Berisha: Kam denoncuar i pari narkoshtetin! Rama me mentorin e tij Xhorxh Soros krijuan në Shqipëri, Kolumbinë e Europës. Edi Rama, gazeta më e madhe në Gjermani njofton se familja jote po hetohet për trafikun e kokainës

FJALA E KRYETARIT TË PD-se, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij përpara protestuesve është shprehur se Edi Rama është i goditur moralisht për vdekje, dhe se ai kërkoi të paraqesë dokumentarin e RAI-t si eksport të Tiranës, si produkt apo eksport i opozitës shqiptare.

Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se është i pari që ka denoncuar me fakte krijimin e narkoshtetit të Edi Ramës.

Në fjalën e tij gjatë protestës maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Berisha akuzoi ‘Ramën se bashkë me mentorin e tij Xhorxh Soros krijuan në Shqipëri, Kolumbinë e Europës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur sërish te hetimet ndërkombëtare mbi organizatën kriminale të Olsi Ramës, ku sipas kryedemokratit e goditën gjermanët. Berisha u shpreh se gazeta më e lexuar në Gjermani njofton se prokuroria gjermane po heton për lidhjet me trafikun e kokainës të Olsi Ramës.

Kryedemokrati Sali Berisha është kthyer pas në kohë gjatë qeverisjes së Edi Ramës, në periudhën e kanalizimit të vendit, duke i bërë thirrje ShBA-së të hetojnë deklaratat publike të ish-ambasadorit të saj në Shqipëri.

Lideri i opozitës Sali Berisha i ka kërkuar dorëheqjen Edi Ramë, pas publikimit të investigimit të emisionit Report në Rai3, ku Shqipëria paraqitej ashtu siç e ka kthyer kryeministri në një narkoshtet.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij, është shprehur se nga narkoshteti u vra shpresa e shqiptarëve sepse Edi Rama me Dumanët e tij kriminelë që fshehin krimin elektoral, kriminelë që mbrojnë dosjet e krimit elektoral, armiq të egër të popullit opozitar, armiq të egër të demokracisë shqiptare.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemrta të dashur qëndrestare dhe qëndrestarë.

Djem, vajza, burra dhe gra të një kauze të drejtë, të një kauzë të vërtetë.

Ju pëshëndes ju përzemërsisht, përshëndes oratorët që sjellin këtu programin e PD, por edhe mendimet e tyre të lira, të guximshme dhe shpërndajnë anekënd vendit të vërtetat e PD.

Të dashur miq!

Sot me gjuhë ordineri, Edi Rama i goditur moralisht për vdekje, kërkoi të paraqesë dokumentarin e RAI-t si eksport të Tiranës, si produkt apo eksport i opozitës shqiptare.

Ky është një mashtrim i madh sa vetë mali i Dajtit.

Narkoshtetin në Shqipëri nuk e solli RAI3, nuk e solli as mafia siciliane apo Ndragheta, Sacra Corona Unita.

Narkoshtetin në Shqipëri e solli vetëm dhe vetëm Edi Rama me kriminelët e tij.

Dhe me narkoshtetin, instalimin e tij, Edi Rama kreu krimin e dytë më të shëmtuar në historinë e kombit shqiptar pas atij të parit që tejkalon çdo krim dhe mynxyrë kombëtare dhe që lidhet me shpopullimin e Shqipërisë, largimin sipas INSTAT nga viti 2014-2022 të mbi 1 milion shqiptarëve, krim gjenocidal ndaj kombit tonë që është vepra më e zezë e një pushtuesi në historinë tonë kombëtare.

Por, si një armik i egër i një kombi, për këto krime të panjohura në ëkto përmasa në historinë e kombit shqiptar, Edi Rama ka zgjedhur për të parin mohimin e shifrave të Eurostatit.

Ka zgjedhur për të parin, manipulimin e shifrave të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, të cilat tregojnë se tashmë graviteti i kombit është spostuar në Kosovë, pasi në 11 mijë kilometra katrorë në Kosovë banojnë më shumë shqiptarë se në 28 mijë metra katrorë në Shqipëri dhe ky është krimi i shekujve miqtë e mi.

Kurse krimin e dytë më të madh në histori, ndërtimin e narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, rikujtoj këtu çdo shqiptar që do të dijë të vërtetën se këtë kob të vërtetë e kanë denoncuar 6 vitet e fundit mediat më të mëdha të botës në SHBA, në Kanada, Gjermani, Britaninë e Madhe, Francë, Holandë, Suedi, Zvicër, Danimarkë, Austri, Greqi, Itali etj.

Dhe së fundmi e denoncoi në mënyrën më të faktuar, më të fuqishme emisioni Raport i RAI3 duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm kombit shqiptar, zgjimit të ndërgjegjes së tyre.

Edi Rama, të them këtu para shqiptarëve se unë nuk e mohoj, por e kam për përgjegjësi që jam ndër të parët në Shqipëri dhe në botë që kam dënuar narkoshtetin në këtë vend.

Edi Rama, e kam bërë këtë kur e gjithë bota e drogës do të mprihte thikat kundër meje. Por për mua interesi kombëtar, interesi i shqiptarëve është interesi i parë dhe gjithçka tjetër bëhet e parëndësishme.

Edi Rama, e kam denoncuar atë sepse kam mësuar se me mentorin tënd, armikun e egër të demokracisë shqiptare, Xhorxh Soros, ishe lidhur me Bogotën dhe me zyrtarët e atij vendi dhe do importoje këtu modelin kolumbian, do krijoje me doktrinën e Sorosit të rrënimit të kombit shqiptar, në Shqipëri, Kolumbinë e Europës.

Edi Rama, e vërteta është se sapo more pushtetin, angazhove vëlla Olsin dhe u instalua në Xibrakë nën kujdesin tënd, uzina më e madhe në Ballkan e përpunimit të kokainës nga organizata kriminale shqiptaro-kolumbiane e Xibrakës me në krye Genti Xhixhën, Olsi Ramën, Gentjan Gjonajn, Ermal Hoxhën.

Këtë organizatë kriminale ta zbuluan gjermanët, sepse për shqiptarët ti kishe zëvendësuar me Shqipëri të gjithë ata që nuk do pajtoheshin kurrë me drogën.

Kishte dërguar Nallbatin famoz, Nallbatin e përjashtuar nga Policia e Shtetit nga Igli Toska për lidhje me Hakmarrjen për Drejtësi.

Olsi yt me Genti Xhixhën, Gentjan Gjonajn dhe Ermal Hoxhën, drejtonin grupin e Xibrakës me një projekt makabër, eksportin e dhjetëra, dhjetëra tonelatave kokainë në Gjermani dhe tregjet e tjera të Europës.

Zbulimi nga organet ligjzbatuese gjermane sigurisht bllokuan këtë projekt, por në qarkun e tyre mbeti yt vëlla o Edi Rama dhe ai është denoncuar nga Sali Berisha në parlament, në sytë e tu dhe të shqiptarëve.

Është denoncuar në parlament në sytë e tu dhe të shqiptarëve të gjitha udhëtimet, kalimet e kufirit me makinën kryesore të grupit të drogës, nën shoqërinë e Genti Xhixhës, Ermal Hoxhës dhe Gentian Gjonit e narkotrafikantëve të tjerë.

Edi Rama, këto kohë Gazment Bardhi ka sjellë dokumente të tjera të pakundërshtueshme të implikimit të Olsit tënd në organizatën kriminale të Xibrakës.

Po të bëj një pyetje unë ty, Olsi yt që bëre avokatinë e tij, në fakt të vetes tënde se ai ishte ushtari yt në këtë mes, pse do kalonte kufirin në Morinë me makinë pa targa tre orë pas nisjes së operacionit?

A mundet vëllai i kryeministrit të përdorë makinën pa targa sikur të jetë një kriminel ordiner? Çfarë e shtyu vëllanë tënd të kalonte kufirin?

Edi Rama dje kishte lajmin e fundit për këtë ngjarje. Gazeta më e lexuar në Gjermani njoftonte se prokuroria gjermane po heton për lidhjet me trafikun e kokainës, familjen tënde, vëllain tënd.

Narkoshtetin shqiptarëve ua solle ti o kriminel i papërgjegjshëm.

A nuk ishe ti që pasi emërove në krye të rendit skafo-ministrin e parë në historinë e Shqipërisë, Saimir Tahiri, i ngarkove si detyrë kanabizimin e plotë të Shqipërisë?

Bazat ushtarake, aeroportet i vure në dispozicion të narkoflotës për eksportin e drogës në Itali, Greqi dhe vende të tjera.

Kush ta solli ty narkoshtetin, po e ndërtove vetë o faqezi, që sot je një Noriegë, një El Chapo, një turp ndërkombëtar, një turp ballkanik, turp evropian.

Atë vit, duhet të jemi realistë, përsëri në emër të mbrojtjes së interesit kombëtar, i vetëdijshëm se kush mbjell drogën, mbjell krimin, kush mbjell drogën, mbjell vdekjen, unë denoncova para shqiptarëve dhe botës në një editorial nomenklaturën e narkoshtetit shqiptar.

Natyrisht në krye të piramidës nuk mund të qëndronte kush tjetër o padrino përveç teje. Më pas rreshtoheshin lejtnantët e tu, Tahiri, Haki Çako, Ardi Veliu dhe shumë të tjerë.

Po a mos ishte vetëm ky denoncim në atë koh? Jo miq. Ishte shefi i SHISH që me guxim në emër të interesit kombëtar pas një hetimi të thelluar në mbarë vendin, do të formulonte raportin në të cilin thuhet se 125 oficerë madhorë janë shndërruar në bajlozë droge, në narkokomisarë droge, mbrojnë parcelat e drogës në të katër anët e vendit.

E sulmove, por ai ishte një realitet.

Ja pra Edi Rama, nuk ta solli RAI3 narkoshtetin, nuk ta solli Sali Berisha narkoshtetin, e mbolle ti o kriminel.

Miqtë e mi!

Kjo është ora e të vërtetës dhe si shqiptar nuk mundem kurrë të mos theksoj se këtu dha një ndihmë edhe një ambasador që do dilte t’u thoshte shqiptarëve në kulmin e kanabizimit se policia shqiptare lufton shkëlqyeshëm drogën dhe kanabisin.

I bëj thirrje qeverisë të hetojë Donald Lunë.

Cili ishte motivi që e shtyu këtë diplomat në një deklaratë superskandaloze të maskojë para shqiptarëve kanabizimin e vendit, narkoshtetin?

Për interesa të kujt e bëri? Kurrë për interesa të SHBA, një vend që harxhon miliarda në luftën kundër drogës.

Kurrë për interesa të kombit shqiptar që paguan faturën më të madhe prej tij.

Por përveç tij janë të tjerë të cilët kanë emra në regjistrin e narkoshtetit shqiptar.

Sot, që Shqipëria është më e damkosur se kurrë, është koha të zgjohemi miqtë e mi.

Çfarë bëri Edi Rama pas arrestimit të Saimir Tahirit? Kujt ia dha ministrinë?

Ia dha drogës dhe vetëm drogës, ia dha Gerond Xhafës dhe Fatmir Faqeziut, që në vend që të tërhiqej në hsitorinë e turpit, organizonte kurthe për denoncimin e vëllait.

Pra miq, ia emëroi Sali Berisha dhe opozita skafo-ministrin, ministër të brendshëm?

Ia emëroi Sali Berisha? Përkundrazi, denoncova me forcën më të madhe Gerond Xhafën që drejtonte nga Vlora trafiqet, dhe Edi Rama më sulej në parlament si një halabak me gjuhën më ordinere se po i bija në qafë një njeriu të ndershëm që po rriste fëmijët e tij duke drejtuar trafikun e drogës nga Vlora.

Miqtë e mi!

Nga narkoshteti e pësoi së pari së pari populli opozitar sepse vota shndërrohet në drogë dhe droga në votë.

Nga narkoshteti u vra shpresa e shqiptarëve sepse Edi Rama me Dumanët e tij kriminelë që fshehin krimin elektoral, kriminelë që mbrojnë dosjet e krimit elektoral, armiq të egër të popullit opozitar, armiq të egër të demokracisë shqiptare.

Po kush e pësoi tjetër? E pësoi çdo qytetar i ndershëm sepse shkon për të blerë apartamentin dhe e gjen se duhet të punojë 60 deri në 70 vite për ta paguar atë. Mollë e ndaluar!

Sepse kullat, monumentet e shëmtuara të krimit dhe drogës blihen nga trafikantët.

Kush e pësoi? E pësoi qytetari i thjeshtë se shkon në supermarket dhe gjen çmimet më të shtrenjta se në Gjermani, Britani, Itali. Sepse ata që kanë drogën nuk pyesin për çmimet, kurse të tjerët rrëmojnë qindarkat në xhepat e tyre.

Edi Rama, po të paralajmëroj këtu, nuk janë lexuar akoma kapitujt e tmerrshëm të narkoshtetit tënd. Jo, jo!

Edi Rama, ekzistojnë akuza se ke përdorur Ismailin në 141 raste si taksi dhe ke transportuar baule me narkoeuro, baule me kokainë.

Ky kapitull do të hetohet, se udhëtimet tua që janë trefishi i çdo kryeministri mbajnë erë drogë, mbajnë erë trafik, mbajnë erë krim dhe duhet të hetohesh.

Qytetarë dhe qytetare, o sot o kurrë, o sot o kurrë.

Përshëndes protestuesit e sotëm te bashkia, heronj të vërtetë.

Por e enjtja është prova e ndërgjegjes sonë qytetare, është prova e përgjegjësisë sonë qytetare, është prova e virtytit tonë demokratik, është prova e ndërgjegjes sonë kombëtare.

Para parlamentit të krimit dhe drogës, e gjithë Shqipëria nga Vermoshi në Konispol, nga Tropoja në Kakavijë, e gjithë Shqipëria para parlamentit.

Të dëshmojmë se nuk jemi ne populli i krimit, nuk jemi popull i drogës.

Por jemi popull i ligjit dhe i virtytit, jemi popull i besimit, i Shqipërisë dhe të ardhmes së saj.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale