Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, kundërshtoi shqyrtimin në Parlament të dekretit të qeverisë, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje të Kushtetutës dhe të parimit të ndarjes së pushteteve.
Berisha theksoi se parlamenti nuk ka tagër të ndryshojë dekretet e qeverisë, të cilat duhet të miratohen ose të rrëzohen në tërësi. Ai kërkoi respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e nenit 5, pika 2, dhe paralajmëroi se shkelja e këtij vendimi cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
Fjala e plotë:
Këta nuk kanë ligj, as moral, as kriter, as standard, veprojnë në këtë mënyrë. Në parimin themelor të Kushtetutës të ndarjes së pushteteve, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë parlamenti nuk mundet të shqyrtojë një akt ligjor të pezulluar nga Gjykata Kushtetuese. Kjo përbën një asgjësim të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë apo autonomisë të pushtetit gjyqësor. Së pari.
Së dyti, mësojeni dhe mos mashtroni, dekretet e qeverisë ose miratohen tekst integral siç janë dhe nuk mund të ndryshohen në asnjë nen. Çfarë do të thotë ky dekret i hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, ajo po, nuk mund të shqyrtohet në parlament. Nuk ka tagër parlamenti, përsëri është një nen tjetër i Kushtetutës, i cili garanton votimin të tërë ose asgjë të dekreteve të qeverisë. Nuk i lejon parlamentit ta ndryshojë dekretin. Dhe në këtë rast ne duhet t’i nënshtrohemi vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila nenin 5 pikën 2 e ka pezulluar. Po ju jeni të marrë, ju jeni… E kuptoni, apo jo ku jeni? E kuptoni, apo jo? Ju keni shpallur një armiqësi të egër, more mendoni mirë, se kjo armiqësi e egër që shpallni ndaj tyre absolutisht mbart në vete shpërthime të cilat për të cilat do jeni shumë përgjegjës. Dëgjoja sot unë deputeten tuaj në prani të komisioneres për zgjerim dhe fqinjësi, padiste protestuesen. Po pse? Se e gjuajti me vezë. Po në politikë kështu je, edhe me vezë do të gjuajnë. Kjo është gjëja më normale. Po pse për këtë punë e kuptoni ku jeni katandisur more ju veten tuaj?
Dekreti nuk mund të votohet që në këtë moment që Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një nen të saj, ai nuk kalon në parlament. Nuk kalon në parlament, nuk kalon.


