FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha në fjalimin e mbajtur në ditën e 297-të të protestës maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ iu drejtua qeverisë së Edi Ramës, duke e cilësuar si fajtoren kryesore për krijimin e një diktature të bazuar në krim, drogë dhe vjedhje të qytetarëve. Berisha vlerësoi qëndresën e mbështetësve të opozitës, të cilët i konsideroi si mbrojtës të lirisë dhe demokracisë. Sipas Berishës, regjimi i Ramës ishte duke u njohur gjithnjë e më shumë si një narkoshtet, dhe ai parashikoi se ky sistem do të përfundonte në turpin e historisë, ashtu si të gjitha diktaturat e mëparshme.
Kryedemokrati, Sali Berisha publikoi një raport të Projektit Botëror të Drejtësisë, duke vënë theksin mbi gjendjen e dobët të sundimit të ligjit në Shqipëri, kjo si pasojë e qverisjes së dobët të qeverisë Rama. Ai argumentoi se, sipas raportit për vitin 2024, Shqipëria renditet më keq se Vietnami komunist dhe Bjellorusia e drejtuar nga Aleksandër Lukashenko. Berisha theksoi se kufizimi i pushtetit në Shqipëri ishte 10 herë më i ulët se në Vietnam, një shtet njëpartiak, dhe se Shqipëria është 6 vende më poshtë se Bjellorusia sa i përket zbatimit të ligjit.
Lideri opozitar, Sali Berisha vijoi me tone të ashpra kritikat e tij ndaj qeverisë së Edi Ramës, duke e krahasuar atë me regjime autoritare të tjerë në botë. Ai theksoi se në fushën e të drejtave civile dhe ndërhyrjes së qeverisë në vendimet gjyqësore, Shqipëria, nën qeverinë e Ramës, qëndron më keq se disa nga diktaturat më të njohura.
Berisha përmendi se, sipas raportit të Projektit Botëror të Drejtësisë, Bangladeshi, gjatë kohës së kryeministres Hasina, qëndronte 13 shkallë më lart se Shqipëria sa i përket ndërhyrjes së qeverisë në vendimet gjyqësore. Ai gjithashtu theksoi se Vietnami komunist respekton më shumë të drejtat civile sesa narkodiktatura e Ramës, duke qenë 5 vende më lart. Në drejtësinë penale, Berisha tha se Shqipëria renditet 4 vende më poshtë se Bjellorusia e Lukashenkos.
Kryetari i PD, Sali Berisha përdori këto krahasime për të argumentuar se qeveria e Edi Ramës përfaqëson një formë më të keqe diktature se ato komuniste në Bjellorusi dhe Vietnam, duke e quajtur atë “narkodiktaturë” të bazuar në krim, drogë dhe vjedhje. Ai e përshkroi regjimin aktual si një nga diktaturat më të egra që ekziston.
Berisha bëri thirrje për një hetim nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA lidhur me shpenzimet prej miliona dollarësh të korruptokratëve amerikanë, të cilët, sipas tij, ndihmuan në krijimin e këtij sistemi të drejtësisë në Shqipëri. Ai gjithashtu i bëri apel Komisionit Europian dhe Komisionit të Venecias që të hetojnë dhe të mos mbështesin një drejtësi të cilën ai e përshkroi si një “sistem monstër”, më i keq se në çdo vend tjetër.
Në fjalimin e tij te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha akuzoi disa figura kryesore të drejtësisë në Shqipëri, duke i cilësuar si pjesë të një organizate kriminale që bashkëpunon me vrasës dhe trafikantë. Ai përmendi emra si Irena Gjoka, Altin Dumani, Arben Kraja dhe të tjerë, duke i konsideruar si simbole të kësaj “drejtësie të kapur”.
Me tone plot entuziazëm, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua qytetarëve shqiptarë për t’u mobilizuar kundër qeverisë dhe veçanërisht kundër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, të cilin ai e akuzon për korrupsion masiv. Ai garanton se barazia para ligjit është një nga qëllimet madhore të Partisë Demokratike dhe thekson se asnjë forcë nuk mund të mbajë në këmbë për një kohë të gjatë “diktaturën e urryer” në Shqipëri.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për një protestë masive nesër në orën 11:00 para Bashkisë, duke kërkuar që qytetarët të përzënë kryetarin e Bashkisë, të cilin e quan “kryehajdut” dhe “monstër njerëzore” për vjedhjen e qindra milionë eurove nga qytetarët.
Berisha ka përfunduar fjalimin e tij me një mesazh të fortë për fitoren, duke përsëritur disa herë se është radha e qytetarëve dhe se fitorja është e sigurt.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më miqësore, më të përzemwrta për ju qëndrestare dhe qëndrestarë të pamposhtur, misionare dhe misionarë të kauzës së lirisë, kauzës së dinjitetit, kauzës së interesit kombëtar të shqiptarëve.
Përshëndetje të përzemërt oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë.
Me protestën tuaj për kauzën që ju mbroni, ju qëndroni në lartësinë e idealeve më fisnike njerëzore.
Idealeve të lirisë, idealeve të dinjitetit.
Me qëndresën tuaj të pamposhtur ju frymëzoni në këtë betejë kundër diktaturë së bazuar në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve, qëndroni pararendës të rikthimit të demokracisë në Shqipëri, të triumfit të opozitës, shtetit ligjor, begatisë së shqiptarëve.
Të dashur miq, çdo ditë që kalon para shqiptarëve dhe botës del gjithnjë më e shëmtuar fytyra e vërtetë, pamja e vërtetë e narkoshtetit shqiptar.
E narkodiktatorit që një ditë falënderon Vladimir Putinin, xhelatin e popullit ukrainas, ditën tjetër falënderon presidenten e Komisionit Europian për negociatat me Shqipërinë.
Çdo ditë që kalon bëhet më i madh numri i shqiptarëve, por edhe i njerëzve të lirë në Europë dhe mbarë botën, se Edi Rama dhe regjimi i tij përfaqëson diktaturën më të shëmtuar, shtetin e vetëm të drogës, krimit dhe vjedhjeve të qytetarëve në Europë.
Çdo ditë që kalon për shqiptarët bëhet e qartë se kjo diktaturë nuk ka të ardhme.
Se kjo diktaturë do përfundojë aty ku kanë përfunduar të gjitha diktaturat, në banesat e turpit të historisë së kombit dhe njerëzimit.
Qytetarë dhe qytetare, si shoqëri shqiptare, në raport me këtë koncept, kemi një problem.
Dhe ky problem qëndron në faktin se një gjeneratë e tërë ka pasur fatin e madh të mos jetojë një ditë në diktaturë.
Kurse gjeneratat para saj, që kanë përjetuar diktaturën më staliniste të Europës, e kanë të rrënjosur në kokë se në diktaturë, si diktaturë e tillë mund të jetë vetëm diktatura komuniste.
Në mënyrë të përsëritur kam cituar para jush një shkencëtar, një historian të madh, Samuel Hantington, i cili pasi studioi diktaturat, gjeti se diktatura e bandave e narkodiktatorëve është forma më e shëmtuar, më e egër e të gjitha diktaturave.
Do më lejoni sonte t’ju sjell për këtë fakte, që një projekt prestigjioz botëror paraqet mbi gjendjen e ligjit dhe shtetit në botë.
Sipas këtij projekti, në vitin 2024, kufizimi i pushtetit në Shqipëri është 10 shkallë më poshtë se në Vietnamin më poshtë.
Pra, miq, edhe Vietnami është shtet njëpartiak, nuk ka opozitë.
Është shtet i monizmit me Kushtetutë, i Partisë Komuniste të Vietnamit.
Megjithatë, edhe pse është shtet partiak, përsëri ndarja midis parlamentit, ekzekutivit, etj, qëndron 10 shkallë më lart se në Shqipërinë e narkoshtetit, ku narkodiktatori kontrollon 10 herë më shumë pushtetet se sa diktatori komunist i Vietnamit komunist.
Të dashur miq, të shohim pak zbatimin e ligjit. Së bashku kemi denoncuar aktet e satelitit të Putinit, Lukashenko.
Por ja që Projekti Botëror i Drejtësisë për vitin 2024, zbatimin e ligjit e nxjerr Bjellorusinë 6 shkallë më lart, më mirë se Shqipërinë e Lukashenkos së Ballkanit.
Për ata të cilët kakarisin nëpër studio, duke bërë si mjeranë me zero karakter, avokatinë apo lejfenin e Edi Ramës, u them pra edhe njëherë, se në zbatimin e ligjit, Bjellorusia e Lukashenkos në shtetin ligjor është 6 vende, 6 shkallë mbi Shqipërinë.
Miqtë e mi, po në të drejtat civile të qytetarëve?
Në të drejtat civile të qytetarëve, vietnamezët në diktaturën komuniste të Partisë Komuniste të Vietnamit, qëndron për respektimin e tyre 5 shkallë mbi narkodiktaturën e Edi Ramës.
Po si qëndron ndërhyrja në vendimet e gjykatave?
Në çështjet civile, Bangladeshi i Hasinasë që e përzunë rinia dhe qytetarët e Bangladeshit, në vendimet gjyqësore dhe ndërhyrjet e qeverisë në vendimet gjyqësore, qëndronte fiks 13 shkallë mbi Shqipërinë e Edi Ramës.
Po në drejtësinë penale, si qëndron Shqipëria e narkodiktaturës në krahasim me diktaturën ideologjike të Lukashenkos?
Përsëri Shqipëria e Lukashenkos së Ballkanit qëndron 4 vende më poshtë se Bjellorusia e Lukashenkos së Putinit.
Pra, kjo është, këto janë tiparet e narkoshtetit të sotëm.
Po ndërhyrja e qeverisë në drejtësinë penale?
Vietnami komunist, Vietnami monist qëndron 8 vende më mirë se Shqipëria e narkoshtetit të Edi Ramës.
Të dashur miq, ju solla këtu disa të dhëna për të kuptuar ju dhe shqiptarët se cila është e vërtetat e diktaturës së krimit, drogës dhe vjedhjeve në Shqipëri.
Ju solla këto të dhëna për të faktuar se diktatura e drogës, krimit dhe vjedhjeve në Shqipëri është disa herë më e keqe se ajo komuniste e Vietnamit, se ajo komuniste e Lukashenkos dhe është forma më e keqe e diktaturës që ekziston.
Por miqtë e mi, paraqita këto të dhëna sot para jush edhe për një arsye tjetër shumë madhore.
Gjithçka paraqita këtu lidhet me raportin e drejtësisë me diktatorin.
Të gjitha këto të dhëna tregojnë se drejtësia e re në Shqipëri është narkodrejtësi.
Është më keq se në Vietnam, është më keq se në Bjellorusi, është më keq se në Venezuelë, është më keq se në çdo diktaturë.
Atëherë, unë u bëj thirrje, i bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të nisë hetim për dhjetëra milionë dollarë të shpenzuara nga korruptokratët amerikanë.
Për të krijuar në Shqipëri sistemin monstër të drejtësisë.
I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë, të mos mbështesë një organizatë kriminale që quhet Skapi i partisë.
I bëj thirrje Komisionit Europian të kërkojë me urgjencë Komisionin e Venecias, të mos mbështesë një instrument të diktaturës. Të diktaturës së bandave.
Të mos mbështesë një sistem drejtësie që nuk ekziston kund në botë, më i keq se në Vietnam, më i keq se në Bjellorusi, më i keq së në çdo vend.
I bëj thirrje, mos dëgjoni korruptokratët europianë, por dëgjoni specialistë, dëgjoni Komisionin e Venecias, dërgoni komisione dhe jo ata që mbi baza korruptive shkatërruan në Shqipëri sistemin e drejtësisë dhe vendosën një drejtësi kryekëput degë të PS.
Vendosën institucione, fytyra e vërtetë e të cilave është Irena Gjoka, është Altin Dumani, Arben Kraja, Millonai.
Janë një bandë kriminelësh, një organizatë kriminale që tregtojnë ligje me vrasës, me trafikantë.
Garantoj shqiptarët se ligji dhe vetëm ligji, barazia para ligjit është qëllim madhor i programit të PD-së.
Garantoj shqiptarët se forcë në botë që të mbajë në këmbë për një kohë të gjatë këtë diktaturë të urryer nuk ka.
Kombet kanë triumfuar gjithmonë mbi diktatorët, pavarësisht kush i ka mbështetur ata.
Nesër në ora 11, të gjithë tek Bashkia. Ta nxjerrim për zverku kryehajdutin e kryeqytetit, këtë monstër njerëzore që ka vjedhur qindra milionë euro qytetarëve shqiptarë.
Ta përzëmë nga Bashkia.
Fitorja është e jona.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Është radha jonë.
Fitore, fitore, fitore!