FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS ELEKTORAL NË QYTETIN E FIERIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në takimin përmbyllës elektoral të PD-ASHM në qytetin e Fierit tha se 11 maji si është dita e fitores së çdo shqiptari dhe fundi i një “nate 12-vjeçare”, që ai e përshkruan si periudhë të errët të qeverisjes aktuale. Berisha përgëzoi qytetarët për ringjalljen e shpresës dhe ëndrrës shqiptare, veçanërisht tek të rinjtë. Kryetari i PD akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama dhe qeverisjen e tij, për varfërim, emigracion masiv dhe trashëgimi të dhunshme politike.
Lideri Opozitar, Sali Berisha deklaroi se sot opozita përfaqëson shumicën morale dhe politike të shqiptarëve, ndërsa qeveria aktuale është pakicë e korruptuar që kryen krime kundër qytetarëve. Ai theksoi se shqiptarët janë të bashkuar për fitoren më 11 maj dhe premton rritje të pensioneve, pagës minimale dhe dinjitet për pensionistët, punëtorët dhe të sëmurët. Berisha iu përgjigj me mesazh një dhëndri nga veriu, duke i thënë se çdo shqiptar që beson në liri, familje dhe dinjitet është me opozitën.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim total në ditët e fundit para zgjedhjeve, duke prezantuar një program që synon ringjalljen e ekonomisë, mbështetjen e bizneseve dhe fuqizimin e të rinjve. Ai premtoi lehtësime për bizneset e vogla e të mëdha, rritje të subvencioneve për fermerët dhe politika për kthimin e të rinjve nga emigracioni, si grante, kredi të buta dhe përjashtim nga taksat për 5 vite. Me tone të forta emocionale, lideri demokrat theksoi se “kombit i kemi borxh rininë” dhe angazhohet për dyfishimin e buxhetit për arsimin, modernizimin e shkollave dhe mbështetje për çiftet e reja. Sipas Berishës, ky është programi që bashkon të gjithë shqiptarët për një të ardhme me dinjitet, mirëqenie dhe shpresë.
Kryetari i PD, Sali Berisha e akuzoi Edi Ramën për mungesë guximi dhe transparence, duke theksuar se ai nuk përballet me qytetarët pas 12 vitesh qeverisje. Sipas Berishës, Rama fshihet pas spektakleve, shfaqjeve të bashkëpunëtorëve dhe lukseve që simbolizojnë korrupsionin galopant të qeverisë, si djegësi i zhdukur i Fierit, udhëtimet e shtrenjta dhe shpenzimet marramendëse.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve, duke e cilësuar 11 majin si ditën e fitores së shqiptarëve kundër një regjimi të pafytyrë dhe të padenjë. Ai e quajti programin e opozitës si më të mirin që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Fierit, Lushnjës, Roskovecit, Patosit dhe të gjithë të këtij qarku të bekuar, përshëndetjet më të përzemërta, nderimet e mia më të mëdha për ju, njerëz të mrekullueshëm të këtij qarku.
I dashur z.Gazment Bardhi, udhëheqës politik i PD-ASHM në qarkun e Fierit.
Të dashur kryetarë të PD të degëve të këtij qarku. Të dashur kandidatë për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë. përfaqësues dinjitozë të qytetarëve të qarkut të Fierit dhe të mbarë Shqipërisë. krenari e vërtet për Fierin, PD dhe Shqipërinë.
Shpreh kënaqësinë e madhe, sepse vij sot tek ju, pasi ju burra dhe gra, djem dhe vajza të këtji qarku dhe në mbarë Shqipërinë, e zgjuat në zemrat dhe mendjene shqiptarëve shpresën që po venitej. Rikthyet tek ata shpresën e madhe.
Rikthyet tek të rinjtë shqiptarë ëndrrën e tyre të bukur shqiptare. Rikthyet në rrugë dhe sheshet e këtij vendi, në zemrën dhe mendjet e shqiptarëve, dritën e fitores më 11 maj. E fitores historike, e ndarjes sonë nga një periudhë ndër më të pamerituarat në histori nga një regjim që, në 12 vite shkretoi Fierin dhe Shqipërinë, më shumë se çdo luftë, çdo pushtim, çdo fatkeqësi natyrore në të gjitha kohërat, nga një regjim, i cili në vend që të mundësonte që shqiptarët nga viti në vit të jetonin më mirë me punë dhe djersën e tyre, bëri që ata të varfërohen, sofra e tyre të pakësohej gjithnjë e më shumë dhe alternative e vetme u mbeti atyre, të marrin rrugët e dheut nga një regjim, kryeministri i të cilit, kur erdhi 12 vite më parë në pushtet, e keni parë, mos e harroni kurrë, kalonte krenarisht nga një studio televizive në një studio tjetër, duke iu treguar qytetarëve të vet hekurat, për t’u faktuar se është biri i një xhelati, që urdhëronte varjen e disidentëve dhe që në një vit, arrestoi 37 mijë shqiptarë për kauza për çështje civile, për të cilat nuk arrestohet kush në botë.
Miqtë e mi!
Kjo natë 12-vjeçare e ka një fund, dhe fundi i saj është fitorja e çdo shqiptari më 11 maj!
Shqiptaret dhe shqiptarët pas një nate të tillë, u ngritën si feniksi nga hiri në zenit dhe vijnë sot më të sigurtë se kurrë në fitoren e tyre plebiçitare, fitoren e çdo shqiptari, fitoren e Fierit dhe të Shqipërisë.
Rrofshi ju, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria!
Pra, sot ju, qytetarë dhe qytetare, opozitarë dhe opozitare, kudo që jeni, keni në duart tuaja më të mrekullueshmen, më të shumëpriturën, më madhështoren, fitoren, fitoren, fitoren!
Në 8 ditë e netë, ju do ta shëtisni atë në çdo votër shqiptare, në çdo mendje në çdo zemër, ajo s’është e jona, është e të gjithë shqiptarëve. Ajo është, e të gjithë atyre që i thonë dinjitetit njerëzor dinjitet, që i thonë lirisë, liri. Të gjithë atyre që, besojnë tek familja dhe vlerat e saj, që besojnë tek Shqipëria dhe vlerat e saj.
Miq, e vërteta është se, sot me programin e Fierit madhështor dhe programin e Shqipërisë Madhështore, shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre. Ndaj dhe, këto 8 ditë duhet të bëjmë natën ditë, fjalën mjalt, të trokasim në çdo zemër për t’u bashkuar në një moment epik për kombin, në një moment që ne ndajmë epokat.
Një djalë nga veriu më shkruante sot në një mesazh. Me thoshte: unë u martova në Fier me një vazjë nga Fieri, por problemi im është se, krushqia është e majtë. Dhe më thotë se ne nuk i votojmë ata, se ata janë pakicë, se ne s’kemi pse t’i votojmë. Dhe ai më pyet, çfarë t’u them unë atyre?
Tani unë këtu para jush, dua t’i jap një përgjigje krushqisë së këtij dhëndri nga veriu.
Sot, Opozita nuk është më kurrë pakicë. Sot, çdo shqiptar i cili konsideron dinjitetin njerëzor si shtyllë kryesore të lirisë dhe ekzistencës së saj, është për opozitën. Dhe ju, të dashur familjarë të këtij dhëndri demokrat, jeni me Opozitën.
Ju, jeni me Opozitën, sepse, në rast se, në familjarët tuaj keni të moshuar dhe pensionistë, Opozita më 11 maj, në 100 ditët e para u rikthen dinjitetin pensionistëve të familjes suaj dhe të të gjitha familjeve shqiptare.
Në 100 ditët e para, në një akt respekti, detyrimi madhor ndaj tyre, detyrimi madhor për kontributin që ata kanë, në një akt mirënjohjeje për çfarë ata kanë bërë për Fierin dhe Shqipërinë, ne vendosim minimumin jetik për çdo shqiptar, 200 euro.
Ne, vendosim pensionin minimal 200 euro. Ne, vendosim statusin e minatorit për çdo qytetar të ëktij qarku që ka punuar në naftë.
Ne, vendosim rrogën minimale 500 euro.
Ja pra, të gjitha ata që janë me këto, janë me shumicën. Ne jemi sot shumica e shqiptarëve. E di kush janë pakicë sot?
Pakicë janë: Edi Rama, Lubi Balluku që plaçkisin, grabisin.
Ju, pensionsitët, rrogëtarët, mjekët, mësuesit, naftëtarët u grabisin me miliarda euro dhe pastaj bëjnë fushatën alla Zegjineja, apo Zeqirie, si quhet kjo.
Jo, të dashur familjarë të dhëndrit, ju jeni me ne. Sepse ju, nuk mund të mohoni, se të trajtosh pensionistin me një pension që, nuk i mjafton as për kafshatën. Të trajtosh pensionistin me një pension që nuk blen dot ilaçet, është krim.
Padiskutim që, ju jeni me ne. Se, të lesh të sëmurët në spital Onkologjik, pa ilaçe dhe të lash makinën, siç bën Lubia me 10 mijë euro në muaj është krim kundër njerëzimit.
Dhe asnjë fierak apo fierake, asnjë shqiptare dhe shqiptar i dnershëm, nuk mund të jenë me ata që kryejnë krime kundër njerëzimit, krime kundër shqiptarëve.
Miqtë e mi, 8 ditë kanë mbetur, ndaj dhe ne, të trokasim tek çdo qytetar, tek çdo biznesmen i Fierit. Të garantojmë atë, se pavarësisht nga bindjet e tij, ne kemi vetëm një qëllim: suksesin e biznesit të tij. Kemi një qëllim: zgjerimin e biznesit të tij, punësimin e të tjerëve në biznes.
Në këtë kontekst, bizneset e vogla, 100 ditët e para do të paguajnë energjinë, pas 100 vitëve vetëm 6 lekë kilovati. Hapësira publike 5 herë më lirë. Tarifa e ujit do të përgjysmohet. Bashkitë nuk do mund të vendosin kurrë, kurrë, taksa dhe tarifa më shumë se 1% të xhiros. Do ketë kredi të buta për start up-e dhe biznese të vogla. Bizneset e mëdha, do kenë një aleat të vërtetë tek qeveria e ardhshme. Tatim-fitimi më i ulëti në Europë. TVSH-ja, 15%.
Po kështu, le t’i them këtij dhëndrit, se nuk më tregoi: e kishte në qytetat apo në fshat krushqinë? Në rast se, jeni fermerë, qeveria e ardhshme për çdo fermer të Fierit, Lushnjës, Shqipërisë, do të japë 5 heër më shumë subvencione. Për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njesi prodhimi.
Nuk bëjmë asgjë tjetër, veçse ju barazojmë me fermerët e vendeve përreth.
Ja pra, se ky program është programi më bashkues i shqiptarëve. I bashkon ata në dinjitetin njerëzor, i bashkon ata në punësimin, i bashkon ata në mirëqënien, në i bashkon ata në kujdesin shëndetësor, i bashkon ata në shkollimin e fëmijëve të tyre. I bashkon ata, në një qëllim tjetër madhor, sublim. Rikthimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në moshën e rinisë së tyre.
Kombi ka humbur rininë, kombi ka humbur moshën e rinisë. 600 mijë të rinj u larguan në 10 vite.
Mos harroni! Çfarëdo që të jeni, demokratë, socialistë, të paparti, mos harroni se, sot ne takohemi njëri me tjetrin duke qenë kombi me lindëshmërinë më të ulët në botë, për shkak të emigracionit.
Çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se, duhet të bëjmë çdo gjë për t’i rikthyer të ardhmen këtij vendi, për të rikthyer rininë.
Qyetarë dhe qytetare të Fierit, atdhetarë, patriotë, me këtë program, ne do kthejmë qindra e mijëra shqiptarë që morën rrugët e dheut këto 10 vite. 5 vite pa asnjë qindarkë taksa. Kredi të buta për strehimin e tyre, për biznesin e tyre.
Shqipëria ka nevojë për ëndrrën e tyre. Ëndrra e tyre është e ardhmja e Shqipërisë.
Këta të rinj, i garantoj se, shkollat e tyre do modernizohen. Se, buxheti për arsimin do të dyfishohet. Se, nuk do të ketë pengesë për universitet për mesatare dhe për asgjë tjetër. Dhe se pas përfundimit, do paguhen sigurimet shoqërore, tek çdo punëmarrës që punëson të rinjtë.
Do financohen me grante dhe kredi start up-et e tyre. Dhe një çati, shteti do ua garantojë çifteve të reja, me një grant 30 mijë euro. Po, po.
Të mos harrojmë se, kombit i kemi borxh rininë. Ndaj dhe, asgjë në botë nuk do mund të na pengojë pa kthyer kombin shqiptar në moshën e rinisë së tij.
Por, miqtë e mi, nata 12 vjeçare vazhdon edhe këtë muaj në formën më të shëmtuar.
A e shihni ju, një njeri që ka qeverisur 12 vjet, dhe nuk del dot para jush t’ju numërojë një sukses të vetin. Nuk del dot! Ka 3 muaj që ju flet për kënetë, për buf. Ka 3 muaj që, sillet si hokatar, si klloun nga skena në skenë dhe që refuzon, burreci 2 metra i gjatë nuk guxon të ballafaqohet para jush, në studiot televizive, apo në sheshet e qyteteve.
Jo vetëm kaq, por urdhëron edhe Zegjinetë e tij, mos pranoni konfrontim, ballafaqim.
Mos pranoni debatet me këto zonja dhe zotërinj, të cilat janë detyrim absolut qytetar, zyrtar, moral, ligjor. Ai që vjen me të kërkuar votën, duhet të ketë kurajon të dalë para teje. Duhet të ketë kurajon të paraqitet me të gjitha arritjet dhe dështimet e tij tek ju.
Por, ai në vend të debatit, në vend të transparencës paraqet vallet e Lubi Ballukut, piskamat e Zegjinesë, dhe së fundmi Lamborghinin e Noizit.
O miq, po Lamborghini i tij kushton miliona. Ai ta gëzojë, se e ka nga fitimet e tij me këngën, por ai nuk është pension. Por, ai kushton sa 10 mijë pensione, sa 50 mijë pensione, siç kushton djegësi i Tiranës, i zhdukur, 130 milionë.
Ja, t’i them edhe njëherë, krushkut të nderuar të demokratit. Po si mund të jesh ti me atë, që ka zhdukur ka zhdukur 130 miionë euro. Taksat tuaja, pavarësisht çfarë je, demokrat, socialist, i pa parti, po ajo është puna dhe djersa jote. Ku janë 130 milionë euro? Ku është djegësi i Fierit që e shëtitën vërdallë, dhe sot është një llamarinë që nuk punon? Ku janë, 120 milionë euro të Beketit? Ku janë, 21 milionë euro udhëtime me avion taksi?
Ku janë, 33 mijë euro shishja e Romanee Contit?
Prandaj dhe, urdhri, mos dilni para qytetarëve. Mos u ballafaqoni me qytetarët. Por, ai që fshihet është më i ligu, më i keq se ai që bën, është ai që fshihet.. se ai është pa kurajo fare. Ai, edhe ka bërë, edhe kurajo s’ka.
11 maji po vjen. Edi Rama është fundi yt!
Miq, e mbajta këtë fjalim, duke dialoguar me një të panjohur. E bëra edhe nga dëshira ime e zjarrtë që kam, të mos mbaj fjalime, por të takoj vetëm qytetarët, të diskutoj me ta, të arsyetoj me ta dhe kam bindje se, ky është programi më i mirë që Shqipëria ka patur ndonjëherë.
Kam bindje se, ky program është i Fierit madhështor dhe Shqipërisë madhështore, në 8 ditë.
Fitorja është në duart tuaja.
Fitorja pret që ju ta çoni në çdo zemër shqiptare.
Rrofshi ju, rroftë Fieri, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!