Berisha: Këtu në Durrës u zhvillua disfata e parë e Edi Ramës, nderim për ato gra që e bojkotuan! Premtimet tona janë kontrolluar nga fondacionet më serioze të globit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE PËR QARKUN DURRËS

EKSTRAKT

Në fjalimin gjatë prezantimit të kandidatëve të ‘PD-ASHM’ për qarkun Durrës, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, ka falëndëruar qytetarët për mbështetjen dhe i ka cilësuar ata si simbol të fitores së opozitës dhe përmbysjes së “diktaturës së drogës dhe krimit.” Berisha theksoi se ekipi i kandidatëve të PD ishte më i miri që Durrësi ka parë ndonjëherë.

Kreu i PD, Sali Berisha solli në rikujtesë se Durrësi ka qenë një prej vendndodhjeve të disfatës së parë për Edi Ramën, kur gratë bojkotuan një aktivitet të tij. Ai e quajti Ramën mizogjen dhe falënderoi gratë që nuk morën pjesë, duke i cilësuar ato si nëna të vërteta shqiptare. Berisha përmendi edhe çeljen e fushatës së PS në Tiranë, ku qytetarët e braktisën Ramën dhe e lanë të fliste vetëm në sheshin Skënderbej.

Kryetari i PD, Sali Berisha i drejtua kryeministrit Rama, duke e quajtur të pashpresë dhe duke thënë se ai merret me vendosjen e nofkave ndaj Chris LaCivita-s, arkitektit të rikthimit të opozitës shqiptare. Berisha ironizoi se shumë shpejt Rama do të mësojë që Disney është në mbështetjen e opozitës, duke nënkuptuar se kreativiteti dhe forca politike janë tani në anën e opozitës.

Kryetari i PD, Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur atë të pashpresë dhe duke e akuzuar për manipulime me mediat, shmangie të përballjes me qytetarët dhe përpjekje për të hutuar publikun me propagandë. Berisha tha se qytetarët po përballen me braktisje të plotë, sidomos ata me aftësi ndryshe, pensionistët dhe shtresat në nevojë.

Në lidhje me premtimet e opozitës, Berisha u shpreh i sigurt se ato janë 100% të realizueshme dhe të kontrolluara nga fondacione dhe ekspertë të njohur ndërkombëtarë. Ai premtoi se pas 11 majit, opozita do të sjellë ndryshime përmes paketës së dhembshurisë, duke rikthyer paratë e qytetarëve përmes rritjes së pensioneve, pagave dhe mbështetjes sociale. Berisha premtoi rritje të pagës minimale në 500 euro, pagës mesatare në 1200 euro dhe pagës së mësuesve në 1500 euro. Ai gjithashtu njoftoi krijimin e një karte konsumatori, që do t’u mundësojë qytetarëve të blejnë ushqime 20% më lirë.

Lideri i Opozitës, Sali Berisha, gjithashtu denoncoi abuzimet me fondet e shëndetësisë, duke theksuar se shqiptarët mund të bëjnë analiza mjekësore vetëm gjatë 20 ditëve të para të muajit, për shkak të vjedhjeve me PPP-të. Berisha akuzoi Edi Ramën për bashkëpunim me kriminelët dhe vjedhje të ilaçeve në Spitalin Onkologjik, duke premtuar se kjo situatë do të marrë fund brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së opozitës. Ai premtoi lista rimbursimi sipas modelit italian, ndalim të barnave të pasigurta dhe analiza falas dy herë në vit për pensionistët.

Berisha gjithashtu paralajmëroi se për çdo votë të manipuluar, ata që prekin zgjedhjet do të përballen me dënime shtesë. Ai theksoi se Shqipëria mund të jetë madhështore vetëm nëse ka një ekonomi të fortë dhe mbështetje për rinovimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit. Kryetari i PD premtoi ulje të taksave, përfshirë TVSH-në dhe tatimin mbi fitimin, si dhe mbështetje për të rinjtë dhe gratë që duan të fillojnë biznese.

Berisha kritikoi qeverinë për padrejtësitë që qytetarët e Durrësit dhe ata që u goditën nga tërmeti i vitit 2019 kanë përjetuar. Ai premtoi që prioriteti i qeverisë do të jetë përfundimi i rindërtimit dhe ndihma për ata që kanë humbur shtëpitë dhe jetesën. Përsa i përket legalizimeve, Berisha njoftoi se të gjitha dokumentet që Edi Rama i përdor për të mbajtur peng qytetarët, do të shpallen si dëshmi pronësie dhe legalizime, dhe se brenda katër viteve do të zgjidhen përfundimisht të gjitha dosjet e pronarëve dhe detyrimet ndaj qytetarëve.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha i bëri thirrje qytetarëve të Durrësit dhe të gjithë shqiptarëve që të mbështesin ndryshimin dhe rotacionin politik. Berisha theksoi se kjo është koha për ndryshim dhe se koalicioni opozitar është i angazhuar për një Shqipëri më të mirë, më të zhvilluar dhe me një ekonomi të qëndrueshme për të gjithë qytetarët.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare e qytetarë, banorë të mrekullueshëm të Durrësit dhe rrethit të Durrësit, të pranishëm në këtë sallë, në qytet, në Shqipëri dhe kudo që jeni.

Duhet të përulem me mirënjohjen më të pakufishme, me nderimin më të madh ndaj jush, qytetarëve të këtij qyteti.

Energjia, entuziazmi i shpirtit dhe zemrave tuaja për vërshon sot në të katër anët e Durrësit dhe Shqipërisë.

Ju jeni tashmë simboli i fitores më të thellë të opozitës shqiptare.

Simboli i triumfit.

Simboli i ndarjes së shqiptarëve nga e keqja. E përmbysjes së diktaturës së dytë, diktaturës së drogës dhe krimit.

I dashur zoti Oerd Bylykbashi, udhëheqës politik i qarkut të Durrësit, i dashur zoti Genti Strazimiri, udhëheqës politik i Krujës dhe Fushë Krujës.

Të dashur drejtues të degëve të Durrësit, Sukthit, Krujës, Fushë Krujës dhe Shijakut.

Një përshëndetje të përzemërt për ju, por shpreh gjithashtu dhe unë krenarinë time me këto zonja dhe zotërinj, që do u përfaqësojnë ju.

Shumë herë kam paraqitur në këtë qytet përfaqësuesti tuaj, por kurrë një ekip të tillë të mrekullueshëm, një ekip qytetarësh të përkushtuar, një ekip që e do Durrësin dhe Shqipërinë si këta nuk kemi pasur.

Miqtë e mi, java që lamë pas ishte java e mbarësisë së madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ishte java në të cilën ju, opozitaret dhe opozitarët, që përjetuat 12 vite një regjim narkodiktatorial, një regjim që varfëroi dhe shkretoi Shqipërinë më shumë se çdo pushtim tjetër, u dëshmuat qytetarë të fitores, të fitores, të fitores.

Në rrugët e Durrësit, në sheshet e tij, në fshatrat e këtij qarku, ndjehet, fryn era e fitores tuaj.

Buron nga shpirti, nga zemra e njerëzve të lirë, njerëzve të pamposhtur siç jeni ju.

Po a e dini ju o qytetarë të mirë se këtu në Durrës filloi, këtu në Durrës në një nga sallat e Durrësit, u zhvillua disfata e parë e Edi Ramës.

Aty ai mblodhi zonjat, nëna, motra, gra, dhe donte të tregonte para shqiptarëve se epërsia e tij, ky mizogen që është kryeministri më mizogen i Europës.

Donte të paraqitej se kam mbështetjen masive të grave.

Çfarë i ndodhi? Gratë e bojkotuan. Kishte parashikuar aktivitet kombëtar. Meqenëse nuk e kam në iPad, por e kam në telefon, nesër do publikoj se çfarë tha ai pas dështimit me gratë në Durrës.

Ai u tha bashkëpunëtorëve të tij, epo kjo nuk na shkoi mirë, na pa syri i keq. Në fakt, syri i keq më i keqi është ai.

Një nderim të gjitha për ato gra dhe vajza që e bojkotuan atë. Ato nëna dhe motra, ato nëna të cilave ua hoqi fëmijët nga sofra dhe i detyroi t’i nisin në rrugët e botës se nuk u del kafshata.

Ato nëna të cilave ua ndërpreu fëmijëve shkollën me mesataren e tij.

Ato nëna, fëmijëve të të cilave u ofroi drogën dhe krimin.

U treguat nëna të vërteta shqiptare që e bojkotuat.

Miqtë e mi, por e nesërmja në Tiranë. Ia thanë sheshin. Qytetarët e Tiranës ia thanë sheshin Edi Ramës.

Nderim, nderim socialistëve të Tiranës, nderim qytetarëve të Tiranës që e lanë të flasë me vete në sheshin Skënderbej narkodiktatorin dhe i dhanë atë që meritonte.

Edi Rama, je i pashpresë.

E di ti se e bitise siç e meriton.

Ka dy ditë dhe net që nuk fle dhe merret duke i vënë nofka të ndryshme gjigantit, gjeniut, bashkëgjeniut të rikthimit më të madh në histori, Chris LaCivitas.

Arkitektit të rikthimit të Sali Berishës dhe opozitës shqiptare në pushtet.

Edi, prit se do marrësh vesh prapë se kush përfaqëson tani anën kreative.

Kur të marrësh vesh se Uollt Disney është në mbështetjen tuaj, bëhen pluhur të gjitha mashtrimet e tij.

Miq ndaj dhe unë u thashë ju, ju sot jeni simbol i fitores, ndershmëria juaj, qëndresa juaj, shpirti juaj i mirë është simbol i asaj që do arrijmë ne.

Prej dy muajsh përballen dy alternativa.

Përnballet një alternativë, e cila pasi ka plaçkitur dhe grabitur 12 vite qytetarët shqiptarë, pasi ka mashtruar ditë e natë dhe nuk ka mbajtur dot asnjë premtim, përpiqet të fshihet pas zhabave, hardhucave, avertebrorëve, reptilëve, dhe beson se në këtë mënyrë ai do t’u hutojë ju. Në këtë mënyrë ai do u shpërqendrojë. Në këtë mënyrë qytetarët nuk do pyesin se çfarë programi ka për jetën time, për punën time, për shëndetin tim, për fëmijët e mi, për mirëqenien time, për të ardhmen e Shqipërisë.

Këto për të nuk ekzistojnë.

Ekziston vetëm përpjekja e turpshme, e shpifur për të mashtruar qytetarët, për të mbyllur ekranet televizive.

A e di ju, sot një bashkëpunëtor i imi më njoftoi, ‘mi anuluan dy studio ftesat, më thanë se ka urdhëruar Rama, nuk vijnë socialistët’. Nuk dalin dot, nuk përballen dot se kanë vetëm mashtrime, se kanë vetëm vjedhje, se kanë vetëm mëkate.

Janë shkëputur, jetojnë në një realitet të paqenë. Jetojnë në një realitet që të trishton, të jep dhimbje në zemër.

Sot unë takova një grup përfaqësuesish të qytetarëve me aftësi ndryshe. Ato që ata deklaronin aty, në shumë aspekte janë të pabesueshme. Nga viti 2013, jo vetëm që nuk ishte shënuar asnjë përmirësim, por ishin ulur. Merrnin 100 mijë lekë kujdestari. Çfarë të bëj unë, tha burri i botës i nderuar, tani më japin 20 mijë lekë. Po çfarë kujdestarie mund të bëj me 20 mijë lekë unë?

Naftën jo vetëm ua kishin përgjysmuar, por ulur me pesë herë.

Një i ri, i lindur me shikim të humbur, mbante frymën me 14 mijë lekë.

Pensionistë të tjerë me 70 mijë lekë. Braktisje, braktisje dhe vetëm braktisje ishte ajo që të vinte në mend.

Duhet të mos kesh zemër njeriu, të mos kesh ndjenja, të mos jesh prind, të mos jesh baba, të mos jesh gjysh, të lësh 760 mijë pensionistë të flasin me vete për kafshatën e gojës dhe ilaçet, siç i lë Edi Rama.

E kam thënë shumë herë, do e them kudo, si mundet t’u marrësh qytetarëve 8 miliardë euro taksa dhe t’u japësh këtyre burrave dhe grave fisnikë, që me djersën dhe mendjen e tyre kanë prurë Shqipërinë gjer këtu, 16 milionë euro.

Nuk ka mallkim që nuk meriton, nuk ka sharje që nuk meriton.

Ndaj dhe ne ndalemi këtu, tek paketa e dhembshurisë.

Ndaj dhe ne ndalemi këtu, me vendimin solemn, me zotimin para jush se paratë para së gjithash, taksat tuaja do ua kthejmë ju në rroga, pensione, shërbim shëndetësor, arsim dhe investime.

Nuk do ketë pension në Shqipëri nën 200 euro.

Nuk do ketë shqiptar që do firmosë më pak se 200 euro.

Jo! Pensionet mbi 200 euro do rriten 20 përqind.

Rrogat minimale do rriten nga 400 në 500 euro.

Rrogat mesatare do rriten në 1200 euro.

Rrogat e mësuesve do rriten në 1500 euro.

Po, po. Do ua kthejmë ju njëherë paratë se paratë janë tuajat, nuk janë për t’u zhgërryer në luksin e neveritshëm qeveritarët.

A e patë se si dolën tek hidhnin vallen e hajdutëve me aksesorë dhjetëra mijëra euro?

A e patë se si dolën?

Kthimi i parave tek ju është detyrim i parë dhe më madhor i qeverisë pas 11 majit.

Në 100 ditët e para, paketa e dhembshurisë do jetë ligj, do jetë në fuqi.

Dhe jo vetëm aq, ne u premtojmë shqiptarëve kudo që janë se përveç 200 eurove minimum jetik, do kenë kartën e konsumatorit.

Karta e konsumatorit do të thotë se rrogëulëtit, pensionistët, ata që janë në ndihmë ekonomike, të tjerët që janë të papunë, ushqimet do i marrin 20 përqind më lirë. Shteti do u kthejë atyre paratë.

Unë jam mjek, por nuk është nevoja të jesh mjek të shohësh dramën çnjerëzore të asaj që është më fisnikja, të asaj që është më humania, të shëndetit shëndetësor.

Të dashur miq, ai që flet për hardhuca dhe zhapinj, ai nuk e shqipëron dot fjalën kujdes shëndetësor.

Çfarë ndodh sot?

U njoftoj lajmet e fundit. 10 ditët e fundit të çdo muaji, spitalet, njësitë ambulatore nuk bëjnë dot asnjë analizë sepse paratë i vjedh PPP-ja e analizave me Edi Ramën.

E paimagjinueshme.

Ndërpriten me urdhër.

Pra, shqiptarët mund të bëjnë analiza vetëm 20 ditët e para, të tjerat të gjitha nga xhepi.

Turp, hajni e paimagjinueshme!

Çfarë ndodh me ilaçet? Një kryeministër që e pranon se janë kryer krime kundër njerëzimit me të sëmurët në Spitalin Onkologjik, se janë lënë pa mjekim në mëshirë të sëmundjes së pamëshirë, dhe nuk merr asnjë masë, është bashkautor në vjedhjen e ilaçeve të tyre.

Jam sot këtu për t’u zotuar para shqiptarëve se 100 ditët e para kjo gjendje merr fund, përmbyset dhe vetëm përmbyset.

Jam këtu për t’u zotuar se lista e rimbursimit do jetë lista e rimbursimit që ka republika italiane.

Nuk barazohemi dot në rroga me ta, nuk barazohemi dot në mirëqenie me ta, por në hallin e jetës do barazohemi me ta dhe do paguajmë ato ilaçe që paguajnë ata.

Në Shqipëri nuk do futet dot asnjë ilaç që nuk është shitur dhe nuk shitet në dy vende anëtare të BE.

Firma Nushi dhe Doshi do të shkojnë para ligjit të dyja.

A e dini ju se Vilma Nushi, gruaja e kushëririt të Edi Ramës, që ndan paratë me Edi Ramën, ka përjashtuar nga checkupi pensionistët.

Ua them unë, unë jam mjek, asnjë vend në botë nuk paguan checkupin.

Por ka një moral që pensionistëve për shkaqe tashmë të njohura, dy herë në vit t’ua bësh falas analizat. Dy herë në vit do kenë falas analizat.

Ne kemi program dhe ne do t’u bëjmë ju krenarë me programin me të cilin do trokisni në çdo dorë tek shqiptarët.

Lërini ata me zhapinj dhe hardhuca.

Socialistë dhe socialiste, bashkohuni me demokratët, bashkohuni të heqim këtë të keqe të madhe.

Ky është program për të gjithë shqiptarët.

Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë kurrë e tillë nëse ne flemë mbi vuajtjen, mbi dhimbjen, mbi lëndimin.

Por përsëri Shqipëria Madhështore nuk është një projekt në qoftë se ne nuk garantojmë një ekonomi të fortë.

Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim në të katër anët e Shqipërisë.

Rroga të larta, prodhim dhe vetëm prodhim.

Shqipëria është vend i bekuar me rezerva të jashtëzakonshme, nëntokësore, mbitokësore, turistike dhe të gjithanshme.

Shqipëria po rrokulliset, narkoeuro ka rrëzuar përtokë ekonominë e saj.

Merr fund!

E gjithë filozofia jonë o qytetar është tek besimi që kemi tek fuqia jote si njeri i lirë për të ndërtuar ekonominë, për të ndërtuar mirëqenien.

Ne besojmë tek iniciativa juaj e lirë, pasuritë publike do i shndërrojmë në pasuritë tuaja.

Paratë, të ardhurat do i shndërrojmë në rrogat dhe pensionet tuaja.

Taksat do i përgjysmojmë kudo, dhe më shumë se përgjysmim.

Jam këtu për t’u zotuar para jush se taksa 10 përqind do jetë ndër firmat e para që do vendosim mbi tatim fitimin.

Jam këtu për t’u zotuar para jush se TVSH-ja, një tabu pothuajse 30-vjeçare, do zbresë nga 20 në 15 përqind.

Se politika stimuluese, favorizuese për kthimin e shqiptarëve nga diaspora do implementohen menjëherë. Pesë vite pa asnjë taksë. Kredi të buta për ta. Kredi të buta për të gjitha gratë që duan të mbajnë biznese. Grante për to. Kredi të buta për të rinjtë që nisin biznesin.

Do bëjmë gjithçka që të rinjtë, ëndrrën e tyre ta ndërtojnë në Shqipëri.

Shqipëria Madhështore nuk ndërtohet kurrë nëse të rinjtë nuk ndërtojnë në këtë tokë ëndrrën e tyre.

Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrave të të rinjve shqiptarë.

Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka për shkollimin e tyre, për punësimin e tyre, për strehimin e tyre. Do kreditojmë strehimin dhe startupet e tyre.

Miq, Shqipëria e ka jetike energjinë, vitalitetin e të rinjve të saj. Do bëjmë gjithçka të kthehen edhe nga diaspora.

Me politika demografike ne do paguajmë si shtet nga lindja deri në 23 vjeç fëmijën e tretë.

Shqipëria bëhet madhështore vetëm kur ajo të arrijë në madhështinë e familjes shqiptare, kur familja shqiptare të jetë një familje solide, një familje e vlerave, një familje e vizionit dhe edukatës.

Një familje, të cilën kurrë më nuk do guxojë t’i thotë kush nënës dhe babait prindi 1 dhe prindi 2. Merr fund kjo!

Këta që donin të sillnin këtë moral, këta janë postmarksistë, janë më të këqinj dhe Marksi dhe nuk do kenë vend kurrë në Shqipëri.

Miq, Shqipëria Madhështore kërkon pastrimin e shtëpisë dhe unë jam këtu para jush për t’u zotuar në mënyrën solemnte se zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

Unë i them nga kjo sallë këtu sot çdo banditi, i them Visit të Pojës, Suel Çelës, Shytëve kudo që janë, se për çdo votë, do keni një vit më shumë dënim.

Mos prekni votën e shqiptarëve.

Do mjeroheni në atë mënyrë që nuk e imagjinoni kurrë.

Ushtarë të të keqes së Edi Ramës, guxoni dhe kërcënoni qytetarët, do e pësoni siç e meritoni.

Shkoj në Lushnje dhe atje më del një Kidiona Zaka, kandidate e bandës.

Shkoj në Elbasan, Sara Mile, me porosi Edi Rama, Suelit, që puna jote do matet me votat që merr Sara.

Këtu përsëri Gjushi dhe Gjushi me fustan dhe Poja dhe këta çdo natë mblidhen si hiena për të bërë plane për të vjedhur votat e qytetarëve të Durrësit.

Unë u them të tre këtyre, unë u them të gjithëve, nuk do ketë dënime më të rënda kurrë Shqipëria se dënimin për prekjen e votës tuaj.

Dhe u garantoj, dëgjoni ju banditë se dëshmitari i pari që dëshmojë kundër jush do jetë Gys Agasi, që tani u ndërsen.

Shtëpia do pastrohet. As Zoti nuk hyn pa e pastruar Shqipërinë.

Shtëpia do pastrohet nga këta hajdutë që nuk kanë lënë gjë pa u vjedhur ju.

Nga këta ministra që zhgërryhen në luks të verbuar, të shkëputur nga ju.

A i patë se çfarë ndodhi ditën që hapën fushatën?

Po si mundet një kryeministër të hapë shishen e verës 33 mijë euro?

Po njeriu që pranon orën 600 mijë, 500 mijë euro, është i gatshëm të shitet këmbë e krye te kriminelët dhe ky është Edi Rama.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale