Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Berisha: Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm! U bëj thirrje qytetarëve të mbështesin me protestën e tyre të fuqishme me 28 nëntor edhe përmbysjen e këtij buxheti

KONFERENCA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, PROF. DR. SALI BERISHA

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se buxheti i vitit 2027, i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro, është një buxhet që favorizon korrupsionin dhe shpenzimet e administratës, ndërsa lë në harresë pensionistët dhe qytetarët me të ardhura të ulëta.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha e cilësoi shifrën prej 10 miliardë eurosh si spekulim, duke argumentuar se, po të llogaritet me kurset e mëparshme të këmbimit, rritja reale e buxhetit është shumë më e vogël. Ai deklaroi se vetëm 1 për qind e PBB-së është parashikuar për pensionistët, duke kërkuar dyfishimin e menjëhershëm të fondit për pensionet, nga 300-350 milionë euro në të paktën 700 milionë euro.

Berisha paraqiti edhe propozimet e Partisë Demokratike për rritjen e të ardhurave të qytetarëve. Sipas tij, pagat e ulëta duhet të rriten me 50 për qind, pagat e mesme me 30 për qind, ndërsa pagat e larta të mos kenë rritje. Ai kërkoi gjithashtu vendosjen e një minimumi jetik, në mënyrë që asnjë pension të mos jetë nën 200 euro, duke përfshirë edhe pensionet e pjesshme, ndihmën ekonomike dhe pagesën e papunësisë.

Lideri opozitar argumentoi se këto masa mund të financohen përmes përgjysmimit të shpenzimeve operative të administratës dhe shkurtimit të fondeve për tenderat dhe prokurimet publike. Ai akuzoi qeverinë se një pjesë e madhe e parave të investimeve përfundojnë të shpërdoruara përmes korrupsionit, duke përmendur si shembull tunelin e Llogarasë, kostoja e të cilit, u rrit ndjeshëm krahasuar me ofertën fillestare.

Berisha e cilësoi buxhetin cinik dhe të pashpirt ndaj qytetarëve, duke u bërë thirrje shqiptarëve që të mbështesin protestën e 28 Nëntorit në Tiranë dhe kundërshtimin e këtij buxheti.

Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me gazetarët, Berisha foli edhe për bashkëpunimin opozitar në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027. Ai deklaroi se PD po punon për krijimin e një koalicioni të gjerë me të gjitha forcat politike, grupet e interesit dhe faktorët që e konsiderojnë qeverisjen e Edi Ramës si të keqen më të madhe të vendit, duke theksuar se bashkëpunimi mund të realizohet duke ruajtur identitetin e secilit subjekt politik.

I pyetur për reformën zgjedhore, Berisha tha se kërkesat e paraqitura nuk janë vetëm të PD-së, por të gjithë spektrit opozitar, ndërsa për protestën e 28 Nëntorit konfirmoi mbështetjen e plotë të Partisë Demokratike.

Ai u bëri thirrje demokratëve dhe mbështetësve të opozitës nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe diaspora që të bashkohen në protestën e 28 Nëntorit në Tiranë.

FJALA E PLOTË:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, edhe njëherë rikthehem tek buxheti i reklamuar si buxheti më i madh në histori me 10 miliardë euro.
Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme.
Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet- me kursin e këmbimit se kjo bazohet tek narkoeuro- kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh.
Kjo është e vërteta.
Por në rast se merrni shpërndarjen e tij, është vjedhje, vjedhje dhe vetëm vjedhje.
Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 përqind e GDP-së.
Iu janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro.
Nuk ka përqeshje më të madhe për ta.
Janë 760 mijë qytetarë.
Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë.
Dhe kjo vetëm si hapi i parë.
Ku do gjenden? Tek hajdutët.
Janë lënë 930 milionë euro para xhepi, udhëtimesh, shpenzimesh të administratës. Shpenzime operative.
Udhëtime dhe fjetje në hotel me 5 yje.
Krim, krim i shëmtuar.
Këtu janë futur edhe paratë e check-upit, koncesioneve të cilat shkojnë, siç dihet, pasivisht në kontot bankare të Edi Ramës dhe hajdutëve të tij.

Përgjysmim i menjëhershëm i të gjitha shpenzimeve operative është absolutisht pa asnjë pasojë në funksionimin e administratës, përkundrazi krijimin e një mjedisi më transparent dhe më pak korruptiv.
E paimagjinueshme.
E kuptoni njëherë ç’do të thotë? Drejtorët me tre vetura. Asnjë veturë.
Zëvendësministrat me dy vetura. Asnjë veturë.
Shtesë në rrugë për mjetin e udhëtim. Personal ta kenë, shtesë për naftën. Autobusin, shtesë për biletën.
Ky ishte standardi i mëparshëm.
Dhe vetëm duke hequr një veturë të zëvendësministrave u kursyen 46 milionë euro.
Tani ata janë bërë palë më palë.
Këshilltarët e Edi Ramës marrin sa tre kabinete. E paimagjinueshme.
Prandaj nuk ka rritje rrogash.
Ka tallje me pensionistët.
T’ua dyfishojmë këtë që u dhamë vitin e kaluar.
Po çfarë u dhatë vitin e kaluar? Njerëz të pashpirt. U dhatë thërrime dhe grimca qesharake.
Dhe tani bërtasin dhe po i lumturojnë se po u dyfishojnë atë që dhanë vitin e kaluar.
Paratë janë që të gjitha.
Absolutisht pa asnjë lloj pasoje negative, përveçse shumë pozitive sepse i nxjerr nga dhimbja.
Pra dyfishim i menjëhershëm.
Tre, rrogat. Ka rritur vetëm rrogat e narkobanditëve. 2500 euro për të rrahur, për të torturuar, për të masakruar të rinjtë në protestë.
Rritje me 50 përqind të rrogave të ulëta.
Me 30 përqind të rrogave të mesme.
Asnjë qindarkë rrogat e larta.
Asnjë qindarkë!
Po, rrogat e ulëta do rriten.
Asnjë pension në Shqipëri nën 200 euro.
Ky thotë janë 10 miliardë, a e dini ju sa është fondi i përgjithshëm i rrogave?
Është rreth 103 miliardë lekë apo është 1 miliard e 300 milionë.
Rritja e rrogave të ulëta në 50 përqind dhe rrogave të mesme në 30 përqind përballohet pa asnjë vështirësi.
Pa asnjë pasojë sepse këta kanë lënë për tenderat dhe për prokurimet 2.2 miliardë euro.
Aty ku këta vjedhin, sipas KLSH, 90 përqind të fondit të investimit. Zhduket.
Këta pra lënë për investime, i rrisin në mënyrën më të pabazuar dhe të tjerët, pensionistët, rrogëulëtit i lënë të numërojnë kafshatat.
Asnjë qindarkë. Rritja e parashikuar e rrogave është qesharake.
Pra rrogat e ulëta duhet të rriten me 50 përqind.
Rrogat e mesme me 30 përqind.
Asnjë qindarkë rrogat e larta.
Pse?
Se janë më të lartat në rajon në paturpësinë më të madhe.
Në qoftë se një rrogë mesatare, krahasuar me mesataren e BE, është 15-20 përqind e saj, rroga e lartë shkon ndonjëherë edhe më e lartë se rrogat e BE, ndonjëherë shkon tek 70 përqind e tyre.
Ato nuk duhet të preken.
Ato të mbahen aty ky janë.

Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm.
Ndaj dhe ne deklarojmë se vendosja e minimumit jetik në mënyrë që të mos ketë pension nën 200 euro, asnjë.
Dhe kur them pension, them pension të pjesshëm, jo të plotin.
Të mos ketë shqiptar që firmos nën 200 euro.
As rrogë papunësie, as ndihmë ekonomike.
Pra, në rast se ky buxhet do të trajtonte realitetin, do u jepte përgjigje problemeve të mëdha të realitetit shqiptar, kurrë nuk do mund të ishte paraqitur siç u paraqit.
Ndaj dhe u bëj thirrje qytetarëve të mbështesin me protestën e tyre të fuqishme me 28 Nëntor edhe përmbysjen e këtij buxheti që është totalisht cinik, i pashpirt ndaj qytetarëve.
Shtroni pyetjen, janë investuar, thonë këta, çfarë është bërë me 67 miliardë euro buxhete të tyre?
Çfarë është bërë?
Unë nuk them se nuk është bërë fare, por janë vjedhur 90 përqind të atyre që janë investuar. Kjo është e vërteta.
Edhe 100 përqind siç është djegësi i Tiranës.
Me 130 milionë euro ishte oferta sllovene e tunelit të Llogarasë. E anuluan tenderin dhe e përfunduan me 220 milionë euro, me 90 milionë euro më shumë.

Pra, ku fle hajduti?
Tek investimet dhe tek shpenzimet operative.
Po si ka mundësi të rrisësh shpenzimet operative në rreth 1 miliardë para xhepi për hajdutët e administratës.
Në asnjë mënyrë.
Çdo qindarkë mbi 300 milionë është e tepërt.
Çdo qindarkë.
Vetëm nga ato mund të ndash rreth gjysmë miliardi.
Pa asnjë diskutim!
700 milionë minimumi duhet të ngushtohet investimet me kosto strastosferike që vjedhin.
U them edhe njëherë qytetarëve shqiptarë, kostoja e ndërtimit nga viti 2013 gjer sot, sipas manualeve ndërkombëtare të ndërtimit, manualit të BE dhe SHBA, kostoja e ndërtimit në këto vite është rritur vetëm me 40 përqind. Jo tamam 40 biles.
Kostoja e ndërtimit në Shqipëri është rritur me 800 përqind, me 1000 përqind nga vjedhja, nga vjedhja, nga vjedhja.
Ndaj dhe, thashë të paraqes disa nga qëndrimet tona më të prera, duke garantuar qytetarët shqiptarë se këto janë 100 përqind të mundshme.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT

Olta Blaceri, Vizion Plus: Z. Berisha, a keni ndërmarrë ndonjë hap për të krijuar koalicionin me të gjitha forcat që janë në opozitë për zgjedhjet lokale të datës 9 maj të vitit 2027?

Sali Berisha: Ne po punojmë. Vetëm se ky koalicion është i ndryshëm nga çdo koalicion që është bërë nga viti ‘91 gjer sot.  Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë përpjekje e ndershme për të bashkëpunuar me çdo forcë politike, çdo grup interesi dhe të gjithë ata që konsiderojnë të keqen më të madhe Edi Ramën dhe narkoshtetin e tij.
Çfarë do të thotë kjo? Një bashkim duke ruajtur të gjithë identitetet. Po!
Një bashkim dhe me ata që platformën e tyre e kanë kundër Partisë Demokratike. Po!
Në mënyrë që së bashku të përcjellim në banesën e turpit kreun e narkoshtetit shqiptar dhe të vendosim një qeveri për një kuadër ligjor të standardeve më të mira ndërkombëtare për zgjedhjet, siç është njoftuar
Secili të testohet para qytetarëve shqiptarë, dhe qytetarët shqiptarë të zgjedhin atë që konsiderojnë më të mirë.
Pra, ky është një spektër i gjerë në konceptin tonë ku ne nuk përjashtojmë nga ky bashkërendim dhe bashkëpunim asnjë faktor që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe e vendit.

Olta Blaceri, Vizion Plus: Një pyetje në lidhje me reformën zgjedhore. A është kërkesa e Partisë Demokratike për ndryshimin e sistemit një kusht i panegociueshëm? Që do të thotë, do të kemi reformë zgjedhore pa sistem?

Sali Berisha: Ato që kemi paraqitur ne janë kërkesa jo vetëm të Partisë Demokratike, por janë kërkesa të të gjithë spektrit opozitar. Dhe ne jemi përshtatur, kemi përfillur kërkesat e të gjithë spektrit opozitar. E rëndësishme është që atyre t’u dalë zot i gjithë spektri opozitar.

Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, a do ta mbështesë Partia Demokratike protestën e thirrur nga qytetarët dhe diaspora në 28 nëntor?

Sali Berisha: Mbështetjen më të fuqishme.
Dhe thirrja mine është sot për çdo anëtarë dhe anëtare, për çdo mbështetës dhe mbështetëse të Partisë Demokratike, me 28 Nëntor të gjithë në Tiranë në nderim të flamurit tonë kombëtar kundër këtij regjimi armiqësor ndaj flamurit, ndaj kombit dhe vendit. Nuk ka nderim më të madh për të rënët e kombit atë ditë, sesa të luftosh për idealet e tyre kundër këtij narkodiktatori.
Dhe unë kam besim se demokratët nga të katër anët e Shqipërisë dhe të katër anët e dheut do të jenë në atë protestë më shumë se asnjëherë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale