Berisha lexon shënimin: Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Ramën nuk e shpëton asgjë nga kjo aferë. Skapi nuk heton aferat që kapin shumën 630 milionë euro të Edi Ramës, por përdoret për të goditur opozitën shqiptare

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS PARAQITJES NË SPAK

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga SPAK ka akuzuar këtë prokurori, se nuk heton aferat korruptive të Edi Ramës, që kapin shifrën e 630 milionë eurove, por përdoret për sulme ndaj opozitës. Në një deklaratë për mediat nga Prokuroria e Posaçme pas paraqitjes në këtë strukturë, Berisha tha se SPAK duhet të merret me Ramën dhe kabinetin e tij, e jo me opozitën që deri më sot ka depozituar prova për korrupsionin qeveritar.

 ‘Me këtë rast ftoj çdo qytetar të pyesë Skapin e partisë, pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij. Kur ata disponojnë të gjithë dokumentet se ai është anëtar kryesor i grupit kriminal Toyota Yaris, i grupit kriminal të Suel Çelës, i grupit kriminal të Bajrëve’, u shpreh Berisha, teksa përmendi nga ndër krimet qeveritare të Ramës dhe ministrave të tij.

Lideri i opozitës Sali Berisha, pas daljes nga SPAK ku u paraqit për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, deklaroi se Kryeministri Edi Rama “do të shkojë tek Charles McGonigal. ‘Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar!

Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës. Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës’, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka konsideruar kualifikimin e dosjes së incineratorëve si skandal, pasi sipas tij prokurorët e Posaçëm e konsideruan vjedhjen si një kotec pulash, dhe jo si një nga aktet më të turpshme në histori. Sipas Berishës, edhe pse prova për këtë dosje ka pasur plot, për SPAK, kjo ishte një çështjes sikur u vodhën 10 mijë euro dhe jo 130 mln euro të taksapaguesve shqiptarë.

FJALA E PLOTE

Të dashur qytetarë dhe qytetare, erdha këtu pa përtesë çdo dy javë sepse ardhja ime shërben si një dëshmi e përbotshme e keqpërdorimit politik të drejtësisë nga narkotrafikanti Edi Rama për të luftuar kundërshtarët politikë.

Hetimi shterrues 4-vjeçar, siç e ka quajturi Skapi, dhe vetingu 32-vjeçar familjar i Sali Berishës ka provuar se ai dhe familjarët e tij nuk kanë përfituar kurrë asnjë favor, dhe se kursimet e tyre janë në përputhje me ligjet e vendit, përbëjnë gjithsej në 54 vite 100 mijë euro, dhe një apartament 40 metra më i madh se ai që kishte në diktaturë.

Çështja e Skapit dhe e keqpërdorimit të tij është pjesë e strategjisë së Edi Ramës për të goditur opozitën shqiptare.

Është projekti i tij makabër për të marrë një mandat të katërt.

Çështja nisi me denoncimin politik pa asnjë fakt të eksponentit politik të bandave të Elbasanit, Shkodrës dhe Fushë Krujës, Taulant Ballës dhe është mbajtur dhe mbahet në këmbë me qëllime kryekëput politike.

Çështja kundër meje është dëshmi e standardit të dyfishtë të Skapit të partisë që sulmon opozitën pa asnjë fakt, ndërkohë që mbulon një mal të tërë me fakte për vjedhjen dhe korrupsionin qeveritar.

Me këtë rast ftoj çdo qytetar të pyesë Skapin e partisë, pse Taulant Balla është i lirë dhe bën fushatë kur ata flenë mbi dosjet e krimeve të tij. Kur ata disponojnë të gjithë dokumentet se ai është anëtar kryesor i grupit kriminal Toyota Yaris, i grupit kriminal të Suel Çelës, i grupit kriminal të Bajrëve.

Ftoj shqiptarët të pyesin Skapin ku kanë shkuar 130 milionë euro të djegësit të Tiranës.

Të pyesin Skapin pse nuk heton Belinda Ballukun dhe Edi Ramën që kanë paguar 130 milionë euro pa vënë asnjë tullë.

Pse nuk është marrë në hetim, ose në ndjekje, asnjëri nga njësia e mbikëqyrjes që kishte detyrë të raportonte çdo muaj për ecurinë e punimeve të djegësit që nuk ekziston.

Të gjitha këto kanë një përgjigje, paratë i mori Edi Rama kryesisht, dhe pastaj i ndau me të tjerë.

Të pyetet Skapi ku kanë shkuar 80 milionë euro për anijet fantazmë, Tigrat e famshëm të Belindës.

Pse Spaki nuk heton Edi Ramën dhe Ballukun për këto para të vjedhura?

Ku kanë shkuar 120 milionë euro të checkup dhe analizat nuk bëhen? Pse nuk hetohet Edi Rama për paratë që i ka dhënë financueses së tij, Vilma Nushi.

Kush mori 60 milionë euro të korrupsionit të tunelit të Llogarasë? I ndanë së bashku me Lubinë, apo i mori Rama kryesisht?

Pse Skapi nuk heton për 110 milionë euro që mori Beketi për shkak të mbylljes nga Edi Rama të Agon Channel.

Po mbi 105 milionë euro humbjet e Air Albania ku kanë shkuar?

Pse nuk hetojnë Edi Ramën që paguan nga paratë tona të gjithë atë luks dhe qejfe personale?

Të dashur qytetarë dhe qytetare, vetëm këto skandale që përmenda, kapin shumën 630 milionë euro të grabitur nga Edi Rama e kompani.

Nuk janë llogaritur këtu 33 milionë euro toka e vjedhur prej tij në Gjipe prej 224 mijë metër katrorë.

Nuk janë llogaritur këtu 38 mijë metër katror që i dha të vëllait duke ua marrë pronarëve tek Rrapi i Treshit.

Nuk janë llogaritur këtu sarajet e Surrelit me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha, as dhe parku 8300 metër katrorë.

Këto pyetje presin përgjigje me datën 11 maj nga mbarë qytetarët shqiptarë.

Do marrin përgjigjen më të shkëlqyer nga qytetarët më 11 maj me votën e tyre të lirë.

Por aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim.

Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar.

Krim ndërkombëtar!

Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës.

Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës.

Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove.

Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë.

Pyetje: Herën e kaluar jemi mësuar se me paraqitjen këtu keni bërë denoncime duke ju referuar bisedave në Sky, pse nuk nxirrni sot, apo nuk keni materiale të tjera?

Sali Berisha: Jo, materiale kam plot, po sot ndodhi ajo që ndodhi.

Siç e dini ju, çështja e inceneratorëve shkoi për pesë para në gjykatë, një gjë e turpshme, një nga aktet më të turpshme në histori, kur humbja e 130 milionë eurove u kualifikua një vepër sikur të kishin humbur 10 mijë euro apo sikur të kishin vjedhur një kotec pulash siç e tha një kolegia juaj.

Pyetje: Gjatë kohës që flisnit këtu, të paraburgosur apo të dënuar shprehën pro jush, zoti Berisha jeni hero. A keni një mesazh për ta, meqë jemi dhe në fushatë.

Sali Berisha: Mesazhi im është ky, Shqipëria është njolla e zezë e turpit në Europë dhe nga më të zezat në botë.

Sepse Shqipëria mban në burgje 67 përqind të të gjithë popullatës së burgjeve është në paraburgim dhe nuk ka dëshmi më madhore torture se sa kjo.

Në këtë vend ka pushuar së funksionuari prezumimi i pafajësisë, një parim shekullor i drejtësisë.

Ndaj i garantoj se ato ditë burgu që bëjnë pa meritë, do u shpërblehen me rrogat e qeveritarëve që i kanë mbajtur.

Është një krim.

Dhe duhet ta dinë se unë në Këshillin e Europës, kam bërë një takim shumë të frytshëm me komitetin antitorturë, në të cilin kanë qenë dy çështje kryesore.

Ka qenë tortura që i bënë ish-presidentit, ish-kryeministrit, ish-kryetarit të parlamentit, Ilir Meta dhe tortura që u bëjnë 67 përqind e të paraburgosurve, një e treta e të cilëve janë pa asnjë akuzë. 500 prej tyre janë të sëmurë.

Pra është një gjendje katastrofale për të cilën këta meritojnë, dhe unë kam besim shumë të madh…

Komiteti i Antitorturës në Këshillin e Europës është një institucion jashtëzakonisht serioz dhe kam besim që ky komitet do bëjë avokatinë e të gjithë atyre që u shkelmohen të drejtat në burgjet shqiptare.

Pyetje: Të paraburgosurit kanë të drejtë vote, mendoni se do të merrni dhe votën e tyre në 11 maj.

Sali Berisha: Se për kë do votojnë, e dinë ata vetë, ne nuk u ndërhymë në votë, por ne themi, të votosh për xhelatin tënd, është problem.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale