do një leje, një licensë, se duhet të paguajnë qimet e kokës ryshfet qeveritarëve.
A duhet ne të vazhdojmë në këtë mënyrë?
Unë besoj se çfarëdo që jemi ne demokratë, socialistë, të pa parti duhet të votojmë ndryshimin. Kombet monizmin e kanë përmbysur me votën e lirë, ose me dhunë. Por ju garantoj se vota e lirë, revolucioni paqësor, mosbindja civile kanë qenë shumë herë më efiçente, më të sigurta në fitoren e lirisë së qytetarëve të shtypur.
Ndaj edhe ne duhet të përdorim votën në 14 maj, për të përcjellur mesazhin tonë. Një ndryshim në datën 14 maj është mesazhi më i madh që ne i japim njëri-tjetrit, fëmijëve, të ardhmes dhe vendit tonë.
Të dashur miq!
Loja që bëhet për të lënë Shqipërinë opozitë, tejkalon absolutisht dramat makbethiane. Tejkalon fantazinë e Garcia Marques-it. Një vend që vuajti më shumë se çdo vend tjetër nga monizmi. S’ka vuajtur kush në Europë sa ne, dhe ne jemi dëshmitarë të asaj vuajtje.
Pas 32 vitesh pluralizëm bëhet një përpjekje për të asgjësuar opozitën e këtij vendi. De Facto bëhet përpjekje për të konsoliduar dhe çelnikosur regjimin me mafioz, më të korruptuar, më të inkriminuar të Europës.
Edi Rama në këtë përpjekje, si një njeri që nuk njeh asnjë parim, asnjë normë, asnjë moral rekruton vrasës me pagesë, kryezbuluesin e SHBA, një tradhëtar dhe armik të kombit të tij. Të Kushtetutës, presidentit, të ligjeve të vendit të vet. Ai e bën atë vetëm e vëtëm për para, liçensa, naftë, për një pasurim tjetër të mëtejshëm të tijin.
Duke kontraktuar McGonigalin, Edi Rama arriti të fusë në thes ish-kreun e PD, të cilit i hapi dosje për larje parash. E vërteta është, ua them unë këtu. Kontrolli ka mbaruar. Nga 725 mijë dollarë që kanë shkuar në SHBA, nga llogaritë e PD nuk ka dalë asnjë qindarkë, përveçse 25 mijë, të tjerat i di ish-kryetari, dhe Edi Rama, sigurisht.
Turp të ketë! Shumë turp!
Operacioni McGonigal, kishte këtë anë, por edhe anën tjetër. Sanksionet ndaj Sali Berishës, duke besuar se në këtë mënyrë opozita shqiptare do të shndërorhej në një fasadë të plotë të Edi Ramës.
Gjithçka bëhej për të forcuar monizmin dhe pushtetin e Edi Ramës. Reagimi im është i njohur tashmë, por do të rrëfej këtu se jo McGonigal, por McGonigal me fustan që tani hesht si fija e barit, që nuk thitë një fjalë prej dy muajsh për një nga aferat më të tmerrshme. Për një nga superskandalet më të mëdha në histori që ka kryer Edi Rama me ish-kryezbuluesin e SHBA-ve.
Hesht, sepse ka qenë vet e zhytur në skenarin kundër opozitës. Ka qenë vetë e angazhuar me të gjithë potencialin në shkatërrimin e opozitës, dhe për këtë kemi dokumenta me shkrim, dokumenta zyrtare.
Këto projekto dështuan, sepse ju ishit besnikë të idealeve tuaja, sepse ju vendin tuaj pa opozitë të vërtetë nuk mund ta imagjinoni. Dështuan sepse ju besoni dhe jemi opozita me pro-perëndimore dhe pro-amerikane.
Por, prapë dhe Zoti dhe e vërteta janë dy vlerat më supreme që ne vëmë para të gjitha të tjerave.
Në këtë mënyrë u ngritëm, dhe kjo i ka tmerruar. Ka tmerruar Edi Ramën. Ka tmerruar ekipin McGonigal. Ka tmerruar ata të cilët, si shushunja janë pasuruar me djersën, mundin dhe paratë tuaja.
Ne nuk jemi dhe nuk bëhemi kurrë anti-amerikanë. Po ne nuk pranojmë kurrë korrupsionin ndaqo që të na vijë ai.
Asnjë vend, askurrëkush nuk e kanë dihmuar Shqipërinë, luftën kundër korrupsionit, sa SHBA-të.
Do t’ju tregoj vetëm një moment. Me ndihmën e tyre ne vendosëm prokurimet digjitale, domethënë gara elektronike. Vendosja e atij sistemi çfarë solli? Solli shumëfishimin e pjesëmarrjes. 7 herë më e madhe u bë. Nga 8 mijë pjesëmarrës në një vit, arritën në 56 mijë. Dhe fondi, paratë tuaja që përdorëm gjatë një viti për prokurim u ul me 25 % nga gara e hapur. 25% para më shumë për të rritur rrogat, për të investuar, për qëllime të tjera.
Ka sjellë Belinda Balluku dy gjeneratorë monstra të cilat kanë shkuar në fund në Bangladesh, i ka sjellë në Vlorë. Kosto e prodhimit të energjisë me ata është të paktën 2-3 fish më e lartë sesa në bursë. Prodhimi i energjisë në Shqipëri është rreth 9 terravatë. 2 terravatë apo 2 miliardë kë/orë më shumë se nevoja e përgjithshme e Shqipërisë.
Çfarë bëjnë? Çdo ditë nga taksat tuaja u paguan dy tigrave se i ka quajtur Tigri 1 dhe Tigri 2, tigrave të Belindës nga 90 mijë dollarë.
Dhe atje për të inaguruar, për t’u bërë mburojë, shkon dhe zonja Yuri Kim. Na thuaj zonjë tani, po këto në fund të dy viteve janë fiks 64 milionë dollarë.
Unë iu bëj thirrje asaj në emrin tuaj. Shko e thuaji të largohet, nqs nuk je e lidhur dhe ti me ta.
Se çfarë ndodh, kanë punuar me dhjetëra ambasadorë. Kurrë nuk ka ardhur në zyrën time një ambsador për të mëbshtetur një kompani pa garë. Asnjëherë! As gjerman, as italian, as amerikan, as francez, e as të ndonjë kombi tjetër.
Jo. Po gara është ligji i vendeve të lira, gara është transparenca.
Edi Rama ka përdoru korrupsionin, jo vetëm nëpërmjet McGonigal, por edhe për diplomatë të këaj natyre. Edhe për parlamentarë, zyrtarë, duke blerë deklarata pohstë e përpjetë dhe thotë se Amerika nuk mund të korruptohet. Amerika nuk korruptohet por McGonigalët korruptohen.
Amerika nuk korruptohet, por ata të cilët shkojnë e hyjnë në procese gjyqësore, u diktojnë gjykatësve vendimin, ata janë krye-korruptorë. Ata përfaqësojnë korrupsionin botëror, nuk përfaqësojnë vendin e tyre, nuk përfaqësojnë Kushtetutën, lirinë dhe pavarësinë e organeve gjyqësore.
Dhe pastaj e mbulon çdo gjë, se ky po mbjell. Në qoftë se ka njeri në historinë e këtij vendi që ka ulur reputacionin e vendit të tij është guvernatorja, Yuri Kim. Ajo me Edi Ramën, duke përdorur Bravën dhe Alibashën të lënë opozitën jashtë zgjedhjeve.
Ne jemi të betuar. Do hyjmë në zgjedhje. Do fitojmë në zgjedhje. Do vazhdojmë betejën gjer në përmbysjen e këtij regjimi.
Rrofshi ju! Rroftë Pogradeci! Rroftë Shqipëria!