Berisha: Këto 39 ditë i shpallim ditët e 1-shave! Mbi ëndrrat e rinisë ndërtohet ‘Shqipëria Madhështore’

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMN E PROGRAMIT PËR RININË

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit të Rinisë, PD-ASHM, theksoi rëndësinë e vendimeve dhe angazhimit të rinisë shqiptare për të ndryshuar kursin e vendit dhe për të ndihmuar në ndërtimin e një “Shqipërie Madhështore”. Berisha foli për transformimet e rëndësishme që janë realizuar në historinë e Shqipërisë përmes vendimeve të guximshme, si anëtarësimi në NATO dhe krijimi i një shteti pluralist, duke nënvizuar se këto janë arritje të cilat kanë prekur jetët e shqiptarëve dhe kanë ndikuar në fatin e vendit.

Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra qeverinë Rama, duke e akuzuar atë për dëmtimin e rinisë përmes rritjes së varfërisë, përhapjes së drogës, dhe shkatërrimit të sistemit arsimor, duke theksuar se të rinjtë janë ata që kanë paguar çmimin më të shtrenjtë gjatë këtyre 12 viteve të qeverisjes së Ramës. Berisha tha se rinia është një forcë revolucionare dhe se Edi Rama ka frikë nga ajo, sepse rinia është shpresa për një të ardhme më të mirë dhe ndryshimi i vërtetë.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka shpallur 39 ditët para zgjedhjeve si “ditët e 1-shave”, duke përdorur simbolikën e numrit 1 , numri i fletës së votimit për PD-ASHM, për të nënvizuar fillimin e një ndryshimi të madh dhe për të ftuar rininë të bëhet pjesë e këtij transformimi. Berisha premtoi një program transformues për rininë, duke e përshkruar atë si një projekt për ndërtimin e një Shqipërie të re dhe të fuqishme. Berisha bëri thirrje për veprim dhe mobilizim të rinisë, duke iu besuar atyre rolin e arkitektëve të ardhmërisë së Shqipërisë.

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha shprehu besimin se rinia shqiptare do të jetë forca që do të sjellë fitoren dhe ndryshimin, duke mbështetur vizionin e tij për një Shqipëri të lulëzuar dhe të suksesshme.

FJALA E PLOTË

Të dashur të rinj dhe të reja të FRPD. Një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtë, por një përshëndetje të përzemërt për anëtarët e këtij forumi kudo që ndodhen sot, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Një përshëndetje të përzemërt drejtuesve të këtij forumi, z.Besart Xhaferri dhe Grigels Muçollari, dhe sh-drejtuesi i FRPD, drejtuesi politik i Qarkut të Tiranës, z.Belind Këlliçi.

Pra se të nis fjalën time, kam nder dhe kënaqësi të ftoj të bashkohen këtu ekipi i kandidatëve të rinj, i cili është ekipi më i mirë, më fantastik që Shqipëria ka njohur ndonjëherë në zgjedhje të përgjithshme parlamentare.

Ndaj dhe ftoj, z. Adriatik Hoxha, z.Akil Kraja, z.Albi Jahelezi, z.Alis Narazani, znj.Andia Ulliri, znj. Armonela Marku, z.Arnold Kariqi, z.Aulon Kalaja, z.Aurel Markaj, z.Belind Këlliçi, Besart Xhaferri, Bledion Nallbati, Denisa Vati, Edison Doçi, Elda Hoti, Elmira Ndreveshaj, Elton Roshi, Elvira Peka, Erisa Xhixho, Fation Semanjaku, Fatmira Kola, Fidel Kreka, Gazment Bardhi, Genti Çela, Gentian Koçi, Gentian Ndoj, Gersa Rudha, Ilirjana Kuçana, Ina Zhupa, Ira Boja, Jola Hysaj, Jonathan Pano, Jorida Mazeliu, Klevis Balliu, Klodian Çapja, Kristiano Koçibelli, Lisandër Hoxha, Lorenca Hoxha, Maltin Dogani, Mario Runa, Matilda Qurku, Melisa Vuthaj, Nada Daullja, Ndrec Pjetri, Parid Mahmutaj, Pranvera Kurbalaj, Renato Kumuria, Rivelino Çuno, Romario Meminaj, Samena Malenaj, Senada Mehmeti, Shyqyri Myrtollari, Silvia Hasaj, Tedi Kopliku, Valbona Doko, Viola Kullolli, Xhulja Xheka.

Kurrë ky kryeqytet nuk ka patur, kurrë zgjedhjet parlamentare të përgjithshme në Shqipëri nuk kanë patur një ekip me personalitete të reja, të spikatura. Njerëz të shquar, të suksesit. Por atdhetarë të flaktë, patriotë të vërtetë, që kanë vendosur t’i përkuthojnë të gjitha energjitë e tyre një misioni të madh, një misioni shpëtimtar për Shqipërinë.

Të dashur miq, për të kuptuar rëndësinë e datës 11 maj për të ardhmen tuaj, unë këtë fjalë do ta nis me një histori thjesht personale.

Jo para, pas moshës 40 vjeçare unë mora një vendim. Dhe dua t’ju them ju këtu se vendimi është arma më e fuqishme e njeriut.

Jeta e njeriut në fund të fundit është një shumësi e vendimeve të tij. Shumë prej jush, kur mendojnë Sali Berishën, në mend iu vjen Sali Berisha politikan.

Shumë prej jush mund ta kenë të vështirë të imagjinojnë Sali Berishën me bluzën e bardhë të mjekut, apo Sali Berishën me stetoskop.

Por e vërteta është se, më shumë se gjysma e jetës sime ka kaluar si mjek dhe kjo, pra, një periudhë 40 e sa vjeçare.

Karrierën politike unë nuk e nisa në moshën e re, e nisa pas të 40-tave. Por si ndodhi ky transformim. Ky ndodhi vetëm nga një vendim. Kaq e thjesht. Një vendim miqtë e mi. Vendimi erdhi pak vite para se të nisja karrierën time politike. Dhe ky vendim i shte që t’i dilja kundër diktaturës komuniste. Një vendim jo i lehtë për kohën, sepse siç thashë, kisha një karrierë për kohën, isha familjar. Ata që kanë jetuar ato vite e dinë se ky vendim mund të ishte një vendim fatal. Por, ai vendim, një vendim i vetëm ndryshoi çdo gjë.

Sepse, e vërteta është se ky vendim, jo vetëm transformoi jetën time në moshën 46 vjeçare, por preku dhe shumë e shumë jetë të tjera dhe në një farë mënyre ndikoi edhe në fatin e Shqipërisë.

Po të mos ishte për këtë vendim, unë sot ndoshta nuk do isha sot midis jush, por do isha një mjek me karrierë të arrirë.

Po të mos ishte për këtë vendim, po të mos ishte vendimi i Azem Hajdarit, tribunit të lirisë, po të mos ishin vendimet e mijëra studentëve liberatorë, që në dhjetor të vitit 1990 dolën si heronj të vërtetë, u ngritën si Sfinksi, nga hiri i një diktature, dhe u përballën në rrugët dhe sheshet e këtij kryeqyteti me falangat e diktaturës më të egër. Përsëri, pa ata ndofta, historia jonë do të ishte tjetër.

Pra, vendimet transformojë fate. Vendimet, transformojnë kohërat. Transformojnë vendet, transformojnë kombet.

Në këtë kontekst, nuk ka ëndërr të madhe që mund të realizohet pa vendime. Janë këto vendime që realizuan ëndrrën e Shqipërisë në NATO, janë këto vendime që realizuan ëndrrën e Shqipërisë pluraliste. Janë këto vendime, të cilat, në disa mënyra patën një ndikim të pzevëndësueshëm në lirinë kombëtare, në faktin që sot shqiptarët jetojnë të lirë në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në këtë kontekst, 39 ditë na ndajnë. Të gjithë ju, jeni para një vendimi epik do të thosha, para një vendimi në të cilin ju përmbushni pa mëdyshje misionin më të madh të jetës suaj, përcillni në kalendat e historisë një diktaturë të dytë. Tashmë, jo të bzuar në idelogjinë marksiste-leniniste, por të bazuar në drogën, krimin dhe varfërimin e shqiptarëve.

Çdo i ri dhe e re, këto 39 ditë, t’i shtrojnë në ditët e betejës më të madhe për ëndrrën e tij dhe të saj, sepse përballë jush qendron një shpresëvrasës, një arrogant. Qendron, po e quaj tani, një meme e gjallë, meqënëse e tmerruat ju dhe e mbylli Tik Tokun, le ta quajmë së bashku një meme e gjallë, që quhet Edi Rama, meme që ecën.

Nuk ka pasur rinia shqiptare një armik më të egër dhe më të pabesë se Edi Rama, ndonjëherë.

Nëse ju analizoni këto 12 vite, çmimin më të shtrenjtë në këto 12 vite e paguan të rinjtë shqiptarë, e paguan fëmijët e shqiptarëve, e paguan ata me përhapjen e drogës dhe me humbjen e jetëve të dhjetëra e dhjetëra prej tyre.

E paguan ata me shkatërrimin e shkollës, institucioni më serioz, më i rëndësishëm pas familjes për fëmijët dhe të rinjtë.

Shkolla shqiptare pësoi një rrokullisje të paimagjinueshme. Ajo në këto 12 vite ra, pësoi rënien më të madhe në botë. Mendimi krijues i të rinjve shqiptarë në vend se të zhvillohej dhe të kalonte në nivele më të larta në shkollat tona, ra në fund, në fundin e botës për shkak të degradimit të plotë të sistemit arsimor.

Tarifat, taksat, varfëruan familjet tuaja dhe ju paguani në universitete, tarifat ndër më të lartat, në mos në proporcion më të lartat në Europë. Në një kohë kur prindërit tuaj, marrin rrogat më të ulëta dhe blejnë me çmime më të shtrenjta.

Kjo bëri që nga viti në vit, të rinjtë të largohen, të largohen dhe vetëm të largohen.

Shqipëria të pakësohet, të rrudhet si kurrë ndofta në historinë e saj.

Edi Rama në atë subkoshiencën e tij, e dinte se të rinjtë e urrejnë atë. Jo se të rinjtë janë të prirur nga urrejtja, absolutisht jo, përkundrazi, por të rinjtë arrogancën nuk e pranojnë.

Të rinjtë, nuk është në psikologjinë e tyre, në formimin e tyre, ata e urrejnë çdo formë të bullizimit dhe arrogancës.

E vërteta është se, ai ka frikë të madhe nga ju. Pse ka frikë ai nga ju? Ai e di që rinia, nuk është vetëm moshë, apo vetëm fazë e jetës, është diçka tjetër më shumë, është një revolucion në shpërthim dhe këtë ai, e pa veten të shkuar pak vite më parë nga studentët.

E di që 11 maji është dita e gjykimit për Edi Ramën, është dita e verdiktit tuaj.

Unë jam sot këtu për tu dhënë ju fjalën, ju dhe gjithë të rinjve shqiptarë, se pas 11 majit një program transformues në qëndrimin e shtetit ndaj të rinjve, do të zbatohet me shpejtësi.

Asgjë nuk mund të ndërtojë një vend me madhështi, më shumë se sa ndërtimi i ëndrrës së të rinjve të këtij vendi.

Ëndrra juaj, ëndrrat tuaja janë ëndrrat mbi të cilat ndërtohet ‘Shqipëria Madhështore’, është projekti i ‘Shqipërisë Madhështore’.

Grigelsi dhe Besarti rreshtuan këtu një seri premtimesh nga programi për rininë. Ju garantoj se, ato do të zbatohen pikë për pikë.

Do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të jetë në duart tuaja.

Do të bëjmë gjithçka që ju të jeni arkitektët e vërtetë të Shqipërisë Madhështore.

Ndaj dhe ju ftoj këto 39 ditë ti shpallim ditët e 1-shave.

1-shat dhe 1-shi janë sa hyjnor dhe tokësor.

1-shi është numri i diellit, që ka krijuar gjithësinë.

1-shi është numri i fatit që përcakton dhe ndan historinë.

Dhe ju të gjithë jeni 1-shat e vërtetë të këtij kombi, të kësaj shoqërie, të këtij vendi.

Rrofshi ju, rroftë Forumi Rinor dhe rinia shqiptare.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale