FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS NË MIRDITË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, se arsyeja se pse nuk i ka rritur pagat dhe pensionet e shqiptarëve, është vjedhja dhe vetëm vjedhja e tij qeveritare. ‘Edi Rama ngriu pensionet, të cilat ishin pa diskutim të ulëta, por me rritje vertikale nga viti 2005 në 2013. Dhe për herë të parë në historinë tonë, në vitin 2013 ne kishim rrogat dhe pensionet më të larta në Rajon. Çfarë ndodhi? Si u rrokullisëm ne në 10 vite? Sepse ndaloi rritjen e pensioneve. Po pse e ndaloi? Se nuk kishte lek? Jo, kishte lek, pa diskutim. Por sepse miliarda e miliarda që duhej tu jepeshin pensionistëve, rrogëtarëve, u vodhën, u vodhën dhe vetëm u vodhën në punëra publike’, theksoi Berisha në Mirditë.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës, Sali Berisha e akuzoi ashpër kryeministrin Edi Rama për mashtrim publik dhe abuzim me fondet shtetërore. Berisha deklaroi se Rama po përpiqet të mashtrojë qytetarët me ‘suksese imagjinare’, duke shëtitur qytet më qytet me ‘thesin e rrenave në shpinë’. Ai solli një sërë shembujsh për të argumentuar korrupsionin e qeverisë, duke përmendur projekte infrastrukturore të mbivlerësuara, keqpërdorimin e fondeve të rindërtimit dhe blerje luksoze të pajustifikuara.
‘Ka tre ditë që Edi Rama me thesin e rrenave në shpinë, qarkullon nga një qytet në tjetër. U thoshte në Vlorë se kam investuar 1 miliard e 260 milionë. Epo thashë tani, meqenëse e ndjen veten si gjysëm vlonjat, në fakt as vlonjat as shqiptar nuk është fare. Ky njeri, sot shkon në Shkodër, në të cilën ka investuar gjysmën e parave që ka vjedhur Tërmet Peçi me motrën e vet në Tepelenë, po, dhe u thotë shkodranëve se kam investuar 1 miliardë e 300 milionë euro. Pra beson tani se duke shpërnda rrena, do mundë të bindë shqiptarët për sukseset e tij imagjinare’, nënvizoi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
Gjatë takimit me demokratët në Mirditë, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi qeverinë për pandjeshmëri ndaj qytetarëve dhe varfërimin e qëllimshëm të shqiptarëve. Ai denoncoi shpenzimet e larta për kujdesin shëndetësor dhe mungesën e ilaçeve në spitalet publike. Në fjalën e tij, u zotua për kthimin e dinjitetit të qytetarëve përmes programit ‘Shqipëria Madhështore’. Programi përfshin rritje të ndihmës sociale, pension minimal 200 euro, pagë minimale 500 euro dhe subvencione të shtuara për fermerët. Premtoi energji më të lirë, përgjysmim të tarifave të ujit dhe ndihmë të drejtpërdrejtë për shtresat në nevojë. Ai përfundoi duke e cilësuar Ballkanin e Hapur si një projekt të dështuar dhe theksoi rikthimin e prodhimit vendas nën etiketën ‘Made in Albania’.
Lideri i demokratëve Sali Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur me demokratët e Mirditës, u shpreh me tone të forta dhe premtime të qarta për transformimin e Shqipërisë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij. Ai theksoi rëndësinë e një mundësie të re për çdo qytetar shqiptar, duke vënë theksin te rikthimi i dinjitetit, mirëqenies ekonomike dhe largimi nga varfëria e thelluar që, sipas tij ka përfshirë vendin nën qeverisjen aktuale. Berisha prezantoi një sërë masash konkrete që synojnë rritjen e mirëqenies, punësimin, uljen e taksave dhe lehtësira për bizneset, si dhe mbështetje për të rinjtë, familjet dhe mërgimtarët shqiptarë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh gjatë takimit me demokratët në Mirditë se Edi Rama është në ‘rreth të kuq’ dhe do të bjerë çdo ditë e më shumë. Ai e akuzoi Ramën për tentativë për të shkatërruar pluralizmin dhe lirinë e shqiptarëve, duke e lidhur regjimin e tij me krimin dhe drogën. Berisha theksoi se Rama është shpallur armik i votës së lirë dhe i demokracisë nga partitë politike më të mëdha të Europës. Ai ftoi shqiptarët të qëndrojnë në anën e drejtë të historisë, për lirinë dhe pluralizmin. Berisha theksoi se programi i opozitës nuk është për karrigen e tij, por për një Shqipëri më të mirë. Ai përfundoi me një mesazh optimist për të ardhmen e vendit: ‘Rroftë Mirdita, rroftë Shqipëria!’

FJALA E PLOTE:
Mirditore dhe mirditorë, nga zemra ju përshëndes dhe shpreh ju këtu dhe të gjithë banorëve të Mirditës dhe mirditorëve kudo që janë sot, në Shqipëri jashtë vendit, mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh, për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme që i kanë dhënë PD-së, opozitës shqiptare, për rolin e tyre të jashtëzakonshëm në historinë kombëtare të shqiptarëve.
I dashur kryetari i bashkisë, Albert Melyshi.
I dashur udhëheqësi politik i qarkut Lezhë, për PD-ASHM, Agron Gjekmarkaj.
Të dashur kandidatë për deputetë dhe deputetë, përfaqësues të shquar të qytetarëve qarkut të Lezhës, krenari e vërtetë për PD, për banorët e Lezhës dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur miq, kjo ishte dhe është java e Njishave.
Me numrin e Zotit, Njishat kanë marrë në dorë sot, fatin e Shqipërisë.
Kanë marrë në dorë fitoren e shumë pritur të datës 11 maj.
Kudo që shkoj, dritën, shkëlqimin e saj, që buron nga zemra, shpirti, sytë e qytetarëve të ringritur me shpresë dhe besim për tu ndarë nga një e keqe, që ata kurrë nuk e meritonin.
Për tu ndarë nga një e keqe e madhe, që po shkreton Mirditën Madhështore dhe Shqipërinë Madhështore.
Për tu ndarë nga një e keqe që po mbyll klasat, po mbyll shkollat, që po mbjell vetmi dhe pasiguri në votrat shqiptare.
E tha i nderuari Ndoka këtu para nesh, kur të ikin fëmijët dhe mbetesh vetëm, në një mënyrë ose në një tjetër, dënohesh me vetmi, por vetmia nuk është vetëm kaq, dënohesh dhe me pasigurinë e ditëve që vijnë.
Të gjitha këto u bënë epidemi këto 11 vite, miqtë e mi.
E vërteta është kjo, se nga viti 2007 deri në viti 2014, Mirdita, Lezha, Shqipëria u rrit në popullatë nga viti në vit. Sepse kishte shpresë se Mirdita bëhet, se Shqipëria bëhet.
Kishte shpresë se i riu dhe e reja në këtë vend, mund të ndërtonin ëndërrën e tyre shqiptare, ëndrrën e tyre mirditore.
Nga viti 2014 gjer në vitin 2023, 1 milionë e 99 mijë shqiptarë u larguan vetëm për në hapësirën e BE-së.
U larguan nga Shqipëria sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj shekullore.
U larguan nga Shqipëria sa nga asnjë komb tjetër, nga çfarë do lloj lufte apo epidemie që do kishte njohur.
U larguan nga Shqipëria miqtë e mi, sepse u vranë, u rrënuan mundësitë e shqiptarëve dhe bashkë me to, shpresa dhe besimi për një të ardhme në vendin e tyre.
Po e ndëgjuam Ndokën këtu.
Si asnjë moshatar i tij në Ballkan dhe në Europë, Edi Rama ngriu pensionet, të cilat ishin pa diskutim të ulëta, por me rritje vertikale nga viti 2005 në 2013. Dhe për herë të parë në historinë tonë, në vitin 2013 ne kishim rrogat dhe pensionet më të larta në Rajon.
Çfarë ndodhi? Si u rrokullisëm ne në 10 vite? Sepse ndaloi rritjen e pensioneve.
Po pse e ndaloi? Se nuk kishte lek? Jo, kishte lek, pa diskutim.
Por sepse miliarda e miliarda që duhej tu jepeshin pensionistëve, rrogëtarëve, u vodhën, u vodhën dhe vetëm u vodhën në punëra publike.
Miq, dëgjojeni. Ka tre ditë që Edi Rama me thesin e rrenave në shpinë, qarkullon nga një qytet në tjetër.
U thoshte në Vlorë se kam investuar 1 miliard e 260 milionë. Epo thashë tani, meqenëse e ndjen veten si gjysëm vlonjat, në fakt as vlonjat as shqiptarë nuk është fare, të themi të vërtetën dhe si duhet gjë as Vlorës, as Shqipërisë origjina e tij, s’ka rëndësi.
Ky njeri, sot shkon në Shkodër, në të cilën ka investuar gjysmën e parave që ka vjedhur Tërmet Peçi me motrën e vet në Tepelenë, po, dhe u thotë shkodranëve se kam investuar 1 miliardë e 300 milionë euro.
Pra beson tani se duke shpërnda rrena, do mundë të bindë shqiptarët për sukseset e tij imagjinare.
Jo miq, çfarë bëri ai? Ai vërtetë ndau para për rrugë, por e vërteta është se vodhi minimumi 90% të tyre. Isha dje në Vlorë. Rruga Levan-Vlorë është rruga më e gjerë në Shqipëri, 35 metra e gjerë.
Ajo rrugë miqtë e mi, që nuk ka një të dytë më atë gjerësi, ka kushtuar 2.4 milionë euro kilometri.
Dhe kushtoi kaq, se na dolën probleme me habitatin e shpendëve dhe u detyruam të bëjmë ndryshime në projekt.
Kurse ky zotëri, me 20 km rrugë ka 20 mln euro kilometrin.
31 mln euro rindërtimi i rrugës tek sheshi ‘Shqiponja’ 1 km.
17 milionë euro kilometri në unazën e Tiranës. Pra çfarë bëri ky. Ky paratë e rrogave tuaja, paratë e pensioneve i kaloi në rrugë për ti vjedhur. Kjo është e vërteta.
Ku i çoi tjetër paratë? 130 mln euro djegësi i Tiranës. Nuk ka një tullë në themelet e tij.
120 mln euro ja mori Beketi, sepse nuk duronte kritikat e televizionit të tij dhe e përzuri nga Shqipëria.
21 mln euro avion në dispozicion.
5 mln euro kopshti i Edenit që nuk e ka as Mbreti i Anglisë, as Perandori i Japonisë, as Shtëpia e Bardhë, as kancelaria gjermane nuk e blen atë në oborr.
E bleu Edi Rama për sytë e tij.
Miqtë, atëherë nga të mos ikin, kur sofra nuk ka, prindi, gjyshi, gjyshja detyrohet tu thonë të rinjve, ikni, paçi fatin merrni rrugët e dheut, se këtu nuk na mjafton.
Kjo është mënyra se si i përzuri shqiptarët, Edi Rama nga Shqipëria.
Miqtë e mi, jo vetëm kaq.
Këta kanë një pandjeshmëri absolute ndaj jush si qytetarë.
Dëgjoni se çfarë thonë. Nuk vdes kush urie këtu.
Këtyre që e kanë jetuar socializmin ju kujtohet se në atë kohë, njerëzit varfëroheshin gjithnjë e më shumë, dhe termi ngushëllues ishte se, nuk vdes kush urie.
E rikthyen atë term.
Këtu nuk është puna të vdes kush urie, çfarë thua. Këtu është puna që është puna të jetojnë normal njerëzit, të jetojnë gjithnjë e më mirë njerëzit, duhet të kenë rehatinë e tyre, duhet të ndihen të shpërblyer për punën dhe mundin që kanë bërë, jo nuk vdes kush urie.
Dhe se pensionistët jetojnë mirë, jetojnë mirë paçaka se ka zyrtarë të lartë që merr 50 pensione si në asnjë vend të botës.
Pra asnjë ndjeshmëri.
A e dini ju miq se çdo shqiptar, në mesatare është fjala këtu, paguan 4 fishin për kujdesin shëndetësor, më shumë se për kafshatën e gojës. Bukën, pa ushqime e kam fjalën. Shqiptarët për bukën në vit shpenzojnë në total, 220 mln euro. Shqiptarët për kujdesin e tyre shëndetësorë që e premtoi falas Edi Rama, shpenzojnë 820 mln euro.
Shpenzojnë dhe çfarë shpenzojë. Shpenzojnë duke blerë ilaçet Vilma Nushit, një vampire e vërtetë e cila ndan fitimet me Edi Ramën dhe të tjerët në spitale të sëmundjeve të rënda, mbeten pa ilaçe në kthetrat e sëmundjes.
Një shtet turpërohet, një shoqëri skuqet që lejon vëllezërit, motrat e veta të pamjekuar. Se bën një shqiptar kurrë këtë. E bën Edi Rama. E bëjnë ata që vjedhin shqiptarët.
Dhe ata që vjedhin shqiptarët, ata i urrejnë shqiptarët.
Miq!
Ndaj dhe ne sjellim para shqiptarëve, programin e ‘Shqipërisë Madhështore’. Ky program nuk është një slogan, ky program është një mision, një mision për të nxjerrë çdo shqiptar brenda 100 ditëve nga varfëria ekstreme.
Ky program është një mision për ti dhënë çdo shqiptari një mundësi të re, për të ngritur Mirditën dhe Shqipërinë në madhështinë e vet, në madhështinë e shpirtit të mirditorëve, në madhështinë e shpirtit të shqiptarëve.
Mirdita një rreth me pasuri të jashtëzakonshme, me minerale, me ujëra me çdo gjë, dhe braktiset, braktiset nga bijtë dhe bijat e saj, sepse ato trajtohen sikur të ishin një regjim kolonial nga ky pushtet.
Jo miq, merr fund.
Unë jam këtu për tu zotuar para jush, se paratë e taksave tuaja, më së pari do të vijnë tek ju, do u kthehen ju.
Jo vetëm kaq, jo vetëm pensioni 200 euro dhe minimumi jetik, nga i cili përfitojnë 560 mijë pensionistë të cilët i kanë i kanë pensionet jo të plota, ndën 172 euro.
Por do të përfitojnë të gjithë të papunët, të gjithë qytetarët në ndihmë ekonomike, fëmijët me 1 prind, studentët me bursë.
Karta e konsumatorit do tu jepet të gjithë rrogëultëve, dhe nuk do të ketë rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri.
Nuk do të ketë rrogë mesatare nën 1250 euro.
Nuk do të ketë mësues me rrogën nën 1500 euro
Me kartën e konsumatorit, rrogëulëtit dhe pensionistët do të blejnë 20% më lirë të gjitha gjërat bazë. Do u kthehen 450 euro në vit, mesatarisht për blerjet e tyre.
Energjia për konsumatorët familjarë do shitet me 7 lek.
Tarifat e ujit do përgjysmohen.

Miqtë e mi!
Nafta çmimi i lartë i të cilës paguhet nga çdo qytetar, si ata që kanë makina dhe ata që nuk kanë makina, do të zbresë në çmimin me të cilin shitet në Maqedoni dhe Kosovë.
Fermerët e Mirditës do të kenë 5 herë më shumë subvencione se sot.
Miq, kur i ndau paret ky 8 miliardë, la për gjithsej për 760 mijë pensionistë, 16 milionë.
Për 350 mijë pensionistë, Albin Kurti vendosi 100 mln.
Kur i thamë ne të votojmë minimumin jetik, pensionin minimal 200 euro, jo tha, kjo na hedh në humnerë. Por çfarë humnere hedh ajo mor, cila humnerë. Këta janë të pashpirtë dhe kanë humbur çdo lloj logjike.
Sa la për fermerët? 32 mln euro për 380 mijë fermer. Fermeri në Kosovë për një hektar grurë, merr për sipërfaqen e mbjellë 500 euro, për plehun kimik që i hedh, 100 euro, për naftën 50 euro, merr 1050 euro për 35 kuintal prodhim. Merr 6-7 herë më shumë se fermeri në Mirditë dhe në Shqipëri.
Po si u del atyre? U del sepse paratë e taksave ua kthejnë qytetarëve. Kurse këta paratë e taksave i vjedhin për vete, i shndërrojnë në parajsë për vete. Nuk ka diskutim.
Pra garantoj fermerët se nga 30, subvencionet për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë të mbarështruar, për çdo njëri prodhimi do të jenë 230 mln euro.
Përveç kësaj fermerët do të kenë kredi të buta me interesa të mbuluara nga qeveria.
70 mln euro do investohen çdo vit në kullim, vaditje dhe mbrojtje të tokës.
Ballkani i Hapur në koshin e plehrave.
E pyeste gazetari, po pse ne të pimë qumësht pluhur serb, po ndodh thoshte kjo, e quante një gjë krejt normale.
Në vitin 2013 ne eksportonim qumësht, dhe prap do të eksportojmë.
‘Made in Albania’ është qëllimi ynë.
Minierat e Mirditës.
Do bëhet çdo gjë që të jenë qytetarët e Mirditës që të përfitojnë të parët. Me rentën, dhe të gjitha të tjerat.
Bizneset, taksa 10% më e ulëta në Europë.
Energjia 6 lek, nga 18 që është sot.
Suksesi i biznesit është qëllim madhor i yni. Suksesi i biznesit është punësim, është rritje rrogash.
Në këtë mënyrë ne e ngrejmë Mirditën në kreshtën e madhështisë së saj. Ne e ngrejmë Shqipërinë më madhështinë e saj.
Miq.
Me 11 maj nuk votohet thjeshtë për një parti, në fakt si rrallë ndonjëherë në histori, votohet për kombin, i cili po pakësohet në mënyrë të tmerrshme.
Votohet për vendin i cili po shkretohet.
Votohet për qytetarët që varfërohen në mënyrë të frikshme.
Ky program është një mundësi e re për çdo shqiptar. Garantoj të rinjtë se qëllimi ynë më madhor, është rikthimi i kombit në moshën e rinisë së tij.
Ndaj dhe do të dyfishojmë shpenzimet për arsimin, hiqet mesatarja.
Përfundimi i universiteteve do bëhet çdo gjë që të punësohen. Qeveria do paguajë sigurimet e tyre shëndetësore.
Çdo çift i ri do ketë një grant 30 mijë euro për një çati.
Çdo fëmijë i parë do ketë një bonus prej 70 eurosh na vazhdim.
Çdo fëmijë i dytë 60 euro në muaj.
Fëmija i tretë do përballohet nga shteti me të gjitha shpenzimet gjer në moshën 23 vjeçare.
Prova jonë është e vështirë. Prova jonë është të rikthejmë qindra mijëra të rinj që u larguan nga Shqipëria.
Të rikthejmë mirditorët ku janë e ku nuk janë dhe shqiptarët, që të vijnë të ndërtojnë ëndërrën në Shqipëri.
5 vite pa asnjë taksë për çdo shqiptar që kthehet nga mërgimi.
Kredi të buta për strehim, grante dhe kredi për strehimin e tyre.
Pra ajo çka unë kërkoj nga çdo mirditore dhe mirditor, nga çdo shqiptare dhe shqiptar, kërkoj 100 ditë, vetëm 100 ditë.
Edi Rama mashtroi shqiptarët në 12 vite, u premtoi shëndetësinë falas, tani paguajnë qimet e kokës për shëndetin e tyre.
U premtoi ushqimet me taksa të ulëta, tani shumë prej tyre mezi mbyll muajin për kafshatën.
U premtoi ushqimet me çmime të ulëta, por sot o miqtë e mi, 21% e familjeve shqiptare nuk u japin dot tre vakte buk në ditë.
Premtoi punësimin dhe përzuri 1 mln shqiptarë, kurse ne Aleanca jonë, Partia Demokratike kërkojmë 100 ditë për të vendosur minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar.
Kërkojmë 100 ditë për të vendosur kartën e konsumatorit.
Kërkojmë 100 ditë për të vendosur listën e Republikës Italiane për rimbursimin e ilaçeve në Shqipëri.
Kërkojmë 100 ditë për të vendosur rrogën minimale 500 euro.
Kërkojmë 100 ditë për të ulur energjinë elektrike nga 8.5 lek, në 7 lek për qytetarin. Për të ulur energjinë elektrike nga 18 lek në 6 lek për biznesin.
Kërkojmë 100 ditë për të ulur tatim fitimin nga 23% në 10%,.
Kërkojmë 100 ditë për të ulur TVSH nga 20 në 15 %.
Kërkojmë vetëm 100 ditë për të nxitur biznesin dhe përmbysur klimën, për të vendosur taksën 10% nga 23 për qind që është sot.
Pra kërkojmë 100 ditë nga qytetarët shqiptar për të transformuar Shqipërinë, për ti dhënë çdo shqiptari një mundësi të re.
Për të rikthyer paratë tek shqiptarët, për të ecur së bashku në rrugën e besimit të këtij vendi, në rrugën e madhështisë të Mirditës dhe Shqipërisë.
Burreci 2 metra i gjatë që u ndry prej 3 muajsh duke folur me vete dhe nuk dilte dot në një studio televizive, e ka humbur totalisht dhe unë dua të ju them ju dhe mbarë shqiptarëve:
Edi Rama është në rreth të kuq, dhe ju jap fjalën e nderit se kurrë nuk del më.
Jo, jo miq.
Ai që mendoi se do të groposte opozitën,
Ai që mendoi se do të groposte në Shqipëri pluralizmin,
Se do të groposte idealet e vërteta të lirisë së shqiptarëve, ai ka rënë dhe do bjerë çdo ditë e më shumë në një gropë nga e cila kurrë më nuk do të dalë.
Në Valencia ranë kambanat e tij, për Edi Ramën.
Partitë politike më të mëdha të Europës, partia e Kancelarit Merz, partia e kancelarit austriak, partitë që kanë 14 kryeministra në Europë, e firmosën rezolutën, e votuan rezolutën për votën tuaj, duke damkosur Ramën si Llukashenkon, duke e shpallur atë armik të votës së lirë, armik të pluralizmit.
Duke e shpallur atë, regjimin e tij një bashkim me krimin dhe drogën, si asnjë tjetër në Europë.
Duke e shpallur atë si një rrezik të vërtetë për demokracinë, lirinë dhe vlerat e saj.
Miq, kjo damkë, kjo vulë që mori ai në Valencia nuk e lëshon atë gjer ditën e fundit te jetës së tij.
Ndaj mirditore dhe mirditorë, shqiptare dhe shqiptarë, qëndroni në anën e drejtë të historisë.
Ana e drejtë e historisë është ana e dinjitetit njerëzor, është ana e lirisë, ana e pluralizmit, ana e demokracisë, e shtetit ligjor.
Pasaporta e tij Europiane u hodh në kosh të plehrave. Edi Ramën e pret fati i McGonigalit.
Socialistë mirditorë, shqiptarë, të paparti, çfarë do që jeni.
Ky program është për çdo shqiptar, nuk është program për karrigen e Sali Berishës. Sali Berisha nuk lufton për pushtetin e tij në mënyrë absolute.
Në këtë stad të jetës time, nuk kam unë ambicie personale, as për pushtet, as për para, por kam një ambicie të madhe shumë, të pashtershme; ti shoh shqiptarët edhe njëherë me besim të plotë te Shqipëria.
Ti shoh shqiptarët edhe njëherë te jetojnë me dinjitet në këtë vend.
Ti shoh mirditorët ti besojnë Mirditës.
Ti shoh shqiptarët ti besojnë Shqipërisë,
Rroftë Mirdita, rroftë Shqipëria.
Fitore, jeni 1-sha. Koha është e Zotit, koha e 1-shave.
1-shi është numri i Zotit.
Fitore, fitore, fitore!