Berisha lexon rezolutën emergjente: PPE damkosi Ramën si armik i votës së lirë dhe dënoi mosndëshkimin e krimeve zgjedhore. Kredencialet e Ramës u dogjën para zgjedhjeve

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një konferencë të jashtëzakonshme u shpreh, se Partitë Popullore Europiane e kanë damkosur Edi Ramën si armik të votës së lirë dhe dënuan mos ndëshkimin e krimeve zgjedhore.  ‘Kjo rezolutë, e cila u miratua pa asnjë votë kundër në unanimitet të plotë, damkosi në mënyrë përfundimtare Edi Ramën si armik i votës së lirë në kontinentin evropian, e rreshton atë krahas Lukashenkos dhe ndonjë diktatori tjetër’, u shpreh ndër të tjera kreu i PD.

Gjatë fjalës së mbajtur me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se, kredencialet e Edi Ramës u dogjën para zgjedhjeve të 11 majit. Berisha u shpreh se, PPE i bën thirrje BE-së dhe institucioneve të tjera për të vepruar. ‘PPE gjithashtu bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës të dërgojnë vëzhgues të tjerë afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë. Të dokumentojë dhe denoncojnë publikisht abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare. Të aplikojnë mekanizmat e kushtëzimit brenda procesit të anëtarësimit në BE, pra kredencialet e Edi Ramës u dogjën përfundimisht, nëse shkeljet vazhdojnë. Rezoluta përfundon: PPE do monitorojë nga afër me kujdes zhvillimet në Shqipëri’, nënvizoi kryetari i PD-së.

‘Në Valencia kisha rikthimin tim më të fuqishëm politik’, u shpreh lideri i opozitës Sali Berisha gjatë fjalës së tij në konferencën e mbajtur për mediat.  Fjala që mbajta dhe takimet e njëpasnjëshme me dhjetëra dhe qindra të pranishëm, ishin dëshmi se si ishte mirëpritur rikthimi i Sali Berishës. Nuk mund të rrija pa dalë para jush në mënyrë të jashtëzakonshme se nuk është koha e konferencave kjo, zakonisht i bëj në drekë.  Por mendova se meqenëse pashë se kjo mbështetje e paprecedent që shqiptarët kanë marrë për votën e lirë duhet të shkojë në çdo votër shqiptare, në çdo zemër’, nënvizoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë gjatës së tij me gazetarët.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka ngritur alarmin për shitblerjen e votava nga mazhoranca, përmes bandave të krimit që janë aktivizuar nga kryesocialisti Edi Rama në Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Sipas Berishës, më 12 maj, bandat kriminale do të shpallen organizata terroriste, ndërsa tha se do të lobojë fuqishëm pranë komunitetit ndërkombëtar për të vepriar njëjtë dhe ata, me argumentin që siç theksoi kryedemokerati, banda të tilla, terrorizojnë një popull dhe nuk e lanë të votojnë të lire. ‘Dhe Edi Rama do të shkojë me ta. Sot është një ditë e veçantë janë të aktivizuar disa prej tyre. U kanë shpërndarë para, po shpërndajnë para. 4 ditë para ja theu kockat shoferit të Taulant Ballës, Sueli sepse nuk mbështeste. Është një famoze, një Sara Mile e cila sipas Ramës duhet të jetë patjetër në parlament. Një Jurgis Çyrbe me fustan’, paralajmëroi Berisha.

Gjatë konferencës gazetarët u interesuan në lidhje me kontratën që ka nënshkruar fondacioni ‘Make Albania Great Again’ me firmën konsulentë ‘Continetal’ në SHBA. Gjatë përgjigjeve të tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në sqarimin e tij për mediat, theksoi se kontrata me ‘Continental’ është transparente.

‘Kontrata me ‘Continental’ është transparente, nuk është histori me McGonigal apo Bilal’, u shpreh Berisha gjatë konferencës për mediat. Ai ka sqaruar edhe njëherë kontratën me kompaninë amerikane, që sipas tij synon mbrojtjen e kauzave të opozitës. ‘Kontrata me kompaninë amerikane, ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga narkodiktatori Edi Rama’, u shpreh Berisha gjatë konferencës së jashtëzakonshme të mbajtur pasditen e sotme.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita, dje në Valencia, kongresi i PPE, që grumbullon 82 parti të qendrës së djathtë të kontinentit evropian, të cilat udhëheqin Komisionin dhe Parlamentin Europian, udhëheqin Gjermaninë, Austrinë dhe janë kryeministra në 12 vende të tjera dhe qeveri në disa të tjera, miratoi rezolutën emergjente numër 4, vetëm një javë përpara zgjedhjeve në Shqipëri, kushtuar integritetit të procesit elektoral në Shqipëri.

Kjo rezolutë, e cila u miratua pa asnjë votë kundër në unanimitet të plotë, damkosi në mënyrë përfundimtare Edi Ramën si armik i votës së lirë në kontinentin evropian, e rreshton atë krahas Lukashenkos dhe ndonjë diktatori tjetër.

Rezoluta denoncon haptas Edi Ramën dhe regjimin e tij se:

-Po minon zgjedhjet nga manipulimi dhe keqpërdorimi i pushtetit.

-Po shtyp pluralizmin politik përmes presionit institucional dhe se po shtyp opozitën dhe liderët e saj, anëtarë të parlamentit dhe qeveritarë vendorë të opozitës.

-Dënon kontrollin qeveritar mbi mediat dhe mbylljen nga Edi Rama të TikTokut.

-Denoncon mosrespektimin e shtetit ligjor, kapjen e shtetit ligjor, çka ka sjellë, thekson rezoluta, pandëshkueshmëri.

Në rezolutë dënohen gjithashtu me forcë të madhe dhe haptas keqpërdorimi i vazhdueshëm i pushtetit shtetëror.

Shteti elektoral, dmth përdorimi i burimeve shtetërore për zgjedhje.

Blerja me lekë e votës.

Blerja e votës me kanabis.

Blerja e votës me punësime.

Blerja e votës me prokurime.

Blerja e të drejtës së votës, dhunimi i votës dhe fshehtësisë së saj.

Europa e tërë qëndron pas shqiptarëve dhe të drejtës për të votuar si qytetarë të lirë.

Denoncohet censurimi i opozitës.

Jo vetëm kaq, por edhe censurimi i Europës nga Edi Rama.

Këtë rezolutë, shqiptarëve nuk ua lexuan mediat kryesore të kontrolluar nga Edi Rama.

Denoncon kërcënimin dhe ndjekjen penale të kandidatëve të opozitës.

Mosndëshkimin, ju lutem, mosndëshkimin e krimit zgjedhor.

Pra, Europa e qendrës së djathtë, denoncon haptas mosndëshkimin e krimit zgjedhor në Shqipëri.

Dhunimin e kodit zgjedhor.

Por denoncon zëvendësimin e paligjshëm të Erion Veliajt për të përdorur burimet e bashkisë me qëllime elektorale.

Moszbatimin e vazhdueshëm nga Edi Rama të rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

Përdorimin e administratës në fushatë zgjedhore.

Përdorimin e lidhjeve politike me krimin për të rrëmbyer votat e qytetarëve.

Emërimet politike në organet e zbatimit të ligjit dhe në drejtësi, që janë të zakonshme në Shqipëri.

PPE në rezolutën numër 4 të votuar me emergjencë dje bën thirrje për veprim BE, OSBE-së, KiE dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare demokratike të ndalojnë çdo lloj keqpërdorimi të pushtetit shtetëror.

Blerjen e votës.

Intimidimin e votuesve dhe manipulimin zgjedhor.

Kërkon që zyra e prokurorisë të hetojë në mënyrë të plotë dhe në kohë para zgjedhjeve të gjitha akuzat që lidhen me krimet zgjedhore dhe të sjellë autorët para drejtësisë.

E kuptoni vetë, Edi Ramën, Ulsi Manjën, etj me radhë.

Të sigurojë qasje të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajë mbikëqyrjen e pavarur zgjedhore.

PPE gjithashtu bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Europës të dërgojnë vëzhgues të tjerë afatgjatë në bashkitë me rrezik të lartë.

Të dokumentojë dhe denoncojnë publikisht abuzimet zgjedhore në raportet përfundimtare.

Të aplikojnë mekanizmat e kushtëzimit brenda procesit të anëtarësimit në BE, pra kredencialet e Edi Ramës u dogjën përfundimisht, nëse shkeljet vazhdojnë.

Rezoluta përfundon: PPE do monitorojë nga afër me kujdes zhvillimet në Shqipëri.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo rezolutë e votuar dje nga CDU, partia e kancelarit Merz dhe 82 parti të tjera, anëtare të PPE, vjen si diamanti në kurorë të tre rezolutave të tjera dhe Shqipëria bëhet vendi i vetëm që në harkun kohor 6-mujor, komuniteti ndërkombëtar lëshon 4 rezoluta për ndëshkimin e Edi Ramës.

Pra, siç e shihni, Edi Rama është delja e zezë e Europës në raport me zgjedhjet dhe drogën.

De facto Edi Rama është sot delja e zezë e Europës.

Ai, siç i quajti këto broçkulla, por këto janë të vërteta të cilat në mëyrë absolutisht nuk do i kapërdijë asnjë shqiptar dhe asnjë evropian.

Pra, ky është Edi Rama, 8 ditë para zgjedhjeve.

I nxirë siç është.

Mirënjohje të pakufishme miqve dhe aleatëve tanë.

Unë dy ditë në Valencia, kisha rikthimin tim më të fuqishëm politik, një nga rikthimet më të fuqishme politike në historinë e Europës pas luftës.

Fjala që mbajta dhe takimet e njëpasnjëshme me dhjetëra dhe qindra të pranishëm, ishin dëshmi se si ishte mirëpritur rikthimi i Sali Berishës.

Çfarë falënderimesh mora unë nga miqtë dhe partnerët për vendimin që mora dhe punën që bëra për rikthimin.

Kjo është e vërteta.

Gjatë atyre dy ditëve, pata rastin të takohem dhe të përshëndetem me shumë e shumë drejtues dhe udhëheqës të forcave politike të pranishëm, ndër të cilët të përshëndetem me kancelarin Merz, kryeministra, komisionerë, drejtues partish politike.

Kthehem pra me energji të shumëfishuara në këto ditë fushate, në të cilat shqiptarët po shkojnë drejt një fitoreje të themi plebishitare është pak.

Mbasi krahas tyre, të gjitha pa përjashtim, pollet online nxjerrin përtokë partinë e Edi Ramës.

Ato që nuk i kontrollon dot dhe nuk i paguan dot ai për t’i modifikuar.

Por i lëmë pollet.

Shikoni dy fushata të pakrahasueshme. Njëra me njerëz të lirë, qytetarë të lirë, që vijnë me kënaqësi të madhe për të ndjekur programin, tjetra me zyrtarë të detyruar, kokulur, që përpiqen të fshehin dhe fytyrën se nuk e duan veten kurrë të jenë në ato takime.

Plus disa shenja të tjera shthurje dhe shpartallimi. Edhe komisionerët po refuzojnë të marrin detyrat dhe i përgëzoj.

Nuk mund të rrija pa dalë para jush në mënyrë të jashtëzakonshme se nuk është koha e konferencave kjo, zakonisht i bëj në drekë.

Por mendova se meqenëse pashë se kjo mbështetje e paprecedent që shqiptarët kanë marrë për votën e lirë duhet të shkojë në çdo votër shqiptare, në çdo zemër.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:

Osman Stafa, News24: Keni pasur mjaft denoncime si nga kandidatët, por dhe nga ju që krimi i organizuar po punon për kandidatë të caktuar të PS në këto zgjedhje, apo edhe përfshirje të institucioneve shtetërore, administratës dhe drejtorëve të caktuar. Ndërkohë që vjen dhe kjo rezolutë e PPE, të cilën PD e ka propozuar dhe PPE e ka miratuar. A është kjo një alibi që PD mund ta përdorë pas zgjedhjeve të 11 majit, nëse nuk fiton.

Sali Berisha: Ju jeni dëshmitar se Sali Berisha është pyetur me dhjetëra herë nga gazetarë dhe qytetarë, si do mbroni votën ju. Dhe unë e kam quajtur të drejtë pyetjen dhe kam bërë çdo përpjekje që të mbroj votën dhe vazhdoj të bëj çdo përpjekje për të mbrojtur votën.

Pra e tëra kjo që bëj dhe që është arritur dhe që është në një farë mënyre një mrekulli e kohës, është bërë me qëllimin absolut për ti dalë zot votës së shqiptarëve. Kjo është arritur me një betejë shumë të fuqishme në të cilën Edi Rama ka bërë gjithçka që kurrë të mos ndodhi.

Të lexoj unë këtu mesazhin e tij që ka shpërndarë tek Europarlamentarët para 4 muaj për rezolutën që miratoi EPP në Maltë, ju do çuditeni se si ky, sillej në mesazh si kujdestar i opozitës. E kuptoni padrinon. Mirë po ai aty e demaskoi aq keq veten sa ai mesazh u bë famoz në parlamentin Europian.

Dhe përveç 4 rezolutave që është për mua, një arritje e jashtëzakonshme të cilat legjitimojnë kauzat e drejta që ne mbrojmë, ai që i cilëson broçkulla, se voton Partia Popullore broçkulla, nuk po e prish gojën me epitete me të.

Ai para 2 javësh përveç këtyre ka pasur një hiring në Parlamentin Europian, që janë procedura shumë të rralla. Ka ndodhur një hiring për Shqipërinë në vitin 2002, ku unë kam qenë aty, dhe ai ishte hiringi i dytë në historinë e Parlamentin Europian, pas një hiringu që kishin bërë në vitin 1991, për Ahmet Masugin, komandantin legjendar të muxhahedinëve të Afganistanit.

Megjithatë para 2 javësh, u bë hiring në grupin Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin Europës, asamblenë parlamentare. Dhe në grupin e Konservatorëve Europianë në Asamblenë Parlamentare.

Pra nuk ka një personazh të dytë të nxirë. Sot në politikën europiane, mund tu them se, nuk them se është Putini, se është një diktator dhe gjakësor, por me Llukashenkon janë shumë, shumë të ngjashëm. Ndaj dhe merre vetëm kështu, ua them, është mbrojtja që ne u bëjmë votës së shqiptarëve. Dhe them se kemi bërë detyrën tonë.

Po, denoncoj dhe do të denoncoj dhe ta dinë mirë, të gjithë terroristë në Elbasan, Durrës, Shkodër, Bajrët, Poja, Troplinët, të cilët mendojnë se mund të ja dalin, Suel Çela me bandën e tij në Elbasan, janë dhe këta të Ervin Hoxhës në Vorë. Absolutisht me 12 maj shpallen organizata terroriste dhe do të punoj fort me komunitetin ndërkombëtar që ti shpallin dhe ata organizata terroriste, sepse terrorizojnë një popull nuk e lanë të votojnë të lirë, për të mbrojtur veten e tyre, për të shndërruar krimin e tyre në votë, dhe votën në krim.

Dhe Edi Rama do të shkojë me ta. Sot është një ditë e veçantë janë të aktivizuar disa prej tyre. U kanë shpërndarë para, po shpërndajnë para. 4 ditë para ja theu kockat shoferit të Taulant Ballës, Sueli sepse nuk mbështeste. Është një famoze, një Sara Mile e cila sipas Ramës duhet të jetë patjetër në parlament. Një Jurgis Çyrbe me fustan.

Kaq është. Plus të tjerë me radhë.

Po ta dinë, ta dinë se kambanat e Europës dhe botës bien për ta. Nuk do gjejnë vrimë ku të futen pas 12 majit.

Osman Stafa, News24: Është publikuar një kontratë lobimi ku punohet për heqjen non gratës tuaj në SHBA, dhe një kontratë me vlerë 6 mln euro. Kush i paguan, ku janë gjendur këto para. Dhe cili është mendimi juaj për verifikimet që ka nisur SPAK në lidhje me këtë lobim?

Sali Berisha: Së pari, kjo kontratë nuk ka asnjë lidhje me zgjedhjet. Jo, kjo kontratë ka një qëllim tjetër, marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA, paraqitjen e realitetit shqiptar me të gjithë problematiket e mëdha të tij para administratës së SHBA.

Nuk do ndodhë dhe nuk mund të ndodhë më që pa u mbyllur kutia e fundit, Edi Rama urohej për fitoren. Jo pa u numëruar, pa u mbyllur kutia.

Së dyti, ne besojmë se bashkëpunimi i Edi Ramës me bandat dhe krimin është rrezik jo vetëm për Shqipërinë, rajonin, Europën, por edhe për SHBA.

Së treti, ne besojmë se çështja McGonigal është një varr i hapur dhe duhet të mbyllet.

Së katërti, pa dyshim për ne përparësi janë marrëdhëniet me SHBA në të gjitha aspektet, dhe ne nuk mund të mohojmë se u hodh shumë baltë mbi partinë më pro-atlantiste, mbi PD-në dhe përpjekjet e saj.

Ndaj është marrë një avokat ndër më të shquarit e asaj toke, i cili ka për detyrë avokatinë e kauzës të drejta të PD pranë administratës së presidentit Trump.

Dy, nuk ka të bëjë me zgjedhjet. Kjo, fare.

Ka një nen, neni 21 i ligjit të partive politike. Nen që autorizon partitë politike të marrin ndihma, mbështetje financiare nga forca të tjera politike, organizata ndërkombëtare partiake politike dhe fondacione.

Pra, kontrata është 100 përqind e bazuar në ligj.

Tre. Populli opozitar nuk është popull jetim. Edi Rama duhet të marrë të gjithë përgjigjet që meriton për ato që i ka bërë Shqipërisë në luftën e tij për një Shqipëri pa opozitë.

Lidhur me milionat që numëroni, mos harroni, kontrata ka një nen, sipas të cilit, palët në çdo rrethanë që do ta konsiderojnë të dobishme për veten e tyre, ndërpresin kontratën.

Prandaj nuk mund të flasësh për 6 milionë, nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë.

Kontrata është në varësi sipas kërkesave të palëve, dakordësisë së palëve, objektivave të palëve.

Por një gjë është e sigurt, populli opozitar nuk ka më një kauzë jetime. Në atë vend të madh, ajo kauzë ka një avokat të madh.

Ja ku e keni, jo 200 mijë euro, 5 milionë euro për eglendisur sytë e Edi Ramës. Blen instalacionin.

Nuk po flas këtu për kontrata prej 10 dhe 15 milionë euro të tij, por po flas vetëm për instalacionin.

Kurse kjo kontratë me avokatin numër 1, ka synim mbrojtjen e kauzave të popullit opozitar nga një narkodiktator. Është narkodiktator Edi Rama.

Ju e patë, edhe rezoluta. Është kllaposur. T’u them unë ju, ishin në takim, ju nuk mund të imagjinoni reagimin e shtetarëve kur ne shpjegonim 130 milionë euro të zhdukura dhe inceneratori nuk ekzistonte. Na duhej t’i ktheheshim të paktën minimumi 3 herë, tua shpjegonim se si dhe pse, sepse firma ishte e Edi Ramës.

Kur ua shpjegonim vrapin e tij me gërshërë të thyera dhe pinca me një krah. Etj., etj.

Pra, kohërat i ka të numëruara.

11 maji fton çdo shqiptar t’i përgjigjet thirrjes së tij të brendshme, t’i përgjigjet idealeve të tij, t’i përgjigjet edhe thirrjeve të miqve evropiane që thonë, të kushtëzohet, pra ia dogjën pasaportën Edi Ramës.

Ajo që del nëpër studio, ajo mori një vijë të kuqe. Iku, mori fund. Nuk ka pasaportë Edi Rama.

Andon Kello, AbcNews: Ka dy qëndrime nga PD për kontratën e lobimit. Selia blu fillimisht theksoi se kontrata është një dhuratë nga një fondacion shqiptaro amerikan, ndërsa ju vetë theksuat në Kuçovë  se PD e ka marrë vetë avokatin. Kush është e sakta?

Sali Berisha: E ka pranuar shërbim. Interpretojeni si të duash. Gjersa ka një shërbim të ofruar, PD i del zot, nuk ka asnjë diskutim. Sepse ai është një fondacion atdhetarësh, patriotësh, që e duan shumë këtë vend, antikomunistësh, të cilët shohin tek Edi Rama një shkatërrimtar të vërtetë të kombit dhe kanë krijuar një fondacion për të ndihmuar PD. Por ata, atë kontratë nuk firmosur për veten e tyre, për të ndihmuar ata veten. Për të ndihmuar ata aq sa çdo shqiptar është fjala. Këtu nuk ka asnjë lloj kontradikte.

Andon Kello, AbcNews: A është kjo kontratë për të hequr non gratën tuaj dhe a përfshihen dhe shërbimet e konsulentit tuaj Chris LaCivita në këtë pagesë.

Sali Berisha: Më vjen keq që e shtron kështu. Ua kam thënë dhe u them ju, me saktësinë më të madhe. Chris LaCivita është i kontraktuar për zgjedhjet, konsulent për zgjedhjet dhe për asgjë tjetër, se në ligje janë të ndryshme.

‘Continental’ është i kontraktuar, avokati të kauzave të drejta të PD, kurse Chris LaCivita është kontraktuar këshilltar elektoral i PD. Nuk lejohet që të bëjnë aktivitete që nuk parashikohen në kontratë. Kjo kontratë është e afishuar në entin federativ amerikan dhe nuk ka asgjë sekrete aty. Lexojeni dhe shikoni çfarë thotë. Është shumë transparente.

Nuk është historia e McGonigalit këtu që jepen paratë në garazh. Nuk është historia e Bilalit, që martohet më Bilalin se duhet të ishte çift. Bëhej gruaja e Bilalit ky që të futej në darkë me Obamën, mbasi aty pëlqehej që çiftet duhet të ishin burra. Nuk është histori e tillë. Nuk ke gjëra të tilla. Këtu ke gjëra të deklaruara në mënyre transparente.

Janë patriotë shqiptarë që kanë krijuar një fondacion dhe që duan që PD të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA dhe Shqipëria të ketë marrëdhënie shumë të mira.

Këtu besoj se është një gjë shumë transparente. Natyrisht unë e kuptoj se u ka djegur shumë disave, u ka djegur.

Lexojeni pak se çfarë thotë rezoluta. Rezoluta thotë se janë përdorur institucione kundër opozitës, akoma më keq kundër pluralizmit për të shtypur pluralizimin. Pra lexojeni pak, është baras diktaturë aty ku synohet të shtypet pluralizmi.

Çfarë thotë tjetër, krimi elektoral i pandëshkuar. Nuk ka ndëshkueshmëri. Kush duhet ta ndëshkojë? Ka një institucion që quhet SPAK dhe i referohet pikërisht SPAK-ut, i cili sipas Edi Ramës është garant kryesor. A e di ti sa kohë po e mbajnë dosjen e McGonigal ata. Është e tëra kryekëput e kontrolluar.  Po të mos mbanin dosjen, Edi Rama do ishte në ishullin Riker. Në ishullin Riker, që ka një burg të famshëm me një histori nga më dramatiket. Aty e ka vendin, se aty është dhe McGonigal që po vuan dënimin.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ajo që nuk sqaroni ju dhe nuk sqarohet në kontratë është, a lobohet dhe për heqjen e non gratës tuaj me këtë kontratë lobimi.

Sali Berisha: Kontrata është publikuar plotësisht. Kontrata është për qëllime, për kauzat e drejta të PD. Pra në tërësi për marrëdhëniet mes PD, Shqipërisë dhe SHBA. Pasi në fakt kjo kontratë nuk është vetëm për PD, është për çdo shqiptar.

Të siguroj se McGonigali do e marrë me vete Ramën. Nuk ka, do e marrë. Rama kudo që shkon është kryeministri që ka dhënë ryshfet 250 mijë euro për të korruptuar opozitën. E ka fajin në kurriz Rama. Rama është njeri që udhëton me thesin e fajit në kurriz.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Kur ju e mbroni këtë kontratë dhe thoni është në të mirë të të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm demokratëve, përse keni dhënë një urdhër të gjithë demokratëve të mos ketë asnjë debat publik.

Sali Berisha: Nuk ka asnjë urdhër për të mos u thënë shqiptarëve të vërtetën e kontratës.

E vërteta e kontratës që i ka djegur kaq shumë Edi Ramës, i ka djegur kaq shumë altoparlantëve të tij të paguar nga mëngjesi gjer në darkë nga Edi Rama dhe mediat, u ka djegur kaq shumë zyrtarëve të krimit.

Unë përkundrazi do të doja që këto t’u përsëriteshin, por përpjekja për të zënë hapësirën mediatike të programit për qytetarët shqiptarë, kjo nuk më pëlqen.

Ju e keni paër vetë, unë kam katër muaj që dal para jush vetëm me program, për program. Sepse ajo është detyra.

Kurse Edi Rama nuk ka program, del me përpjekjen pikërisht për të mbytur hapësirën mediatike me banalitete dhe gjëra që nuk kanë asnjë lloj lidhje me qytetarin.

Ardit Hoxha, EuroNews: Nëse do të marrim 100% të vërtetë atë që ju thoni për kontratën, pse nga PD nuk pati një publikim të kësaj kontrate në momentin e firmosjes. Kontrata është firmosur në datën 4 prill, dhe u prit të bëhej publikimi te FARA në SHBA dhe më pas të merrej nga mediat shqiptare dhe të bënim këtë diskutim. Ju vetë deklaruat se, është një lloj kontrata që PD përmes fondacionit në SHBA e lidhe me avokatin e Trump. Për të bërë krahasimin e këtij raporti që ju lidhni këtë herë me avokatin e Trump dhe që keni lidhur me herët me LaCivita, një tjetër bashkëpunëtor i Trump. Me LaCivita dolët për mediat, ndërsa në këtë rast e mbajtët të fshehtë.

Sali Berisha: Shumë e drejtë pyetja. Sepse nuk ishte PD, ishte fondacioni. Zoti Noka ka firmosur që pranon shërbimin. Po jo palë kontraktuese. Në rast se në rastin me zotin Chris LaCivita ne jemi palë kontraktuese si PD, në rastin tjetër, palë kontraktuese është fondacioni i patriotëve dhe demokratëve shqiptarë.

Ne nuk mund t’i zëvendësojmë ata. Kjo është shumë e thjeshtë. Ne nuk mohojmë qe ne kemi pranuar dhe kemi firmosur të pranojmë shërbimin, por nuk jemi ne palë kontraktuese. Besoj se është e qartë.

Ardit Hoxha, EuroNews: Gjatë ditëve të fundit, pas publikimit të kësaj kontrate, kritikë në media kanë ndjerë një lloj kërcitje të fushatës së PD që nga njëra anë tenton ti afrohet shtresës së varfër me paketën e dhembshurisë dhe nga ana tjetër, po PD ka kapacitete financiare për të lobuar me shuma 6 mln dollarë.

Sali Berisha: Këtu nuk është e vërtetë. PD nuk ka dhënë asnjë qindarkë, është një fondacion që jep paratë.

Por një gjë, edhe sikur PD t’i ketë dhënë nga arka e vet, për kauzën ia vlen çdo qindarkë.

Sepse marrim këtë. Edi Rama zhduk djegësin e Tiranës, vjedh 130 milionë euro dhe vazhdon njëlloj të thuhet se është udhëheqës i shquar.

Kë dënoi me vjedhjen 130 milionë euro? Mos dënoi pasanikët? Asnjërin prej tyre. Të varfrit i dënoi. 130 milionë euro janë 812 mijë pensione.

Prandaj thashë ato mund t’i paguante qindarkë për qindarkë PD për të mbrojtur pikërisht çdo shqiptar, sepse janë bërë… ky është një narkodiktator.

Ky me ato që i ka bërë shqiptarëve, ka përzënë 1 milion shqiptarë.

Unë ta them që çdo lloj shpenzimi për të bërë transparencën, për të bërë anatominë e një narkodiktatori, është e vlefshme për çdo qytetar shqiptar.

Kjo është e vërteta.

Zotëri, a e dëgjove rezolutën.

Të garantoj se ndryshe nga sa mashtron ai, por rezolutat kanë një proces jashtëzakonisht serioz. Në qoftë se ka nja gjë që vështrohet me lupë para se të votohet, është rezoluta.

Jo para se të votohet në seancë plenare, por edhe para se të votohet në komitetin e rezolutave.

Rezolutat janë gjëja më serioze e organizatave ndërkombëtare.

Nuk voton kush gjëra të cilat nuk qëndrojnë. Nuk voton kush.

Ndaj dhe përpjekja e Edi Ramës për t’i zvogëluar këto, është përpjekja e fundit e tij para se të thyejë qafën me datën 11 maj me votën e shqiptarëve.

Osman Stafa, News24: Për hir të transparencës, duke qenë se publikimi i këtij lajmi është bërë çështje diskutimi. A do ishit ju i gatshëm të publikonit emrat e atyre personave që kanë kontribuar tek ky fondacion. Ju thatë se PD nuk ka paguar gjë, dhe në emër të PD-së ky fondacion mund të paguajë për ssa kohë që kontrata është firmosur dhe ju thoni se, nuk ka lidhje me zgjedhjet. Por kjo kontratë lobimit, aq sa është publikuar, është firmosur në emër të koalicionit PD-ASHM.

Sali Berisha: Sepse, kauzat e opozitës së vërtetë janë të njëjta. PD dhe ASHM kanë të njëjtat kauza. Kjo është e tëra. Dmth ky koalicion është dakord se Shqipëria është një narkoshtet, se Edi Rama është një narkodiktator. Se Edi Rama ka vënë në kontroll të plotë drejtësinë. E pe ti si reaguan ata apo jo. E pe. Sigurisht do të ketë transparencë.

Çfarë thotë PPE? Thotë për pandëshkueshmërinë sepse dosjet 184, 339, janë tabelë turpi në qafën e tyre që i mbajnë, shkruhet turp për ata që i mbajnë.

Gjërat po konfluojnë njëra me tjetrën në të dy anët e Atlantikut. Ka një sintoni. Çdo njeri që njeh ligjin amerikan dhe e di që kontrata publikohet në FARA, atë e  merr çdo njeri, nuk ka gjë për të fshehur këtu fare. Por kontrata është mes avokatit të famshëm dhe fondacionit ‘Make Albania Great Again’.

Marsi Korreshi, SYRI TV: Thatë pak më herët disa herë se si po zvarriten hetimet për dosjen McGonigal, ndërkohë një ditë më parë thatë se e keni ngritur këtë çështje edhe gjatë takimeve me liderët e PPE. A ishin të informuar ata dhe cili ka qenë qëndrimi i tyre.

Sali Berisha: Tani me sa kuptova unë nga bisedat, për McGonigalin e dinin të gjithë. Për djegësin e Tiranës, duhet ta shpjegoje tre herë. Atë të McGonigalit, meqenëse ajo ishte lajme ndërkombëtare disa herë, atë nuk kishte njeri që pyeste për ta sqaruar më tutje. E dinin.  Çka do të thotë se Edi Rama udhëton me thesin e 225 mijë dollarëve që i ka dhënë McGonigalit.

Nuk pashë ndonjë që nuk e dinte.

Ajo që ishte shumë e veçantë, ishte djegësi. Po djegësi? Djegësi nuk ekziston. Si??? Djegësi nuk ekziston. U dukej gjëja më e pabesueshme.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Një sqarim sa i takon nenit 21 të partive politike. Me këtë kontratë PD a pranon ndihmë financiare apo është ndihmë në forma të tjera.

Sali Berisha:  Ndihma është përfshirëse. Fondacioni.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: 6 mln nuk janë ndihmë financiare për PD, për ti dhënë konsulencë në SHBA?

Sali Berisha:  Po por, nuk vijnë nga sektorë publikë. Fondacione lejohet. Nuk përcaktohet, është shumë e saktë ajo.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale