FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E RIPËRTËRITJES NË DURRËS
EKSTRAKT
Nga Durrësi, ku Partia Demokratike zhvilloi foltoren e ‘Ripërtëritjes‘, kryetari Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën, ndërsa u shpreh se 28 Nëntori po vjen. Në këtë ditë është thirrur një protestë mbarëkombëtare, ku pritet që numri i protestuesve të jetë i madh. Në fjalën e tij, Berisha ka përshëndetur studentët dhe të rinjtë për protestat e tyre të vazhdueshme. ‘Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do i kesh në shesh të pamposhtur. Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre.’, theksoi Berisha.
Kryetari i PD-sw Sali Berisha ka theksuar gjatë fjalës së tij në foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Durrës, se bandat dhe Padrino i tyre do të përfundojnë para ligjit. ‘Avdylët, të tjerët, Çelat, të gjithë kudo që janë, në Shkodër, në Elbasan, në Fier, në Vlorë, nuk do munden më kurrë këta vrasës të intimidojnë, të trembin qytetarët. Jo, jo, kohërat po marrin fund, bashkë me Padrinon e tyre edhe ata do përfundojnë para ligjit.’ tha Berisha. Duke folur përa demokratëve, ai y shpreh se, nuk ka zgjedhje në kushtet e partisë shtet. ‘Pas 35 viteve, vëzhguesit më seriozë ndërkombëtarë, shkruajnë në unison në raportet e tyre se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Dhe kjo është vepra e zezë e Edi Ramës.’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Lideri i demokratwve Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në Durrës, u shpreh se opozita ndodhet në prag të ‘një fitore të vërtetë mbarëshqiptare’, ndërsa paralajmëroi se ‘Edi Rama i ka kohërat e numëruara’. Berisha foli për protestat e muajit qershor dhe revoltën studentore, duke u shprehur se, ato dëshmuan pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë. Ai e cilësoi regjimin e Ramës si ‘më të diskredituarin në Evropë dhe në botë’ dhe u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër qeverisë, të cilën e akuzoi se përbën ‘një rrezik ekzistencial për Durrësin, Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët’.
Kryetari i PD, Sali Berisha, akuzoi Edi Ramën se e ka shkatërruar Durrësin përmes betonizimit dhe se portet e qytetit ua ka dorëzuar personave që ai i cilësoi si të lidhur me trafikun e drogës.
Gjatë fjalës në Foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Durrës, Berisha tha se porti i qytetit, të cilin e cilësoi si ‘aortën jo vetëm të Durrësit, por të kombit’, u është marrë qytetarëve dhe punonjësve që siguronin jetesën prej tij. Ai ngriti akuza edhe për portin e peshkimit, duke përmendur emrat e Luca-s dhe Troplinëve. Berisha e cilësoi situatën demografike në Shqipëri si një ‘rrezik ekzistencial’ dhe pretendoi se rënia e lindshmërisë dhe largimi i qytetarëve janë pasoja të qeverisjes së Edi Ramës. Në përfundim, ai u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen për të larguar qeverinë dhe për të ‘çliruar votën e lirë’.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se me buxhetin prej 10 miliardë eurosh të paraqitur nga qeveria mund të vendoset menjëherë minimumi jetik prej 200 eurosh, të rriten pagat minimale me 50%, pagat mesatare me 30% dhe pensionet me 30%. Gjatë fjalës në Foltoren e ‘Ripërtëritjes’, Berisha akuzoi qeverinë se fondet publike shpërdorohen dhe vidhen, duke pretenduar se ‘90% e investimeve vidhen’. Sipas tij, duke ulur shpenzimet administrative dhe fondet e investimeve që ai i cilësoi abuzive, mund të sigurohen paratë për rritjen e të ardhurave të qytetarëve. ‘Paratë janë, por ato vidhen’, u shpreh Berisha, duke bërë thirrje për bashkim kundër qeverisë së Edi Ramës.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, u bëri thirrje forcave politike opozitare të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës, duke theksuar se ‘askush nuk fiton duke qëndruar veçmas’. Gjatë fjalës në Foltoren e ‘Ripërtëritjes’ në Durrës, Berisha deklaroi se ‘vetëm Partia Demokratike është rritur gjatë këtyre gjashtë muajve’, ndërsa e lidhi këtë me qëndrimet që, sipas tij, ka mbajtur opozita. Ai kërkoi vijimin e procesit të ripërtëritjes dhe hapjen e PD-së ndaj të rinjve dhe grave, me synimin për krijimin e ‘frontit më të gjerë e më të fuqishëm’ kundër qeverisë. ‘Duhet të bashkohemi’, theksoi Berisha, duke u shprehur se opozita do të fitojë nëse vepron e bashkuar.

FJALA E PLOTE
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje shumë të përzemërt ju demokrateve dhe demokratëve të qarkut të Durrësit në këtë sallë, banorëve, qytetarëve të këtij qarku në Durrës, në të gjitha zonat e tij, në Shqipëri dhe kudo që janë sonte.
Nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për secilin prej jush dhe për të gjithë ata që në kushte të një narkodiktature, i qëndruan besnikë idealeve të tyre të lirisë, i qëndruan besnikë dinjitetit të tyre, qëndruan të pamposhtur dhe vijmë sot në një kohë kritike, por krejt tjetër.
Të dashur deputete dhe deputetë të qarkut të Durrësit, drejtues të degëve të PD të këtij qarku, të nderuar aleatë, dhe njëherë një përshëndetje të përzemërt nga unë dhe mirënjohje për punën që keni bërë.
Të dashur miq, jeta, veprimtaria politike në një diktaturë janë të vështira dhe duhet ta përsëris se midis të gjitha diktaturave, narkodiktatura, diktatura e bazuar në drogën apo ndryshe diktatura e bandave, vlerësohet më e keqja, më e rrezikshmja.
Vlerësohet e tillë nga ata që kanë studiuar të gjitha llojet e diktaturave.
Dhe në fakt, kur e kam lexuar për herë të parë, nuk është se e kam pranuar menjëherë këtë gjë sepse mendoja se diktaturë si ajo që kaluam ne, toka nuk ka pasur.
Diktaturë e cila mohonte me zero tolerancë pluralitetin.
Por diktatura e sotme është sipas Hantingtonit, më e keqja e të gjitha formave sepse ai thotë se këto lloj diktaturash nuk kanë asnjë ligj, nuk respektojnë asnjë normë, nuk pyesin për asgjë.
Dhe në qoftë se kthehemi bashkë me ata që kanë memorie, u kërkoj ndjesë të rinjve që janë fatlumë që nuk i njohin ato vite, por në qoftë se kthehemi pas jo në vitet e zeza, por në vitet ’90, krahasojmë disa zhvillime.
Edhe atëherë studentët u ngritën kundër regjimit.
Regjimi ishte i dyzuar, të përdorë forcën apo të kërkojë marrëveshje me ta.
Regjimi, për të shmangur një skenar të Bukureshtit, vendosi të negociojë me ta.
Por një gjë, ishin studentët ato dy ditë me datën 10 dhe 11 dhjetor të vitit 1990, që zgjodhën përfaqësuesit e tyre.
U mblodhën në ato salla dhe votonin njëri-tjetrin, zgjidhnin njëri-tjetrin dhe nuk ua zgjodhi njëri.
Imagjinoni këtë të sotmin.
Pasi theu kafka, theu gjymtyrë, u dha plumbin e gomës në lule të ballit, pasi përdori të gjitha mjetet kundër tyre, i zgjodhi si hijenë një grusht studentësh dhe u shfaq aty ku diktatori i fundit komunist u shfaq me studentët.
Por dallimi ishte se ai kishte zbatuar ligjin. Studentët kishin zgjedhur përfaqëesuesit e vet.
Kurse ky ua zgjidhte studentëve përfaqësuesit.
Më është kujtuar Hangtingtoni shumë herë, pra ky jashtë çdo morali, jashtë çdo standardi, imagjinoni në vitin ’90 atëherë kishte marrë fund, me datën 11 dhjetor e gjithë Tirana ishte në Qytetin Studenti, por prapë kishte një njeri në Byro Politike dhe plenum që thoshte t’u fusim tanket se pushtetin e morëm me gjak dhe pa gjak nuk e lëshojmë.
Kush ishte ky?
Ky ishte daja i Edi Ramës, ishte Spiro Koleka.
A nuk veproi ky këto ditë, këto kohë në mënyrën më të egër ndaj studentëve?
Unë në emër tuaj dua t’u jap një përshëndetje të përzemërt studenteve, studentëve, pedagogëve të Universitetit të Durrësit, të universiteteve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë për lëvizjen e tyre, për revoltën e tyre të paparë.
Dhe ta garantoj diktatorin se ti këto kohërat që të kanë mbetur po sillesh njëlloj si shumica e tiranëve në kohërat e fundit të tyre.
Por lexo historinë.
Në të gjitha këto raste, fjalën e fundit, shtytjen e fundit, të shtënën e fundit e ka pasur sovrani.
Dhe të garantoj se do e ketë edhe për ty.
I them Edi Ramës, mos mendo mor i mjerë se do mund të rrish në atë karrige duke thyer kocka studentësh dhe të rinjsh.
Jo, jo, nuk ke njohur ti akoma kufijtë e trimërisë së tyre.
Nuk i ke njohur akoma.
Në qoftë se ata udhëhiqen nga vetëpërmbajtja, e cila është trimëri, është guxim, i bindur edhe njëherë se fjalën e fundit në të gjitha këto lloj betejash midis tiranit dhe sovranit, e ka thënë sovrani.
Se firmën e fundit midis tiranit dhe sovranit, e ka vendosur sovrani.
Ndaj dhe je krejtësisht i pashpresë.
Studentët janë të gatshëm dhe do jenë të gatshëm, takohu me kë të duash prapa skenave, por ata do i kesh në shesh të pamposhtur.
Data 28 Nëntor po vjen, Dita e Flamurit do nderohet nga shqiptarët më mirë se kurrë në historinë e tyre.
Unë ju përshëndes ju dhe vlerësoj votën tuaj, vlerësoj qëndresën tuaj.
Me 11 maj, gazetarët raportonin nga Durrësi se zgjedhjet po i kontrollon banda.
Se anëtarët e bandës, është fjala për Elvis Troplinin që rri tani në vrima miu, i mbrojtur nga shteti, kalonin nga qendra në qendër.
Unë u jap fjalën atyre, këtu para jush, fjala fjalë, se vrimë miu në Shqipëri dhe botë nuk do ketë, por do gjenden kudo që të jenë dhe do vihen para ligjit.
Jo vetëm ata, por edhe Avdylët, të tjerët, Çelat, të gjithë kudo që janë, në Shkodër, në Elbasan, në Fier, në Vlorë, nuk do munden më kurrë këta vrasës të intimidojnë, të trembin qytetarët.
Jo, jo, kohërat po marrin fund, bashkë me Padrinon e tyre edhe ata do përfundojnë para ligjit.
Vëllezër dhe motra, qëndresa juaj si opozitë e vërtetë, ka qenë e një rëndësie historike sepse ajo bëri të dështojë çdo përpjekje për një opozitë fasadë siç e donte Edi Rama.
Ishte qëndresa juaj që bëri të mundur që PD para të gjithë botës të faktojë se zgjedhjet e 11 majit u zhvilluan në kushtet e partisë shtet.
Dje po bisedoja me Oerd Bylykbashin.
I them, Oerd, në janar të vitit 1991, kur po përgatitej greva e urisë së studentëve, një nga studentët tona në atë kohë ishte të ndahej shteti nga partia.
Sepse ishte parti shtet.
Sepse në kushtet e partisë shtet, zgjedhje nuk ka, ka farsë elektorale.
Dhe ne ishim para zgjedhjeve.
Pas 35 viteve, vëzhguesit më seriozë ndërkombëtarë, shkruajnë në unison në raportet e tyre se në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti.
Dhe kjo është vepra e zezë e Edi Ramës.
Pra, ju qëndruat.
Qëndruat, ndonëse u ndërmorën për të rrëmbyer votën, 4300 aktivitete vetëm e vetëm për të ndikuar tek ju në votë. Të paligjshme. Në një periudhë që ligji nuk e lejon.
U arrestuan në vitin elektoral drejtuesit e dy partive kryesore opozitare dhe i treti i vu në ndjekje penale.
U shpërndanë 100 euro për 760 mijë pensionistë në mes të fushatës zgjedhore,
U amnistuan 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamata. 210 mijë familje prekeshin nga kjo masë, 84 mijë biznese.
Shikoni ju se ç’u bë kundër votës tuaj.
Imagjinojeni!
U dekretua mbjellja e 29 mijë hektarë kanabis.
U firmosën me mijëra fletë punësimi, legalizime, certifikata pronësie.
Të gjitha këto bënë që komuniteti ndërkombëtar të arrijë në përfundimin se këtu zgjedhjet u zhvilluan nga partia shtet.
Pra ishin farsë elektorale.
Të gjitha këto u mishëruan në një seri rezolutash ndërkombëtare.
Për të gjitha këto, demokratët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë nisën protestat nga dhjetori i vitit të kaluar protestat më të fuqishme gjer në maj të këtij viti.
Ky ishte terreni, ky ishte mjedisi në të cilin në fillim të muajit qershor, Shqipëria njohu shpërthimin më të fuqishëm popullor.
Do ta quaja dhe e quaj me bindjen më të thellë një nga mrekullitë më të mëdha të shqiptarëve ku me dhjetëra dhe qindra mijëra mbushën rrugët, sheshet e Tiranës pa dallime partiake, socialistë, demokratë, të paparti, punonjës… më njoftonin demokratët edhe të kryeministrisë, edhe të institucioneve të tjera.
Shpërtheu në mënyrën më të fuqishme pakënaqësia dhe urrejtja ndaj regjimit.
Në fakt, emri i shqiptarit u lartësua më shumë se kurrë.
Njerëzit e qytetëruar, ua them unë ju, shtrojnë gjithnjë një pyetje për popujt e shtypur: Si e durojnë?
Më thoshte mua një zyrtar më i lartë i BE, Sali, po si ka mundësi që i durojnë socialistët shqiptarë, qytetarët kur këta haptas duan të pengojnë integrimin?
Pra, shqiptarët u ngritën në mënyrën më të fuqishme.
Ajo lëvizje nuk realizoi qëllimin, dorëheqjen e Edi Ramës, po ajo lëvizje e tërhoqi zvarrë atë në rrugët e Tiranës dhe në të gjitha pistat e opinionit publik ndërkombëtar, e damkosi dhe dëshmoi se çfarë ishte ky.
Pas saj, erdhi revolta studentore.
Nuk ka parë Tirana vajza dhe djem më trima se ata, prandaj i thashë Edi Ramës, fjalën e fundit e ka sovrani, bëj sa të duash mbledhje prapa shpine dhe çdo gjë, por e garantoj se sovrani do t’i thotë atij atë që meriton.
Pra, e bëra këtë analizë për të theksuar se jemi në një situatë në krizë të thellë, por në një situatë realisht shpresëdhënëse.
Jemi në agun e një fitoreje të vërtetë mbarëshqiptare.
Edi Rama i ka kohërat e numëruara.
Regjimi i tij është sot regjimi më i diskredituar në Evropë dhe në botë.
Por jemi në një moment kritik, në një moment ku çdo qytetar shqiptar ftohet të bashkohet kundër kësaj të keqe më të madhe
Miq, në qoftë se ne kemi qëndruar, në qoftë se ne kemi mbetur të pamposhtur, njerëz jemi ne, nuk është se nuk i ndjejmë dhimbjet, nuk është se nuk i ndjejmë sakrificat, nuk është se nuk e ndjejmë lodhjen, por ne na mban të fortë dhe në këmbë besimi ynë tek e vërteta.
Ne mbrojmë të vërtetën.
Ne gjatë gjithë kohës kemi mbrojtur ato të vërteta që kemi besuar.
Sot, e vërteta më tragjike është se Edi Rama dhe regjimi i tij përbën një rrezik ekzistencial për Durrësin, Tiranën, Shqipërinë dhe shqiptarët në Shqipëri.
Para se të vija këtu, më pyeti gazetari, po i thashë, cfarë të them, a ka qytet tjetër, a ka një qytet të dytë në Shqipëri apo Evropë që të ketë pësuar ato që ka pësuar Durrësi nga betoni i Gjushit?
Edhe 100 vite burg meriton ai.
Prisni se do t’i marrim pak kështu.
Në vitin 2000, unë në Bruksel, aty takoj një zyrtar italian të Komisionit Evropian dhe ulem unë e po ia përshkruaj regjimin e Nanos. Në atë kohë kishte plot gazeta me tituj, mafia e rrezikshme shqiptare, etj me radhë.
Më thotë mua, kanë filluar të bëjnë bamirësira?
Jo, i thashë, nuk kanë filluar.
Qenke mirë, më thotë, se kur fillon mafia me bamirësinë, atëherë përbën problem.
Këta japin pensione, këta marrin vendime, këta japin leje ndërtimi.
Pra, u ndala në këtë moment, çfarë i bëri Durrësit ai?
Ai e bëri Durrësin beton. Qytet më të bukur, plazh më të bukur se Durrësi nuk ka pasur Evropa. Absolutisht jo. Edhe 100 gara po të bëheshin, Durrësi dilte i pari.
Po si ia mori portin? Si kuçedër.
Porti, aorta jo vetëm e Durrësit, e kombit.
Porti në të cilin mijëra e mijëra, gjeneratë pas gjeneratë, durrsakë kishin të ardhurat e tyre, rrogat e tyre, punën e tyre.
Dhe del me një vendim, do ta marrë me Alabarin.
Asnjë pushtues nuk ia bëri Durrësit këtë. Asnjë pushtues.
Dhe vë portin në shërbim, thuhet që Troplinët i japin atij 300 mijë euro në vit taksë për drogën.
Porti i peshkatarit, kujt iu dorëzua? Lucës, i cili ua them unë këtu, gjatë qeverisjes sonë, dokumentet e autoriteteve italiane ishin më të zezat që mund të ishin.
Dhe thotë, më shkatërroi ai.
Të shkatërroi? Po sigurisht po qe se je i përzier në krim, do të ndiqesh gjer në fund.
Dhe ky zgjodhi dy trafikantë dhe ua dha edhe portin e peshkatarëve.
Pra, Durrësi pësoi aq sa nuk ka pësuar nga asnjë pushtues në historinë e tij.
Po kombi, çfarë pësoi?
Po flisja me një profesor shumë të nderuar. Elitë evropiane është ai, ka ardhur disa herë në Shqipëri. Dhe i shpjegova narkoshtetin dhe në fund e mbylla, i thashë tani i nderuar, ne sot lindshmërinë e kemi sa e kishim 100 vite më parë.
U shtang, atëherë tha ky është rrezik ekzistencial për ju.
Dhe çdo shqiptar duhet ta dijë se ne jemi para një rreziku vërtet ekzistencial.
Dhe çdo ditë që kalon, ky vend dëmtohet edhe më shumë nga ky armik i qenies së shqiptarëve.
E përgëzoj gazetarin shqiptar nga Maqedonia që e pyeti, i tha, ti merresh me kryeministra, po shqiptarët pse nuk i do ti?
Po i urren shqiptarët ky.
I urren.
Miq, nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri është rritur çdo vit.
Kurse sot shifra zyrtare është se në Shqipëri janë 2.3 milionë banorë. Janë më pak. U garantoj që janë shumë më pak.
Prandaj dhe ka rënë lindshmëria sa ç’ishte 100 vite më parë.
Çfarë duhet të bëjë ky që të presim ne?
A nuk është ky një kushtrim?
Unë nuk po ndalem tek vjedhja e tmerrshme, e pamëshirë e tij.
Por unë nuk ndalem tek ky moment që nuk na e ka krijuar asnjë luftë, asnjë pushtues, asnjë epidemi, asnjë tërmet, asgjë prej gjeje përveç tij.
A nuk është ky një kushtrim që buron nga thellësitë më të mëdha të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarit atdhetar, të zemrës, të bashkohemi për të hequr këtë të keqe të madhe.
Të bashkohemi siç janë bashkuar kombet në momentet kritike për ekzistencën e tyre.
Siç janë bashkuar armiqtë në momentet kritike të ekzistencës së tyre.
Të bashkohemi në mënyrë që të çlirojmë votën e lirë të shqiptarëve.
Të bashkohemi siç u bashkuan qytetarët në qershor të këtij viti në bulevardin e Tiranës.
Të bashkohemi për të larguar me çdo kusht Edi Ramën nga pushteti.
Të bashkohemi që sovrani të thotë fjalën e fundit ndaj këtij tirani, ndaj këtij njeriu që ka plaçkitur shqiptarët më shumë se çdo pushtues tjetër.
Ka ardhur një buxhet në parlament miq, një buxhet 10 miliardë euro dhe rrah gjoksin, më i madhi, i gjithi qindarkë për qindarkë vjen nga djersa e ballit tuaj.
E pashë. Çfarë nxora konkluzion?
Çfarë mund të them?
Në mënyrë absolute, pa asnjë lloj shqetësimi, me atë buxhet që nesër vendoset minimumi jetik 200 euro për çdo shqiptar. Po!
Ua them unë këtu, ua tregoj tani me shifra.
Me atë buxhet që nesër rriten rrogat minimale 50%. Mund të rriten më shumë, po prishet raporti dhe duhet ruajtur gjithmonë një raport.
Rriten rrogat mesatare 30%.
Rriten pensionet pa asnjë lloj vështirësie 30%.
Pension në 200 euro s’mund të ketë në Shqipëri, të pjesshëm e kam fjalën se të plotë jo e jo.
Po tani më thoni mua ju, edhe me të drejtë, ku do merren këto? Ua them unë.
Çfarë ka aty?
Aty, para xhepi për hajdutët e administratës, nga 300 milionë që kishim ne, dhe që duhet të jenë tani maksimumi me inflacionin e tjerë 400 milionë, ky ka vendosur 930 milionë.
E dini ç’do thotë kjo?
Kjo do thotë që nëpër zyra bëjnë batërdinë duke vjedhur, se më duhet të rrëzoj këtë mur, se më duhet të meremetoj këtë anë, më duhet të rindërtoj banjën, më duhet të bëj këtë, që të gjitha shpenzime xhepi.
E paimagjinueshme. Trefishi!
Tjetër, ku do i marrim?
Ka përcaktuar 2.2 miliardë euro investime.
Të dashur miq, ju dhe të gjithë qytetarëve u drejtohem me njerëzi, po marrim pak investimet. Nga viti 2005 në vitin 2013 në total investimet e qeverisë kanë qenë gjithsej 4.2 miliardë euro.
Sa është ndërtuar me këto?
Rruga e Kombit; aksi nga Hani i Hotit në Gjirokastër, sepse është ndërtuar Hani i Hotit-Shkodër, Milot- Lezhë, është rindërtuar Rrogozhinë-Lushnje-Fier-Vlorë, Levan-Vlorë, Levan-Tepelenë, Gjirokastër-Tepelenë.
Është rindërtuar dhe e tëra Rruga e Bregut 70 e sa kilometra, janë ndërtuar 32 kilometra të Rrugës së Arbrit, janë ndërtuar mbi 600 kilometra rrugë që zbrisnin nga akset kombëtare në brigje, janë ndërtuar me qindra kilometra që ngjiteshin nga qendrat urbane drejt Çajupit, drejt Korabit, drejt Vermoshit, drejt Valbonës e të tjerë e të tjerë.
Janë ndërtuar 11 impiante për përpunimin e ujërave të zeza, edhe në Durrës, janë ndërtuar terminale në portin e Durrësit, porti i peshkatarëve, janë thelluar të gjitha portet nga Saranda gjer në Shëngjin. 4.2 miliardë!
U bashkua Elbasani me Tiranën, Korçë-Qafë Plloçë.
U ndërtuan dhe rindërtuan mbi 1200 shkolla dhe objekte arsimore, qindra qendra shëndetësore.
Po mor po, janë të gjitha.
Ky ka investuar në 14 vite 14.5 miliardë euro. Çfarë ka ndërtuar, më thoni pak?
E vetmja rrugë e re është rruga gropa-gropa, Limuth-Qafë Thanë, 20 kilometra.
Të tjerat janë përfundime të rrugëve të mëparshme, të cilat siç e patë vetë, u shembën njëra pas tjetrës sikur të ishin rrugë kashte.
A është kështu?
Çfarë thotë Kontrolli i Shtetit? Kontrolli i Shtetit thotë se 90% të investimeve vidhen.
Atëherë çfarë do bëjmë ne? Po, ua them unë ju këtu. Jo more jo, kurrë, nuk do investohen 2.2 miliardë siç ka përcaktuar ky në buxhet.
Do investohen jo më shumë se 700, maksimumi 800 milionë, po nuk do vidhen ato.
Çfarë do bëhet me atë 1.4 miliardë euro?
Me 1.4 miliardë euro do rriten rrogat e vogla 50%, do rriten rrogat e mesme 30%, do vendoset minimumi jetik 200 euro, do rriten pensionet 30% dhe do teprojë.
Do teprojë se në mënyrë absolute administrata s’do mund të shpenzojë kurrë 930 milionë euro.
Administrata do ketë para për të funksionuar, por nuk do ketë kurrë më shumë se 400 milionë me inflacionin dhe me rritjen e çmimeve.
Pra, ja ku jemi.
Pse ua dhashë këtë shembull? Ua dhashë këtë shembull se nuk duhet zhgënjimi, pesimizmi të na kapë përpara.
Jo, kthesa është absolutisht e mundshme dhe kjo kthesë e madhe që do shënohet me largimin e tij, do bëjë Shqipërinë çdo ditë e më shumë një vend të jetueshëm për shqiptarët.
Edhe njëherë të mos harrojmë, 2007-2014 në çdo vit numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit.
Nga 2014-ta deri sot, Shqipëria është katandisur, sipas tyre, me 2.3 milionë.
Edhe një krahasim. Ndërtohej gjatë asaj periudhe, ndërtohej shumë, jo pak.
Po kush ndërtonte? Ndërtonin qytetarët shtëpitë e tyre.
Po, dhe këto ndërtime bënë që në vitin 2011 në regjistrim ne të kishim 360 mijë familje që kishin dy banesa.
Pse kjo? Se një pjesë e atyre të fshatit kishin qenë dhe kasolle.
Po ama ishin të qytetarëve.
Asnjë kullë! Dhe çmimi i ndërtimit në Tiranë ishte 700 euro metri katror në 2013-ën.
Sa është sot çmimi? Çmimi sot është 2100 euro metri katror mesatarja në Tiranë.
A ka çmime më çnjerëzore se këto? Të gjitha për shkak të botës së krimit që mbështet Edi Rama.
Ndaj miq, ftoj nga Durrësi të gjithë shqiptarët, ftoj të gjitha forcat politike opozitare që ndjehen opozitare, të krijojmë një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen e fundit këtij regjimi çnjerëzor anti-shqiptar.
Për të hapur rrugët e shpresës, për të hapur mundësinë që shqiptarët të votojnë të lirë, të zgjedhin më të mirët e më të mirëve që besojnë.
Është një luftë për ekzistencën tonë si komb i lirë, si komb i qytetëruar.
Ndaj edhe duhet të bashkohemi.
Asnjëri të mos mendojë se duke qëndruar veçmas mund të rritet, mund të fitojë.
E provuan!
U rrit vetëm Partia Demokratike gjatë këtyre gjashtë muajve. Pse?
Se mbajti qëndrimet më të ndershme, sepse që në fillim deklaroi: Armiku i armikut tim është aleati im në luftë kundër të keqes. Një parim i përdorur nga romakët që nga lashtësia romake e gjer sot para rreziqeve ekzistencialë.
Ndaj edhe ne të vazhdojmë me vendosmëri procesin e ripërtëritjes, të vazhdojmë të hapemi ndaj vlerave, të vazhdojmë të hapemi ndaj të rinjve, zonjave.
Ripërtëritjen ta konceptojmë si detyrim madhor për secilin prej nesh, për të shtrirë dorën dhe të bëjmë gjithçka për frontin më të gjerë e më të fuqishëm që ka njohur Shqipëria kundër këtij rreziku madhor ekzistencial dhe ju garantoj se do fitojmë.


