Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën për provokim të qëllimshëm të qytetarëve përmes ndërhyrjeve në trotuaret e Tiranës, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të tyre.
Berisha i cilësoi këto veprime si të papërgjegjshme dhe me qëllim nxitjen e dhunës ndaj protestuesve paqësorë.
“Absolutisht e bëni vetëm për të nxitur dhunë. Kjo është betejë që s’ndalet më”, deklaroi ai.
Berisha kundërshtoi gjithashtu shqyrtimin e dekretit në Parlament, duke kërkuar heqjen e tij nga rendi i ditës.
“Dekreti nuk mund të votohet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pavotueshëm në Parlament”, u shpreh kryetari i PD-së.
Fjala e plotë:
Kam vetëm një këshillë: Shko e vish fustanin e Elizës, se ajo meriton ato të tjerat. Ty po, kush… me ty e kam. Së pari.
Së dyti, mos provokoni qytetarët. Provokacione të ulëta keni filluar. Ju, fyeni qytetin, fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Inatçinj dhe provokatorë. Keni frikë se mos protestuesit do të çojnë pllakat e trotuarëve? Po pse nuk mund t’i mbushin ata xhepat me gurë? Pse i provokoni? Ata kanë qenë paqësorë. Por ky akt që bë keni bërë. A e keni parë çfarë keni bërë tek Pazari i Ri, po çoni kudo trotuaret. Absolutisht e bëni vetëm për të nxitur dhunë. Për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Nuk ka, kjo është betejë që s’ndalet më. Ta keni të qartë. Jeni të pashpresë dhe po tregoheni të papërgjegjshëm. Si mundet të flisni, si mund të veproni në këtë mënyrë ju? Ngrini trotuarët tani dhe në qoftë se ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh një pemë për të hedhur ndonjë vezë do prisni pemët e Tiranës? Çfarë jeni bërë kështu, more? Çfarë qeniesh jeni ju? Po të paktën të keni kurajon, se keni një përgjegjësi. Përgjegjësia juaj është se e mbështesni. Se e mbështesni apo jo? Ndaj edhe turpi, dekreti është i turpshëm, nuk mund të votohet dekreti, nuk mund të votohet, sepse Gjykata Kushtetuese e ka bërë të pavotueshëm në parlament. Absolutisht! Nuk votohet një dekret i ndryshuar i mKëshillit të Ministrave. Prandaj hiqe nga rendi i ditës edhe ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve. Mos prekni trotuarët. Do të shpëtoni kokat tuaja duke shkatërruar trotuaret? Jo, nuk është kjo rruga.


