Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, për shndërrimin e ambienteve të ministrisë në qendër dhune dhe torturash ndaj studentëve dhe protestuesve. Berisha e cilësoi këtë akt si të papranueshëm dhe kërkoi largimin e ministres.
Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi edhe vendimin për transformimin e korpusit të Fakultetit të Shkencave në Korçë në gjimnaz, si dhe mbylljen e hapësirave universitare dhe vështirësitë që përballen studentët në zonat jashtë Tiranës.
Berisha denoncoi rënien e numrit të studentëve, buxhetin e ulët për arsimin dhe ndërprerjen e mbrojtjes së doktoraturave, duke e cilësuar këtë të fundit si goditje ndaj kërkimit shkencor dhe universiteteve shqiptare.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu referua edhe ministrit Blendi Gonxhja, duke rrëfyer një histori nga periudha e diktaturës dhe duke theksuar se pranimi i tij në liceun e pikturës ishte favorizuar nga propaganda e kohës, pas një vizatimi të makinës së Enver Hoxhës.
Fjala e plotë:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, zonja dhe zotërinj deputetë, zoti kryetar!
Tek fliste parafolësja, po hulumtoja dhe kërkoja në enciklopedira, në hapësira të mëdha, të gjeja një analogji midis saj që shndërroi ndërtesën e Ministrisë së Arsimit në një ndërtesë torturash më çnjerëzore për studentët dhe protestuesit, dhe gjeta vetëm disa emra të kampeve të përqendrimit.
Kampeve naziste, por për hir të së vërtetës edhe kampeve të përqendrimit të Enver Hoxhës.
Ju nuk keni më të drejtë të qëndroni asnjë sekondë ministre arsimi me atë akt të papërgjegjshëm që bëre duke i dhënë sallat e ministrisë banditëve me uniformë, të cilët e mbushën sallën me studentë dhe qytetarë pa ndjenja, me ndjenja, sallë torturash, sallë të njerëzve që nuk lëviznin dot.
Dhe e gjitha kjo, në një akt hakmarrje dhe urrejtje të Edi Ramës dhe ju personalisht, se ti mund të jepje 100 herë dorëheqjen, dhe atë që i ke bërë ti Ministrisë së Arsimit, nuk ia ka bërë kush.
Nuk gjen një regjim mbi tokë, në asnjë vend dhe në asnjë rast, që të ketë shndërruar Ministrinë e Arsimit në qendër torturash, lidhjesh dhe arrestimesh siç keni bërë ju.
Vlerësojmë vazhdimin e traditës frankofone dhe konsolidimin e saj, në të cilat në mënyrë të padiskutueshme liceu i Korçës ka qenë një institucion shumë i rëndësishëm.
Por absolutisht e konsideroj të papranueshme që të merrni korpusin e fakultetit të shkencave të universitetit të Korçës dhe ta transformoni në një gjimnaz.
Edhe në qoftë se për një moment ta zëmë se nuk ka studentë për shkencat në atë universitet, përshtaten programe të tjera për degë të tjera të cilat janë me qindra, por universiteteve nuk u merren, siç bëni ju, as mjediset, as pronat.
Korça ka hapësira, ka mundësira dhe ajo ndërtesë duhej ndërtuar nga e para dhe jo të veproni në këtë mënyrë.
Njerëz që mund t’u thuash çdo epitet, por nuk dua të prish gojën.
Të njëjtën gjë bëri me kampusin e studentëve në Tiranë.
Në vend se ta ndërtoni me projekte e me të gjitha, e merrni dhe ia jepni dhe i lini studentët për të shkuar në universitetet e botës se nuk përballojnë dot qiranë.
Ti je një mëkatare e madhe, je një shkatërrimtare e arsimit, për historinë e turpit.
PISA, që është vlerësimi më serioz i sistemit parauniversitar, për herë të parë detyrohet për Shqipërinë të vendosë asterikse dhe të thotë nuk zbatuan kriteret e kërkuara për zbatimin e saj.
Një manipulatore, një falsifikatore edhe me arsimin.
Prandaj të mban ty.
Çfarë ke ti? Ti je një skllave e atij Padrinos ti, që zbaton verbërisht urdhrat e tij.
Universitetet janë sot në kohën më të vështirë të tyre.
Në periferi ato po mbyllen sepse mesatarja e caktuar për të hyrë në universitet nuk kapet dot nga 80 përqind të gjimnazeve jashtë Tirane.
Në të gjithë kohërat arsimi ka pasur një nga misionet kryesore të tij luftën ndaj varfërisë.
Dhe ju i godisni zonat e varfra me mesatare me një mendësi të vjetër të etërve të Edi Ramës, të cilin e kishin privilegj studentët.
Dhe për dekada e mbanin universitetin 5 mijë deri në 7 mijë. Mbase mund të ishin 70 mijë që donin të hynin, nuk pyesnin fare.
Dhe këta e përgjysmuan numrin e studentëve në këto vite.
E përgjysmuan.
Rënie katastrofale ka përqindja e shqiptarëve me shkollë të lartë, e cila ishte ndër më të ulëtat në Evropë dhe në botë, filloi ngjitjen dhe tani ka marrë rënien vertikale prej tyre.
Çfarë arsimi je ti?
Po të ishte se ndërtesat merrnin tabelën që u takonte, ajo do të quhej Ministria e Injorancës.
Arsimi është në rënie të lirë.
Cili është buxheti? Qesharak!
Një buxhet as 50 përqind e atij të shpallurit.
Ju do hyni në histori si Neronë, bashkë me Padrinon, nuk je vetëm ti, si vendi i vetëm në botë që ndërpret doktoraturat.
Ky është kulmi i injorancës, padijes dhe turpit.
Po edhe ata pedagogë që hanë turpin me bukë dhe pranojnë e i nënshtrohen kësaj, në një kohë kur nuk mund të ketë kurrë universitet pa kërkim shkencor.
Në një kohë kur kërkimi shkencor është shtylla më kryesore e aftësimit, kualifikimit, lartësimit të universiteteve.
Dhe ju, në një urdhër të atij injorantit, me një urdhër të tij ndaloni mbrojtjen e doktoraturave.
Ç’jeni kështu mo, racë injorantësh që udhëhiqeni nga urrejtja njerëzore?
Si mund të bëhet kjo?
Universitetet janë shtretërit intelektualë të kombit dhe ju ndaloni mbrojtjen e doktoraturave.
Sa vite? Shumë vite, se kështu ia thotë mendja e një njeriu që meriton çdo epitet, por nuk dua të prish gojën time para qytetarëve.
Më mirë mos fol prapa shpine se unë po flas me politesë, këto që po i them, po i them me vetëpërmbajtje se kam shumë e shumë të tjera.
Pra, je një shkatërrimtare e sistemit arsimor në Shqipëri, bashkë me atë që mund t’i vësh çdo epitet.
Edhe ky këtu, më fal se do lexoj pak se si u bë piktor ky.
Dëgjojeni pak, prisni tani, dëgjoni pak këtu.
‘Doktor, si shkoi Blendi Gonxhe në lice për pikturë se piktor nuk u bë asnjëherë’.
Do e lexoj këtu pak, se është shumë e bukur.
‘Doktor, në vitin e largët 1976, Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe të nesërmen e arritjes do të takohej me popullin.
Agimi, ish-shefi i shëndetësisë i divizionit, do të ishte në rreshtin e parë.
Ai i thotë djalit: Blendi, i cili ishte 8 vjeç dhe shkonte në rrethin e pikturës në Shtëpinë e Pionerit, Blendi vizatoje makinën e xhaxhit Enver.
Blendi në një letër format 4 e vizatoi një Mercedes dhe vuri targën.
Të nesërmen, Agimi, i ati, ulur në rreshtin e parë, e shtyn Blendin dhe i thotë, ik tregoja pak xhaxhit Enver vizatimin.
Blendi shkoi dhe shoku Enver, si gjigant që ishte, i thotë Agimit, dhe Agimi se kishte frikë se mos ishte i deklasuar, Agimi i thotë i imi shoku Enver, me shumë krenari për të’.
Por kur ky shkoi dhe u paraqit në konkurs në lice, e rrëzoi juria.
Dhe tani si hyri?
Hyri duke dërguar gazetat që shkruajtën se Blendi vizatoi makinën e xhaxhit Enver.


