Berisha: Më 5 shkurt u firmos mrekullia e re e Partisë Demokratike, bashkimi i demokratëve. Sot nuk ka president dhe kryeministër në botë që mund të thotë për Berishën se nuk mund të lahet në ujërat e lumit edhe për të tretën herë

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar se Partia Demokratike do të fitojë në zgjedhjet që vijnë.

Në protestën e radhës që po zhvillohet në ‘Rrugën e Shpresës’ në mbështetje të liderit të opozitës kundër vendimit politik me ‘arrest shtëpie’ të dirigjuar nga Edi Rama, Berisha theksoi se PD fitoi në vitin ‘92 se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.

Gjata fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se nuk mund të ketë njeri, që të thotë për Berishën se nuk mund të lahet në ujërat e lumit edhe për të tretën herë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha vlerësoi protestën e 5 shkurtit para parlamentit si mrekullia e re e PD-së, pasi solli bashkimin e demokratëve.

FJALA E PLOTË:

Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar qëndrestarë, misionarë të shpresës, shpëtimtarë të Shqipërisë!

Ditë të bardha po vijnë për demokracinë shqiptare, ditë të bardha po vijnë për Shqipërinë, ju misionarët e shpresës po i sillni ato, nderim paçi gjithmonë!

Po pse e them unë këtë? E them këtë sepse së pari, historia ka provuar se misionarët nuk mposhten kurrë.

Së dyti, e them këtë sepse historia e PD-së, partisë së idealeve tuaja, aspiratave tuaja, është historia e forcës politike të misioneve të pamundura.

Për këtë, më lejoni t’ju kujtoj vetëm dy raste kur PD ka sjellë dritën nga errësira për Shqipërinë, ka sjellë ditët e bardha për shqiptarët.

Herën e parë ishte viti 1992. Në atë kohë ishim një parti pak më shumë se 1-vjeçare. Nuk kishim asgjë. Pas 45 vitesh sundim të Partisë së Punës, pushteti dukej i pamundur. Madje zgjedhjet e para, ato të vitit 1991, Ramiz Alia i grabiti dhe e paraqiti veten si fitimtar vetëm e vetëm që të ruante pushtetin komunist. Ato zgjedhje ishin si dy pika uji me zgjedhjet e 14 majit të vitit 2023.

Në fillim të marsit të vitit 1992, Gallupi na nxirrte 27 pikë pas PS. Internacionalje Socialiste evropiane dhe botërore u ngrit e gjitha në këmbë për të mposhtur PD-në dhe mbajtur Ramiz Alinë në pushtet. Por çfarë ndodhi? Më 22 mars të vitit 1992, PD realizoi të pamundurën, realizoi ëndrrën. Ne fituam në vitin 1992 dhe kështu sollëm për herë të parë arritjen e parë monumentale që ndau epokat në Shqipëri. Ne sollëm demokracinë dhe sistemin demokratik.

Unë e di se ka skeptikë vendas dhe të huaj, që do u thonë mos e merrni shembullin e viteve 1991-1992, injorojeni, Berisha është nostalgjik, sot jemi 33 vite larg.

Po, kjo është e vërtetë. Po PD fitoi atëherë se ishte e pamposhtur dhe do fitojë përsëri, sepse qëndron edhe sot e pamposhtur.

Atyre që rasti i viteve ’90 u duket i largët dhe nostalgjik, u them të ndalemi pak në rastin e dytë më të afërt. Rasti i dytë që dua t’u kujtoj ju misionarëve të pamposhtur është hera e dytë që erdhëm në pushtet në vitin 2005. Në atë kohë, sërish situata dukej e pamundur. PD sapo kishte dalë nga periudha e saj më e vështirë në tërë ekzistencën e vet. Për të shmangur një konflikt të gjerë civil që kërkonte të provokonte me çdo kusht rebelimi komunist, PD dorëzoi pushtetin me zgjedhje dhe doli në opozitë.

U vërsulën në të katër anët që ta shqyenin, ta copëtonin, ta fshinin nga faqja e dheut.

Pozitat e tona në atë kohë ishin shumë më të vështira se sot. Të themi të vërtetën, në fillim pothuajse e gjithë bota, përveç një miku të çmuar që sot nuk është më, austriakut Alois Mock dhe pas tij edhe miqtë e tjerë, ishin kundra nesh.

Të gjithë kërkonin largimin tim, përveçse demokratëve, të cilët për mua ishin bota.

Ju jeni bota! Ju jeni bota për Sali Berishën!

Më kujtohet ajo kohë kur mbaja fjalime në oborrin e selisë. Përballë kisha vetëm dhjetëra vetë.

Por kisha dhjetëra misionarë. Ndaj atyre u flisja njëlloj sikur të kisha përballë 1 mijë, 10 mijë, 50 mijë vetë. Secili prej tyre ngjallte tek unë frymëzim të pashterrshëm, besim të pakufishëm.

Logjika çonte shumë veta të mendonin se PD kishte prekur fundin e saj dhe se fundja ajo kishte përmbushur misionin e saj, kishte përmbysur komunizmin dhe kishte sjellë demokracinë.

Në kancelaritë më të fuqishme të botës, gabimisht më kishin hequr vizë. Në një bisedë në Zyrën Ovale, zyrën më të rëndësishëm të planetit, presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova do shprehej se Berisha e kishte mbështetur fort Rugovën dhe Kosovën.

Presidenti Klinton ishte përgjigjur se në ujërat e një lumi nuk mund të lahesh dy herë. Por miq, e shkuara është vetëm prologu.

Në vitin 2005, ata që erdhën me dhunë në pushtet, i përzumë me votën e lirë.

Sali Berisha u la për të dytën herë në ujërat e atij lumi dhe sot nuk ka president, as edhe kryeministër në botë që mund të thotë për Sali Berishën se ky nuk mund të lahet në ujërat e lumit edhe për të tretën herë.

Por edhe po të dalë ndonjë dhe ta thotë sot, mirë është të bëjë kujdes, se nesër kudo që të jetë ai, në detyrë apo pension, do gjejë veten gabim se do shohë PD-në në pushtet dhe Berishën e tretë një sukses tjetër të ri.

Kjo sepse PD është provuar parti e misioneve të pamundshme. Ajo realizon të pamundurën. Ne realizuam ëndrrën. Ne fituam dhe bashkë me ne fitoi Shqipëria, fitoi kombi, fitoi Kosova, fituan shqiptarët.

Fitoi Shqipëria liberalizimin e vizave, fitoi anëtarësimin në NATO, fitoi projekte si Rruga e Kombit, si TAP-i dhe Devolli.

Bismarku ka një shprehje që njihet mirë në politikë, ai thotë se politika është arti i realizimit të së mundshmes.

Por PD ka provuar se politika është arti i realizimit të pamundshmes, sepse ne kemi realizuar të pamundshmen jo njëherë, por dy herë dhe tani do realizojmë një herë të tretë.

Ne do fitojmë sepse ju demokratë, misionarë të pamposhtur me 5 shkurt, me betejën tuaj pa kthim, ju firmosët mrekullinë e re të PD, bashkimin e demokratëve.

Ditën kur pala tjetër si përgjigje ndaj akuzave lemeritëse të Arben Ahmetajt, zgjodhi omertan, kodin e mafie.

Miq mos harroni, kujtoni pak Damian Gjiknurin para gazetarëve. Ajo e pyeste për intervistën e Arben Ahmetajt, ai bënte mmmm. Kishte frikë se po i çelet goja.

Dhe meqë jemi këtu, le t’u bëjmë pak një pyetje Batonëve, Mjerove dhe Bolinove: Mor të nderuar, meqë Arben Ahmetaj nuk tha gjë, pse janë strukur, pse kanë heshtur, pse zbatojnë kodin e omertës hajdutët Edi Rama, Veliaj dhe të gjithë skapistët, ministrat e tij.

Pse nuk thanë një fjalë? Pse nuk hodhën poshtë akuzat e tmerrshme? Sepse ato janë të vërteta.

Pra, ditën kur Rruga e Shpresës lebetiti Edi Ramën dhe organizatën e tij kriminale, ju udhëhoqët dhe thyet çdo tabu në politikën shqiptare.

Më 5 shkurt, ju të dashur miq bëtë histori. Ju shembët një nga tabutë më të zeza të trashëguara nga e shkuara jonë diktatoriale.

Politika shqiptare nuk është më e njejtë që nga 5 shkurti, sepse ju dëshmuat se ndonëse mendoni ndryshe, ndonëse kemi kritikuar njëri-tjetrin, ndonëse kemi pasur përplasje me njëri-tjetrit dhe jemi parti e individit të lirë, kur vjen puna te interesi kombëtar, te vlera e lirisë, te demokracia, ne bëhemi një dhe i dalim zot vendit, i dalim zot pluralizmit, i dalim zot Shqipërisë.

Sepse miq, kjo është demokracia, ky është pluralizmi.

Duke u mbledhur në Rrugën e Shpresës, deputetët demokratë që kanë bërë një betejë epike, të panjohur në historinë e parlamentarizmit, faktuan se ne i dalim zot emrit të partisë sonë, PD-së, partisë së pamposhtur, partisë së misioneve të mëdha.

Duke u mbledhur bashkë me 5 shkurt, ne u bëmë dhuratën më të bukur çdo demokrati që na ka mbështetur në mënyrë të palodhur dhe me sakrifica 10 vite me radhë.

Me bashkimin tonë, ne u bëmë atyre dhuratën e shumëpritur, dhuratën e shpresës, dhuratën e mirënjohjes, dhuratën e fitores!

Por, demokrate dhe demokratë, bashkimi i 5 shkurtit ishte vetëm diçka e vogël, po të krahasosh me atë që do të shohë Shqipëria, Europa dhe bota me 20 shkurt.

Jo vetëm opozita, por mbarë populli shqiptar do bashkohet më 20 shkurt kundër të keqes, kundër aleancës së qelbësirave, kundër grabitjes së votës së lirë, kundër asgjësimit të pluralizmit në parlamentin e krimit, kundër dëbimit me kushtet e krijuara të shqiptarëve nga dheu i tyre, kundër arrestimit politik të liderit të PD, kundër vjedhjes së shekullit të inceneratorëve, kundër taksave të larta, kundër çmimeve të larta, kundër ndërtimit të Skavicës dhe mbytjes së Dibrës, kundër grabitjes së Portit të Durrësit, kundër skandalit të shekullit Rama-McGonigal, kundër drejtësisë së kapur nga Edi Rama, kundër shkelmimit dhe shitjes së interesit kombëtar nga tradhtari Edi Rama.

Miq, ashtu si demokratët që mendojnë ndryshe, nuk e kishin tabu të qëndronin krah njëri-tjetrit në Rrugën e Shpresës, demokratët, opozitarët e tjerë, elektorati gri, socialistët e zhgënjyer nuk do e kenë më tabu të rrinë krah për krah njëri-tjetrit, sepse në fund të ditës, kauza e demokracisë është kauza e çdo shqiptari.

Shqipëria është e çdo shqiptari, Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë misionarët e pamposhtur, qytetarët e saj.

20 shkurti, dita e triumfit, rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale