FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME PENSIONISTËT NË ELBASAN
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ditën e sotme në një bashkëbisedim me pensionistët në Elbasan, kujtoi protestat e qytetarëve të Elbasanit më 11 dhjetor 1990, kundër diktaturës komuniste, të cilat u shtypën me dhunë nga regjimi i Ramiz Aliut. Berisha theksoi se, ndërsa regjimi i dikurshëm ishte stalinist, Shqipëria sot përballet me një diktaturë të re që kontrollon gjithçka, përfshirë drejtësinë dhe zgjedhjet, dhe përdor pushtetin për pasuri personale. Sipas Berishës, kjo diktaturë nuk ka kampe përqendrimi, por ka të burgosur politikë dhe shtyp opozitën.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë e Edi Ramës për varfërimin e qytetarëve shqiptarë dhe për mashtrimin ndaj pensionistëve. Ai theksoi se, nga viti 2013 deri në 2024, varfëria është rritur ndjeshëm, ndërkohë që paga dhe pensionet ishin më të larta se vendet e tjera të rajonit deri në humbjen e pushtetit. Berisha kritikoi ngrirjen e rrogave dhe rritjen e çmimeve për 12 vite, si dhe theksoi se indeksimi i pensioneve ishte një mashtrim, pasi pensionet janë ulur me të paktën 15% pas llogaritjes së inflacionit.
Berisha shtoi se inflacioni për produktet bazë dhe ilaçet është shumë më i lartë se rritja e përgjithshme e çmimeve, duke e quajtur këtë një mashtrim cinik dhe të pashpirt ndaj pensionistëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për një “krim” ndaj pensionistëve, duke theksuar se pensionet nuk janë rritur dhe se kjo ka sjellë varfërimin e mëtejshëm të këtij shtresi. Ai iu drejtua me tone të ashpra qeverisë për përpjekjet për të hedhur fajin tek biznesmenët, ndërkohë që thekson se qeveria ka mbledhur 8.2 miliardë euro nga bizneset, por nuk ka investuar në pensione.
Berisha përmendi rritjen e çmimeve të ushqimeve bazë dhe krahasimin me çmimet në vendet e BE-së, duke thënë se pensionistët shqiptarë marrin më pak se ata në vendet e rajonit. Ai theksoi se Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia ofrojnë pensione shumë më të larta se Shqipëria, duke argumentuar se kjo është një padrejtësi dhe një “krim i rëndë” që nuk rriten pensionet në Shqipëri.
Kryedemokrati, Sali Berisha hodhi akuza mbi qeverinë e Edi Ramës për abuzimin dhe vjedhjen e fondeve për pensionistët. Ai theksoi se për vitin e ardhshëm janë parashikuar vetëm 16 milionë euro për pensionistët, ndërkohë që qeveria ka mbledhur shumë më tepër fonde nga bizneset dhe ndihmon kompanitë që shfrytëzojnë pasuritë publike. kritikoi ndarjen e parave për investime që, sipas tij, janë shumë të larta dhe përfundojnë në duar të grupeve të lidhura me pushtetin, duke përmendur shembuj të tenderëve të fryrë dhe shpenzimeve të pambështetura. Ai e konsideroi këtë një cinizëm ekstrem dhe vjedhje të pasurisë publike. Berisha gjithashtu kritikoi ndikimin negativ të “narko-euros” dhe dërgesave nga emigrantët, që janë zhvlerësuar, duke e përkeqësuar situatën për pensionistët.
Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se, për të korrigjuar padrejtësitë dhe shpërndarjen e padrejtë të fondeve, qeveria e ardhshme do të ndryshojë kursin brenda tre muajsh të parë. Ai premtoi se do të investohet në mirëqenien e qytetarëve, duke përparuar më shumë për pensionistët, të rinjtë dhe fermerët, dhe do të zbatohet një shpërndarje e re buxheti që përparon qytetarët dhe zbaton standardet evropiane për projektet.
Berisha kritikoi keqmenaxhimin e projekteve të qeverisë, duke përmendur shembuj si aeroportin e Kukësit, që për të ai është një mashtrim i madh për të fshehur vjedhjen e parave publike. Berisha po ashtu foli për aeroportin e Vlorës, i cili, sipas tij, është një investim i gabuar për turizmin shqiptar, pasi do të penalizojë qytetarët dhe nuk do të sjellë fitime të qëndrueshme.
Berisha gjithashtu përmendi krahasimin me shtete si Mali i Zi, ku pensionistët marrin tre herë më shumë sesa ata në Shqipëri, duke theksuar se ky është rezultat i menaxhimit të keq dhe vjedhjes. Kreu demokrat premtoi se do të ndihmohet çdo shqiptar, me një minimum jetik prej 200 eurosh në vitin e parë, dhe do të rriten pensionet, duke kritikuar regjimin aktual për pasojat e tij negative në shoqëri dhe ekonomi.
Berisha premtoi se në qeverisjen e tij, shqiptarët do të kenë rroga dhe pensione më të larta se në rajon, me rritje të pagës minimale në 500 euro dhe rrogës mesatare në 1200 euro. Ai kritikoi qeverinë aktuale për shfrytëzimin e qytetarëve, veçanërisht pensionistëve, dhe ka propozuar përshkallëzim të tarifave për energjinë dhe shërbimet. Berisha gjithashtu akuzoi administratën për vjedhjen e fondeve për fermerët dhe ka theksuar nevojën për mbështetje më të madhe për këtë grup.
Kryetari i PD, Sali Berisha në Elbasan theksoi se është e rëndësishme që të krijohet një front i gjerë për të kundërshtuar qeverinë dhe për të përballuar varfërinë e shkaktuar nga politikat e saj. Berisha theksoi se një pjesë e madhe e të rinjve janë larguar nga vendi, dhe kjo është shkaktuar nga varfëria dhe paaftësia e shtetit për të siguruar mundësi punësimi.
Berisha akuzoi qeverinë për rritjen e çmimeve dhe vështirësinë e blerjes së pasurive, duke përmendur se shqiptarët po përballen me një rënie demografike dhe ekonomike të rrezikshme. Ai propozoi një politikë të veçantë demografike dhe shprehu angazhimin për të luftuar me mosbindje civile kundër regjimit aktual.
FJALA E PLOTË
Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje për të gjithë ju zonja dhe zotërinj, burra dhe gra të nderuar që keni ardhur në këtë takim, deputetët, drejtuesit e PD, drejtuesin politik dhe të gjithë ju sot në këtë sallë.
Kam kënaqësi që takohem sot me ju në një datë të veçantë për Elbasanin dhe demokracinë.
Me 11 dhjetor 1990, Ramiz Alia mblodhi Plenumin e Komitetit Qendror dhe u mposht nga kërkesat e studentëve dhe i pranoi ato.
U themelua në Tiranë, PD.
Qytetarët në Elbasan u ngritën në protesta të fuqishme kundër diktaturës. Ramiz Alia në Elbasan u nxori tanket, përdori mjetet më të egra të dhunës, proceset speciale, gjyqet speciale, dënimet drakoniane.
Tregoi brenda dy ditëve fytyrën e tij të vërtetë, të cilin mediat e huaja e quajtën Brezhnjev.
Ajo qëndresë e qytetarëve të Elbasanit pati një jehonë shumë të madhe sepse e bëri botën të ndjeshme me çfarë do përballej opozita e sapokrijuar shqiptare. Përballej pra me një regjim stalinist, i cili dy ditë më parë votoi pluralizmin, dy ditë më vonë u nxirrte tanket protestuesve paqësore.
Kjo është një datë shumë e rëndësishme, por ne sot nderojmë këtë datë, nderojmë ata burra dhe gra, të rinj, që u përballën dhëmb për dhëmb me diktaturën, pasi gjendemi në një diktaturë të re, e ndryshme nga ajo e 32 viteve më parë.
Një diktaturë e cila nuk bazohet më në doktrinën e Marksit dhe Leninit, por bazohet në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë.
Një diktatura, e cila njëlloj si e para, i ka të gjitha pushtetet në duart e një njeriu.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, kontrollon drejtësinë dhe e përdor atë në armë politikë.
Një diktaturë, e cila njëlloj si e para, ka shndërruar zgjedhjet në një fasadë elektorale.
Një diktaturë, e cila nuk ka kampe përqendrimi, por ka të burgosur politikë dhe nuk toleron opozitën, arreston drejtuesit e opozitës me qëllimin e vetëm që të marrë mandatin.
Një diktaturë, e cila vjedh në mënyrën më të paimagjinueshme, aq sa Enver Hoxha futi në bunker buxhet dhe para, kaq vjedhin këta për familjen dhe sojin e sorollopin e tyre.
Unë vij këtu sot për të diskutuar me ju problemet jetike të shoqërisë sonë, gjendjen në të cilën ai ka zhytur shoqërinë shqiptare, para së gjithash me këtë vjedhje të madhe që u bëhet fondeve dhe pasurive publike dhe këtë varfërim të pamëshirë në rritje nga viti në vit.
Ju e keni të qartë që në një ekonomi tregu që funksionon në mënyrë normale, varfëria nuk rritet, por ulet progresivisht.
Pasuria nuk përqendrohet, por shpërndahet progresivisht.
Kurse këtu në Shqipëri, nga viti 2013 gjer në vitin 2024, varfëria është rritur në mënyrën më të frikshme, është shndërruar në një tiran të vërtetë për qytetarët shqiptarë.
Në vitin 2013, me një përpjekje shumë të madhe, nga viti 2005, ne dolëm në krye të rajonit për rrogat dhe pensionet, e hoqëm atë vulën e më të varfërve, sepse ajo vulë ishte shumë e pamerituar për ne, sepse ne jemi një vend me pasuri përrallore. Nuk ka një vend të dytë, jo në rajon, por askund me pasuritë që ka Shqipëria.
Ajo që ne trashëguam, më të varfrit e të varfërve, aty u shkëputëm nga ajo kohë. Në vitin 2013 kishim paga dhe pensione më të lartat se 6 vendet e rajonit, plus Buljgaria dhe Rumania.
Kjo ishte në radhë të parë vullnet politik. Shqiptarët duhet të dilnin shpejt nga varfëria. Nuk dolëm, por bëmë hapa shumë të mëdhenj përpara. Kaluam nga grupi i kombeve me të ardhura të ulëta, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta.
Kjo ishte, dhe aty e dorëzuam pushtetin, humbëm zgjedhjet, bëmë rotacionin.
Çfarë ndodhi? Ndodhi një dukuri që nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Europës.
Për 12 vite u ngrinë rrogat në një politikë absolutisht kriminale, rrogat u ngrinë, çmimet u rritën trokthi.
Pensionet u shpallën se do indeksoheshin dhe ai u provua një mashtrim i madh. Pensionet absolutisht nuk u indeksuan, por nëse marrim indeksimin e fundit, që nuk ishte as 4 përqind, pensionet sot, 160 mijë lekë pensioni mesatar me 143 mijë që ishte pensioni në vitin 2013. Po të zbresësh inflacionin, janë të paktën 15 përqind më të ulëta.
Kjo në pamje të parë sepse inflacioni llogaritet duke marrë për bazë çmimet e dhjetëra artikujve.
Mirëpo për pensionistin, 60 përqind e tyre nuk kanë asnjë vlerë, as nuk i blen, as nuk i shet. Pensionisti ka në radhë të parë produktet bazë dhe ilaçet.
Këtu ndalemi. Në qoftë se i referohemi inflacionit të këtyre produkteve, ky inflacion, kjo rritje është 3.7 herë më e lartë se sa e rritja e inflacionit të përgjithshëm, për të cilin janë indeksuar pensionistët.
Rritja e çmimeve të shportës dhe ilaçeve është pra 3.7 herë më e lartë se sa rritja në tërësi e të gjithë produkteve.
Ky është pra një mashtrim i madh që u bëhet pensionistëve, një mashtrim cinik, i pashpirt.
Edi Rama, duke njohur krimin që ka bërë ndaj pensionistëve, ndërmori vallën e pashpirtësisë, ndërmori një seri takimesh një muaj e gjysëm se si t’i mashtronte këta njerëz.
Se si e si fajin e kanë biznesmenët.
Po pse e paskan biznesmenët fajin, kur kryeministri ka mbledhur prej tyre 8.2 miliardë euro.
8.2 miliardë euro të dashur miq janë dy buxhete të vitit 2008.
Ç’faj paskan biznesmenët këtu? Për të bërë atë që pensionistët të shohin me urrejtje biznesmenët dhe të besojnë se këta janë fajtorë dhe jo qeveria.
Cinike! Fajin e ka ajo që trashëguam dhe ajo që trashëguam është kjo.
E di çdo pensionist, gjetëm pensionin minimal 36 euro, e rritëm në 82 euro.
Gjetëm pensionin mesatar 70 euro, e rritëm në 105 euro.
Sot, pensioni mesatar, sepse euro ishte 140 lekë, nuk ishte narko-euro, në atë kohë narko-eurot nuk bënin ligjin në ekonomi, pra në 12 vjet, sot çdo pensionist merr 30 përqind më pak po të kemi parasysh edhe kursin e këmbimit.
E vërteta është se çmimet e ushqimeve bazë janë rritur, dhe janë krahasuar me çmimet në vendet e BE, nga 10 në 250 përqind më të larta.
Ju keni njerëz në Greqi, Itali, Gjermani, që të gjithë pazaret i bëjnë me çmime qartësisht më të lira se në Shqipëri.
Jo, thotë ky, nuk bëhet, se po të rrisim pensionet, vetëm sa nuk thotë se është një krim.
Pse nuk rriten pensionet? Po është krim të mos rriten pensionet.
Sa i ka pensionet sot Mali i Zi? 310 përqind më shumë se ne. Po çfarë ka Mali i Zi? Ka breg, që ne kemi 10 herë më shumë, ka male që ne jkemi shumë më tepër, ne kemi fusha, ata nuk kanë fusha, kemi të gjitha llojet e mineraleve.
Çfarë ka Mali i Zi që një pensionist të marrë sa 3 pensionistë tanë.
270 përqind më shumë merr pensionisti serb. Të gjithë në vitin 2013 merrnin më pak se ju.
280 përqind më shumë merr pensionisti në Maqedoni.
Albin Kurti u tha pensionistëve para 1 muaji, do ua rris 20 përqind. Mori 100 milionë euro dhe i çoi në fondin e pensioneve.
Po ne me 8 miliardë buxhetin, për 780 mijë pensionistëve, po çfarë pëson shteti nëse merr 800 milionë dhe i çon në fondin e pensioneve?
Si i sheh këta njerëz ai? Çfarë i konsideron ai këta? Njerëz që flasin me vete se nuk mbyllin dot muajin.
Ky është krim, krim i rëndë!
Çfarë pëson Shqipëria nëse vendos qeveria të kalojë 800 milionë fondin e pensioneve?
Ua them ju pse nuk bëhet kjo, sepse për ju, për pensionistët kanë lënë 16 milionë euro, kanë parashikuar për vitin tjetër 17 milionë euro.
Ku shkojnë këto? Këto vidhen në mënyrën më të pamëshirë.
Si vidhen? Vidhen në ndërtim rrugësh me çmime 10 herë më të larta se Kroacia, që është standard i BE.
E kam thënë dhe do ua them 100 herë, lexoni në Google, merrni rrugën në Kroaci, Bjelosik-Manastir, 17 kilometra rrugë, 27 metra e gjerë rruga, standard evropian, është ndërtuar me 27 milionë euro. I bie 1.6 milionë euro për km.
Sa i bie për një km Edi Ramës dhe Belinda Ballukut? I bie nga 15 në 32 milionë euro në fushë.
Këta janë të çmendur, këta nuk kanë kufi në vjedhje. Prandaj buxheti shkon 80 përqind investime kapitale dhe vjedhje kapitale.
Nuk mbetet ajo, sigurisht.
Po të veprosh në këtë mënyrë njerëzit të duken miza, njerëzit nuk ekzistojnë. Dhe kur e di që i ke vjedhur, të duken viktima dhe më keq.
Kjo është arsyeja që ky njeri që i ra qark e tërthor nga Korça në Durrës, duke fajësuar njëherë opozitën, njëherë bizneset, në një kohë që dispononte në tavolinë për të shpërndarë buxhetin me 8.2 miliardë euro.
Pra, kjo shpërndarje e të ardhurave është shpërndarja më e pamëshirë. Ne e kemi provuar në diktaturë, po Enver Hoxha i kthente në bunkerë në paranojën e tij, kurse këta i vjedhin për vete.
Hyn i vëllai i Erion Veliajt me 100 euro në një kompani, na përfundon me 32 milionë euro xhiro kompania. Fitimet e kompanive të tyre, se tani çfarë ndodh?
Ju pensionistë jeni njerëzit më të shfrytëzuar sepse paguani tre pensione taksa shtetit.
Mos harroni këtë.
Ku shkojnë këto? Këto shkojnë në një grusht kompanish që ndajnë paratë me qeverinë.
Bëhet tenderi, shembulli, tuneli i Llogarasë, ofrohet kompani me 130 milionë euro, jo, thotë, nuk fiton. Përsëritet tenderi, fiton kompania me 180 milionë euro, e ndërton po kjo kompani që pruri 130 milionë euro.
U them unë që në mënyrë absolute çdo tender në këtë mënyrë e bëjnë. Sill kaq ofertën ti dhe pastaj e ndajmë bashkë.
Pastaj ku mbetet për pensionistët? Bëhet qameti po të shtojmë fondin tek pensionistët. Ky është cinizëm ekstrem.
Plus tjetra, narko-eurot që vijnë me kontejnera, dhe ato pesë parë që u vijnë jashtë nga fëmijët, janë zhvlerësuar në masën 30-40 përqind.
Unë kam ardhur sot për t’u zotuar para jush se ne në 3 muajt e parë, në mënyrë absolute do e kthejmë përmbys këtë skemë çnjerëzore shpërndarje.
Jo, ne do investojmë tek njeriu.
Do i rikthehemi qytetarëve.
Do i rikthehemi pensionistit, të riut, fermerit, qytetarit.
Dhe ju garantoj se nuk do mbetet asnjë projekt pa zbatuar.
Por, duhet të jemi i sinqertë, sikur të mendoja se paratë nuk ekzistojnë për projektet, unë përpara projekteve do përparësoja qytetarët, pastaj projektet.
Por në buxhetin aktual përparësohen qytetarët dhe përmbyset shpërndarja dhe projektet zbatohen me standardet e vendeve evropiane.
Sigurisht po të vini re ju, shpenzimet paranojave, shkoi dhe shpenzoi në Kukës, aeroporti u ngrit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, këputën edhe 15 milionë të tjera dhe përveç sorrave dhe zogjve, aty aeroplan nuk ulet. Nuk ta merr kush edhe po t’ua falësh. Po pse, sepse është një orë e gjysmë nga Tirana.
Asnjë, përveç një avioni që e ulën për të mashtruar kuksianet se gjoja po vinte nga Londra, ai vinte nga Tirana në Kukës.
Pse bëhen këto? Këto bëhen vetëm për të vjedhur.
Aeroporti i Vlorës, po e donte jugu një aeroport, por aeroporti i Vlorës gjobit secilin shqiptar çdo biletë që është nën 600 mijë. Pra, nëse vijnë vitin e parë 100 mijë pasagjerë, 500 mijë do i paguajmë ne. E kuptoni kontratën?
A nuk është ky një krim i shëmtuar? Po kush është ai në Shqipëri që nuk e di se ne nuk mund të kemi turizëm vjetor. Nuk jemi Antalja ne, nuk jemi as jugu i Greqisë, jemi një vend me klimë të mrekullueshme, por turizëm gjithëvjetor nuk të lejon. Atëherë aeroporti mbetet për dy muaj. Sepse një aeroport mund ta ndërtosh me 15 milionë euro dhe funksionon, mund ta ndërtosh edhe me 1 miliard euro dhe funksionon. Dhe ky do ndërtojë aeroportin më të madh në rajon. A nuk është ky një përçmim për njerëzit e tu?
Ua them këto për të ditur se paratë janë, por do bëhet një shpërndarje krejt tjetër.
Ndaj dhe ne kemi vendosur së pari të vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar 200 euro vitin e parë si hapin e parë. Dhe mbi këtë 200 euro do llogarisim pensionet.
Pra, pensionisti malazez sot merr 430 euro pensionin mesatar, e kuptoni ku jemi ne, ku na vidhisi ky regjim? Të marrë malazezi tre herë më shumë se ne. Po pse? Se nuk vjedhin si këtu tek ne.
Flet për turizmin ky, po u jap një shifër.
Na erdhën 10 milionë turistë, thotë, por të regjistruara janë 6 milionë net fjetje. I bie që turisti të ketë fjetur gjysmë nate në Shqipëri.
Mali i Zi ka marrë 2.6 milionë turistë, ka 16 milionë net fjetje.
Po është shtet ai, nuk është narkoshtet që të mashtrojë për çdo gjë, të trillojë për çdo gjë.
Mirëpo kjo është gjysma e të keqes, më e tmerrshme është kjo, sepse nga shitjet e përgjithshme në fushën turistike, janë gjithsej 140 milionë. Nga këto, tatimet kanë përfituar 8 milionë euro.
Pra nga 10 milionë turistë që na kanë ardhur, arka e shtetit ka fituar 8 milionë euro. Secili prej jush ka përfituar nga 4 euro për turist.
Tani sa shpenzojmë ne për turizmin? Çdo vit shpenzojmë 450 milionë euro.
Çdo vit paguhet për turisin 230 euro, sepse Edi Rama investon në resortet turistike të Artan Gaçit dhe Artan Gaçëve, në vit 430 milionë euro.
Pra, një potencial shumë i madh ekonomik për ne, kthehet në ndëshkim, njëlloj siç kthehen pasuritë publike në ndëshkim në regjimet koloniale.
Berisha: Ju garantoj se në qeverisjen e ardhshme, qytetarët shqiptarë do kenë rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon
Ky regjim në raport me qytetarin është një shfrytëzues i egër.
Po si mund të pranosh një gjë të tillë si kryeministër, kur e di se mbledh gjithsej 8 milionë, se i ke ulur vetë taksat, dhe tani shkon e investon për to? Kjo nuk bëhet kurrë. Kjo është njëlloj si Hoxha që ndërtonte bunkere dhe shtrini qafën juve, thoshte.
Pra, kjo politikë merr fund.
Ne do vendosim rrogën minimale 500 euro si fillim, rrogën mesatare 1200 euro.
Nuk mundet kurrë që pensionisti të paguajë energjinë elektrike me të njëjtin çmim që paguan rrogëmesmi dhe rrogëlarti.
Sot çdo pensionist paguan energjinë njësoj si ata që marrin 7 mijë euro në shtet.
Nuk ka mundësi kurrë.
Ne do bëjmë përshkallëzim, proporcionim të plotë të energjisë, të ujit dhe shërbimeve.
Në këtë mënyrë me një ndërhyrje emergjente ne besojmë se do lehtësojmë dhmbjet e kësaj skamje që ka krijuar qëndrimi i qeverisë me rrogat dhe pensionet.
Natyrisht ne e kemi pasur dhe e mbajtëm, do e kemi dhe do e mbajmë, si qëllim që shqiptarët të jenë më të paguarit në rajon.
Ju garantoj se në qeverisjen e ardhshme, qytetarët shqiptarë do kenë rrogat më të larta dhe pensionet më të larta në rajon.
Por kjo kërkon të bëjmë shumë punë, kërkon që të diskutojmë me njëri-tjetrin, kërkon që të krijojmë një front.
Më thoni mua çfarë e lidh pensionistin socialist me Edi Ramën sot?
Unë ua thashë me sinqeritet, po u vij në mbledhjen e grupit parlamentar, po si mund të diskutoni ju 16 milionë euro në një buxhet 8.2 miliardë, t’u lini 800 mijë qytetarëve vetëm 16 milionë euro. Ka gjë më të turpshme se kjo, a keni prindër ju, a keni zgjedhës ju, këtë do u thoja. Si mund të votoni një gjë të tillë? Po këta shohin vetëm pasurimin e tyre.
Ky qëndrim gjakftohtë ndaj 800 mijë qytetarëve nuk mund të mbahet vetëm kur vjedhja të ka verbuar.
Po kështu fermerët janë 35-40 përqind e shoqërisë sonë. Asnjë ndihmë. 44 milionë. Japin 20 ërqind të prodhimit bruto. Në buxhet u janë lënë 44 milionë.
Ato 44 milionë, dy të tretat ua vjedh administrata, ju garantoj, është e studiuar.
Edhe ato 140 milionë që i merrnin nga BE,i vodhën dhe BE i ndaloi. Njeriu përgjegjës për to është këshilltare kryesore e Edi Ramës.
Pra unë besoj se është shumë e rëndësishme që ne të ulemi me çdo njeri, të bëjmë këtë bisedë, të flasim për gjendjen tonë se përndryshe zi e ma zi.
Përndryshe varfëri mbi varfëri të provokuar nga qeveria, e cila ka për detyrë kryesore të ndihmojë qytetarët, prosperitetin e tyre, begatimin e tyre.
Asnjë socialist pensionist nuk duhet të tolerojë, nuk mund të pranojë një politikë të tillë.
Kjo sjell largimin masiv të të rinjve.
A mundet prindi pensionist të mbajë djalin e papunë? Jo, ik bir i thotë, paç fat, gjej fat ku të mundesh.
Këtu nuk të mbaj dot, i biri duhet të gjejë punë, po i biri nuk mund të gjejë punë. I biri nuk mund të mendojë me ble një shtëpi.
I keni parë ju kullat në Tiranë? Pyesni sa përfitojnë nga këto kulla.
Ato janë bosh të gjitha sepse droga, trafiku i blen me kate.
Po çfarë ndodh? Ato kanë rritur çmimet, e kanë bërë apartamentin mollë të ndaluar për fëmijët tanë. Duhet të punojë nga 70 deri 100 vjet për të blerë një apartament në Tiranë.
Normale është që një i ri të ëndërrojë të ndërtojë të ardhmen aty ku është më mirë, po në Tiranë nuk prek dot asnjë çmim.
Pra, prapë rrokullisjen e sjell varfëria.
Dhe ne çfarë pësuam? Ne pësuam pakësimin, zbrazjen më të madhe të këtij vendi në histori.
Në 9 vitet e Edi Ramës, janë larguar nga Shqipëria, vetëm në hapësirën e BE, 1 milion e 99 mijë shqiptarë.
Gjenocid është kjo sepse ke përdorur varfërinë ti.
Edhe përpara kanë lëvizur, por deri në vitin 2013, Shqipëria po rritej në numër, nuk rritej shumë, por po rritej.
Dhe tani një rënie katastrofale dhe kjo rënie është rrezik ekzistencial për ne.
Ne do bëjmë gjithçka, ne do bëjmë një politikë të veçantë demografike dhe do arrijmë kthesën.
Kthesa nuk arrihet menjëherë, do një paketë të fuqishme, por do bëjmë gjithçka.
Ndaj dhe duhet të krijojmë të dashur miq frontin më të gjerë për t’u ndarë me këtë diktaturë.
Diktaturat, normalisht përzihen me armë, siç ia bënë në Siri atij diktatorit, por përzihen edhe me mosbindje civile.
Ne jemi të mosbindjes civile. Ne arritëm ta fusim në rreth të kuq Edi Ramën. Ju i patë tre rezolutat, tre rezolutat deklarojnë se Shqipëria i ka zgjedhjet fasadë, se Shqipëria është narkoshtet, se Edi Rama ka përqendruar të gjitha pushtetet në një dorë.
Pra, ne kemi një mbështetje të madhe ndërkombëtare, por detyrën e shtëpisë duhet ta bëjmë vetë.
Dhe kjo detyrë bëhet kur bëhemi së bashku, kur bashkohemi sa më shumë për të dalë nga kjo e keqe.
Ju faleminderit shumë dhe unë kam besim të madh, të mos harrojmë se është radha jonë.
Nuk duhet ta humbasim kurrë këtë radhë.
Do fitojmë!
BASHKËBISEDIMI ME PENSIONISTËT
Granica Sejko: Përshëndetje z.Berisha, përshëndetje të gjithë qytetarëve elbasanas që kanë ardhur këtu. Unë jam Granica Lutfi Sejko, një vajzë e ish të burgosurit politik që babai më ka lënë dy vjeçe dhe më gjeti 23 vjeç. Unë jam mbështetëse që nga fillimi juaj. Unë motrat e mia dhe vëllai im, të kartet ne, sepse babai më ka vdekur në 1995. Jemi me gjithë shpirt që t’ju mbështesim juve dhe gjithë stafin tuaj. Me gjithë djemtë që keni juve, mbështetës shumë të mirë, si z.Alizoti, etj. dhe mendoj që ju keni do ecni shumë përpara.
Kam një kritikë të vogël që shpesh ua kam shkruar edhe në rrjetet sociale. Duhet të kishit bërë diçka më shumë për të burgosurit politikë, të vrarët dhe për pronarë te mëdhenj. Sepse po të kishit mbështetur ato, do kishit ecur njëçikë më përpara. Ne jemi sërish me ju, dhe mendoj që 70% e Elbasanit është me ju, sepse e shohin që i kanë ikur fëmijët, i shohin vjedhjet, e shohin që kryeministri ka krijuar një byro politike të re, po me fëmijët e tyre. Unë jetoj me 152 mijë lekë në muaj, kam punuar në fabrikën e çimentos. Jam krenare për atë që jam.
Jemi gjithmonë me ju, votojmë për ju. Faleminderit!
Berisha: Të falënderoj me gjithë mirënjohje për të gjithë mbështetjen.
Ju garantoj se dëmshpërblimi i plotë dhe përfundimtar i të përndjekurve politikë dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës do të jenë pika kryesore të programit të PD. Tani këtu them këto gjëra.
Në një marrëveshje me të përndjekur politikë, ne përcaktuam dëmshpërblimin për ditë vuajte, 18.6 dollarë apo euro në vitin 2006. Kjo normë ishte më e larta e vendosur nga ndonjë vend. Unë e kam bërë këtë me ndërgjegjien më të plotë.
Bashkëpunëtorëve të mi atëherë u kam thënë; nëqoftëse i marrim veprat e ndërtuara me të përndjekurit politik dhe i nxjerrim sot në treg, me qindra e mijëra pallate, dhjetëra fabrika, uzina në të 4-anët e vendit, qindra e mijëra tonelata minerale etj., vendi borxh atyre nuk u del. Ne filluam dhe nëse do të vazhdonte pushteti i PD, dëshmpërblimi i premtuar do të realizohej plotësisht.
Ajo që ka mbetur është borxh i yni për të përndjekurit politikë dhe ne do ti qëndrojmë plotësisht, për ti dëmshpërblyer ata një për një, për detyrimin që shoqëria ka.
Për pronarët, shumë e vërtetë, por edhe për pronarët, ne arritëm, çfarë bëmë. Përveç kompensimit financiar ne krijuam një fond jo të vogël, 75 mijë hektarë tokë publike për të ua kompensuar pronarëve. 75 mijë hektarë, troje, tokë në zona shumë të mira, turistike, zona plotësisht të pranueshme.
Një nga aktet më të para që bëri Edi Rama, anuloi fondin e kompensimit fizik dhe ua mora e ia dha këtë, kujt nuk i dha, trafkikantëve. 6 milionë metër katror tokë, nga trojet turistike ua ka falë me 1 euro trafikantëve dhe njerëzve të tij, si aksioner. Ne prap i kthehemi. Ne do të kthejmë ose kompensojmë çdo metër katror tokë, apo objekt të marrë pronarëve.
Qëndrimet e tij, janë qëndrime tërësisht pasqyrim i qëndrimeve të etërve të tij. Merrni ligjin e tij, që thotë do të kompensohem me çmimin e 1946, që i shpronësonte Enver Hoxha. Vetëm një mendje si ai mund të vendosë një kompensim të tillë. Ishte konfiskim, çfarë jepte ai. Ai të jepte ato dhe ik. Po ishe i shpronësuar, ishe i deklasuar automatikisht.
Ne rikthehemi dhe e kam thënë dhe e them, nuk ka paqe sociale të vërtetë nëse ne nuk zgjidhim përfundimisht problemin e pronës.
Ju falënderoj për mbështetjen dhe ftoj çdo të përndjekur, çdo ish-pronar që të kompletojmë përfundimisht detyrim.
Pensionisti 2: Përshëndetje kryetari i PD, z.Sali Berisha. Unë thjesht 2-3 llogari të vogla do bëj me pensionistët. Të gjithë, në momentin që tërheqim pensionin, ose pagën, them që morëm 20 mijë lek pension, ose 70 mijë lek rrogë. Harrojmë se, janë dy tregues të fshehtë që na grijnë. Ajo është TVSH-ja 20% dhe inflacioni. Ai pensionisti që merr 20 mijë lek, nuk ka marrë 20 mijë lekë, se 4 mijë lekë ia ka ngrënë TVSH.
Po kaq, ua ha dhe inflacioni. Pavarësisht se, qeveria thotë 4%. Inflacioni është 20% dhe ka llogaritje të thjeshta. Në çdo 6% që rritet çmimi, është llogaritja ekonomike, inflacioni rritet 1%, çmimet do jenë rrit mbi 90%. 90 pjëstim për 6 bëjnë 15, me një llogaritje të thjeshtë.
Rimbursimi i ilaçeve na ha 14%. Të paktën me llogaritjet e mia që kam bërë sa paguaj çdo muaj. Paguaj çdo muaj 14% të pensionit. Tani mund të ketë arritur edhe më tepër se u ul rimbursimi. Dy ilaçe që i merrja falas, sot jam i detyruar të paguaj 2 mijë lekë të reja për njërin, 1200 për tjetrin, më është shtuar një pagë prej 3200 lekësh. Plus dhe që ilaçet janë të dobëta, nuk kanë efekte. Prandaj jemi në një gjendje kaq të mjeruar ne pensionistët. Faleminderit!
Pensionisti 3: Kënaqësi që ju shohim këtu pranë nesh. Unë jam një ish-mësues në pension. Është e vërtetë se ashtu siç ndau pensione me qindarka, aq e ka mendjen, qindarka. Prandaj dhe ai sillet si qindarkë. Një pensionist që sot nuk jeton më, më takon para dy vitesh dhe më thotë: Jemi një shoqëri e sëmurë, më tha. Po i thashë, covid bëri punën e vet. Jo, jo tha. Jemi shoqëri e sëmurë, sepse neve pranojmë të shtypemi, më tha. Jem itë sëmurë se, na e uli kokën. Këtu në Elbasan ka një problem më të madh të pensionistëve. Është qyteti i metalurgjisë. Qyteti i 12 mijë punonjësve që ¼ e tyre dolën me sëmundje profesionale të pashërueshme. Është qyteti që nuk rimbursohet asnjëherë për këtë vështirësi. Është qyteti që nuk ka një doktor të sëmundjeve profesionale. Kryeministri është shndërruar në një hajdut xhepash. U vjedh pensionistëve nga xhepi. Ky vjedh atdheun, vjedh popullin, vjedh pensionistët dhe largon rininë.
Unë besoj që konsideratat tuaja dhe gjithë panorama që bëtë është një vlerë për të dëgjuar ata që kanë veshë dhe për të parë ata që kanë sy. Unë jam një pensionist që ilaçet nuk i marr këtu në vendin tim. M’i sjellin, m’i falin.
Por ama, sa pensionistë janë këtu që shohin tabelat e vdekjeve të atyre që nuk kanë mundësi, jo të marrin nga fëmijë e tyre. Është gjynah i madh.
Në këtë pikë, shpresoj që këta pensionistë kokëulur për shkaqe financiare dhe ekonomike t’u ngrihet koka. Se boll ndërtuan. I ndoqi nga pas, jo vetëm lufta e diktaturës, por i ndoqi nga pas edhe lufta e klasave, edhe biografia. Ndaj dhe, duhet të kthehet dinjiteti, integriteti i këtyre njerëzve. Ikëtyre burra dhe grave që edukuan brezin shumë të mirë, që sot po ikin. Unë ju falënderoj dhe gëzohem që të jeni mirë me shëndetin, siç po ju shohim dhe Zoti të ruajttë dhe u bëftë dritë për këtë vend.
Berisha: Ju falënderoj për ndërhyrjen, kontributin tuaj dhe çështjet që shtrove, mjaft të rëndësishme. Drama jonë është me shumë akte sot, një dramë e veçantë është ajo e shëndetit. E ngritët këtu me të drejtë. Heqin nga rimbursimi ilaçet që janë pothuajse jetike për pensionistin. U shtojnë listën dhe nga ana tjetër, çfarë ilaçesh?
Të gjitha ilaçet e Shqipërisë i përcaktojnë, kompania e Vilma Nushit dhe Tom Doshit.
Ne patëm një ligj, ligji ndalonte qarkullimin në Shqipëri të të gjitha ilaçeve që nuk qarkullonin në të paktën dy vende të BE-së.
Po pse e bëmë atë ligj ne? Që të mos lejosh futjen e ilaçeve të pa efektë duhet të kesh laboratore të standardizuara dhe ne nuk i kishim ato, e kjo funksionoi shumë mirë.
Të paktën harxhoje ato lek në farmaci po ilaçin e merrje të njëjtit standard si në Itali, Greqi, si kudo. Se duhej të përdorej në dy vende të BE-së.
Nga ligjet e para që ndryshuan është ky. Vilma Nushi përfaqësuese e sipërmarrjes së barnave të Beogradit. Nuk kam unë problem pse prodhohen në Beograd, por duhet të jetë standardi. Po u prodhua në Beograd dhe nuk shkon në BE, ajo ska garanci. Nuk ka garanci.
U anulua ligji dhe tani, më vjen keq, por asnjë garanci nuk ka ilaçet që blejnë.
E çfarë bëhet. Shumica e njerëzve që kanë mundësi, blejnë ilaçe në Itali ose Greqi. Kjo është e vërteta, se këtu kanë frikë dhe kanë të drejtë.
Plus qëndrimi ç’njerëzor ndaj të sëmurëve. Tani të lësh ti, të sëmurët me sëmundje metaplazike, pa mjekim bën një krim nga më të shëmtuarit. Ti bën që ata të vdesin jo nga sëmundja, por nga ti që nuk u jep ilaçet. Ato sëmundje vërtetë janë të rënda, por janë absolutisht të luftueshme. Janë të mjekueshme. Nëse nuk shërohet, ngadalësohet shumë agresiviteti i tij, ecuria e tij. Sot shkenca aty ka arritur.
Çfarë ndodh aty. Aty nuk ka ilaçe, nuk sjellin ilaçet dhe ata u marrin jetën duke mos marrë ilaçet. Aty aparatura që duhen, se një nga format e përhapura është kanceri i gjirit. Aparatura që përdoret për mjekimin e tij, 3 vite pa punë. Qindra gra dhe vajza pa mjekim. Realitet ky. Një mafie e paimagjinueshme. Pse? Sepse vjedhin, bëjnë tendera, ndajnë paratë, është gjetur. Ilaçet nuk vijnë.
Dhe në komisionin hetimor parlamentar për sterilizimin dy persona nuk erdhën kurrsesi. Edi Rama e Vilma Nushi. Edi Rama shkeli kushtetutën për veten dhe për Vilmën. Bënë check up dhe përjashtuan pensionistët nga check up. E keni konstatuar ju këtë. Por nëse ti bën check up, që nuk këshillohet, pasi askush nuk e bën në botë, bëje për pensionistët. Bëja ato analiza falas periodike sepse në këto mosha sëmundjet janë më të shpeshta.
Këta përjashtojnë. Vilma Nushi me Edi Ramën ndajnë paratë e 600 mijë personave që nuk u është bërë asnjë analizë. Nga 1.2 milionë pagesa për person që janë bërë, Vilma Nushi ka bërë check up, 500 e ca mijë. Thirret me ardhë ajo, nuk vjen, se nuk e lë Edi Rama, se kanë ndarë paratë. Po si të mos vijë ajo. Prandaj dhe duhet bërë një debat i thellë me njëri-tjetrin.
Unë i kuptoj të gjitha, se ka shumë faktorë që ndikojnë, por ama debati dhe bisedimi me njëri-tjetrin duhet kësaj here të qartësojë mendjet e çdo njeriu se çfarë po ndodh me ne.
Elbasani, specifikën e vet. Duhet të trajtohet në mënyrë speficike. Këta e shkatërruan sistemin. Kanë ikur 4 mijë mjekë e infermierë. Po pse ikën? Sepse rrogat të papajtueshme.
Çfarë bëri Hungaria? Hungaria rrogën minimale e ka tek 680 euro, por filloi kovidi, mjekëve e infermierëve u caktoi rrogën e mjekëve dhe infermierëve gjermanë se përndryshe vërshuan masivisht mjekët hungarezë në Gjermani, e ndaloi. Qëndruan. Po ti do ta lësh vendin pa mjek.
Në Kukës vjen tjetri me apendisit, shtrihet aty, nuk ka mjek për ta operuar. Merret në telefon kirurgu nga Prizreni, vjen kirurgu e mjekon dhe i sëmuri duhet të paguajë kirurgun, nuk e paguan shteti. Vjen tjetri me një gjë tjetër, prap mjeku duhet të vijë nga Prizreni se nuk ka mjek.
Nga Gjirokastra, vjet kur kam qenë, një djalë të ri 25 vjeç e nisën për Tiranë për të operuar apendisitin. Gjirokastra, që po të marrësh historinë edhe në vitet 1930, të ketë pasur mjek kirurg. U shkatërrun këto, u shpërbënë. E ky thotë po ve ligj unë, që të mos ikin studentët.
Pensionisti 4: Përshëndetje doktor. Hyra në rini në PD, sot jam pensionist. Falenderoj Zotin dhe ju që nuk na humbët dinjitetin ne demokratëve, që ai vulëhumburi, Basha, e çoi PD në këtë gjendje. Por falë teje, dhe falë demokratëve të tjerë, falënderoj të gjithë deputetët e Elbasanit që, gjithë demokratët që iu bashkuan Berishës, dhe ato që janë të lëkundur iu bëj thirrje të nambështesin, të na përfaqësojnë denjësisht.
Unë kam dy sugjerime. Sa më shpejt të ngrihet grupi i punës doktor. Ne mitingjet i bëjmë, por grupe pune nëpër kafene, nëpër shtëpi 4-5 veta, rini, gra, intelektualë. Aty ku është kafja shpalosim programin e PD, se vëtëm kështu i bëjmë njerëzit më të vetëdijshëm të na bashkohen.
Sa për atë që thanë që, janë 70% e Elbasanit me ne, unë nuk e besoj këtë. Atë që ka bërë Berisha për Elbasanin, rrugën për Elbasan-Tiranë, nuk e ka bërë për asnjë vend të Shqipërisë.
I bëj thirrje të gjithë elbasanllinjve, të mbështesin PD, Sali Berishën, se është i vetmi njeri që e nxorri PD nga skëterra. Kam dy gjra të vogla doktor. Nuk ka ardhur koha doktor, që të shihet një ligj që janë gjyqtarët, prokurorët në shkollat e Sigurimit të Shtetit, me ligj, jo të dënohen, por të mos marrin pjesë në këto institucione? Sepse, unë e kam parë vet këtë. Ju e patë çfarë ndodhi me gjykatësit e Elbasanit. Kam mbrojtur kushedi e sa çështje. Jam terrorizuar. Disa nga këta i kam patur profesorë në shkollën e juridikut. Dhe më thoshin: Abdyl, kështu si të ka ndodhur ty, nuk e çan dot. Dhe faktikisht ashtu ndodhi. I la Zoti, dhe Zoti gjykoi për to.
Unë kam një gjë. Për programin e PD, unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Do ta ulë PD çmimin e naftës, se kjo, nafta, nuk e kam dëgjuar në programin e PD.
Respekte nga ana ime. Bravo të qoftë, përpara. Mbështesim Sali Berishën.
Berisha: Edhe unë shfrytëzoj rastin të ftoj çdo demokrate e demokrat të Elbasanit, mbështetëse dhe mbështetës të PD të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë, të bashkohemi në këtë betejë, mision historik.
Përmbysja e narkodiktaturës është misioni historik më i vështirë, më i rëndësishëm i PD. Forca jonë politike ka mision më madhor, ka detyrim të shpetojë shqiptarët nga ky regjim.
Ne nuk u përkulëm, ne qëndruam dhe ne do ta rrëzojmë këtë qeveri, këtë regjim. Kemi të bëjmë me një sipërmarrje gjigante krimi dhe pushteti, pushteti dhe krimi, por kemi të bëjmë edhe me një kalbësirë gjigante që në sulmin e parë, ja mbath si Assadi. Se diktatorët nuk kanë kurrë trimëri, kanë frikë tmerr dhe ju garantoj se edhe Edi Rama do të kërkojë strehim politik në Beograd ose diku tjetër.
Prandaj dhe ne duhet të bashkohemi, duhet edhe njëherë të përpiqemi të krijojmë frontin më të gjerë që kemi krijuar ndonjëherë me qytetarët. Aleancën më të gjerë me qytetarët shqiptarë, me fermerët, me pensionistët, me të rinjtë me të gjithë. E kjo është plotësisht e mundshme.
Shtrove problemin e prokurorëve dhe gjykatave. Pak kush ka sulmuar si unë bandat e Elbasanit, Shkodrës, Durrësit e me radhë. Kam bindjen më të thellë, dhe ndofta çuditeni, se kriminelët më të mëdhenj nuk janë këta. Kriminelët më të mëdhenj janë padronët e tyre me pushtet. Se ata kurrë nuk mund të bëjnë dot në këtë shkallë këto që bëjnë, po të mos kenë mbrojtjen e pushtetit. Kriminelë me pushtet. Po të mos priten e përcillen nga Edi Rama në zyrat e tij. Shko ti po deshe, provoje, te Edi Rama nuk shkon dot kurrë, ata shkojnë serbes.
Ndaj dhe në rezolutën e fundit të 108 partive thuhet se në Shqipëri, krimi dhe shteti janë një ndërmarrje e përbashkët. Sipërmarrje e përbashkët dhe ne ç’është e vërteta me gërshërët e ligjit do të presim çdo lidhje. Ne kemi zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit.
Vijmë tek nafta, shumë e drejtë pyetja.
Nafta në Shqipëri është me çmimin më të lartë dhe Shqipëria renditet në 3-4 vendet me çmimin më të lartë të botë. Në mënyrën më të paimagjinueshme. Nafta në Shqipëri është 30-40 për qind më e shtrenjtë se në Maqedoni që nuk ka një pëllëmbë det për ta shkarkuar se nuk ka të bëjë transporti, se këtu vjen me cisterna.
Ka një problem, ky është problemi? Problemi është se Edi Rama taton çdo litër naftë 1.1 euro, tatim që nuk ekziston në botë.
1.1 dollarë shitet nafta në stacionet e pompimit në SHBA. Ky taton naftën 1.1 euro, bën një tatim i nisur nga psikologjia se ai që ka një makinë, ai ka dhe hajt të ja marra atij paratë. Merr fund kjo.
Çfarë do të bëjmë ne. Ne naftën detyrimisht do ta kemi në minimumin e mesatares së çmimit në rajon. Si mund ta ketë Kosova 40-50 përqind më lirë se e merr nga Durrësi, ose e merr me kamionë nga Selaniku. Jo kurrë. Kështu që ne nuk mund ta tatojmë.
Nuk mund të tatosh naftën 1.1 euro kurrë. Pas modelimit të taksës, nafta detyrimisht do të jetë në nivelet rajonale dhe do të pasqyrojë detyrimisht luhatjet e çmimit të saj në bursë, se këtu nuk i pasqyron fare.
Këtu shitet 2 mijë kur çmimi në bursë është 200 dollarë, shitet 2 mijë kur çmimi është 120 dollarë. Merr fund kjo. Dhe ne do kemi shumë, shumë kujdes për naftën dhe çmimin e banesave.
Ne do të ndërtojmë banesa sociale për të goditur fuqishëm çmimet ekzistuese. Nuk do të humbasë shteti, me një fitim të arsyeshëm dhe çmimi do të zbresë tek kostoja +15 përqind dhe të rinjtë do të mund të blejnë banesa, me përparësi.
Këto çmime janë shkatërrimtare, këto çmime përzenë shqiptarët jashtë, nuk blen shtëpi, pse do të rrijë këtu, shkon e gjen një shtëpi në periferit të Athinës, Romës, Londrës, apo të tjerë me radhë.
Prandaj do të ndërhymë në këto dy çmime.
Pensionisti 5: I nderuar z.Berisha. Ai abuzon fortë për pensionet. Do t’ju jap shpërblim për vitin e ri 100-200. Indeksimi ka filluar që në maj, dhe deri tani nuk ka dhënë asnjë lekë. Të gjithë këtë shumë ai e mbledh tani dhe do ta japë. Por mos të harrojmë një gjë. Në qoftë se, ne me 50 mijë lek blinim një gjel deti, tani do 100 e ca. Sa ishte kg djathit, sa ishte mishi. Me 60 mijë lek tani, mezor blen 5 kg mish. Kjo duhet kuptuar se, në masën e madhe të pensionistëve qarkullon kjo gjë: ja po na jep nga 100. Nuk është e vërtetë. Tek 50, 30 mijë lekshi është. Kjo është shuma e vërtetë.
Dy llafe tek partia.
Ka ardhur koha, ju e dini më mirë, që përveç këtyre takimeve, duhet të fillojnë mbledhjet seksionet e qyteteve. Dhe një gjë kam merak. Nata e shtunë kur të nesërmen janë votimet. Aty duhet të kemi shumë, shumë kujdes. E gjitha aty fillon. Megjithatë, ju uroj gjithë të mirat, por jam shumë i bindur që ne do fitojmë.
Berisha: Të falënderoj me mirënjohje për të gjithë kontributin tuaj. E shpjeguar vetë, qëndrimi me indeksimin ishte qëndrimi i një njeri të lig, që lejon veten të mashtrojë 700-800 mijë vetë. Do të ua indeksonte në mars, nuk dha asnjë qindarkë, i mori ato lekë dhe tani po jep bonus. Ligësi.
Ai nuk njeh kufi në cinizmin e tij, se nuk mund ta bënte kurrë një akt të tillë.
Pensionistja 6: Pak fjalë për mironjohjen, faleminderit që jeni midis nesh z.Berisha. Unë jam nëj arsimtare në pension që vij për herë të parë me kokën plotësisht të bardhë, sepse si kjo koka e bardhë është kjo mosha jonë. Ne jemi të bardhë, ne jemi të lirë, ne jemi me shumë përvojë, ne kemi urtësi, jemi fjalëpak, ne kemi vitalitet dhe vizion, prandaj jemi në mbështetjen tuaj.
Ne privohemi tek të qenërit gjyshër, sepse nuk ia bëjmë dot qejfin nipërve dhe privohemi tek shërbimi shëndetësor, dhe përballë kësaj një makinë e fortë propagandistike. Një propagandë histerike, e shfrenuar, jologjike. Madje, duke shenjtëruar moshën tonë unë do thoja edhe, gjynah, jo për ne, që të na bindin ne për moshën tonë se kanë të drejtë, më gjithë ato sofizmat që janë shfaqur si kërpudhat pas shiut. Me miket e mia kemi biseduar shpesh, dhe atë shpërblimin e vogël që na japin 10 mijë, 15 mijë lekë, edhe pse unë dhe shumë të tjerë futemi tek ata që marrin një llojë pensioni 36 mijë lekë, Nuk e duam atë, sepse është shumë fyese për ne. Midis nesh janë shumë nevojatë që i falen ati shpërblimi dhe mund të ndikohen, prandaj duhet një punë e jashtëzakonshme. Ne jemi në mbështetje të të gjithë kësaj punë, të të gjithë fushate, por përpara nesh është armata e fuqisë, e vlerave dhe ne kemi besim që do ia dalim me ju z.Berisha në krye. Elbasani është demokrat. Faleminderit që ju patëm mes nesh.
Berisha: Shumë faleminderit për ndërhyrjen dhe mbështetjen.
Ftoj çdo mësuese e mësues, në detyrë apo në pension, për dinjitetin e tij, për fëmijët që mëson të bëjë gjithçka për të nxjerrë vendin nga kjo diktaturë. Ju jeni mësuese, ka disa forma diktaturash, por historianët që i kanë studiuar këtë e kanë quajtur më të keqen. Dhe një historian shumë i madh që ka lënë gjurmë shumë në mendimin bashkëkohor, që ka ardhur edhe në Shqipëri dhe ka ardhur në Shqipëri për qëllime të studimeve të tij dhe ai thotë, diktatura e bandave është diktatura më e keqe.
Shikoni çfarë na ndodh tani nëpër shkolla me fëmijët. Futi drogën, futi të fortin. Dje lexoja në Cakran rrahin mësuesin nxënësit. E shikon çfarë shkalle degradimi dhe e fshehin. E thanë fermerët atë. Nuk ka shkollë, këtu jo vetëm që rrahin njëri-tjetrin nxënësit, por rrahin mësuesit.
Është shumë e rëndësishme, se çfarë jemi, ku jemi, të bashkohemi për të shpëtuar vendin kësaj here nga ky regjim.
Pensionisti 7: Unë kam një tokë në Korçë me ligjin 7501. Një ditë desh u vranë atje. Si do dëmshpërblehet toka, ku do e marrin tokën. Dhe tek spitali, të shkosh të bësh analizat do vish pas 3 muajve. Domethënë të vdesim ne, atëherë t’i marrim. Duan dhe lekë, se duan 10 mijë lek që t’i bësh në çast.
Ku do gjejmë ilaç doktor që gjithë këto gjëra t’i lajmë, që t’i ngjallim. Jemi shumë keq edhe për këtë, edhe për të përzënë Edi Ramën nga froni, ku do e gjejmë ilaçin, duam ilaçe.
Berisha: E shtrove shumë drejtë problemin e njerëzve me aftësi ndryshe. Absolutisht do të ketë një përmbysje të qëndrimit ndaj tyre. Njëlloj si ndaj pensionistëve. E vërteta se sot ka një qëndrim çnjerëzor. Për ilaçe dhe mjete që u duhen. A e dini se tatohen ne dogana 40-50% në mënyrën më absurde. Pra do të ketë një kuadër të ri, për personat me aftësi ndryshe në trajtimin e tyre.
Kur themi për pensionistët ata janë të vetëkuptuar se është pjesë më e ndjeshme e shoqërisë, personat me aftësi ndryshe.
Lidhur me pronat, kompensim është rruga. Unë ua thashë ju. Nëse të jepet buzë detit nuk është keq. Ne kishim të gatshëm 75 mijë hektarë tokë për ytë kompensuar pronarët. 75 mijë hektarë tokë nuk ishin pak. Po synonim të shkonim në 100 mijë. Sipas llogaritjeve tona të asaj kohe ne kompensonim çdo gjë, me atë fond dhe me para se, do ketë shpërblim financiar dhe kompensim me pronë. Në periudhën që ne filluam këtë praktikë ishte përzgjedhje e pronarit. Ai që donte tokë, merrte tokë, ai që donte para, merrte paratë. Ne i qëndrojmë plotësisht kompensimit ose rikthimit të pronës.
Ilaçi, pa ilaç nuk luftohet sëmundja. Guximi ynë, guxim, guxim, guxim.
Agim Sejko: Z.Sali Berisha, dhe z. Alizoti. Unë jam një emigrant i ardhur këto ditë për të pushuar në qytetin e Elbasanit, si dhe një i përndjekur politik. Do të shtroj, të keni kujdes për emigracionin, se po bëhen shumë gjëra nëpër facebook dhe nëpër media televizive këtu në Shqipëri.
Mua më kishte ardhur një në facebook dhe më thoshte: z.Agim Sejko jeni fitues mqs keni marrë iniciativën që këtë vend e bën Edi Rama. Fitoni 10 milionë lekë. Unë i kthej përgjigje dhe i them: Faleminderit, ato 10 mijë mund t’ja jepni një që është nevojtar, se unë këtu punoj dhe lekun e dua me djersë.
Ça do bëhet për ne, se unë për vete nuk kam besim te Edi Rama dhe PS, te komunistët me një fjalë. Ata mundohen si e si t’i marrin me vjedhje, edhe me këto që thashë më parë.
Prandaj mbi këtë, duan informacion, jo vetëm unë, por edhe të gjithë si puna ime që janë andej që të dimë si mund të veprojmë, që edhe vota jonë të shkojë aty ku duhet, jo të vidhet.]Ju falenderoj!
Berisha: Dy probleme dua të trajtoj në këtë rast. Së pari votimin tuaj. Ne e quajmë një arritje njohjen e të drejtës kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit për të votuar, të drejtë që e kanë të sanksionuar në kushtetutën e vendit.
Ka qenë Edi Rama që në mënyrë ultimative pengoi ligjin në vitin, por u detyrua ta votojmë në vitin 2024. Tani ne po merremi me procedurën e votimit tuaj, bazuar në dy parime.
Së pari, sa më i sigurtë, së dyti, pa asnjë kosto.
Ju do të votoni në një procedurë e cila përjashton çdo mënyrë manipulimi të votës tuaj. Së dyti, ju duhet të votoni me një kosto që duhet ta përballojë vendi juaj, sepse ju në këto vite keni dhënë kontribut të paktën nga 1 miliardë euro së bashku dhe e meritoni plotësisht.
Ne nuk do të pranojmë taksë mbi votën tuaj. Ne nuk mund të taksoheni pse po ushtroni të drejtën e votës.
Së treti, absolutisht do të bëjmë gjithçka me një kuadër ligjor që lehtëson investimet tuaj që ju të ktheheni dhe investoni në Shqipëri. Aq sa duket e vështirë kjo, aq është e mundshme pasi nga viti 2009-2012, 180 mijë familje emigrantësh erdhën në Shqipëri. Uroj që të jetë dhe do të jetë e shpejtë dita që përsëri të ktheheni në vendin tuaj, të investoni, të ndërtoni të ardhmen e fëmijëve tuaj në këtë vend.
Faleminderit!