Berisha në 32-vjetorin e themelimit të PD në Laç: Kam besimin e thellë se 14 maji në Kurbin, Lezhë, Mirditë, Mat, Peshkopi, Shkodër, Pukë, në mbarë veriun dhe kudo në Shqipëri do të valëvitet flamuri i fitores.

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E THEMELIMIT TË PD NË LAÇ

Ne e kremtojmë këtë ditë jo pa arsye, por ne kemi arsye thelbësore, ekzistenciale. Për ne që lindëm para dhjetorit ’90, dita e themelimit të PD është ditëlindja jonë e dytë, është ditëlindja jonë në liri. Dhe kjo është e vërtetë jo vetëm për ne demokratët dhe demokratet, por është e vërtetë për të gjithë shqiptarët. Me PD-në lindi pluralizmi. Pa pluralizëm liri nuk ka. Me PD lindi liria e individit, lindën të drejtat e tij, lindi shoqëria e lirë. Ndaj dhe ne kremtojmë dhe do të kremtojmë këtë ditë për sa kohë do të nderojmë lirinë, për sa kohë do të nderojmë dinjitetin tonë i cili pa lirinë nuk ekziston.


Ne kremtojmë këtë ditë krenar para njëri-tjetrit, vetes dhe zotit, sepse pas themelimit ne u dëshmuam një forcë politike e lirive dhe të drejtave të njeriut, e traditës së shkëlqyer të shqiptarëve, e interesit kombëtar të shqiptarëve, e besimeve të pathyeshme të tyre, besimit tek zoti dhe tek besimet fetare që besojmë. Ne e kremtojmë këtë ditë sepse kur nisëm këtë rrugë e nisëm si njerëzit e tretë më të varfër të planetit.

Rrogat e shqiptarëve ishin 4-6 dollarë dhe rroga e Sali Berishës si president ishte gjithsej 16 dollarë. E tillë ishte skamja, mjerimi në të cilin e kishte zhytur diktatura më e egër staliniste në Europë Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne kremtojmë këtë ditë sepse 32 vite më parë ne nuk kishim asnjë mbështetje nga jashtë, s’kishim asnjë eksperiencë në rrugën e lirisë. Ne kishim aspiratat, idealet tona. Por besnikëria jonë ndaj këtyre idealeve bëri që ato të vërtetohen energjia e pashtershme e transformimit të Shqipërisë sa asnjë vend tjetër. Ne ia dolëm të hapim Shqipërinë me botën, të krijojmë miq dhe miq të mëdhenj.

Ne ia dolëm të anëtarësojmë Shqipërinë në NATO. Të heqim vizat. Të firmosim marrëveshjen e stabilizim asociimit. E kthyem Shqipërinë në vendin e shpresës së shqiptarëve. 2007-2014 popullata në këtë vende rritej nga viti në vit. Rritej nga viti në vit sepse përmirësohej gjendja ekonomike e shqiptarëve, rritej besimi i tyre se në këtë vend të bekuar ata do të ndërtojnë të ardhmen. Nuk e kishim gabim. Shqipëria është një vend me pasuri përrallore. Kudo që të shkosh syri të kap pasuri të mahnitshme. Potenciale turistike të mahnitshme, potenciale minerare, potenciale hidrike ujore. Zoti na ka dhënë gjithçka, më të mirat që mund t’i japë një kombi për të prosperuar. Dhe ne në atë rrugë ishim.

Ndaj dhe ne sot festojmë krenar këtë përvjetor. Dhe ju e festoni ndër më krenarë se gjithë të tjerët sepse kurrë nuk lëkundët besimit në vlerat e demokratëve dhe të programit të kësaj partie.

Por ne kremtojmë këtë përvjetor në kushte shumë të hidhura sepse pas 32 vitesh një pasardhës i regjimit monist, një njeri i cili duket se trashëgimi kryesore politike ka shpirtin e zi të etërve të tij, rivendosi në Shqipëri monizmin. Edi Rama kontrollon sot 10% pushtet më shumë se Ramiz Alia në vitin 1991. Dhe ai këtë pushtet e rrëmbeu duke u rrëmbyer shqiptarëve votën. Mirëpo, ne demokratët por dhe shqiptarët në tërësi, ne e dimë se monizmi dhe liria janë të papajtueshme. Ne e dimë se armiku absolut i lirisë është monizmi. Ne e dimë si demokratë se detyra jonë absolute, misioni ynë absolut është përmbysja e tij. Siç përmbysëm monizmin e etërve do të përmbysim monizmin e bastardëve që e ktheu atë në monizmin e Edi Ramës.

Me rrëmbimin e votës rrëmbeu pushtetet. Dhe sot mendon se do të mund të rrëmbejë Partinë Demokratike. Sot, ky bastard mban peng në kundërshtimin më flagrant, më primitiv vendimin e Gjykatës dhe beson se në këtë mënyrë do të parandalojë fitoren e Beharit, Pashkut, Albertit, fitoren e demokratëve në mbarë Shqipërinë. Mendon se në këtë mënyrë do të mbrojë monizmin e tij. Por ja ku jemi këtu të betohemi në flamur, para zotit se gjë në botë s’do na pengojë pa përmbysur monizmin e Edi Ramës. Ne do fitojmë! Misioni ynë është i shenjtë, liria është frymëzimi ynë. Liria është fuqia jonë. Liria është për ne e gjithë energjia të cilën nuk ka forcë në botë ta ndalojë. Ndaj dhe ju ftoj ju demokratët e Kurbinit të bashkohemi në këtë betejë, në këtë mision të ri. Në 90 kishim për mision përmbysjen e diktaturës me staliniste. E përmbysëm, ia dolëm, e arkivuam në histori. Tani monizmin e Edi Ramës të bazuar në krimin, drogën dhe vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.

Ky udhëton me 137 fluturime, që po të mbledhësh të gjitha fluturimet e kryeministrave të Ballkanit dhe Evropës rrezik nuk bëjnë kaq shumë. Sikur të ishte i biri i Mbretit të Arabisë Saudite, njeriut më të pasur, me dhomë gjumi në avion, se nuk i duron turbulencat. Se ky ndërton rrugën me çmime të 8-fishta në krahasim me çmimet me të cilat ndërtohen në Europë. Se këta vjedhin dhe vetëm vjedhin. Se ky ndërton për tërmetin, absolutisht ndërtime në të cilat vjedhin të paktën 60% me fakte, me dokumente. Se ky ndërton shkollën. Në Tiranë, shkollat nga PNUD, organizatë e OKB, ndërton shkollat me 680 mijë euro, kurse shkollat me paratë e taksapaguesve, ndërtohen me 3 milionë euro deri 6 milionë euro. Nuk kanë të ngopur këta, janë të papërmbajtur në vjedhje. Ky kryen gjenocid ndaj shqiptarëve në krijimin e kushteve të llogaritura që ata të largohen nga Shqipëria. Sigurisht, të vjedhësh në këtë mënyrë t’i vjedh të ardhmen e tyre, vjedh shpresën e tyre. Të gjitha këto janë kushte për t’u larguar njerëzit nga ky vend. Kjo që ndodh me ne, nuk ndodh në ndonjë vend tjetër.

U ndala në këto momente për të bërë të qartë për ne demokratët se, sa je ti, është misioni ynë për Shqipërinë. Se sa je ti, është misioni ynë për Kurbinin, Lezhën, Mirditën. Unë kam besimin e thellë se 14 maji në Kurbin, Lezhë, Mirditë, Mat, Peshkopi, Shkodër, Pukë, në mbarë veriun dhe kudo në Shqipëri do të valëvitet flamuri i fitores. Do të përmbyset monizmi, rroftë Kurbini, rroftë Shqipëria.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale