Berisha: Ky 8 dhjetor është një kushtrim për çdo shqiptar që të ngrihemi dhe të përmbysim diktaturën e re!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË ‘DITËN E RINISË’: DHJETORI I HISTORISË DHE LIBRAVE

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha mori pjesë sot në aktivitetin përkujtimor të Partisë Demokratike me rastin e 33-vjetorit të Lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, një përkujtim i cili bëhet çdo 8 dhjetor si ‘Dita e Rinisë’. Aktiviteti në selinë e PD këtë vit u titullua “Dhjetori i historisë dhe librave”.

Berisha gjatë fjalës së tij tha se, në histori nuk ka një datë të dytë tjetër, e cila solli për shqiptarët një epokë që ata nuk e kishin përjetuar kurrë më parë. Berisha shtoi më tej se, Edi Rama zhbëri një nga një arritjet e 8 dhjetorit. Rilindja që ai krijoi ishte hakmarrje ndaj demokracisë në emër të etërve të tij.

Berisha tha se, ky 8 dhjetor është një kushtrim për çdo shqiptar që të ngrihemi dhe të përmbysim diktaturën e re. Berisha tha, Edi Rama mblidhet sot se mendon se na impresionon, mblidhet me 8 dhjetor, mblidhet në mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat.

Kryetari i PD, Sali Berisha ftoi rininë shqiptare të ngrihet në mosbindje civile deri në përmbysjen e këtij regjimi. Kryetari i PD tha se, Partia Demokratike do mund ta fitojë këtë betejë dhe do e fitojë, me një kusht të vetëm, angazhimin, mobilizimin e të rinjve shqiptarë, e atyre që kanë mbetur këtu, që i kanë rezistuar gjenocidit të Edi Ramës.

FJALA E PLOTË

Të dashur miq!

Mblidhemi sot në këtë aktivitet për të nderuar 8 dhjetorin e vitit 1990. Datën e cila pas pavarësisë së Shqipërisë pati rolin më përcaktues për kombin shqiptar. Në histori nuk ka një datë të dytë tjetër e cila solli për shqiptarët një epokë që ata nuk e kishin përjetuar kurrë më parë.

Komb i sundimeve qindra vjeçare perandorake, të dominuar nga perandori i mbretërive të themi atë që është, jo konstitucionale, megjithëse të shpallura të tilla i diktaturave më staliniste.

Më datën 8 dhjetor studentët nisën lëvizjen e tyre, lëvizje që do ndante epoka për shqiptarët.

Lëvizja studentore e dhjetorit ’90 ka veçantitë e saj që e dallojnë atë nga të gjitha lëvizjet antikomuniste të vendeve të Europës Lindore. Kjo lëvizje ishte tërësisht lëvizje revoltë e frymëzuar nga idealet e të rinjve studentë shqiptarë. Nuk kishte një parti, nuk kishte një organizatë që i thirri ata, apo i organizoi ata. Ata dolën ballë për ballë me diktaturën falë guximit të tyre epik, dolën ballë për ballë me diktaturën për idealet e tyre të lirisë, të cilën ata nuk e njihnin.

Ata kishin lindur, ishin rritur në diktaturë.

Pra, liria për ta ishte një aspiratë që buronte nga ndërgjegja, nga idealet e tyre. Ata kishin përballë kur dolën në shesh një diktaturë të egër, e cila sado qe e lodhur, por ekzekutonte bashkëmoshatarët e tyre çdo javë në kufi. Dhe jo vetëm kaq, por zvarriste trupat e të rinjve të rënë në sheshet dhe rrugët e qyteteve për të kallur tmerr dhe frikë.

Pra, në këto kushte nisën betejën e tyre studentët dhe atë që jemi gjetur pranë tyre, më datë 9, ne me Besnik Mustafajn, Kujtim Çashkun dhe ndonjë tjetër që nuk e njihja aty u përballëm me një skenë të pa parë ndonjëherë në jetën tonë.

Aty ishte një grup prej 700, 800, mbase edhe 1000 studentë, mbase edhe më shumë, por aty ishte një grup prej 700, 800 apo 1000 heronjsh.

Ne kurrë nuk kishim lexuar, kurrë nuk kishim parë një numër kaq të madh heronjsh, të cilët kishin përballë mjetet më të egra të diktaturës, hanxharët e saj, dhe ata u vërsulën drejt tyre në mënyrë mizore. I rrahën në mënyrën më barbare, por të pathyeshëm, të pamposhtur, ata do mblidheshin përsëri pasdite në betejën kundër diktatorit.

U ndala në këtë moment për të theksuar se guximi është arma mbinjerëzore, është arma tokësore dhe mbitokësore e njeriut. Dhe ata studentë nuk kishin asnjë armë tjetër përveç guximit të tyre. Ata në fakt ishin në vetmi aty, të themi të vërtetën. Ata ishin në vetmi. Ata përveç njëri-tjetrit nuk kishin, ishin në një braktisje në atë rrugë, por nuk u mposhtën.

Sot duhet të jemi realistë. Dhjetori kishte fillimin, ngjitjen, por përjetoi dhe rënien e tij. Kjo është e vërteta. Ndaj edhe ne sot mblidhemi për ta nderuar atë në libra. Asnjë datë tjetër, asnjë ditë tjetër, asnjë lëvizje tjetër historinë e kombit nuk i dha atij mbarësi sa dhjetori.

E nxorri nga honet e mjerimit, honet e izolimit, e anëtarësoi në NATO, e bëri të lëvizë lirshëm në Europë, e  renditi në kombet me të ardhura të mesme të larta. Por siç thotë Jack Goldstone: “Diktatura hakmerret.”

Dhe të paktë ishin ata që e realizuan, pse Edi Rama e quajti Rilindje dhe çfarë nënkuptonte Rilindja e Edi Ramës në zgjedhjet në fushatë elektorale dhe në vazhdim pas viteve 2013.

Rilindja e Edi Ramës në qoftë se nuk u kuptua atëherë, tani është e qartë si drita e diellit. Ishte zhbërja, ishte hakmarrja ndaj demokracisë. Në 10 vite ai ia doli të zhbëjë një nga një arritjet e 8 dhjetorit.

Ai ia doli me vendosmëri të vendosë në Shqipëri një narkokraturë, një diktaturë bande, por një diktaturë po aq moniste sa ishte diktatura komuniste në kulmin e saj.

Ramiz Alia ishte diktator, pa diskutim, por monist si Enver Hoxha nuk mund të kishte një të dytë përveç Edi Ramës sot. Sepse edhe ai kishte ca përreth, të cilët merrnin copëza pushteti dhe i përdornin natyrisht brenda kuadrit. Por i ushtronin ato.

Kur u themelua PD, u bënë përpjekje të mos regjistrohej, por të themi atë që është, u regjistruam.

Pra, sot ka një njeri, një armik të egër të vlerave të demokracisë, dhe ky është Edi Rama që lindi faktikisht monizmin. Rilindi një monizëm kulmor. Një kryeministër që së fundmi rrëmben një nga një të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës, pa lëre më për qytetarët se sa mund të bëhet fjalë. Kjo diktaturë nuk ka kampet e përqendrimit siç kishte diktatura Hoxhiste, as dhe burgjet e mbushura me të burgosur politikë, skuadrat e pushkatimit.

Por kjo diktaturë është faktuar diktatura më genocidale e historisë së kombit shqiptar. Po diktatura komuniste ushtroi genocid ndaj shqiptarëve, por në kuptimin e nenit 3 të Konventës së OKB, përmasat e gjenocidit që shkaktoi diktatura e Edi Ramës, duke krijuar kushte për shpopullimin, largimin e njerëzve, tejkalojnë disa herë diktaturën komuniste. Arrin në 1.1 milionë shqiptarë të braktisin Shqipërinë në 10 vite.

Doktrina e Çubrilloviçit u pasurua nga Edi Rama me elementë shkatërrimtarë si rrënimi i votës, shkatërrimi i opozitës, përdorimi i pushtetit për shkatërrimin e opozitës.

Në këtë kontekst, ne përjetojmë sot rënien e dhjetorit 1990. Ne përjetojmë një diktaturë të re, një diktaturë shkatërrimtare, jo vetëm për vlerat e demokracisë, por për kombin në tërësi. Sot, Edi Rama mblidhet se mendon se na impresionon. Mblidhet me 8 dhjetor. Ai mblidhet në mendësinë e të atit të tij dhe dajës së tij xhelat.

Më 11 dhjetor, zëri më vokal për të përdorur forcën kundër studentëve në plenumin e Komitetit Qendror që u mblodh atë ditë, ishte Baba Pilo, ishte Spiro Koleka, e përdora siç e përdorte Edi Rama. Dhe sot ai ka rikthyer egërsisht pushtetin monist të etërve të tij.

Pra, ky 8 dhjetor që është bërë i pavdekshëm në libra, i pavdekshëm në ndryshimet epokale të Shqipërisë, është një kushtrim për çdo shqiptar, të ngrihemi me sakrifica, me vendosmëri, të përmbysim diktaturën e re, diktaturën e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Por, meqë jemi te librat, duhet të them dy fjalë.

Revolucioni i vitit 1990 është ngjarja më e dokumentuar në historinë tonë kombëtare. Nuk ka një ngjarje të dytë në tërë historinë të jetë dokumentuar siç është dokumentuar pothuajse për çdo orë ky revolucion, që nga dita e parë e fillmit të tij, deri në triumfin e 22 marsit 1992.

Kjo falë dhe një fakti, të themi të vërtetën. Triumfi i tij ishte triumf i masave, por fillimi i tij ishte fillimi i një grupi studentësh dhe intelektualësh, të cilët kanë meritën e veçantë. Përshkruan të gjitha momentet që ata kanë përjetuar gjatë këtij revolucioni. Në këtë kontekst, libri i shkrimtarit Besnik Mustafaj, i pranishëm të nesërmen e fillimit të lëvizjes studentore dhe në vazhdim në çdo moment dhe në çdo kohë, përbën autobiografinë më të shkëlqyer të këtij revolucioni. Përbën njëkohësisht analizën por dhe sintezën e zhvillimeve të tij.

I tillë është libri i publicistit të mirënjohur, Blendi Fevziu. Edhe ai dëshmitar objektiv, pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve.

Të tilla janë publikime të tjera dhe qindra e qindra kujtime të dhjetoristëve për ditët në të cilat ata u shfaqën në horizontin e Shqipërisë si çlirimtarë dhe që merituan vlerësimin si engjëjt e demokracisë apo studentë liberaratorë.

Do ta mbyll këtë fjalë me thirrjen time:” Na përket ne, i përket PD të marrë çdo vendim, të bëjë çdo përpjekje për të organizuar shqiptarët në një betejë pa kthim, në një mosbindje civile pa kthim, gjer në përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar, antidemokratik.”

Do ju rikujtoj vetëm një moment nga takimi me Ramiz Alinë në datën 10 gusht. Ndër të tjera kur i themi se heqja e monumentit të Stalinit është gjë e mirë dhe për Kosovën. Dale, ti Sali thotë, se unë e ti jemi nga pak kosoavrë. Unë i them, jam! Ia kthej atij, kurse ai njëherë thoshte jam herë thoshte s’jam, si ti leverdiste.

Ata kosovarët, tha, shkojnë në OKB, protestojnë atje dhe kërkojnë që edhe Shqipëria të mbrojë Kosovën. Ky ishte pozicioni i Ramiz Alisë në raport me Kosovën në gusht të vitit 1990. Po cili ishte pozicioni i Edi Ramës në këto vite në raport me Kosovën? Pozicioni më armiqësor se i çdo lideri tjetër në Ballkan, përveç Aleksandër Vuçiçit.

Edhe toleranca jonë ndaj këtij qendrimi, të pranojmë haptas, na turpëron, nuk na nderon. Nuk mundet njerëzit patriotë dhe atdhetarë, të pranojnë si pushtetar një armik, një vasal, një argat apo një Pashiq, siç e kanë quajtur të Beogradit në Tiranë.

Të gjitha këto janë thirrje, por 8 dhjetori e ka mesazhin, thirrje për rininë. Dhe PD do mund ta fitojë këtë betejë dhe do e fitojë, me një kusht të vetëm, angazhimin, mobilizimin e të rinjve shqiptarë, e atyre që kanë mbetur këtu, që i kanë rezistuar gjenocidit të Edi Ramës.

U garantoj se nuk ka diktator, nuk ka diktaturë, për më tepër që kjo është një diktaturë e një vendi anëtar të NATO-s, ky është një aberracion i tmerrshëm për aleancën. Aleanca është aleancë e vendeve demokratike dhe kjo është e vetmja diktaturë, çka për ne, e bën edhe më të mundshme përmbushjen e detyrimit tonë për përmbysjen e saj.

Uroj me këtë rast të gjithë ata mijëra e mijëra studentë që me 8 dhjetor nisën lëvizjen e tyre liberatore për Shqipërinë dhe ftoj rininë shqiptare të ngrihet në lartësinë e misionit të ri, sepse një mosbindje masive e dytë civile, apo një revolucion i dytë me mosbindje civile është vendimtar sot për fatin e Shqipërisë.

Faleminderit shumë!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale