FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E THEMELIMIT TË PD-së NË KAVAJË
Qytetare dhe qytetarë të Kavajës, të pranishëm në këtë sallë, qytet, fshatrat e kësaj zone dhe kudo që jeni.
I dashur kryetar i PD, i dashur kandidat për qytetar të parë të Kavajës.
Është një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të festojmë së bashku një ngjarje të rëndësishme, jo vetëm për Kavajën, por për gjithë Shqipërinë. Të festojmë 32 vjetorin e themelimit të PD-së në Kavajë, degës së PD-së më të fuqishme, më aktive dhe me rol më përcaktues në betejat dhe fitoret e kësaj partie. E vërteta është se formalisht dega e PD-së për Kavajën, u themelua nga mesnata e datës 17, duke gdhirë në 18 dhjetor të vitit 1990. Por defakto Partia Demokratike në Tiranë, mund të thuhet se u themelua kohë përpara këtu në Kavajë.
Viti 1990 ishte shumë i mundimshëm për shqiptarët, se të gjithë kishin ndryshuar përveç nesh dhe problemi ishte shumë i rëndë. Mendohej dhe besohej se ne nuk do të ndryshonim dot. Besohej se ne do të mbeteshim si Kuba e Adriatikut. Dhe ky mendim ishte shumë i përhapur, por kurrë jo në Kavajë.
Pas lëvizjeve të para të Janarit, 25-26 Marsi, do të shënonte kryengritjen e parë paqësore antikomuniste në Shqipëri, pas kryengritjes së armatosur të Postribës. Do të shënonte përballjen më të fuqishme në stadiumin, rrugët e këtij qyteti, do të shënonte triumfin e guximit, trimërisë, vendosmërisë, burrave dhe grave, djemve e vajzave të Kavajës.
Kështu që Klara, me Ilir dhe Rexhep Rruginë, me gjyshin tënd Ganiun, me Qazim Karriqin, Çezar Petjen, Gëzim Çelhykën, Selaudin Carën, Arjan Musain, Safet Beqerrin, Tahir Okshtunin, Dike Jupin, Idriz Kazazin dhe u kërkoj ndjesë të gjithë të tjerëve, të cilët e shndërruan Kavajën në një fushë betejë me regjimin më të egër.
Ishin të parët që stadiumin e Besës e shndërruan në një arenë në të cilën këta trima, u përballëm me sampistat, u përballën me regjimin dhe sulmuan të parët komisariatin. E vërteta është se e gjithë platforma e kësaj kryengritje do të ishin platforma të lëvizjes studentore.
Josif Buda skuqi me gjakun e tij rrugët e Kavajës, por Josif Buda çliroi përfundimisht Kavajën me sakrificën e tij.
Studentët me 8 dhjetor, të gjitha sloganet i kishin të gatshme nga lëvizja antikomuniste e Kavajës. Pas themelimit të PD-së, PD-ja e Kavajës e themeluar këtu nga një grup punonjësish, intelektualësh, do të shndërrohej në pazmoren, bastionin, mburojën e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kavaja në çdo rrethanë u shndërrua në tmerrin e regjimit të Tiranës.
Ka pasur momente të vështira, momente kur regjimi shpalosi të gjithe egërsinë e tij në Tiranë. Mobilizoi të dyndte drejt Tiranës vullnetarë të Enverit, por Kavajën nuk e kalonin dot. Problemi i tyre ishte se, nga Kavaja nuk kalonin dot. Kështu që ata dështuan dhe ne së bashku me demokratët e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë, përmbysëm me një revolucion paqësor, diktaturën më të egër, dhe nisëm rrugën e demokracisë, hapjes së vendit dhe interesit kombëtar.
Ndaj dhe unë duhet të përulem me nderim të madh sot, përpara Naim Karriqit, Ismet Ferizajt, Isuf Dobjanit, Theodhori Bulit, Galip Gjecit, Luan Skuqit, Muhamet Shehut, Arjan Sotirit, Fiqirete Ramodhit, Besnik Koliqi, Nusret Dubalit, Haki Kiut, Hidajete Babanit, Hysen Arkaxhiut, Izet Grecës, Ibrahim Gjocit, Ejup Lushës, Islam Veliut, Ymer Hydit, dhe ndjesë për të gjithë ata që nuk ua përmenda emrin këtu, për aktin e tyre të themelimit të PD-së, drejtimit të degës së PD-së drejt fitores.
Të dashur demokratë!
Në 32 vite PD-ja ka njohur arritje të jashtëzakonshme, transformoi Shqipërinë, rivendosi në themelet e këtij vendi, liritë, të drejtat njerëzore, lirinë e tregut, interesit kombëtar, familjen dhe vlerat e saj të përjetshme.
Shqipëria ndryshoi sa asnjë vend tjetër gjatë qeverisjes së PD-së. Ajo anëtarësia Shqipërinë ne Këshillin e Europës, NATO, mori rekomandimin për vendin e statusit kandidat. Ajo arriti që shqiptarët të kenë rrogën më të lartë në rajon, ndërkohë që në vitin 1992, presidenti i vendit Sali Berisha, kishte një rrogë gjithsej 16 dollarë. Shqiptarët ishin të tretët në botë për rrogat e ulëta.
Kjo është meritë e lirisë, këto nuk janë mrekulli të PD-së, janë të lirisë për të cilën ajo qëndron dhe do të qëndrojë deri sa të jetë në skenën politike. Në këtë kontekst ne kremtojmë në këtë 32 vjetor, së pari ashtu siç duhet të jemi, opozitë e vërtetë. Nuk ka asgjë më të shëmtuar, të dëmshme, për një komb, shoqëri se sa një opozitë jo e vërtetë.
Nuk ka tradhëti më të madhe që si opozitë të mos jesh e vërtetë. Ne sot jemi më të vërtetë se kurrë në ekzistencën tonë. Më të fuqishëm se kurrë ne ekzistencën tonë, në fitoren tonë. Përsëri ne u ngritëm, u bëmë të vërtetë sepse rikthyem lirinë, forcën e idelave të lirisë midis nesh.
32 vite më parë sollëm në Shqipëri pluralizmin politik në vendin më monist të botës, pas 32 vitesh sollëm pluralitetin brenda partisë, duke dëshmuar qartë se përkushtimi ynë për lirinë nuk ka të sosur dhe nuk do të ketë të sosur kurrë.
Zhvilluam primaret. Kudo që unë kalova nëpër Shqipëri, nga ju kishte vetëm një kërkesë; që ju të zgjidhnit drejtuesit tuaj me votën tuaj, qeveritarët tuaj me votën tuaj. Dhe ne këtë e bëmë realitet dhe ky është realiteti më pozitiv që ka futur PD që nga themelimi i saj e deri më sot.
Sot ne jemi në shumë aspekte në një situatë tejet të komplikuar. Sot kemi përballë një regjim që njëlloj si ai që përmbysëm në vitin 1990, nuk pranon votën, nuk do që shqiptarët të përcaktojnë me votën e lirë. Sot kemi një qeveri e cila ka shndërruar të gjithë makinerinë shtetërore, për blerjen, bluarjen, thërrmimin, shkatërrimin e votës, duke shkelur çdo ligj, çdo parim të një shoqërie të lirë.
Sot përballë kemi një qeveri që ka rikthyer sistemin e patronazhistëve njëlloj si dikur, sistemi i patronazhistëve të frontit demokratik ç’njerëzor. Celula të përbashkëta me sigurimin e shtetit që terrorizonin qytetarët para se të votonin. Sot kemi një qeveri e cila me banda, para krimi dhe droge, blen qindra, mijëra vota. Por sot ne jemi më të vendosur se kurrë për këtë betejë.
Revolucioni ynë, pas rikthimit të lirisë brenda PD-së, votës së lirë brenda PD-së, do të ju rikthejë shqiptarëve votën e lirë dhe nuk ka forcë në botë që të na pengojë ne.
Demokrate e demokratë, ky është misioni ynë. Ne jemi dhe do të mbetemi njerëz të lirisë. Ne jemi dhe do të mbetemi luftëtarë të lirisë. Ne do të ecim përpara me moton, jetën e japim, votën nuk e japim. Askush nuk do të mund të luajë më me votën e shqiptarëve.
Pse po ikin shqiptarët, pse po braktisin Shqipërinë, Kavajën. Sepse vrasja e votës, vret shpresën. Sepse nuk besim tek liria. Se po nuk ka votë, nuk ka drejtësi, nuk ka liri, nuk respekt, nuk ka dinjitet, perspektivë dhe të ardhme. Ndaj dhe ne zgjodhëm qytetarët tanë të parë me votën e lirë.
Imagjinoni se si janë ata që dalin nga shpella që i emëron Edi Rama me byronë e tij politike mbi bazën e ryshfetit, të diktatit të krimi, bazën e parave që paguajnë, parave që mbledhin nga droga dhe krimi. Kukulla të mjerimit.
Këtë e bëmë, hapin tjetër do ta bëjmë ne. Ne do të bëjmë që shqiptarët të votojnë të lirë. Prandaj dhe këtë përvjetor ta përdorim për një betim solemn që do ti japim vendin që meriton cilit do që guxon të luajë me votën e shqiptarëve.
Sot të ardhurat, pasuritë publike të pafundme janë shndërruar në një mallkim për qytetarët shqiptarë. Sot ato janë shndërruar në një parajsë për qeveritarët. Mashtrimi është bërë ligj, mjerimi thellohet çdo ditë. Duhet të shumfishojmë forcat, duhet të bëjmë gjithçka që Kavaja të rikthehet siç ka qenë, bastion i fuqishëm i lirisë, demokracisë, dinjitetit të qytetarëve të saj.
Ndaj dhe duke përgëzuar fituesin e garës, z. Fisnik Qosja, falënderoj me shumë respekt Isa Sakjen, këtë personalitet të PD-së dhe e ftoj të vazhdojmë së bashku betejën, për fitoren e 14 majit.
Demokrate e demokratë, detyrë dhe misioni ynë është të fitojmë, të shndërrojmë PD-në në një parti të fitores, ta shndërrojmë lirinë, votën e lirë në një pasuri të paprekshme për çdo shqiptar. Të ecim të sigurtë drejt të ardhmes tonë. Të bëjmë gjithçka që të rinjtë tanë, jo vetëm këta që janë këtu, por edhe ata që janë larguar të rikthehen në vendin e tyre.
Nuk ka vend më të bekuar, më të pasur se Kavaja, se Shqipëri.
Duke përfunduar, ju uroj gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindjet e Vitin e Ri, i uroj kavajasit kudo që janë sonte, gëzuar këto festa. Përulem me nderimin më të madh para virtyteve, morali të qytetarëve të këtij qyteti, e rrethi të cilët kanë dëshmuar dhe kanë sakrifikuar për dinjitetin, për lirinë, për vendin, për Kavajën dhe vendin e tyre.
Rroftë Kavaja, rroftë Shqipëria!