KONFERENCA PËR MEDIA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi qeverinë për kontrollin e mediave dhe censurën, ndërsa paralajmëroi amendamente për buxhetin dhe paketën fiskale. Berisha kërkoi rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe bashkimin e opozitës për zgjedhjet lokale.
Në konferencën për media ditën e sotme, lideri demokrat, Sali Berisha, e cilësoi kontrollin e informacionit dhe censurën si tipare të regjimeve autoritare, duke theksuar se rreth 90% e mediave kontrollohen nga qeveria.
Sipas Berishës, ky kontroll shtrihet në lajme, debate televizive dhe linja editoriale, duke i kthyer mediat në instrumente të propagandës qeveritare. Ai tha se edhe mediat me licencë jokombëtare nuk garantojnë një balancë të drejtë mes mazhorancës dhe opozitës.
Berisha kritikoi veçanërisht mënyrën se si disa televizione llogarisin minutazhin e ish-anëtarëve të PD-së, të cilët janë larguar nga partia dhe tashmë mbrojnë qëndrimet e qeverisë. Kryetari i PD kërkoi që koha televizive e këtyre personazheve të mos llogaritet si hapësirë e opozitës, duke e cilësuar këtë praktikë si mashtrim publik.
Gjithashtu, Berisha krahasoi minutazhin që u kushtohet qeverisë dhe opozitës në disa televizione, teksa ndër to kritikoi Report TV, Ora News, Klan News, A2 CNN dhe EuroNews për mungesën e balancës në transmetime.
I pyetur nëse Partia Demokratike do të paraqesë amendamente për buxhetin dhe paketën fiskale, Berisha konfirmoi se opozita do të depozitojë propozimet e saj. Ai e cilësoi paketën fiskale si një goditje për qytetarët, profesionet e lira, bizneset e vogla dhe investitorët, duke kundërshtuar rritjen e taksës mbi dividendin dhe zgjerimin e skemës së TVSH-së.
Lideri i opozitës akuzoi qeverinë për abuzime me shpenzimet operative dhe investimet publike. Sipas tij, shpenzimet operative janë rritur nga rreth 300 milionë euro në vitin 2013 në 930 milionë euro aktualisht, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e fondeve të investimeve përfundon në korrupsion.
Berisha paralajmëroi se amendamentet e opozitës do të përfshijnë rritjen e pagës minimale me 50%, rritjen e pagës mesatare me 30% dhe vendosjen e minimumit jetik në 200 euro.
Ai kërkoi gjithashtu që asnjë pension të mos jetë nën 200 euro, përfshirë pensionet e pjesshme, si dhe një sistem rritjeje të pensioneve drejt dyfishimit të tyre.
Sa i përket investimeve publike, Berisha deklaroi se PD do të propozojë uljen e fondeve në 700-800 milionë euro, duke theksuar se kjo do të mundësonte realizimin e më shumë projekteve në krahasim me mënyrën se si menaxhohen aktualisht paratë e buxhetit.
Në lidhje me procesin zgjedhor, Berisha tha se identifikimi elektronik është shoqëruar me akuza për abuzime serioze. Ai vuri theksin mbi çipe që mund të informojnë se kush ka votuar dhe kush jo, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e këtij sistemi.
Sa i përket negociatave me partitë e vogla opozitare për zgjedhjet lokale të 14 majit, Berisha deklaroi se PD është e gatshme të diskutojë pa paragjykime për kandidaturën më të përshtatshme për Bashkinë e Tiranës.
Ai theksoi se protesta ka bashkuar qytetarë dhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike, ndaj kandidati duhet të jetë rezultat i një diskutimi të përbashkët.
Berisha u bëri thirrje partive opozitare të bashkohen në një front kundër qeverisë së Edi Ramës, duke ruajtur identitetet e tyre politike.
Sipas tij, qëllimi i përbashkët duhet të jetë largimi i Edi Ramës nga pushteti, ndërsa negociatat do të vijojnë me synimin për të krijuar një front të gjerë opozitar.
Kryetari i PD-së u shpreh optimist për ecurinë e këtij procesi dhe ftoi të gjitha forcat politike që e konsiderojnë qeverinë aktuale si rrezik për vendin të bashkohen në një aksion të përbashkët.

FJALA E PLOTË
Terri informativ dhe censura janë tipare kardinale të diktaturave dhe regjimeve autoritare, narkodiktaturave.
Në mënyrën më të përsëritur kemi paraqitur para jush, kemi denoncuar faktin tragjik se 90% e medieve kontrollohen nga qeveria.
Sipas vëzhguesve të pavarur, ky kontroll ushtrohet në lajme.
Ky kontroll ushtrohet në studiot e debateve.
Ky kontroll ushtrohet në linjat editoriale.
Dhe, kjo përbën një shndërrim të medieve në instrumente të të keqes banale, që përfaqësohet nga qeveria dhe mashtrimet e saj.
Para jush kemi paraqitur në mënyrë të përsëritur mediat e quajtura kombëtare, që për qëndrimet që mbajnë ndaj parimeve demokratike, janë antidemokratike dhe antikombëtare, të cilat në mënyrë të pamëshirë dhe në verbëri të plotë i kushtojnë Padrinos dhe organizatës së tij kriminale rreth 80-90 % të të gjithë kapacitetit të tyre informativ, debat, editorial, etj.
Kemi bërë një studim tjetër të medieve me licencë jokombëtare, të cilat për fat të keq ndjekin në një mënyrë ose në një tjetër ato kombëtare.
Pra, në këto media, siç e shihni, për qeverinë transmetojnë 58%, për opozitën 41%.
Nuk kanë të njëjtin proporcion si mediat kombëtare, por edhe këto e kanë sherrin brenda.
Cili është sherri brenda?
Këto media i llogarisin PD-së minutazhin që u japin ish-ëve të mi.
Dhe kjo është një mashtrim publik.
Unë nuk them që ‘ish-ët’ e mi nuk kanë të drejtë të jenë në studio, në lajme, etj, etj, por t’i llogarisësh ata për kohë PD-je, është mashtrim i madh publik.
Më konkretisht flet ish-Spahiu.
Ish-Spahiu është një hajdut i damkosur me raporte ndërkombëtare, i larguar nga PD-ja dhe i rigatuar nga Edi Rama.
Dhe ai pandalshëm kalon nga një studio në studio tjetër në zbatim të porosive të Edi Ramës dhe koha i llogaritet si e PD.
Del ish-Meçe, një personazh butaforik, avokati i Edi Ramës në pasojat katastrofale të tërmetit.
Ish-i Meçe, ishi-Çupi, ish-i Spahia janë kilometra më të pandershëm se ish-i Dash Sulo.
Se tani jemi në një periudhë ku socialistët nuk e mbrojnë Edi Ramën, nuk shkojnë në studio për të mbrojtur Edi Ramën, ua tha vetë ai, dhe ai ka gjetur si skuadron avoketërish me pagesë ish-at.
Ata të dalin, por problemi është se mediat e llogarisin këtë si kohë të PD-së.
Kjo është e pandershme.
Se po të hiqet koha e ish-ëve, disa prej tyre dalin njëlloj si Top Tuneli në kohën me PD-në.
SYRI, edhe ky nuk ka një balancë, por dallon shumë sepse ky jep për PD-në 329, për PS-në jep 115.
Nuk është në gjurmët njëlloj me Report TV, i cili i jep 250 për qeverinë dhe vetëm 82 për opozitën. Dhe këtu janë ish-at prapë.
Ora News këtë raport e ka 200 me 91.
Klan News, njëlloj si i ati, 213 me 73. Babë e bir.
A2 CNN, më të arsyeshëm, 170 me 102, por prapë edhe këtu futen ish-at e mi. Pasioni për ta ka kufi vetëm qiellin.
EuroNews e ka këtë raport më të pranueshëm, 94 me 52, por edhe këtu aktivë dhe superaktivë janë ish-at e mi, të cilët nuk quhen më socialistë, koha i llogaritet PD-së, por në fakt është totalisht e përkushtuar në mbrojtje dhe mburojë të PS.
Ndaj dhe unë u bëj thirrje këtyre medieve, këto raporte t’i kenë parasysh dhe të paktën për ndershmëri dhe korrektesë, çfarë vjen nga ish-Çupi, ish-Spahia, ish-Meçe e me radhë, ata le të shkojnë, por t’ia llogarisin PS-së, jo PD-së se është e pandershme.
SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME GAZETARËT
Olta Blaceri, VIZION PLUS: Z. Berisha, të enjten kalon buxheti dhe paketa fiskale nen për nen në parlament. A do të paraqesë Partia Demokratike amendamente këtë herë për buxhetin?
Sali Berisha: Paketa fiskale, siç është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga unë dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike, përbën një goditje shumë të rëndë për xhepat e qytetarëve shqiptarë, një goditje shumë të rëndë për profesionet e lira të cilave u shkon në 20 e sa përqind taksa.
Një goditje shumë të rëndë për bizneset e vogla, të cilat futen në ombrellën e TVSH-së, mbi 17,500 të tilla.
Përbën një goditje të rëndë për investitorët, mbasi është dyfishuar taksa mbi dividentin. Nuk përbën absolutisht asnjë përfitim, dhe këtu do jemi dhe ju vetë do t’i verifikoni.
Për shtresat e varfra, sepse ajo ulje e TVSH-së së ushqimeve u shoqërua me vendosjen e TVSH-së të dyqaneve që i shesin ato, të njësive tregtare që i shesin ato.
Pra, është një paketë fiskale në kundërshtim me interesat e qytetarit, të biznesit të vogël, të profesioneve të lira që është shtresa e mesme, profesionet e shërbimeve për qytetarët, çka nënkupton rritje automatike të çmimeve të këtyre shërbimeve për qytetarët, por dhe investitorët e huaj, të cilët nuk kanë pse vijnë në një vend me taksë dividenti 15 përqind në një kohë kur shkojnë në një vend ku është 5 përqind, 7 përqind ose nuk ekziston.
Sigurisht që Partia Demokratike ka dhe do të ketë amendamentet e veta për paketën fiskale dhe jo vetëm. Unë e kam denoncuar këtu, po e denoncoj prapë, shpërndarja e 10 miliardë eurove, buxhetit më të madh siç thotë Edi Rama në histori, është skema e vjedhjes më të madhe në histori.
Po jap vetëm dy shembuj: zërin e shpenzimeve operative.
Çfarë janë shpenzimet operative?
Shpenzimet operative janë shpenzimet që bëjnë të gjithë zyrtarët e shtetit në funksion të detyrës së tyre.
Këto shpenzime në vitin 2013 kanë qenë gjithsej 300 milionë euro. Këto shpenzime reduktoheshin sepse kërkesat ishin më të mëdha, por në çdo buxhet dihet që është zëri më abuziv. Krahas kësaj do lyej këtë dhomë, se do rregulloj atë banjë, se do shtroj pllakat e korridorit, vijnë të gjitha këto aty, vijnë projekte, qytetarët nuk mund ta besojnë, por vijnë projekte edhe 100 euro në parlament për t’u votuar si të vjedhësh.
Cilido që dëshiron të ketë idenë e shpenzimeve operative se ç’ndodh me to, i sugjeroj të lexojë tregimin ‘Minjtë’ e Dino Buzzati-t, se si ata minjtë ja gërryen trarët e shtëpisë së profesorit dhe shtëpinë e përmbysën, sepse hanin çdo gjë.
Edhe kjo e shpenzimeve operative kështu është: drejtori me dy vetura, zëvendësministri me dy-tri vetura, të tjerët vetura për përdorime familjare, e gjithë kjo lukuni.
Dhe një shembull këtu, kur ne hoqëm veturat e zëvendësministrave, dhe naftën apo çmimet e transportit ua përfshimë në rroga, ne kursyem 46 milionë euro. Vetëm veturat e zëvendësministrave.
Sa janë sot këto shpenzime? E pabesueshme.
Sot janë 930 milionë euro. Nga 30 miliardë që ishin në vitin 2013, janë pra 93 miliardë lekë.
E kuptoni?
Po marr inflacionin, po e quaj 40 përqind në 14 vite, duhet të jenë sot me atë standard 420 milionë. 500 milionë janë plaçkitje dhe vjedhje.
E kuptoni se ç’bëhet?
Marrim zërin tjetër ku vidhet në mënyrë të paimagjinueshme. Zëri tjetër, 20 përqind e buxhetit caktohet për investim. Si shifër e përcaktuar është nga më të lartat.
Por çfarë dëshmon kjo shifër?
Në një vend ku sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, 90 përqind e parave të caktuara për investime zhduken, dhe këtë e thotë edhe Banka Botërore, jo në këtë përqindje, por ka edhe ajo përqindjen e vet, atëherë kjo do të thotë se nga 2.2 miliardë euro, të paktën 1.8 miliardë janë lënë për t’u vjedhur. Absolutisht!
Për t’u kthjelluar pak, vitet e investimeve të mëdha, në të cilat u ndërtua Rruga e Kombit, u ndërtua mbi 50 përqind e Rrugës së Arbrit, u ndërtua Rruga e Bregut, rruga Levan-Tepelenë, Levan-Vlorë, Gjirokastër-Tepelenë, Hani i Hotit-Shkodër, Shkodër-Velipojë, Hani i Hotit-Leqet e Hotit, Tamarë-Leqet e Hotit, rruga Bogë-Qafë Thorë, Shkodër-Bogë-Qafë Thorë, rruga Gjirokastër-Fushë Çajup, rruga Korçë-Qafë Plloçë, pothuaj 50 përqind e rrugës Korçë-Kolonjë, pra të gjitha këto së bashku, me qindra kilometra të tjerë që u ndërtuan nga rrugët kombëtare drejt bregut ose nga qendrat urbane drejt majës së maleve, drejt Çajupit, drejt Vithkuqit, drejt Prespës, drejt Sari Salltikut, drejt Shebenikut me radhë mos shkoj tani me radhë duke i numëruar, të gjitha këto pra së bashku, këto nuk shkojnë më shumë, maksimumi shkojnë 3.5 miliardë euro.
I shtojmë një 40 përqindësh rritje të indeksit të çmimeve, me 2 miliardë këta duhet të transformonin Shqipërinë, po këta vjedhin, vjedhin dhe vetëm vjedhin.
Sigurisht që ne do bëjmë amendamentet tona, ne do kërkojmë rritjen e rrogës minimale 50 përqind, rritjen e rrogës mesatare 30 përqind, vendosjen e minimumit jetik 200 euro.
Asnjë pension jo i plotë apo i çfarëdo llojit nuk mund të jetë nën 200 euro, dhe një sistem rritjesh pensionesh që ecin drejt dyfishimit të tyre.
Pra, me fjalë të tjera, ne nuk do t’i mashtrojmë shqiptarët se do investojmë 2.2 miliardë, jo.
Ne do zbresim absolutisht në 700 ose 800 milionë euro dhe asnjë qindarkë tjetër.
Dhe ju garantoj se do bëjmë shumë më tepër se ç’kanë bërë këta në katër vite me këto.
Po, po, pra siç e shihni ne kemi shumë motive për të bërë amendamentet më serioze, më të drejta, dhe do t’i paraqesim. Natyrisht, ju e keni parë, aty ka një shumicë memece, pseudo shumicë e paligjshme. Ata nuk flasin, ua ka hequr të drejtën e fjalës Edi Rama.
Në studio televizive nuk i dërgon, në parlament nuk i lë të flasin, po vetëm të votojnë, të ngrenë dorën të votojnë.
Po ne do bëjmë punën tonë para shqiptarëve.
Olta Blaceri, VIZION PLUS: Një pyetje që ka lidhje me zgjedhjet. A është përfundimtar qëndrimi i Partisë Demokratike kundër identifikimit elektronik në zgjedhje? Ju nuk e doni më këtë, keni hequr dorë përfundimisht? Faleminderit.
Sali Berisha: Identifikimi elektronik është akuzuar për abuzime shumë serioze. Gjer dhe për çipe që informojnë se kush votoi dhe kush s’votoi, e të tjera me radhë.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Për të mbetur prapë tek zgjedhjet, duke qenë se keni deklaruar më herët se këtë javë do të nisin negociatat për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera të vogla opozitare sa i takon zgjedhjeve lokale të 14 majit.
A kanë nisur këto negociata dhe a jeni ju dakord me një kërkesë të shprehur që kandidati për Bashkinë e Tiranës të jetë nga radhët e protestës, pra një figurë jo politike? Faleminderit.
Sali Berisha: Tani, aty në protestë kanë qenë nga të gjitha partitë politike dhe qytetarët pa parti. Të jemi realistë, protesta ka qenë një bashkim i paprecedentë.
Me atë çfarë unë jam, të ulemi në debat, të ulemi në diskutim pa asnjë paragjykim dhe të zgjedhim kandidaturën më të përshtatshme për qytetarët e Tiranës.
Se po të nisemi nga protesta, të garantoj që në trashëgiminë e tyre, ata që kanë jo 170 ditë, po kanë edhe 500 dhe 700 ditë të regjistruara në protestë, në tërësi janë të Partisë Demokratike. Kjo është e vërteta!
Por ne do fillojmë negociatat me qëllimin që të bashkohen të gjithë elementët, të gjithë faktorët që konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe, dhe që pranojnë, duke ruajtur plotësisht secili identitetin e tij, një lloj pluraliteti që e kishte vetë protesta, siç e kishte protesta, se socialistët nuk shkuan aty për t’u bërë demokratë, as demokratët nuk shkuan aty për t’u bërë socialistë, jo, apo për të ndjekur ata që bërtisnin si të shkatërronin protestën, po shkuan të gjithë aty kundër Edi Ramës, për largimin nga pushteti të Edi Ramës.
Ndaj dhe ky është dhe një moment që secili nga ne të dëshmojë vullnetin e tij për t’u përballur me të keqen më të madhe që është Edi Rama, bashkërisht.
Secili nga ne duhet të qartësohet, e konsideron Edi Ramën dhe regjimin e tij një rrezik ekzistencial apo jo?
Dhe çdonjëri që arrin në këtë përfundim, jam i sigurt se gjen forca në interesin e tij më të mirë, në interesin e partisë së tij, në interesin e lëvizjes së tij, të bashkohemi në një front, sepse nuk ka gjë më qesharake sesa të presësh se çfarë po bëjnë ndërkombëtarët, se çfarë po thonë ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët, miqtë e vërtetë, kanë një këshillë: Bashkohuni! Dhe ua kanë thënë: Bashkohuni si opozitë!
Të bashkohemi në pluralitetin tonë, në identitetet tona, por të bashkohemi kundër një të keqeje më të madhe, një rreziku ekzistencial kombëtar që është Edi Rama.
Nuk ishte Aleksandër Vuçiç një rrezik ekzistencial i tillë për serbët siç është Edi Rama për shqiptarët, jo!
Nuk e kanë quajtur Aleksandër Vuçiç kryeministrin më të mirë të shqiptarëve. Edi Ramën e kanë quajtur kryeministrin më të mirë të serbëve pas Pashiçit. Kjo është e vërteta.
Atëherë hajde vëllezër, hajde zotërinj, këta që, se i dëgjoj, i referohen lëvizjes serbe, normale është t’i referohesh, po ama po iu referove lëvizjes serbe, duhet t’i referohesh vërtetësisht dhe jo kot së koti.
E vërteta është që lëvizja serbe është një përzierje e të gjitha rrymave, që shumë prej tyre s’kanë asgjë të përbashkët në programet e tyre, por konsideruan Aleksandër Vuçiçin një rrezik ekzistencial për të ardhmen e kombit serb.
Ndaj dhe uroj, ne për këtë do punojmë, ne nuk lodhemi.
Unë ftoj të gjithë shqiptarët të konsiderojnë këtë bashkim në kushtet e një rreziku real ekzistencial për kombin tonë.
Me durim, por ne shpresojmë se kjo agjendë do të ecë.


