Berisha: Lista e Ramës përbëhet nga kandidatë me dosje në SPAK dhe patronazhistë famëzinj! PD do ta çojë vendin në BE, ASHM do marrë fitoren më të thellë në 11 maj

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale ditën e sotme, ka bërë disa akuza të forta ndaj listës së kandidatëve të Edi Ramës për zgjedhjet e ardhshme. Berisha tha se në ndryshim nga lista e PD, e cila paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese në tërë ekzistencën e saj, lista e PS përbëhet nga individë me dosje të rënda në SPAK, lidhje me krimin dhe afera korruptive.

Sipas Berishës, grupi tjetër, lista e hapur, përbëhet nga patronazhistët famëzinj, të cilët nuk kanë as ligj dhe as moral dhe janë thjesht mercenarë të pushtetit. Berisha e konsideroi këtë listë si një listë qesharake, duke theksuar se ata janë thjesht figura që vijnë dhe shkojnë, duke e quajtur këtë një “ripërtëritje turistike” dhe jo një proces të vërtetë të zhvillimit politik.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se opozita do të bëjë çdo përpjekje për të mbrojtur votën dhe për të siguruar një proces të drejtë zgjedhor. Berisha e lidhi këtë angazhim me tre rezolutat ndërkombëtare, të cilat janë nënshkruar nga 193 parti politike të botës dhe kanë dënuar zgjedhjet e Edi Ramës si një farsë elektorale. Sipas Berishës, këto rezoluta kanë tronditur “themelet e narkokracisë” dhe diktaturës së Ramës. Berisha tha opozita do do të punojë për çdo votë dhe për të siguruar fitoren e saj më 11 maj.

Berisha akuzoi qeverinë Rama për dështimin në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Berisha u shpreh gjatë komunikimit në rrjetet sociale me qytetarët se Rama është i lidhur me krimin dhe nuk ka plotësuar kriteret e nevojshme për anëtarësim, duke e çuar integrimin në BE më larg. Berisha theksoi se, gjatë kohës kur PD ka qenë në pushtet, Shqipëria ka bërë përparim të madh, duke përfshirë liberalizimin e vizave dhe marrjen e statusit të vendit kandidat. Berisha premton se, nëse PD kthehet në pushtet, do të vazhdojë procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke u bazuar në meritë dhe përmbushjen e kritereve.

Kryedemokrati, Sali Berisha shprehu besimin e tij se koalicioni për Shqipërinë Madhështore do të fitojë në zgjedhjet e 11 majit. Ai tha se entuziazmi i qytetarëve është më i madh se kurrë, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Po ashtu, Berisha vlerësoi kryestrategun e fushatës, Chris LaCivita, dhe theksoi se ai vetë është një faktor i fuqishëm për fitoren e PD.

Kryetari i PD, Sali Berisha paraqiti një program për mbështetje ndaj grupeve të cenueshme përfshirë minimumin jetik prej 200 eurosh për ata që marrin më pak duke përfshirë pensionistët dhe invalidët, kartën e konsumatorit për rikthimin e taksës për blerjet, përkrahje për personat me aftësi ndryshe duke ofruar sigurime shoqërore për kujdestarët dhe pajisje me rimbursim 100%, rritje rrogash dhe pensionesh me një rrogë minimale mbi 500 euro dhe mesatare 1200 euro dhe ulje çmimi të naftës me 30-40%. Këto masa synojnë përmirësimin e jetesës dhe luftimin e varfërisë.

Kryedemokrati, Sali Berisha premtoi se, nëse PD kthehet në pushtet, do të bëjë përpjekje për të lehtësuar standardet e hyrjes së shqiptarëve në SHBA. Berisha theksoi se, gjatë mandatit të dytë të qeverisjes së kaluar, filluan dhe lobuan për lehtësimin e vizave me SHBA, dhe se do të punojnë për të përmbushur çdo kriter për të mundësuar një hyrje dhe dalje më të lehtë të shqiptarëve nga ky vend. Megjithatë, Berisha pranoi se heqja e plotë e vizave është një çështje e vështirë për shkak të problemit të emigracionit.

Lideri historik i PD, Sali Berisha paraqiti “Made in Albania” si një objektiv madhor të programit të PD-së, duke synuar të shndërrojë Shqipërinë në një prodhues dhe eksportues të fuqishëm. Ai propozoi krijimin e zonave të lira ekonomike dhe industriale, një kuadër fiskal të favorshëm dhe ulje të çmimit të energjisë për bizneset. Këto masa do të bëjnë Shqipërinë një destinacion tërheqës për investime në industri. Berisha theksoi sukseset e periudhës 2005-2013, kur eksportet dhe investimet e huaja u rritën ndjeshëm, dhe ka kritikuar rënien e prodhimit dhe eksporteve që ka ndodhur pas kësaj periudhe. Ai premtoi se “Made in Albania” do të bëhet sinonim i prodhimit dhe krenarisë shqiptare.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi mbylljen e Tik Tok nga Edi Rama, duke e krahasuar me censurën e regjimeve autoritare. Ai e paralelizoi këtë veprim me historinë e Kristaq Ramës, i cili firmosi ekzekutimin e poetit Havzi Nela për fjalën e lirë. Berisha premtoi se pas 12 majit, Tik Tok do të rikthehet dhe i bën thirrje kompanive të internetit dhe telefonisë celulare të kundërshtojnë censurën.

Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se është i pastër dhe se akuzat për korrupsion ndaj tij janë të pabaza. Ai theksoi se, pas vetingut, u vërtetua se ai dhe familja e tij nuk kishin shkelur ligjin dhe kishin pasuri modeste. Berisha gjithashtu theksoi se njeriu që firmosi shpalljen e tij “non grata” është tani vetë “non grata” në vendin e tij, duke e cilësuar këtë si një “karma” që i ktheu atë që meritonte.

Berisha tha se do të krijohet një ekip për të realizuar një audit të detajuar mbi shpenzimet dhe eficencën e investimeve gjatë 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe janë shpenzuar 12 miliardë euro për infrastrukturën, por shumë projekte nuk janë realizuar siç ishte planifikuar, përfshirë rrugën e Arbrit dhe tunelin e Murrizit. Berisha gjithashtu akuzoi qeverinë për abuzime dhe vjedhje, duke përmendur rastet e inceneratorëve dhe projekteve të pastrimit të parave. Ai premtoi që auditimi do të zbardhë se ku kanë shkuar miliardat e eurove dhe do t’i japë shqiptarëve një pasqyrë të qartë të abuzimeve të mundshme.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për sjelljen e drogës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një “helm” që po vret qindra mijëra jetë çdo vit. Berisha premtoi një politikë të “zero tolerancës” ndaj trafikut dhe drogave dhe theksoi se do të luftojë për të denoncuar blerjen e votës nga qeveria.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi ndërtime sociale masive për të ulur çmimet e banesave, duke u fokusuar në krijimin e mundësive për të rinjtë që të kenë mundësi të blejnë apartamente. Berisha tha se, edhe pse nuk mund të ndikojnë direkt në çmimet e pronarëve, qeveria do të ndërmarrë iniciativa për të ndihmuar në uljen e çmimeve të banesave përmes ndërtimit të projekteve me kosto më të ulëta.

FJALA E PLOTË

Të dashur miq, përsëri jam para jush për të diskutuar me ju, për të dëgjuar pyetjet dhe për t’ju përgjigjur komenteve tuaja.

Ka qenë një javë hektike, në kuptimin e mbledhjeve të pafundme për përzgjedhjen e kandidaturave, por mendoj se PD paraqet para shqiptarëve kandidaturat më përfaqësuese që ajo ka paraqitur në tërë ekzistencën e saj.

Paraqet para shqiptarëve kandidatura që kanë një karrierë politike të gjatë dhe kanë qendruar në pushtet si shërbëtorë të qytetarëve.

Shkurtimisht, grupi i parë i listës së Edi Ramës janë që të gjithë pa përjashtim me dosje të rënda Spak-u, aferash korruptive ndër më të mëdhatë dhe lidhje me krimin ndër më të tmerrshme. Simbol i kësaj liste, përveç Edi Ramës vetë, është Taulant Balla.

Grupi tjetër, është grupi i patronazhistëve famëzinj, të cilët nuk kanë ligj as moral, mercenarë të vërtetë që shkelin kushtetutën për privilegjet e tyre për të mbrojtur pushtetin. Vendosen në lista, sepse njëri i thotë se Rama është Zeus, se tjetra thotë se, Rama është 10 hapa para.

E treta thotë, është brand botëror. Pra, lista e turistëve, është lista, duhet ta themi haptas, është lista më qesharake që është paraqitur ndonjëherë. Sepse, çfarë ndodh?

Këta vijnë e shkojnë. Marrin një mandat, rrinë 4 vjet, vazhdojnë punën e tyre dhe merr një grup turistësh tjerë, i sjell, i merr dhe këta i quan fasada, i quan meremetim, këta i quan ripërtëritje.

Po ripërtëritja nuk është një proces turistik.

Faleminderit!

PYETJE-PËRGJIGJE

Laert Karaj: I nderuar z.Berisha, jeni mundësia e vetme që Shqipëria të ndryshojë dhe të hyjë në rrugën e mirëqënies dhe zhvillimit. Pika kryesore e procesit të votimit është mborjtja e votës. A keni ndonjë plan për mbrojtjen e votës?

Berisha: Sigurisht që ne, do bëjmë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e votës. Por, i dashur Leart shkojmë në këto zgjedhje pasi tre rezoluta ndërkombëtare, të firmosura së bashku nga 193 parti politike të planetit kanë damkosur zgjedhjet e Edi Ramës si një farsë elektorale.

Pra, kanë dridhur themelet e narkokracisë dhe diktaturës së tij.

Ne, garantojmë shqiptarët që bëjmë çdo përpjekje për të numëruar çdo votë të tyre dhe për të firmosur më 11 maj fitoren e opozitës.

Dori: Rama tha sot se nëse merr mandatin e katërt, shqiptarët do të bëhen me pasaportë europiane. Pra, ai thotë se do fusë Shqipërinë në BE. Pra, në 2004, Fatos Nano nga Selaniku thoshte se Shqipëria do futet në BE në vitin 2014, dhe prap në 2025 prap na serviret kjo histori. Ju, si e interpretoni këtë deklaratë? Sa janë gjasat që Shqipëria të futet  në BE brenda 2029?

Berisha: Kjo deklaratë qesharake e tij tingellon me atë që thotë: e treta e vërteta, por e treta doli e pavërtetë. Tani e treta mqs doli e pavërtetë, do dalë e katërta.

E katërta do të jetë e vërtetë, aq sa doli e treta. Ndaj dhe unë kam besim se shqiptarët nuk e besojnë këtë mashtrim të tij.

Ju më pyesni mua dhe e dini qartë se, një nga shtyllat më themelore të programit tonë është integrimi në BE, por mund të pyesni: pse ky proces gjatë periudhës që ne ishim në pushtet eci pandalshëm. Nuk po them vrapoi, por eci pandalshëm?

Nga firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tek dorëzimi i pyetësorit, tek liberalizimi i vizave dhe së fundmi, rekomandimi nga komisioni europian të statusit të vendit kandidat. Pse kjo? Pse Shqipëria arriti të marër ftesën për anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe arriti të firmosë aleancën e Atlantikut të Veriut?

Vetëm e vetëm, që të dyja, sepse parimi ynë ishte ky: gjithçka duhet të jetë e bazuar në meritë dhe asgjë tjetër jashtë meritës, çka kërkonte që qeveria shqiptare të plotësonte standarde dhe kritere, të cilat ishin interesi më i mirë i qytetarëve të vet, kërkonin që Shqipëria të kishte zero tolerancë ndaj krimit. Kërkonin që Shqipëria të luftonte me forcë të madhe korrupsionin. Kërkonte që Shqipëria të respektonte të drejtat e qytetarëve shqiptarë, liritë e tyre. Kërkonte që Shqipëria të respektonte opozitën.

Kujtoni, ku jemi me Edi Ramën?

Edi Rama e bazon biznesin dhe korrupsionin transnacional, dhe nuk plotëson asnjë kriter tjetër, ëprveç kriterit gjeostrategjik, që është një kriter i rëndësishëm, por ky është një kriter natyror.

Pozicioni gjeografik i Shqipërisë nuk ka asnjë lidhje me Edi Ramën. Është shekullor, mijëravjeçar.

Edi Rama nuk zotohet dot, mashtron se do të plotësojë një kriter të vetëm.

Unë ju them ju, se me këto rroga dhe pensione nuk t ëpranon kush anëtare të BE, mos të ketë asnjë iluzion. Unë ju garantoj ju, se me këtë farsë elektorale nuk pranohet Shqipëria në BE.

Unë ju garantoj ju, se me këto lidhje të tmerrshme të qeverisë me krimin, për Shqipërinë me Edi Ramën, anëtarësimi në BE do të jetë një horizont që largohet me shpejtësi.

Pra, në rast se bëhet fjalë për integrimin e plotë, për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ka vetëm vetëm nëj rrugë, dhe kjo është rruga e bazuar në parimin në meritë, një proces i bazuar në meritën, në performancën, në arritjen e kritereve.

Kështu që, këtë proces do e kompletojë PD në kohën më të parë të mundshme.

Ergys Dardha: Doktor, pa tifozllik e dëshirë, sa deputetë do marë koalicioni në 11 maj? Dhe nqs do të duhet 3-4 deputetë që mund të dalin nga partitë e tjera, a do t’i afrosh?

Berisha: Unë jam i bindur që 11 maji do të jetë një fitore e thellë e koalicionit për Shqipërinë Madhështore. Dhe, kudo që shkoj, ka një entuziazëm të madh te qytetarët që nuk e kam ndjerë ndonjëherë më parë, qoftë në Shqipëri, qoftë jashtë Shqiptërie.

Janë disa faktorë përcaktues, themelorë të kësaj fitoreje. Së pari, programi më i miri që është paraqitur apra shqiptarëve dhe i hartuar me ekspertizën ndërkombëtare më të Heritage Foundation dhe Adenauer Schuman.

Së dyti, koalicioni më i gjerë në histori. Aleatët tanë të marër së bashku pa PD përfaqësojnë 26% të zgjedhësve të Shqiërisë me vota, sipas librave elektoralë.

Së treti, faktori diasporë. E kam shpallur dhe e shpall përsëri vitin 2025 viti i diasporës. Kurrë, nuk kam parë te shqiptarët një shpërthim e entuziazmi të takimeve të mia nga Athina në Milano, në Romë, në Parma. Dhe kjo është një energji e jashtëzakonshme.

Shqipëtarët kanë konstatuar se diaspora është me PD dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

Ka dhe nëj forcë tjetër, pothuajnatyrore. Dhe ky është kryemagjistari botëror i fushatave zgjedhore, bashkëkryestrategu i fushatës më të susksesshme në historinë e njerëzimit, siç ishte fushata e rikthimit të Donald Trump.

Pra, Chris LaCivita, i cili ka ardhur këtu të sjellë të gjithë magjinë, të gjithë programin e fitores së PD.

Së fundmi, më duhet ta le sot modestinë më një anë. Ka edhe nëj faktor tjetër që quhet Sali Berisha, i cili nuk pret dhe fut thika pas shpine, si Edi Rama. Nuk i shfrytëzon njerëzit dhe i flak pastaj, sikur të ishin qënie inekzistente. I cili jeton në një apartament 40 metra më të gjerë, se ai që ka patur në diktaturë, dhe jo në Saraje me kopësht, 8300 metra. Që, në kushte të vërteta duhet të jesh mbimilioner për të patur një Saraje të tillë me një kopësht të tillë.

Të themi të vërtetën, është kompleksi i rrethanave që në fund të fundit do t’i përmblidhja me një fjalë: thirrja për rikthimin e Sali Berishës! Edhe ky, një faktor i fuqishëm i fitores më 11 maj të PD, natyrisht, pasi bëra krahasimin e deputetëve, etj.

Elson Sinani: Çfarë programi ka PD për personat me aftësi të kufizuara. A do ua njohë PD kontributet shoqërore personave kujdestarë të personave me aftësi të kufizuara?

Sali Berisha: PD me ardhjen në pushtet ka përcaktuar si paketë emergjence, paketën e dhembshurisë, e cila do të zbatohet tre muajt e para të qeverisjes. Kjo paketë përfshin së pari, vendosjen e minimumit jetik për çdo shqiptar që merr ndën 200 euro. Vendosja 200 euro e minimumit jetik.

Për të gjithë ata që marrin pension më të ulët se 200 euro, se marrin pension të pjesshëm apo nuk marrin pension. Për të gjithë invalidët dhe të tjerë.

Së dyti, karta e konsumatorit. Rikthimi i taksës që paguajnë në blerje, të gjithë rrogëultëve dhe pensionistëve.

Së treti, ju keni shumë të drejtë. Sot në Shqipëri më të braktisurit janë njerëzit me aftësira ndryshe, apo siç po flisnit ju, invalidët. Pa asnjë diskutim që do të ju paguhen të plota sigurimet shoqërore kujdestarëve, sikundër do të krijohen qendrat më të fuqishme të rehabilitimit në mënyrë që këto qytetarë të mund të bëjnë një jetë sa më normale.

Të gjitha pajisjet që atyre u nevojiten për jetën normale, do tu jepen me rimbursim 100% nga qeveria. Pra do të ketë një ndryshim rrënjësor me qëndrimin ndaj tyre. Po kjo paketë parashikon rrogën minimale, nuk ka rrogë ndën 500 euro, parashikon rritjen e pensioneve, përveç 200 eurove, me 20%. Parashikon rrogën mesatare 1200 euro. Parashikon uljen e çmimit të naftës në masën 30-40 përqind me të njëjtat vlera që është në Kosovë.

Ne do të përmbysim shpërndarjen e buxhetit duke vënë në epiqendër qytetarin, jetesën e tij dhe ti japim mundësinë ti nxjerrim nga varfëria ekstreme dhe të bëjnë një jetë sa më normale.

Oligert Musta: Madhështia e një shteti matet nga fuqia e pasaportës për të lëvizur i lirë. Ju e futët Shqipërinë në NATO, liberalizuat dhe vizat me BE-në. Kur e dorëzuar pushtetin e latë Shqipërinë në derë të Europës. Rama në 3 mandate e mbylli derën e Europës. Në projektin e Shqipërisë Madhështore, a premtoni liberalizimin e vizave me SHBA gjatë mandatit 2025-2029?

Berisha: Lehtësimin e vizave me SHBA e filluam dhe lobuam fuqishëm në fundin e mandatit të dytë të qeverisjes së kaluar. Garantoj e do të bëjmë çdo përpjekje, për të standardin më të lehtë të mundshëm.

Unë nuk mund të them heqjen e plotë të vizave, sepse siç e shikoni është bërë një problem madhor emigracioni në SHBA, por ne do të kërkojmë dhe garantojmë miqtë tanë se, do të plotësojmë çdo kriter për standardet më të lehta të hyrjes dhe daljes së shqiptarëve nga SHBA.

Gjergji Gjika: A keni ndonjë plan konkret për industrinë e lehtë dhe për industrinë shqiptare në tërësi?

Berisha: Programi ynë ka për objektiv më madhor ‘Made in Albania’ dhe kur e them këtë kam parasysh prodhimin industrial në të gjitha llojet e industrisë, të lehtë, të rëndë etj. Unë ju garantoj se do të bëhet gjithçka që Shqipëria të shndërrohet në një prodhues të fuqishëm, eksportues të fuqishëm.

Krijimi i zonave të lira ekonomike, krijimi i zonave industriale, kuadri fiskal më i favorshmi në Europë, energjia me çmimin më të leversishëm, me një çmim tre herë më të ulët se sa sot për bizneset, janë disa nga kushtet që do ta bëjnë Shqipërinë vendin më tërheqës në rajon për të investuar në uzina dhe fabrika, të industrisë së lehtë dhe të rëndë.

Do të bëjmë gjithçka që prodhimet minerale shqiptare, të marrin përpunimin më të thellë se të eksportohen si mallra përfundimtare. Do të bëjmë gjithçka për tërheqjen e kompanive më të mëdha në Shqipëri.

Pra ‘Made in Albania’ e kemi shpallur, do të jetë sinonim i krenarisë shqiptare.

Ku e bazojnë ne këtë premtim?

Ne e bazojmë këtë premtim sepse në vitet 2005-2013, arritëm ndër të tjera, dy arritje shumë të mëdha. Së pari eksportet u rritën me 320%, dhe mandatin e dytë investimet  e huaja u rritën me 300-400% përqind. Pra ne krijuam faktikisht të gjitha premisat e Shqipërisë së prodhimit.

Ajo që ne bëmë me aq përkushtim, ajo u zhbë sot dhe keni shumë të drejtë ju. Sot ka tre vite, 6 semestra që prodhimi bie nga viti në vit. Vetëm nga viti 2023-2024 eksportet ranë me 32%.

Pra nëse mund ta sintezonim në një moto ‘Made in Albania’ do të jetë prodhim, prodhim, prodhim. 

Daniela Katana: Edi Rama është përpjekur internacionalist që ta portretirozë mbylljen e Tik-Tok sikur gjoja po mbron rininë. Si e shikoni këtë gjë, kur është Edi Rama që ka shpopulluar shqipërinë dhe dëbuar rininë?

Berisha: Akti i Edi Ramës për mbylljen e Tik Tok është identik me vendimin e habitullahut të Kabulit dhe Ajetollahut të Teheranit për mbylljen e kësaj platforme të mrekullueshme. Edi Rama ka dhe një problem tjetër madhor në këtë qëndrim.

Ftoj shqiptarët të mos harrojnë se në gusht të vitit 1988, Kristaq Rama asokohe zëvendësi i Nexhmije Hoxhës dhe anëtar kryesor i presidiumit të Kuvendit Popullor, pra i Ramiz Alisë, firmos varjen në litar të poetit Havzi Nela për vargjet e tij kushtuar fjalës së lirë dhe lirisë së mendimit. Me aktin e tij, pas 37 viteve ndaj Tik Tok, Edi Rama dëshmon se po të ishin ligjet e vjetra, nuk do i dridhej dora të varte në litar njëlloj si i atij, njëlloj siç po vepron me Tik Tok, të gjithë ata që do e kritikonim dhe do kenin mendime ndryshe.

Por sot  të rinjtë kanë një protestë të madhe dhe kjo është protesta më e rëndësishme e jetës së tyre për lirinë e fjalës. Ndaj dhe unë i përgëzoj ata dhe i garantoj se, me datën 12 maj Tik Toku do të lëshohet menjëherë.

Ftoj kompanitë e internetit dhe të telefonisë celulare të mos bëhen bashkëautore në këtë megacensurë që e barazon Shqipërinë me Afganistanin dhe Teheranin. Ndaj të bëjnë çdo përpjekje që ato vegla që ka blerë Edi Rama për të bllokuar Tik Tokun të mos funksiojnë.

Fadil Keta: A është përgatitur PD për qeverisjen e vendit dhe në kabinetin qeveritar a do të ketë elementë të rinj e të reja, apo do të vazhdohet me po të njëjtët emra?

Berisha: Ju siguroj ju dhe shqiptarët se PD ka emra të shkëlqyer për kabinetin e ardhshëm, në listën e deputetëve, por edhe jashtë listës. Ne kemi një ekip që nuk e kemi patur kurrë më parë. Djem e vajza që jetojnë në Shqipëri, që jetojnë jashtë, dhe që kanë shprehur gatishmëri të madhe që të bashkohen me koalicionin në qeverisjen e ardhshme.

Mund tu them se për çdo sektor kemi, njerëzit më të përgatitur, më të pakrahasueshëm të cilët nuk janë bashkuar me Sali Berishën as për ti thënë se është Zeusi, as për ti thënë se është marka, por janë bashkuar për interesat e qytetarëve shqiptarë për të shkrirë energjitë e tyre, për një ‘Shqipëri Madhështore.’

Sabri Sollaku: Fshatrat e Shqipërisë sot janë kthyer në xhungël si pasojë e reformën territoriale/ elektorale, të rilindjes 2015. A do të rishikohet kjo reformë se me sa di ka një projekt të PD para zgjedhjeve lokale të 2023?

Berisha: Pa diskutim. Reforma territoriale që u bë e tëra në funksion të manipulimeve elektorale të Edi Ramës, është faktuar një reformë shkatërrimtare, pasi ajo largoi të gjitha shërbimet e domosdoshme dhe jetike për qytetarët. Edi Rama e shkurtoi numrin e komunave, jo e përgjysmoi por e solli në një shifër 7-8 herë më të ulët, në një kohë kur sot ata që paguhen nga qeveritë vendore janë 70% më shumë seç paguheshin nga të gjitha qeveritë vendore në vitin 2013.

Pra qytetarëve ua largoi shërbimet, ua largoi investimet dhe u shtroi në shpinë parazitët që thithin, përvetësojnë taksat e tyre.

Ajo do rishqyrtohet e tëra. Fshati shqiptar do të ketë investime masive në parimin që çdo fshat të ketë infrastrukturën e një lagje të qytetit.

PD do të jetë të njëjtat përpjekje që bën për suksesin e biznesit në qytete, do të bëjë për suksesin e fermave në fshatrat e vendit, për mbrojtjen e prodhimeve të tyre, për subvenciononim për njësi prodhimi, për fidanë dhe për krerë bagëti.

Do të ketë një sistem kreditimi dhe garancie kredish për mbarë fshatin shqiptar. Do të ketë mbrojtje të prodhimeve shqiptare, të cilat çdo vend në botë i mbron në sezone, dhe jo siç bëjnë këtu që qeveritarët janë bërë importues të mëdhenj frutash e zarzavatesh dhe faktikisht sot 70-80% e të gjitha prodhimeve bujqësore që shiten në Shqipëri vijnë nga Shumadia, vijnë nga Ballkani i Hapur për të mos thënë edhe nga Rusia e vende të tjera, sepse Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me këto vende dhe pastaj merr e i shkarkon në Shqipëri një pjesë të madhe të tyre.

Kreshnik Pecmarku dhe Rexhe Terzia: Duhet t’i heqësh tratë e rrugëve doktor që të lëvizin shqiptarët lirisht se na mbytën hajdutët.

Berisha: Javën e parë të qeverisë, i paralajmëroj kompanitë të bëjnë gati çmontimin. Natyrisht qeveria do të bëjë zgjidhje tregtare, por në territorin e Shqipërisë nuk do të ketë trarë rruge absolutisht. Kjo merr fund.

Edhe njëherë, ajo është një gjobë e tmerrshme që u vihet qytetarëve të qarkut dhe qarqeve më të varfra të Europës. Është një gjobë e tmerrshme që u vihet bizneseve të këtyre qarqeve. Një biznesmen kromi më shkruan se paguan për 1 kamion në muaj 750 euro tek trau i Kalimashit, mbase dhe te trau tjetër. Ato janë të papajtueshëm në programin elektoral të PD.

Fatmir Sadiku: Si do të vepronit në rast se nuk ju hiqet ‘non grata’.

Berisha: ‘Non grata’ ime defakto siç keni konstatuar pas vetingut 34 vjeçar, të prokurorëve politike të Edvin Ramës doli se, Sali Berisha i akuzuar për korrupsion, kishte kursime së bashku me bashkëshorten 100 mijë euro në punën e tyre 54 vjeçare. Një apartament 40 metra më të madhe se ai që ka patur. Doli se nuk e kishte shkelur kurrë ligjin, ai dhe fëmijët e tij.

Pra për mua, ata që më akuzuan, ata mashtruan dhe fatmirësisht njeriu që firmosi është sot ‘non grata’ në vendin e tij. Dhe ky është, e thonë, ‘karma rikthen’ dhe ai mori atë që meritonte nga presidenti Donald Trump.

Anxhela Karanxha: Trupi diplomatik që është sot në Itali, është krejtësisht i paligjshëm. Dy ambasadorë që kanë marrë peng ambasadat kanë mbi 10 vite në të njëjtën karrige, pa bërë asnjë gjë për kauzën tonë. Dy konsujt e përgjithshëm të emëruar pa asnjë kriter diplomatik kanë mbi 10 vite në të njëjtën karrige dhe asgjë për të thjeshtuar shërbimet diplomatike për ne emigrantët. Aspekti tjetër, jemi mbi 700 mijë shqiptarë rezident në Itali, me vetëm 3 zyra. Dhjetëra dokumente duhet me patjetër për tu prezantuar në zyrë dhe qyteti më i largët nga një zyrë konsullore shqiptare në Itali, është 500 km. Konsujt e nderit janë të gjithë pa asnjë kriter kombëtar, janë për turp. Cili do të jetë plani juaj për këtë handikap institucional shqiptar që ka të bëjë direkt me problemet e çdo familje shqiptare në emigracion.

Berisha: Së pari një ndjesë publike për këtë situatë të turpshme, të papërgjegjshme që përjetojnë shqiptarë jashtë vendit, jo vetëm në Itali, por në çdo vend tjetër të planetit. Që detyrohen për një shërbim konsullor të bëjnë qindra, e ndonjëherë mijëra kilometra.

Unë garantoj shqiptarët jashtë Shqipërisë se, në kuadrin e vitit të diasporës, PD së bashku me ju do të hartojë programin e integrimeve më të mëdha, me shqiptarët jashtë vendit dhe shërbimeve më të mira të mundshëm për shqiptarët jashtë vendit.

Natyrisht kjo kërkon buxhet, por ky buxhet kurrë nuk do të mungojë, sepse ju minimumi çdo vit sillni në këtë vend mbi 1 miliardë euro të regjistruara. Plut të tjera, ilaçe, veshje, që nisni tek njerëzit tuaj. Pra do të jenë aksioner në shpërndarjen e buxhetit nga qeveria e PD dhe Koalicionit të ‘Shqipërisë Madhështore’.

Isa Muja: A do të bëjë Sali Berisha një polici siç e kanë vendet evropiane dhe kurrë të mos të jenë drejtuesit e policisë, politikë siç janë sot?

Berisha: Ju siguroj që do të bëjmë gjithçka që policia të jetë e shtetit dhe jo e partisë dhe ju keni shumë të drejtë. Policia e partisë është shkatërrim i shtetit, është dorëzimi te krimi. Por mos harroni një gjë.

Krahasoni dy periudha. Nëqoftëse në periudhën 2005-2009 në 18 muaj, Policia e Shtetit dhe jo e partisë, arrestoi dhe vuri para ligjit dhe drejtësisë mbi 1050 banditë dhe kryetarë bandash dhe disa prej tyre u dënuan me dënimet përjetë, më të rënda, ata dolën njëri pas tjetrit pas vitit 2013 dhe janë të lirë sot, janë të lirë sepse u përkisnin bandave që bashkëpunonim më politikanë të partisë në pushtet.

Nuk ka diskutim që policia do të jetë e depolitizuar, Shërbimi Informativ Kombëtar do të jetë i depolitizuar, gjykata do të jenë të depolitizuara, prokuroria do jetë e depolitizuar dhe këto janë kushtet më elementare për të pasur shtetin e të drejtës dhe funksionimin e tij.

Evodh Dhapo: Z.Berisha, përshëndetje! Unë doja të të pyes se çfarë ndodh me privatizimet e objekteve shtetërore. A do të bëhen privatizimet? Në vitin 2012, ju keni vendosur në Këshillin e Ministrave këtë, dhe akoma asgjë nuk ka ndodhur. Çfarë do të dnodhë me këto familje që kanë rikonstruktime në këto objekte në të cilat po rrënoheshin çdo ditë?

Berisha: I qendroj plotësisht vendimit të marrë në vitin 2012. Kjo nuk ka asnjë ndryshim.

Jozef Sulaj: A do të krijohet ndonjë institucion për eficencën shtetërore si në SHBA, dhe nqs po, kush do ta drejtojë? Kush do jetë Elon Musk i qeverisë suaj?

Berisha: Krijimi i një institucioni për auditimin e eficencës, por edhe të shpenzimeve të bëra në këto 12 vite është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë.

I nderuar zotëri, në duar te dyshes Rama-Balluku, vetëm në infrastrukturë ka patur gjatë këtyre viteve 12 miliardë euro.

Ju lutem, 12 miliardë euro, në një kohë kur në vitet 2005-2013, me 3.2 miliardë euro janë 11.4 mijë km rrugë. Janë ndërtuar qindra e qindra kilometra autostrada. Nga Morina në Vlorë, nga Tirana në Elbasan.

Janë ndërtuar qindra e qindra rrugë të standardeve europiane 11 metra të gjera.

Të më thojë kush çfarë është ndërtuar pasi është shpenzuar 12 miliardë? Mendoni Rruga e Arbrit? Jo! Rruga e Arbrit, nuk është dnërtuar me paratë e buxhetit. Është koncension. Rrugë e cila zgjati 16 vite, dhe rrugë e cila zgjati 27 km të papërfunduarat të saj, zgjatën 12 vite. 27 km e papërfunduara të saj, që u përfundua dje tuneli. Vetëm tuneli i Murrizit 3.7 km mori 7 vite për tu ndërtuar. Dhe, megjithatë ndërtuesi thotë: e kam ndërtuar me apratë e mia.

Rruga Ura e Limuthit Thumanë është ndërtuar 20 km me paratë e kompanisë. Më thoni atëherë, çfarë është ndërtuar me 12 miliardë të dashur qytetarë?

Po, ua them unë. Tuneli i Llogarasë që ka kushtuar 180 milionë, apo po shkon 200 milionë, se nuk ka përfunduar, çfarë është ndërtuar tjetër? Ku janë rrugët? Ku janë 12 miliardë?

Janë zhdukur njëlloj si me inceneratorin e Tiranës.

Pra, një audit për të gjithë këto vjedhje të tmerrshme që nuk i ka njohur toka, do të bëhet. Cili është Elon Musk?

Ne, po krijojmë një ekip dhe po mblidhen një e nga një personalitete dhe njerëz me një formim të gjithëanshëm, të fortë. Unë nuk mund të them se ne kemi nëj Elon Musk, pasi Elon Musk edhe Amerika ka vetëm një, siç po duket. Por ne, do krijojmë një team me njerëz të cilët do të bëjnë një audit dhe do t’i tregojnë shqiptarëve se ku shkuan dhjetëra miliardë euro në 12 vite. Edi Rama duke dyfishuar taksat, ka patur buxhet total 65 mld euro, nga të cilat, vetëm 8 mld janë përdorur për rrogat në këto 12 vite, të tjerat të gjitha, ku janë? Janë shndërruar në konto të fshehta, në vila, hotele, çdo gjë tjetër.

Shikoni se sa të verbër janë?!

Erion Veliaj i kapur në flagrancë me inceneratorin 130 milionë euro që nuk ekziston nam as nishan. I kapur në flagrancë me 5D dhe hotelin që shkon 80 milionë euro, në qelq. Më i madhi në Shqipëri. I kapur nëë flagrancë me shkatërrime masive banesash për të vjedhur, për të fituar në çdo banesë nga 6 kate. Dhe kanë 3 muaj që vajtojnë dhe këndojnë himnin e hajdutit, gjersa Edi Rama, e pa se ai po e fundoste dhe i bëri kurhtin e fundit për të cilin nuk po ndalet.

Pra, është i domosdoshëm auditi. Vetëm një audit do t’i japë të mundur shqiptarëve të kuptojnë se sa shumë janë vjedhur nga kjo qeveri.

Dritan Puçi: A do të zhbëhet Reforma ne Drejtësi? Çfarë do të ndodhë me magjistratët e shkarkuar?

Berisha: Hapi i parë, shumë i rëndësishëm është të ndërgjegjësojë shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar për dy çështje themelore.

Së pari, kjo reformë në drejtësi, që u trumpetua, ndofta dhe u shpenzua gjysmë miliardi euro nga partnerë dhe Shqipëria, pati si produkt mohimin e një procesi ligjor të drejtë të qytetarëve shqiptarë.

Në ç’kuptim? Një proces i drejtë ligjor kërkon me çdo kusht që çështja të trajtohet brenda një kohe të caktuar, përveç të tjerash. Kriter themelor. Po kur?

Sot, për një çështje civile qytetari shqiptar duhet të presë mbi 15 vite. Kur stoku i dosjeve që ishte para 4 vitesh 120 mijë, dhe sot është 150 mijë. Kur stoku i dosjeve për t’u shqyrtuar kërkon 20 vite, kjo do të thotë dy gjëra shumë të rënda për vendin.

E para, qytetarët nuk gëzojnë proces ligjor të drejtë. E dyta, siguri juridike në këtë vend nuk ka. Këto dy faktorë janë tmerrësisht të dëmshëm për Shqipërinë. Nuk ka investitorë të huaj që t’i besojë një vendi, ku për procesin civil duhet të presë 15 vite, ku nuk ekziston siguria juridike.

Dhe, faktori i dytë i madh është ky.

Shqipëria ka një Prokurori Speciale, e cila sot burgos pa asnjë provë, fakt dhe dokument drejtues kryesorë të partive opozitare. Qoftë në burg, qoftë në arrest shtëpie.

Merr mandatet dhe burgo deputetë në burg.

Iu garantoj shqiptarëve proces ligjor të drejtë.

Albano Hënori: Z.Berisha, votat nga viti 2017 deri sot, 1 muaj para zgjedhjeve blihen me kokainë falas për konsumatorë. Sot, jemi vendi i parë në Europë për konsumin e drogave. Ky është një informacion i sigurtë dhe një nga krimet më të tmerrshme të këtij pushteti. Merreni seriozisht këtë informacion.

Berisha: Është shumë e vërtetë ajo që shkruani. Edi Rama iu solli si dhuratë shqiptarëve helmin. Njërin nga helmet më të këqija të kohës, i cili vetëm në SHBA merr çdo vit rreth 100 mijë jetë. Në Shqipëri merr me qindra mijëra jetë, por që nuk deklarohen të tilla.

Natyrisht, zero tolerancë ndaj trafikut dhe drogave do të jetë qendrimi ynë. Do bëjmë gjithçka për të bindur, për të denoncuar blerjen e votës më të gjitha mënyrat nga Edi Rama.

Fatjon Vathaj: Përshëndetje, Z.Berisha! Çfarë do të bëhet me pronat që i kemi në zonat malore, të cilat i kemi patur në përdorim dhe disa i kemi edhe me certifikata pronësie. A do të dalë ndonjë ligj që do t’i regjistrojmë pronat që kemi patur në përdorim, apo do na i marrin pasanikët me 100 lekë?

Berisha: Pronat që i keni në pronësi nuk do mund t’ua prekë njeri. Pronat që janë në përdorim, në qoftë se kanë pronarë përsëri ato do u kthehen pronarëve. Në qoftë se, nuk kanë pronarë, por janë të shtetit, janë publike, atëherë do bëhet vlerësimi i investimeve që keni bërë dhe do merren vendime përkatëse në favor të biznesit.

Diaspora e Mirditës: Dr. Sali Berisha, ujërat e zeza në të gjitha plazhet shqiptare shkojnë në det, por sidomos Velipojë, Shëngjin dhe Talë. A keni një projekt që plazhet të jenë të pastra si në Mal të Zi?

Berisha: I dashur mik, problemi i ujërave të pastërta ka qenë problem ndër më madhorët në qeverisjen tonë. Gjatë viteve 2005-2013 ne ndërtuam 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza, me qëllimin më madhor të zero derdhje të ujërave të zeza në detrat dhe liqenet tanë. Çfarë ndodhi pasi u larguam ne?

Shumica e këtyre impianteve u mbyllën sepse bashkitë socialiste nuk pranonin të paguanin qiranë e energjisë, dhe preferonin në vend të saj të derdhnin ujërat e zeza në det dhe në të gjitha brigjet tona.

Në mënyrë absolute, kjo përbën një përparësi të padiskutueshme, dhe ne do bëjmë gjithçka për uëjrat më të pastra në rajon dhe më gjerë.

Marios Papa: A do të rishikohen çmimet e banesave, sepse të rinjtë nuk blejnë dot shtëpi dhe si rregull nuk ndërtohen kushte për ndërtimin e familjes?

Berisha: Po, keni shumë të drejtë. Strehimi është bërë një problem jashtëzakonisht i vështirë. Çmimet stratosferike i kanë shndërruar apartamentet në molla vërtetë të ndaluara për të rinjtë.

Qeveria angazhohet për ndërtime të shumta sociale, me qëllimin më madhor, uljen e çmimeve në ndërtim. Ne nuk mund të ndalojmë këta pronarët t’u diktojmë çmime, por do u diktojmë nëpërmjet tregut, duke ndërtuar me kostot që ekzistojnë dhe shitur me çmime të përafërta me një fitim të caktuar me çmime shumë më të ulëta se sa kullat që po shkatërrojnë tregun, qiratë dhe shitjen e banesave.

FJALA PËRMBYLLËSE

Të dashur miq, ju falënderoj shumë për pyetjet dhe komunikimin që patëm. Ishte një bisedë shumë e dobishme.

Besoj se, dhashë sqarimet e duhura. Në këtë fushatë duhet të mobilizohemi me gjithë forcat tona për t’u ndarë më 11 maj nga regjim shkatërrimtar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për të ecur të sigurtë, të vendosur drejt Shqipërisë Madhështore, drejt Shqipërisë, në të cilën qytetarët nuk njohin varfëri ekstreme. Shqipërisë, në të cilën begatia e qytetarëve, shpërndarja e buxhetit në funksion të rrogave dhe pensioneve të tyre mbetet praktikë konstante e qeverisë drejt një Shqipërie, e cila do të shpallë si moto të krenarisë kombëtare ‘Made in Albania’, prodhimin e shqiptar.

Drejt një Shqipërie, e cila do të jetë më madhështore se kurrë, si një epiqendër e fuqishme e teknologjive të larta, e ëndrrave më të bukura të të rinjve dhe të të rejave shqiptare.

Drejt një Shqipërie ku, qindra e mijëra shqiptarë do të rikthehen nga bota për të rindërtuar në Shqipëri ëndrrën e tyre.

Ju uroj një fundjavë të mbarë! Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale