FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË LEZHË
ESKTRAKT
Një takim elektoral madhështor u zhvillua sot pasdite në Lezhë në mbyllje të fushatës. Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, Edi Rama i përdori këto 8 vite kundër qytetarëve të Shqipërisë, i përdori për pasurimin e tij, qeveritarëve dhe familjarëve të tij.
Berisha tha se, Edi Rama që kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të denjë tipik vetëm për halabakë, pasi e ka tmerruar qarku i Kurbinit, i Lezhës.
Lideri demokrat gjatë fjalës së mbajtur u shpreh se, “Pjerin Ndreu ka 4 vite që nuk vendos shtatoren Skënderbeut në shesh, do t’i heqim shtetësinë!”
Berisha iu drejtua Pjerin Ndreut duke i thënë: “Ke gjithsej 72 orë në atë zyrë, asnjë orë tepër. Kur të mbyllet kutia e fundit, largohu!”
Kryetari i PD, Sali Berisha përçoi një thirrje të fortë dhe një mesazh të hapur, duke iu thënë qytetarëve që më 14 maj të votojnë alternativën e duhur, doktor Pashk Gjonin. Gjithashtu, Berisha tha, se në datën 14 maj Lezha voton për shpirtin e Heroit Kombëtar, Skënderbeun, si një shtyllë e rëndësishme e identitetit shqiptar që na frymëzon të qendrojmë të pamposhtur.
FJALA E PLOTË
Lezhjane dhe lezhjanë. Vëllezër e motra. Zonja e zotërinj! Mirënjohjen më të pakufijshme, nderimin më të thellë për ju, gratë dhe burrat, djem dhe vajzat e Lezhës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhënë demokracisë shqiptare për qendrimin tuaj vigan në historinë e kombit tonë.
Këtu në Lezhë mbarë kombi ka djepin e frymëzimit të tij. Djepin e prijësit dhe të virtytit të vet. Ndaj edhe duke njohur meritat tuaja shumë të mëdha, të jashtëzakonshme ju ftoj më 14 maj çdo lezhjane dhe lezhjan të marrë pjesë në votime të votojë doktor Pashk Gjonin, të votojë numrin 1, koalicionin “Bashkë Fitojmë”, të votojë ndryshimin.
14 maji është një ditë që ndan historinë njëlloj, siç e ndau viti ’92. I nderuari z.Ilir Meta, Kryetar i PL. E dashur znj.deputete, Lindita Metaliaj. I dashur Salvador, Viktor, miq të mitë. I dashur Kryetari ynë i ri i Bashksië së Lezhës, Pashk Gjoni.
Në 32 vite pas vitit ’92, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të ekzistencës sonë. Këto janë zgjedhjet në të cilat ne, duke votuar ndryshimin vendosim t’i marrim pushtetin një njeriu që ka përqendruar çdo pushtet në duart e tij. Një njeri që në 8 vite i përdori këto pushtete kundër kundër qytetarëve të Lezhës dhe Shqipërisë. I përdori këto pushtete për pasurimin e tij, familjarëve të tij, rrethit të tij dhe qeveritarëve, zyrtarëve të tij.
Kurrë ndonjëherë një kryeministër, kurrë ndonjëherë një qeveri nuk ka vjedhur dhe varfëruar qytetarët e vendit, siç ka bërë Edi Rama me qeverinë e tij në keto 8 vite. Kurrë ndonjëherë në shekuj, shqiptarët nuk janë detyruar të largohen nga vendi i tyre për shkak të varfërisë së frikshme në rritje, papunësisë, dhunës dhe terrorit. Edi Rama dëshmoi se përçmimi dhe vetëm përçmim ka për qytetarin shqiptar. Edi Rama vetëm për faturën e dritave arrestoi në një vit 37 mijë shqiptarë, gjë e cila nuk ndodh në asnjë vend të botës. Çështjet civile janë çështje civile, dhe nuk janë kurrë penale, përveçse një shpirtziu si ai, i cili donte të qeveriste duke trembur dhe frikësuar qytetarët e vet.
Edi Rama që kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të denjë vetëm për halabakë, e ka tmerruar Qarku i Kurbinit, i Lezhës. Edi Rama sheh disfatën e tij të plotë më 14 maj, dhe e ka të qartë, se disfata në Lezhë është lajmëtarja e disfatës së tij në mbarë Shqipërinë.
Salvador, ti i ktheve vet përgjigje, por unë dua t’i them kaq. Salvador Kaçi ka përfaqësuar këtë komb dhe këtë flamur në mënyrën më dinjitoze, kurse ti je një njeri pa flamur, pa nder, pa atdhe. Dhe të lash gojën kur të përmendësh emrin e Salvadorit.
Cilin ka këtu Edi Rama? Ka Pjerin Ndreun. A e dini ju që Pjerin Ndreu ka 4 vite që nuk vendos shtatoren e heroit tonë kombëtar në shesh me urdhër të Edi Ramës. Po ka logjikë, ka gjë më të turpshme se kjo? Sikur Skënderbeu të jetë pronë e tyre, dhe mund të bëhej plaçkë e tyre, dhe mund ta trajtojnë si të duan. Ky është një turp i madh! Dhe unë do t’i them Pjerin Ndreut këto fjalë: “Se Pashk Gjoni, një nga aktet e para do të të heqë qytetarinë nga Lezha, do të të përjashtojë. E dyta, qeveria demokratike do të të heqë shtetësinë shqiptare, dhe bashkë me Safet Gjicin, do të mbeteni dy apartidë, pa atdhe.”
Ndaj dhe shërbëtor i Edi Ramës, të duken lezhjanët si talebanë, sigurisht se i ke vjedhur, i ke vjedhur, i ke vjedhur, ke frikë, tmerr prej tyre.
Si mund të ju thuash talebanë qytetarëve të tu, pse kanë bindje të ndryshme politike. Jo miqtë e mi, kjo është frika e hajdutit që ka futur duart në paratë tuaja, në pronat tuaja dhe e dinë se do ta kapim për zverku dhe do ta flakim në datën 14 maj.
Pjerin i kam edhe dy lajme të tjera për ty, jo të mira, se nuk i meriton se vetë i bëni këto. Edi Ramën shumë shpejt do ta përcjellësh tek McGonigali. Po e pret me padurim. Të garantoj Pjerin se është i pashpresë. E dyta Pjerin, ke gjithsej 72 orë në atë zyrë. Asnjë orë tepër. Kur të mbyllet kutia e fundit, via, largohu!
Ua ke pru lezhjanëve aty ku nuk mban më.
Miqtë e mi!
Vota për ndryshimin, është votë për dinjitetin dhe liritë tona. Nuk duhet kurrë ne të pranojmë të gjitha pushtetet në duart e një njeriu që kalon nga sheshi në shesh si sharës ordiner. Një njeriu që urren qytetarët e tij, një njeriu që bazon gjithçka në mashtrimin. Një njeri i cili nga dita e parë dei sot ka bërë vetëm mashtrime. Njeri i cili nuk pyet për ekzistencën e qytetarëve, halleve dhe derteve të tij. I cili gjendjen ekonomike të shqiptarëve e ka zgjidhur me formulën: se nuk vdes kush për bukë. Për bukë nuk ka vdekur kush, por njerëzit duan të jetojnë si njerëz normalë me dinjitet, duan të gëzojnë pasuritë e vendit të tyre, duhet të shpërblehen për punën, mundin djersën. Duhet të mbajnë familjet e tyre, t’i ushqejnë.
Jam këtu për një thirrje të veçantë për nënant, motrat, gratë e Lezhës, vajzat. Këto 48 orët të jenë orët e përpjekjes më të fuqishme tuaj kundër një njeriu, i cili ka qenë dhe është qeveritari më mizogjen që ka patur Shqipëria ndonjëherë. Mos harroni se në 8 vite të qeverisjes së tij janë vrarë 136 nëna, motra dhe gra në Shqipëri. Më shumë se në dy kontinente. Sepse është mizogjen, sepse ai nuk merr asnjë masë, sepse as nuk ndalet fare në këtë fenomen. Është ai shkaku i brengave tuaja që përcillni fëmijët nëpër dhera të huaja, është ai sepse vjedh paratë, taksat, pasuritë. Është ai që vendos pushtetin mbi bandat, se ata më mbledhin vota.
Filloi të bëjë takime me gratë. Pasi e pa, u bë analiza, dilte se ato, socialiste apo çfarë ishin, kishin vetëm neveri për Edi Ramën. I la dhe takimet. Nuk di ku të shkojë.
Më 14 maj Lezha voton për shpirtin e Heroit tonë Kombëtar, voton për vokacionin perëndimor. Në qoftë se ne themi se, Skënderbeu është shtylla e identitetit tonë si shqiptar, para së gjithash është sepse ai na frymëzon të qendrojmë të pamposhtur, na frymëzon të shikojmë gjithmonë perëndimin, dhe vetëm perëndimin.
Ju siguroj se doktor Pashk Gjoni në Lezhë, se Behar Haxhiu në Kurbin, Albert Mëlyshi në Mirditë, do të bëjnë gjithçka për t’ua kthyer ju bashkitë. Do të dëshmohen shërbëtorë të përkushtuar tuajët. Do përdorin me transparencë taksat dhe të arhdurat e Bashkisë. Do i japin përgjigjen problemeve më të mëdha. Do lehtësojnë bizneset, do mbështesin turizmin, fermerët e Lezhës, Kurbinit, dhe kudo që janë kandidatët e Primareve.
Le të hapim ne më 14 një kapitull të ri në historinë tonë kombëtare, rivendosjen e pluralizmit politik, pa të cilin asnjë komb nuk ka të ardhme, pa të cilin nuk ka zhvillim, nuk ka liri, nuk ka dinjitet.
Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria!