Berisha në 32 vjetorin e themelimit të PD në Kamëz: Data e themelimit të PD-së është ditëlindja e dytë në liri e çdo shqiptari, pavarësisht nga bindjet politike.

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË 32 VJETORIN E THEMELIMIT TË DEGËS SË KAMZËS

Të dashur demokrate e demokratë, të Kamzës dhe Paskuqanit të mbledhur sot në këtë sallë për të nderuar 32 vjetorin e themelimit të PD. Zoti deputetet dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, kryetari i PD, Arben Muja, kandidat i Kamzës Arjan Hoxha, zoti kandidat për Bashkinë e Kukësit, Admir Sinamati, të dashur miq, të ftuar një përshëndetje të përzemërt ju.

Një përshëndetje të përzemërt të gjitha banorëve të Kamzës dhe Paskuqanit, që janë sot në këtë qytet, apo kudo që ndodhen. Dua së pari të përulem me nderimin më të thellë para atyre që 32 vite më parë, themeluan këtu në Kamzë, në një bastion asokohe të Partisë së Punës, seksionin e PD-së, duke u përballur me guxim, trimëri e vendosmëri me falangat e një pushteti që nuk njihte as ligj e as moral.

Guximi, kurajoja e tyre, përkushtimi me vetëmohim bënë që Kamza, gradualisht të shndërrohej në një bastion të fuqishëm të PD. Të dashur miq, një nderim shumë të thellë, dua të shpreh për çdo banor të këtij qyteti. Cilido që njeh historikun e Kamzës dhe Paskuqanit nuk do mund të gjejë kund një vend tjetër, qytet, ku djersa e ballit, mundi dhe puna të kenë qenë më e madhe, më e fuqishme se në këtë qytet.

Ju keni meritë të jashtëzakonshme sepse këtu ishte një bllok ndërtesash. Në Babrru 3-4 pallate, por me lumenj djerse, pune të jashtëzakonshme, ju që erdhët nga të 4 anët e Shqipërisë, ndërtuar këtu një nga qytetet më të mëdha të vendit. 11 vite më parë Kamza ishte qyteti i 6 më i madh i Shqipërisë. Sot pas 11 vitesh, ka një pozicion më të lakmueshëm, por Edi Rama nuk guxon të bëjë regjistrimin e popullsisë sepse do të damkoset përfundimisht si njeriu që bëri spastrimin etnik të këtij vendi, më të madh në të gjitha kohërat.

Themelimi i PD-së të Shqipërisë, Kamzës dhe mbarë vendin, ishte një ngjarje sa personale e rëndësishme për çdo person, po kaq e rëndësishme për kombin dhe vendin. Ishte e rëndësishme për çdo person, se kjo datë nuk ishte thjeshtë themelimi i një partie, por kjo datë është ditëlindja e dytë në liri e çdo shqiptari, pavarësisht nga bindjet politike.

Themelimi i PD-së të Shqipërisë, Kamzës dhe mbarë vendin, ishte një ngjarje sa personale e rëndësishme për çdo person, po kaq e rëndësishme për kombin dhe vendin. Ishte e rëndësishme për çdo person, se kjo datë nuk ishte thjeshtë themelimi i një partie, por kjo datë është ditëlindja e dytë në liri e çdo shqiptari, pavarësisht nga bindjet politike. Kjo datë shënon rrugën tonë, rrugën e çdo individi, çdo qytetari të shoqërisë dhe kombit në tërësi drejt të ardhmes dhe sot pas 32 vitesh, Kamza dhe Shqipëria është së paku 32 herë më larg nga ai pozicion që kishte 32 vite më parë.

Liria funksionoi për shqiptarët, bëri që shqiptarët në një hark kohor të shkurtër të kalojnë nga qytetarët me rrogat më të ulëta në botë, të kalojë në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta. Bëri që shqiptarët, njerëzit me rroga simbolike dhe qesharake në vitin 1992, të tejkalojnë të gjitha vendet e Ballkanit në vitin 2012, përfshirë këtu edhe Bullgaria dhe Rumania, që ishin vende anëtare.

Bëri që vendi më i izoluar i Europës dhe ndoshta në planet, të hapej drejt botës, të anëtarësohej në Këshillin e Europës, në NATO, të firmoste marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, liberalizimin e vizave, të marrë statusin e vendit kandidat.

Janë ato vite që Shqipëria u përcaktua si vendi që do të kryesonte OSBE-në, dhe që do të kryesonte Këshillin e Sigurimit. Të gjitha këto sepse ne ecëm në rrugën e ligjit, lirisë, prosperitetit dhe dinjitetit kombëtar.

Në vitin 1997, PD-ja kaloi një tronditje të thellë. Të shumtë ishin ata që menduan dhe besuan se kjo forcë politike do ti përkiste arkivave të historisë. Por u gabuan. Shqiptarët i rikthyen asaj besimin dhe në 8 vite ajo arriti të transformojë Shqipërinë më shumë se të gjitha kohërat e marra së bashku. Në 8 vite, Shqipëria ndërtoi rrugë, ura, tunele më shumë se të gjitha vendet e rajonit të marra së bashku.

Në 8 vite shqiptarët arritën që më shumë se gjysma e tyre, të kenë më shumë se një banesë. Në 8 vite i dy dhe trefishuan bizneset. U dyfishuan drurët frutorë dhe Shqipëria u bë vend eksportues i qumështit, vezëve dhe qindra produkteve të tjera. Pra të gjitha pa përjashtim falë programit të PD-së që ka në qendër qytetarin, lirinë dhe të drejtat e tij. Program që  ka si shtyllë interesin kombëtar dhe atë të Shqipërisë.

Të dashur miq! Ronald Regan thotë me të drejtë, demokracisë i mjafton një gjeneratë për tu zhdukur. Për fat të keq, ajo që shohim, përjetojmë ne sot është dramatike. Në vitin 1990, banorë të Kamzës dhe mbarë Shqipërisë, jetonin në një monizëm të plotë. Diktatori Ramiz Aliaj i cili bënte gjithçka të mbahej në pushtet, megjithatë nuk tentoi asgjësimin e opozitës.

Jo, sot pas 32 vitesh, një bastard i bllokmenëve hoxhistë, pasardhës i një intelektuali xhelat, që do të firmoste në gusht të vitit 1988, varjen në litar të poetit disident Havzi Nela, vetëm e vetëm se ishte kundërshtari i tij politik, pas 32 vitesh do të përdorë çdo metodë, do të bëjë gjithçka për asgjësimin e PD.

Po bën gjithçka për spastrimin etnik të Shqipërisë. Demon pushteti dëshmon se është i aftë të shkelë çdo parim, normë, moral që të qëndrojë për vete në pushtet. Edi Rama është një armik i egër i votës së qytetarëve shqiptarë. Duke plaçkitur, grabitur dhe dhunuar votën, ai kaloi nga mandati në mandat dhe tani mendon se me vendime antidemokratike, antikushtetuese, duke mbajtur peng vendimin e gjykatës ti japë një goditje shkatërruese PD-së. Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Ne jemi sot këtu për tu betuar se Edi Ramës do ti rezervojmë fatin e etërve të tij barbarë. Monizmin e tij nuk do ta tolerojmë kurrë më.

Ky kryeministër arrin të korruptojë një nga 2-3 njerëzit më të rëndësishëm për sigurinë e SHBA dhe botës së lirë. E kontakton atë për misione të shkatërrimit të opozitës. Ne zotohemi këtu se, Edi Rama do të bëhesh përgjegjës deri më një. Demokratët nuk ta falin kurrë këtë akt të turpshëm, antikombëtar, antidemokratik, antikushtetues.

U bëj thirrje shqiptarëve kudo që janë, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, shtroni pyetjen vetes; çfarë përfaqëson për ju një kryeministër që rekruton me korrupsion një nga 2-3 njerëzit më të rëndësishëm të vendit përgjegjës për sigurinë në botë, për karrigen e tij. Çfarë normash ka. Çfarë përfaqëson ky njeri duke përdorur një aset rus për të shkatërruar opozitën e vendit të tij. Ky është një armik i juaj, pavarësisht nga bindjet politike, një turp i joni, pavarësisht nga bindjet politike. Ky duhet shporrur një minutë e më parë, sepse është fatkeqësi e madhe kombëtare.

Duke ardhur tek ju, po lexoja në një nga gazetat më serioze perëndimore, se si një zonjushe i trokasin në shtëpi dy agjentë të FBI-së dhe i nxjerrin një fotografi në të cilën ishte Charles McGonigal dhe Edi Rama. Zonjushës ju tha, a i njeh ti këto dy persona. Ja ky është kryeministri faqezi. Është bërë i kërkuar kudo. Ky nuk mbahet as një ditë, asnjë javë, asnjë muaj.

Prandaj edhe njëherë i kërkoj të japë dorëheqjen se asnjë alternativë tjetër nuk ka.

PD-ja angazhohet me një betejë finale, me të cilën ajo ka si qëllim madhor, rikthimin e votës së lirë për shqiptarët. E rikthye, votën e lirë në PD, në zgjedhjen e kryetarëve të saj dhe në garën për qytetarë të parë të bashkive. Qëllimi kryesor është kthimi i votës së lirë për qytetarët e saj dhe ne këtë do të realizojmë. Vota e lirë dhe PD-ja janë një dhe e pandarë.  Vota e lirë dhe të drejtat e qytetarëve, dinjiteti i qytetarëve, shteti ligjor, e ardhmja e Shqipërisë dhe Kombit janë një dhe e pandarë. Ndaj dhe ne do të jemi në këmbë për të përmbushur misionin tonë, për të arkivuar në koshin e historisë, një person, një regjim si ky i Edi Ramës.

Zonja e zotërinj! Jam sot këtu gjithashtu për të ju bërë thirrje, të mobilizoni me të gjithë potencialin tuaj në mbështetje të Arjan Hoxhës. Kamza se tradhtoi kurrë PD-në, veç se në rastet kur ajo e tradhtoi pabesisht atë. Kjo periudhë merr fund, ne do të marrim pjesë, do të bëjmë gjithçka për fitoren në këtë bashki dhe u garantoj se, do të ketë një ndryshim të madh.

Ju jeni dëshmitarë për kujdesin e treguar përpara për këtë qytet gjatë qeverisjes së PD-së, me kryebashkiak Xhelal Mziun. Forcat tona do të shumëfishohen në mënyrë që qyteti i Kamzës të bëhet një ndër qytetet më të zhvilluara në të gjitha aspektet. Një nga qytetet më moderne të Shqipërisë. Modeli që sot qeveris në Kamzë është më i shëmtuari, më ç’njerëzori që ka pasur Kamza ndër vite, është modeli i Erion betonit.

Unë e di se njëri quhet Erion e tjetri Rakip, por dy fjalë do të ju them, përsa i përket dorës janë vëllezër siamezë. Rakipit, le ta marrë vesh Kamza dhe Paskuqani, ka lindur me dorë pothuajse. Sa herë shkon në fshatin e vet, të nesërmen numëronin kuajt. Edhe në emigracion pa dorë nuk ka ndenjur. Kurse këtu i papërmbajtur. Këtu u fut ruspat shkollave njëlloj si Erion betonit, shkollave pa asnjë problem, ku prej 3 vitesh zhvillohet normalisht mësimi.

Po pse këto ruspa, sepse do ti ndërtojë me 3.5-4 milionë dollarë. Do ti ndërtojë me një çmim minimumi 4-5 herë më të lartë. Do të vjedhë 4/5 në çdo shkollë. Riktheu në këtë vend turnet e treta në arsim.

Në vitin 2005, arsimi këtu ishte simbolik me tre turne dhe e kuptoni vetë, turni i 3 ishte shkel e shko. Peshqeshi jo i tërmetit, por i Rakipit bëri që këtu të kthehen turnet e treta. Rakip numëro ditët, me 14 maj bëhu gati dorëzo çelësat dhe të pret ai fat që i ke përgatitur vetes.

PD zotohet të shndërrojë bashkinë e Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë, në shtëpitë e para dinjitoze të qytetarëve. Zotohet të çlirojë qytetarët nga taksat absurde që i vjedhin ata. Rakipi është bashkëfajtor në organizatën kriminale të djegësave. Ai u merr ju taksë pastrimi 3-fishin e taksës që u takon të paguani. Ai u merr bizneseve taksë pastrimi 5-fishin e taksës që duhet të paguajnë. I çon të gjitha këto para në minierën floririt të Edi Ramës dhe Erion Veliajt në fushën e Sharrës. Atje çdo ton mbeturina kompostohet njëlloj si 20 vite më parë.

Kontrata thotë se për këto, tarifa është 11 euro për ton. Ju paguani, qytetarët e Tiranës paguajnë, të Kavajës, Rrogozhinës, paguajnë 29 euro për ton. 18 euro për ton në 5 vite janë bërë 54 mln euro kanë shkuar në llogaritë bankare të Ramës, Veliajt dhe organizatës kriminale. Edhe Rakipit i japin ndonjë thërrime, nuk e lënë pa gjë.

Ndaj dhe këto zgjedhje janë të një rëndësie të jashtëzakoshme për të përmbysur monizmin dhe

një regjim që po shkreton Shqipërinë nga shqiptarët. Për të përmbysur një regjim që po vjedh ditë e natë, të ardhurat, financat, pasuritë kombëtarë të shqiptarëve. Për të përmbysur një regjim që vetëm me skandalin e këtyre ditëve është absolutisht regjimi më i damkosur në planet.

Ndaj dhe njëherë ju ftoj në këtë betejë shumëplanëshe, të shumfishtë, në revolta, protesta, në

fushatë intensive elektorale. Të shndërrojmë 14 majin në ditën e triumfit të demokracisë, triumfit tuaj, interesave tuaja, shoqërisë tonë, Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Rroftë Kamza, rroftë Shqipëria!

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale