FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROMOVIMIN E LIBRIT ‘LULEBORË’ TË ANDI MUSTAFAJT
EKSTRAKT
Në ambientet e Partisë Demokratike është promovuar libri ‘Luleborë’ i Andi Mustafajt, një pamflet politik për situatën ku ndodhet Shqipëri. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i PD-së, Sali Berisha i cili gjatë fjalës së tij, e cilësoi veprën si një ‘manifest jashtëzakonisht të duhur’ për realitetin politik që, sipas tij, po kalon Shqipëria.
Kryedemokrati Sali Berisha vlerësoi kontributin e Mustafajt në Partinë Demokratike, duke e cilësuar si themelues dhe drejtues të një prej departamenteve më të suksesshme të forcës politike, atë të Brain Gain-it. ‘Demokratët dhe qytetarët duhet ta dinë se Andi Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij iu bashkuan Partisë Demokratike në ditët më të vështira të saj, në një kohë kur ndërmerreshin projekte të mëdha për Shqipërinë pa opozitë. Ata erdhën me guxim, ide dhe aktivitete që mbajtën gjallë moralin e demokratëve dhe rikujtuan krenarinë për historinë dhe platformën e partisë’, tha Berisha.
Lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi librin ‘Luleborë’ si një vepër me rëndësi të veçantë politike dhe filozofike, duke theksuar se libri përbën një analizë të realitetit aktual në vend. ‘Sot, në kushtet e diktaturës autokratike në të cilën ndodhet Shqipëria, ky libër është një manifest jashtëzakonisht i çmuar dhe i duhur. Gjenerata e re nuk ka përjetuar diktaturën totalitare dhe nuk ka referencë me kohën e sotme, ndaj njohja e realitetit është thelbësore’, u shpreh ai.
Kryetari i PD-së Sali Berisha ndaloi veçanërisht te ajo që e quajti ‘anatomi e regjimit’ në kapitujt e parë të librit, duke vlerësuar analizën që, sipas tij, autori i bën ‘së keqes banale’, konfuzionit shoqëror dhe ndikimit të propagandës në jetën publike. Ai kritikoi gjithashtu gjendjen e medias dhe mënyrën e komunikimit publik në vend, duke pretenduar se ‘korruptimi i gjuhës’ dhe përdorimi i eufemizmave nga propaganda qeveritare kanë krijuar konfuzion dhe indiferencë qytetare. ‘Nuk ka formë më të rëndë korrupsioni se korrupsioni i gjuhës. Nëse opozita nuk lufton çdo ditë kundër kësaj, mbetet pa shpresë’, deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, kreu i demokratëve Sali Berisha tha se libri trajton edhe çështjet organizative të opozitës, duke e krahasuar me rekomandimet e një raporti të fundit të Institutit Republikan Amerikan për funksionimin dhe reformimin e Partisë Demokratike. Sipas tij, Mustafaj paraqet në libër ide për transformimin e partisë, digjitalizimin, organizimin dhe përcjelljen e mesazhit politik.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u bëri thirrje demokratëve dhe opozitarëve që ta lexojnë librin. ‘Çdo demokrat, demokrate, opozitar dhe opozitare duhet ta lexojë këtë libër. Është shkruar me ndjenjë, përgjegjësi dhe me një analizë të shkëlqyer të realitetit të sotëm’, përfundoi ai.

FJALA E PLOTE:
Edhe një herë mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt.
Unë së pari, dua të përgëzoj Andi Mustafën, për kontributin e tij të madh, madhor, si themelues dhe drejtues i departamentit të Brain Gain-it.
Në mënyrë të pamohueshme, departamentit më të suksesshëm që Partia Demokratike ka patur.
Demokratet dhe demokratët, qytetarët dhe qytetarët duhet ta dinë, populli opozitar duhet ta dijë, se Andi Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij u bashkuan me Partinë Demokratike në ditët e saj më të vështira.
U bashkuan me Partinë Demokratike në një kohë kur, projekte të mëdha ndërmerreshin për Shqipërinë pa opozitë.
U bashkuan me një guxim, por dhe me plot ide, aktivitete, dhe bënë gjithçka që dhe në ditët më të vështira të kësaj partie, të dëgjoheshin boritë e shpresës.
Erdhën jo vetëm si të rinj të vendosur për të qëndruar në krah të opozitës, por erdhën me ide shumë të çmuara. Dhe në një kohë të shkurtër, ata kanë autorësinë e një seri aktivitetesh, publikimesh, të cilat kishin qëllim madhor të mbanin gjallë moralin e demokratëve dhe t’i bënin ata, t’i rikujtonin ata se duhet të jenë krenarë me historinë e partisë së tyre, se duhet të jenë krenarë me platformën që kjo parti paraqet dhe qëndresën.
Andi Mustafa para disa muajve bëri zgjedhjet dhe ia dorëzoi drejtimin e departamentit Tedi Koplikut.
Është autor i një kryevepre të vërtetë. Është autor i një libri të jashtëzakonshëm. Tani meqë jemi në atë historinë e tij ‘babë e bir’, do ta them unë një histori këtu. Besniku ka shumë vite, ka shumë libra, po njërin prej tyre e kam lexuar disa herë se është për dhjetorin e ’90-tës.
Po kjo, është shumë më e prore. Andi, pse kjo është e tillë? Edhe nuk e them për ta thënë.
Sepse, e ke thënë të bukur, është një manifest, jashtëzakonisht i çmuar dhe i duhur për ne sot në kushtet e diktaturës autokratike.
Gjenerata e re nuk ka përjetuar diktaturën totalitare dhe normal… normal nuk ka referencë me kohën e sotme.
Dhe kjo përbën një vështirësi shumë serioze. Unë ulem me bashkëpunëtorët e mi, unë dëgjoj aktivistët tanë, anëtarët, militantët.
Po një problem e kemi miq. Problemi është se diskutohet për një realitet që nuk ekziston, sepse krahasohet me realitetin e pluralizmit normal demokratik. Çdo njeri, çdo anëtar i thjeshtë, çdo drejtues, mund të ketë sukses vetëm kur realizon se cili është realiteti në të cilin operon.
Përndryshe, përndryshe dështimi e pret. Dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme të njohim realitetin në të cilin operojmë.
Thashë, është një kryevepër, sepse që në kapitullin e parë bën anatominë e regjimit.
Që në kapitullin e parë, libri pa iu referuar Hannah Arendt, Orëell-it apo shkrimtarëve dhe filozofëve të tjerë, përshkruan efektet e tmerrshme të së keqes banale në shoqërinë tonë. Ne që kemi përjetuar diktaturën e parë, ne e dimë mirë se sa shkatërrimtare ishte e keqja banale që jepej nga mediat.
Ne e rrëzuam shtatoren e satanit këtu. Të tjerët rrëmbyen armët, kundërshtuan, në vend se t’ia drejtonin gjoksit të tyre. Kjo jo se ata kishin parë favore, nuk ishin klasa e privilegjuar ata, jo përkundrazi, ata ishin më të varfrit e Shqipërisë.
Por ishin të indoktrinuarit, ishin më të indoktrinuarit. Sepse ajo propagandë glorifikonte të keqen nga mëngjesi në darkë, dhe arrinte në fund ta paraqiste të keqen glorioze, si diçka glorioze.
Sot, ku jemi? Sot, e thotë bukur Andi, jemi në konfuzion. E keqja banale, çfarë është? Indiferenca e njerëzve ndaj të keqes. Dhe kjo, kësaj here nuk e kemi aq me kultin e individit siç e kishim në atë kohë, edhe ai s’mungon, po kësaj here e kemi me korruptimin e gjuhës shqipe.
Kësaj here një propagandë e 90% të mediave që kontrollohet nga qeveria, ka shkatërruar kontratën themelore të qytetarit me kombin që është kontrata e gjuhës.
Kontratë në të cilën bukës i thotë bukë, shëndetit i thotë shëndet, vdekjes i thotë vdekje.
Kjo propagandë, në këtë regjim, duke përdorur eufemizma, duke përdorur mashtrime të përsëritura nga mëngjesi në darkë, për të kundërtat e asaj që është realiteti.
Kjo ku arrin? Arrin në atë që qytetari thotë ‘as kjo as ajo, rri në punën time’. Arrin në të cilën e vërteta zhduket, dhe nuk ka më vlerë, sepse gjuha, përdoret gjuha për ta fshehur atë.
Për të mashtruar përdoret propaganda e qeverisë.
Dhe këtu, Andi Mustafa përshkruan bukur konfuzionin dhe cinizmin. Janë dy pasojat më kryesore të kësaj veprimtarie.
Pra, shih ku jemi ne. Ne jemi opozitë në këto kushte.
Na vendosën mure. Qytetarëve u vendosën mure, burg, mure, burgun në mendjen e tyre. Zhvlerësohen gjërat. Paraqiten kriminelët në ekrane.
Paraqiten përdhunuesit në ekrane. Paraqiten krerët e organizatave kriminale për të ngjallur, për të ngjallur dhimbshmëri, pasi kanë vjedhur me qindra milionë dhe kanë vdekur qindra e qindra e mijëra shqiptarë për ilaçe.
Pra, leximi i librit ndalet në këtë konfuzion të mbjellë nga regjimi.
Dhe ky është një kontribut i madh. Nuk ka formë më të rëndë korrupsioni se korrupsioni i gjuhës.
Bota ime, thotë një filozof i njohur që i ka kushtuar jetën gjuhës, ‘është gjuha ime, bota ime kufizohet tek gjuha ime’.
Por ne si opozitarë duhet ta kemi të qartë këtë. Në qoftë se ne nuk luftojmë nga mëngjesi në darkë kundër saj, ne mbetemi të pashpresë. Por ne duhet të kemi vetëdijen se lufta kundër saj është një detyrë, një imperativ i veprimtarisë sonë.
Manifesti, siç e quaj unë me shumë të drejtë, paraqet në një mënyrë do të thosha të habitshme, të habitshme për mirë, problemet tona organizative.
Do t’ju them një gjë këtu juve, se këto ditë kam lexuar një raport të hollësishëm, të gjatë të Institutit Republikan Amerikan për Partinë Demokratike.
Ata kanë ardhur, kanë bërë një studim jashtëzakonisht të çmuar. Një mbështetje shumë e madhe për ne. Për çdo demokrat e demokrate. Se si ne duhet të organizohemi, se si ne duhet të funksionojmë, se si ne duhet të digjitalizohemi, se si ne duhet të përcjellim mesazhin dhe të funksionojmë.
Andi Mustafa i kushton një kapitull, absolutisht me të gjitha principet e këtij studimi, dhe ky nuk e ka lexuar atë! Jo se libri ka dalë kohë përpara se të bëhej studimi. Por këtu, ky e ka shkruajtur atë kapitull pikërisht nga angazhimi i madh intelektual dhe demokrat se si duhet të transformohet kjo parti.
Se cilat janë potencialet tona të pamohueshme. Ndaj dhe unë them, çdo demokrat e demokrate, dhe çdo opozitar dhe opozitare duhet ta lexojë këtë libër.
Për ata që kanë vendosur të qëndrojnë dhe të luftojnë.

‘Lulebore’ thotë është filozofi veprimi.
Po, tani edhe një gjë do të bëj këtu Andi, një dallim. Besniku absolutisht ka qenë njeri për mendimin e lirë, por në ditën e parë që kemi shkuar bashkë nuk është nda asnjë sekond. Ajo ishte një ditë me plot të pasigurta, por ai për karakter nuk u nda një minutë.
Më vonë shkruan këtë librin dhe thotë: unë thotë nuk është se ndjehesha revolucionar, po unë shkova mbas atij që të mos e lija vetëm sepse miqësinë që kishim, kurse Andi është revolucionar në filozofinë e veprimit.
Dhe unë e përgëzoj sepse, sepse sot kemi shumë nevojë. Jemi në kushte vërtet të veçanta, por jemi në kushte në të cilat mund të bëjmë shumë më tepër.
Nuk është se s’po bëjmë, por Partia Demokratike ka nevojë të ngjitet në nivele shumë më të larta dhe të bëjë, dhe ka potenciale për të bërë shumë më tepër.
Duhet të pranojmë se jemi në diktaturë autoritare dhe se s’ka mision më të shenjtë sesa lufta kundër saj.
Kur një demokrat të ndihet luftëtar dhe kur çdo demokrat të ndihet luftëtar absolutisht ditët e këtij regjimi shkurtohen me shpejtësi.
Ndaj dhe ajo çka unë do t’ju sugjeroja që ta lexoni këtë vepër, është e shkruajtur shumë bukur, është e shkruajtur me shumë ndjenjë dhe është e shkruajtur me përgjegjësi, dhe me një analizë të shkëlqyer të realitetit të sotëm.
Duhet do ndihmojë çdo qytetar, çdo njeri të lexojë se cili është realiteti në të cilin ai jeton. Dhe shumë urime.


