Berisha: Në 3 muaj e parë do të përgjysmojmë taksat për bizneset e mëdha dhe lehtësira për biznesin e vogël! Do ngrejmë bordin për kompensimin e bizneseve që dëmtohen nga euro

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË VIZITËS NË AMBIENTET E FABRIKËS SË UJIT LAJTHIZA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka zhvilluar ditën e sotme një vizitë në fabrikën e ujit Lajthiza në Lajthizë të Pukës, ku ka prezantuar edhe programin e ‘PD-ASHM’ për biznesin.

Gjatë takimit, Berisha premtoi ngritjen e një bordi për kompensimin e eksportuesve të dëmtuar nga rënia e euros duke e cilësuar eksportin si jetik për ekonominë dhe duke shtuar se pa remitancat nga emigrantët Shqipëria do të falimentonte. Kryetari i PD tha se fuqia blerëse dhe konsumi kanë rënë për shkak të emigracionit dhe rritjes së çmimeve duke sjellë si shembull tregjet ku nuk ka blerës dhe mungesën e të rinjve në zonat rurale.

Lideri demokrat, Sali Berisha e cilësoi fabrikën e ujit Lajthiza si investimin më të madh në këtë zonë pas Fierzës dhe vlerësoi Hajri Elezin për një arritje të jashtëzakonshme që në kushte të vështira ka ndërtuar një ndër fabrikat më moderne në Ballkan duke investuar 80 milionë euro. Berisha theksoi se, pavarësisht vështirësive sidomos largimit të të rinjve dhe mungesës së punëtorëve investimi ka vazhduar me sukses, duke punësuar njerëz nga zona të tjera si Shëmria e Fushë Arrëzi. Berisha u shpreh se do bëhet gjithçka për të kthyer pasuritë natyrore të këtyre zonave në vlera konkrete për qytetarët për të mbështetur familjet për të nxitur lindjen e fëmijës së tretë dhe për të ndalur emigracionin. Ai e cilësoi Pukën si një zonë me potencial të madh në turizëm dhe burime natyrore dhe premtoi ndërhyrje të forta për rritjen e prodhimit punësimit dhe rrogave, duke theksuar se teknologjia moderne dhe shumëllojshmëria e produkteve në Lajthizë janë shembulli më i mirë i suksesit të sipërmarrjes shqiptare dhe shija e veçantë e produkteve të Lajthizës është pjesë e misterit dhe krenarisë që ajo përfaqëson.

Kryetari i PD, Sali Berisha Sali Berisha premtoi se në tre muajt e parë të qeverisjes do të përgjysmojë taksat për bizneset e mëdha dhe do të ofrojë lehtësira për biznesin e vogël duke theksuar se 5.5 milionë euro taksa do të përgjysmohen si një nga aktet e para të qeverisë së re. Berisha tha se paratë në duart e sipërmarrësve kanë më shumë vlerë për shoqërinë sesa në kontot e qeverisë pasi investohen më me përgjegjësi dhe japin efekt më të madh ekonomik. Lideri opozitar premtoi gjithashtu uljen e tatim fitimit nga 23 në 10 përqind duke e lidhur këtë me rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët.

FJALA E PLOTË

E ke nisur në kushte më të vështira se kushdo tjetër, këtu vetë terreni dhe distancat e këto, por në kushte shumë të veçanta ja ke arritë këtë sukses ta bësh gjithnjë e më të madh, dhe Lajthizën ta bësh të famshëm jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan dhe Europë.

Me të vërtetë, ke ecur pa një mbështetje reale, janë përpjekur me çdo kusht që të dështosh, por ti ke triumfuar.

Ne do bëjmë gjithçka që konsumi të rritet. E vërteta është se, ai që ka pësuar goditjen më të rëndë nga largimi i njerëzve është konsumi dhe prodhimi, prodhimi e konsumi.

Isha në treg dhe nga gjërat më të dhimbshme, ishte se nuk na blen kush. Dyqane hapur dhe nuk na blen kush.

Një tjetër më tha, këtu siç e shef ti më i riu jam unë. Nuk kishte tjetër. Dhe rënie e madhe, rënie e madhe në radhë të parë nga rënia e fuqisë blerëse, sepse nëse ti nuk ndjek rritjen e çmimeve që është fenomen natyral.

Rritja e çmimeve në këtë sistem është fenomen natyral i zhvillimit të ekonomisë. Një ekonomi që nuk i rriten çmimet është e sëmurë.

Ajo ka çdo vit, kur nuk rriten është e sëmurë, kur ulen është dhe më problem. Por rriten çmimet dhe rriten pagat, kështu shkon. Ligji themelor është rriten çmimet dhe rriten pagat.  E përballohen të gjitha ato.

Shton konsumin, prodhimin. Mirëpo ky pakësim i shpejtë i popullatës. Dje OKB-ja publikoi të dhënat, Shqipëria me rënien më të madhe në botë të lindjeve, shkaku emigracioni.

Por puna jote këtu është një frymëzim, Hajri, është me të vërtetë frymëzues. Shteti do të ndërhyjë për të mbështetur eksportin, do ndërhyjë për të mbështetur prodhimin, por edhe eksportin. Sepse në kushtet tona, sektori i eksportit është kryesori për prodhimin.

Nga 2023-2024 sipas statistikës zyrtare u ul me 32%. I shkatërroi euro.

Ne kemi projekt, do ngremë bordin e kompensimit të të gjithë eksportuesve, kompensimit për shkak të variacionit të kursit të euros. Në do të kompensojmë çdo cent të euros që bie për shkaqe që këta thonë, turizmi, por që nuk ka lidhje me turizmin, por avash, avash sa të presim kanalet e tyre dhe të bëhemi normal siç ishim.

Një bord për të kompensuar luhatjet e euros. Do ngrihet se eksporti është i një rëndësie shumë jetike. Ne na ka mbajtur remitancat që vijnë nga jashtë që kompensojnë, se po të mos jenë ato, Shqipëria falimenton.

Kemi një sentencë, uji është jeta.

Norman Bethune një mjek i famshëm kanadez e ka lënë të pavdekshme. Ky shkoi të ndihmojë ushtrinë kineze, në luftën civile se atje bëhej batërdi, shkoi vullnetar, humanist dhe kalon në pavion. Por edhe ky i sëmurë ishte. Iu infektua një plagë dhe tani, kush do kujdesej për të sëmurët.

I thotë infermieres, jepi solucion fiziologjik se është jeta, në fakt uji është jeta. Sado pije të tjera që prodhohen, për disa si puna ime, uji mbetet jeta.

Ujë i mrekullueshëm është, ujë i rrallë.

Ne do bëjmë gjithçka që të nxisim fëmijën e tretë.

Do bëjmë gjithçka që të rinjtë të qëndrojnë në Shqipëri.

Ka ardhur koha që për të shpëtuar vendin, ne duhet të bëjmë disa ndërhyrje shumë të fuqishme që të kthejmë pllakën.

Nuk ka vend më të pasur se ky vend.

Dua të përgëzoj shumë përzemërsisht Hajri Elezin, të gjithë stafin e sipërmarrjes së tij, i cili në një zonë nga më të thellat në kuptimin e distancave dhe në kushte më të veçanta ka ndërtuar këtu në Qafë të Malit, Lajthizë një nga sukseset e mëdha të biznesit shqiptar.

Kam ardhur këtu vite më parë dhe kam vizituar fabrikën e fillimit të këtyre punimeve, por ndër vite Hajri Elezi ka arritur të investojë 80 mln euro dhe të krijojë një nga fabrikat që në disa aspekte është më moderne dhe më e madhja në Ballkan, në disa linja. 

Është me të vërtetë një punë e jashtëzakonshme që ky sipërmarrës, një guxim i madh që dëshmuar dhe ka bërë.

Natyrisht vështirësitë kanë qenë të shumta, por një nga vështirësitë më madhore, largimi i popullatës, i të rinjve dhe punëtorëve.

Punëtorët i merr nga Shëmria, Fushë Arrësi, por edhe nga vende të tjera, sepse të rinjtë kanë emigruar.

Ne do bëjmë gjithçka, së pari për të lehtësuar edhe më shumë këtë sukses spektakolar, këtë investim, që është më i madhi, pas Fierzës ky është investimi më i madh që bëhet në këto zona.

Do bëjmë gjithçka që pasuritë e këtyre zonave të kthehen në vlera të cilat përfitojnë banorët, qytetarët e Shqipëria. Hajri Elezi ujin e famshëm të Lajthizës, e ka bërë të famshëm tani në Ballkan, Europë dhe botë.

Puka ka potenciale të tjera shumë të mëdha, mbitokësore dhe nëntokësore dhe i garantoj banorët e këtij rrethi se do të bëjmë gjithçka për punësimin, rroga më të mira, prodhim dhe vetëm prodhim, e turizëm.

Ka potenciale shumë të mëdha.

Këta janë linjat e teknologjisë më të fundit. Ka diversifikuar produktet, siç e patë të shumëllojtja. Imagjinoni ju, çfarë shijesh kanë ato ingredient të bashkuar me ujin e Lajthizës, të hatashëm. Ky është misteri i Lajthizës.

5.5 milionë euro taksa do të përgjysmohen.

Këtë të garantoj, ndër aktet më të para. Ne kemi një parim, paratë në kontot e biznesmenëve janë më të vlefshme se në kontot e qeverisë.

Sepse përdoren me më ekonomi dhe japin efekt më të mëdha për shoqërinë.

Ne do të përgjysmojmë taksat në 3 muaj e parë, për biznesin e madh, lehtësira të mëdha për biznesin e vogël.

Do të ketë një hapësirë shumë të madhe për iniciativën e lirë dhe lirinë e ekonomike.

Ne do ta ulim tatim fitimin, kanë 23 del 10, sigurisht ti ua jep rroga punëtorëve.

Në 11 maj në kuti të votimit, aty të firmosim, sepse do të firmosim një ndryshim të madh. Pata shumë kënaqësi që vizitova këtë sipërmarrje e cila është një investim i jashtëzakoshëm, i guximshëm, i suksesshëm.

Premtova dhe sigurova se akti i parë do të jetë përgjysmimi i taksave. Përgjysmimi i taksave për sipërmarrësin do të thotë të paktën 13% rritje të pagave, ata që paguajnë tatim fitimi. Do të thotë një sasi më e madhe fondi për sipërmarrësin për të rritur rrogat, dhe për të përmirësuar kushtet e punës, të cilat, thashë edhe njëherë ky është një sukses madhështor të themi të vërtetën.

Shumë prej jush nuk e ka parë si ka qenë këtu, unë po me qindra herë, ka qenë vetëm çezma aty sipër edhe një klub. Tani shiheni si është, tani është fabrika më e madhe e prodhimit të ujit dhe produkteve të tjera në rajon.

Linja ultra moderne. Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju ftoj në 11 maj të gjithë firmosni.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale