Berisha: Javën e parë taksa Rama hidhet në Drin. Në Shqipëri nuk do të ketë pas 100 ditësh, asnjë shqiptar që jeton në varfëri të skajshme

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS NË HAS

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në takimin përmbyllës të fushatës në Has, ka dhënë një mesazh për qytetarët, duke i bërë thirrje që më 11 maj të votojnë për ndryshim dhe për t’i dhënë fund largimit masiv dhe varfërisë që, sipas tij, po shkreton Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se shqiptarët po përballen me një krizë të thellë shprese dhe identiteti, të shkaktuar nga keqqeverisja dhe emigracioni masiv, ndërsa kërkoi bashkim dhe rezistencë qytetare për një epokë të re për Hasin dhe gjithë vendin.

‘Me 11 maj të votojmë ndryshimin, me 11 maj, të votojmë për një epokë të re, për një kapitull të ri, për një histori të re, të Hasit dhe të Shqipërisë, për tu ndarë nga kjo e keqe e madhe e cila varfëroi shqiptarët nga viti në vit’, tha Berisha.

Gjatë fjalë së mbajtur në Has, kryedemokrati Sali Berisha, prezantoi angazhimet konkrete të koalicionit opozitar për 100 ditët e para të qeverisjes, duke u zotuar se në Shqipëri nuk do të ketë më asnjë qytetar që jeton në varfëri të skajshme. Berisha u ndal te padrejtësitë sociale dhe ekonomike që, sipas tij, kanë rrënuar jetën e shqiptarëve nën qeverisjen e Edi Ramës dhe premtoi masa të menjëhershme për uljen e çmimeve, rritjen e pensioneve e pagave, dhe heqjen e taksave abuzive.

Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve nga Hasi, pa dallim bindjesh politike,  të bashkohen për ndryshimin më 11 maj. Ai ftoi socialistët, të lëkundurit, të papartitë dhe veçanërisht diasporën që të votojnë për një kapitull të ri për Shqipërinë.

‘Ftoj çdo socialist, çdo të lëkundur dhe të paparti të Hasit, ftoj çdo shqiptar të gjitha bindjeve, ftoj diasporën, emigracionin të votojnë ndryshimin, të votojnë shansin e madh të 100 ditëve  dhe Shqipërisë. Shqipërisë do ti hapim një kapitull të ri, do ta ndajmë me këtë të keqe të madhe’, theksoi kryetari i PD-së.

Në takimin përmbyllës në Has, lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen më 11 maj për të ndryshuar kursin e vendit, duke shpallur një luftë kundër korrupsionit dhe papunësisë. Ai kritikoi ashpër qeverinë e Edi Ramës për moskryerjen e premtimeve ndaj pensionistëve dhe për politikat që kanë sjellë varfëri të thellë në Shqipëri, ndërsa u shpreh se, Europa kërkon ndryshim në Shqipëri.

‘Në Valencia udhëheqësit politik kryesor të Europës, partitë e tyre, Kancelarit Merz, Ursula Van Derleyen, dhe të gjithë dinjitarët e Europës, votuan rezolutën me të cilën Edi Rama damkoset si i votës së shqiptarëve. Damkoset si armik i pluralizmit. Damkoset si armik i opozitës. Damkoset si bashkëpunëtor i krimit dhe trafiqeve. Damkoset si korruptor kryesor në Shqipëri dhe Europë. Miq, të ndahemi me të keqen kjo është thirrja e Europës, kjo është thirrja e historisë’, nënvizoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Has.

FJALA E PLOTE:

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Hasit, vëllezër dhe motra, së pari dua të përulem me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme, por mbi të gjitha për besnikërinë tuaj ndaj vlerave më të arrira morale të njeriut dhe shoqërisë.

I dashur Flamur Hoxha, udhëheqës politik të qarkut të Kukësit për PD-ASHM.

I dashur kryetari i Bashkisë, Myftar Dauti, zoti kryetari i partisë.

Të nderuar kandidatet e kandidatë të Shqipërisë Madhështore për qarkun e Kukësit, përfaqësues dinjitoz të Kukësit, Hasit, Tropojës, krenari i vërtetë për PD, për banorët e këtij qarku dhe mbarë Shqipërinë.

Miq, unë vij këtu si përfaqësues i një partie konservatore që e përkthyer në shqip, do të thotë një partie të traditave, tradicionale dhe tradita askund më shumë në trevat shqiptar, se sa ç’është e ngulitur në shpirtin dhe zemrën tuaj, nuk ekziston më mirë.

Në këtë drejtim i gjithë projekti unë për Hasin dhe Shqipërinë, bazohet tërësisht në madhështinë e shpirtit tuaj, moralit, besimeve, vlerave tuaja.

Hasi është vendi i burrave dhe grave, djemve dhe vajzave me dinjitet, integritet të lartë, me ndershmëri të spikatur. I atdhetarëve të flaktë, i familjarëve të vërtetë, i qytetarëve shembullorë.

Ndaj vij këtu me bindjen me të madh që Hasi sot për një seri arsyesh, nuk është vendi siç duhet të jetë, është vendi nga i cili largohen përsëri bijtë dhe bijat e saj.

Është vendi nga i cili ëndrrat e bukura të hasjanëve, nuk ndërtohen në Has, por këtu ëndërra, ky regjim i eksporton në dhera të tjera.

Po vij nga Tropoja, një bashkëmoshatare e Odetës deklaroi aty, kemi qenë 32 shokë dhe shoqe, nga ata sot jemi vetëm 3.

Pra siç e shihni ju njerëz atdhetarë, të ndershëm ka diçka që po e zbraz Shqipërinë, ka diçka që po i shkreton trojet tona. Ka diçka që po e lë këtë komb pa rini.

620 mijë të rinj kanë ikur në 10 vitet e fundit. Nga viti 2019 e këtej, ne kemi shumë më tepër vdekje se sa lindje. Dhe së fundi OKB deklaroi se, shqiptarët kanë treguesit e lindshmërisë më të ulëtin në botë, për shkak të emigracionit.

Tani për çdo shqiptar, atdhetar, hasjane dhe hasjanë kudo që jeni, këto, janë sirenat, janë thirrjet që vijnë nga thellësia e shpirtit të këtij të kombi, nga thellësia e kësaj toke.

Me 11 maj të votojmë ndryshimin, me 11 maj, të votojmë për një epokë të re, për një kapitull të ri, për një histori të re, të Hasit dhe të Shqipërisë, për tu ndarë nga kjo e keqe e madhe e cila varfëroi shqiptarët nga viti në vit.

Miq, dua të kujtoj pak këtu, nëse në diktaturën komuniste varfërinë na e solli hiperkolektivizimi, në diktaturën e re të krimit të Edi Ramës, varfërinë e sjell, vjedhja, vjedhja, plaçkitja e qytetarëve.

Dy ditë më parë një drejtor i rëndësishëm më dërgonte një mesazh rrëfimi. Doktor thoshte, do të tregoj dramën e historisë time.

Drama e historisë ishte kjo! Atë, drejtor e kishte bërë një bandit i cili tek ministri, i kishte kërkuar emëroje drejtor. Por me çfarë kushti? Hera e parë që e dëgjoja dhe unë. Me kushtin që ky drejtor, do ti jepte banditit rrogë 10 mijë euro çdo muaj.

Dhe unë sot thotë, më mirë të mos jem, sepse nëse nuk bëj 10 mijë eurot nuk e di çfarë më pret.

Por për ti bërë 10 mijë eurot, unë duhet të plaçkis njerëzit e varfër.

Ky është një shembull i një njeriu që më në fund gjeti forcë te vetja e tij për të rrëfyer një sistem plaçkitës ndaj jush.

Kurse të tjerë që kanë grabitur 130 mln euro dhe që nuk ekzistojnë kund, as nam as nishan, sillen vërdallë dhe ju bëjnë moral.

Pra çfarë ndodhi me ne?

Në 12 vite pensionet mbetën thuaj ato që ishin.

Rrogat një rritje fare të parëndësishme.

Çmimet u dyfishuar. Sofra u zvogëlua. Nuk kishte më vend për pjatat që duhet të shtroheshin, familjet detyroheshin tu thonin fëmijëve, merrni rrugët e dheut.

Kjo është e vërteta.

Ndaj dhe ne si koalicion kemi një program me të cilin, në mënyrën më të vendosur në 100 ditët e para nxjerrim çdo shqiptar nga varfëria e skajshme.

Në Shqipëri nuk do të ketë pas 100 ditësh, asnjë shqiptar që jeton në varfëri të skajshme. Dhe kjo realizohet duke vendosur minimumin jetik, 200 euro për çdo shqiptar, në punë pa punë çfarë do që të jetë, por që merr më pak se 200 euro.

560 mijë pensionistë marrin sot një pension nga 60-172 euro. Që të gjithë do të marrin 200 euro pas 100 ditësh.

Rrogat e ulëta, nuk do të ketë rrogë të ulët ndën 500 euro.

Pensionistët dhe rrogëultit do të ketë kartën e konsumatorit me të cilën do të blejnë, bukën, vajin, sheqerin, mishin dhe të gjitha produktet e shportës bazë, 20% më lirë se të tjerët. Do u kthehen 450 euro në vit me kartën e konsumatorit.

Do ulim çmimin e energjisë në 7 lek.

Do ulim naftën, qindarkë për qindarkë, aq sa është në Kosovë dhe në Maqedoni.

Javën e parë taksa Rama hidhet në Drin.

Nuk do të paguani kurrë më ju taksë për të ardhur në Tiranë, dhe jo një por dy, ta dinë mirë. Javën e parë ato zhduken nga autostrada.

Rrogat mesatare do rriten në 1250 euro.

Rrogat e mësuesve në 1500 euro.

Rrogat e mjekëve dhe infermierëve do të dyfishohen.

Fermerët e Hasit do të marrin të njëjtat subvencione që marrin fermerët në Kosovë e Maqedoni. Dmth, 5 herë më shumë seç marrin sot.

Sot kanë 32 mln euro, do të jenë 230 mln euro.

Miq, me të gjitha këto ne krijojmë një normalitet në këtë vend, e bëjmë Hasin dhe Shqipërinë të jetueshme. Por jo vetëm kaq.

Bizneset e vogla, energjinë do ta paguajnë me 3 herë më lirë, 6 lek kilovatin.

Tarifa e ujit do të përgjysmohet. Tavanet për tatim fitimin dhe TVSH do rriten nga 100-120 mijë që janë sot, në 180 mijë.

Zgjerimi i biznesit, suksesi i tij është qëllimi ynë.

Bizneset e mëdha do kenë taksën e sheshtë 10%. Po taksa 10% miqtë e mi, do të thotë për të gjithë ata që marrin rrogë mbi 500 euro, do të thotë rritje 13% e rrogës me një vendim, paguajnë 23%.

TVSH do të zbresë në 15%.

Shefqet, ju dhe çdo shqiptar në emigracion që vendos të vijë në investojë në Has dhe në Shqipëri, 5 vite do të jeni pa asnjë taksë.

Për emigrantët do krijohen linja krediti të buta.

Do krijohen grante, do ndihmohen në strehimin e tyre.

Miqtë e mi, nuk ka sot detyrë më të shenjtë për shqiptarët se sa të bëjnë edhe një herë të ri kombin tonë. Dhe ky komb bëhet i ri vetëm duke kthyer qindra, mijëra të rinj që ikin nga Shqipëria.

Ky komb bëhet i ri kur ne, këtyre të rinjve tu krijojmë të gjitha kushtet të ndërtojnë ëndërrën e tyre në Shqipëri.

Ndaj dhe zotohem para jush se do dyfishohet buxheti për arsimin, shkolla moderne për fëmijët shqiptarët.

Nuk ka asnjë mesatare për universitetin. Pas mbarimit të universitetit qeveria do të paguajë sigurimet shoqërore për 1 vit. Do paguajnë të gjithë trajnimin e tyre dhe një grant 30 mijë euro për çdo çift që të kenë një çati.

Një bonus prej 70 eurosh për fëmijën e parë, 60 euro për fëmijën e dytë. Nga lindja gjer në 23 vjeç të gjitha shpenzimet për fëmijën e trete dhe të katërt.

Miq, për ju këtu dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Kam një thirrje zemre: ju në 12 vite dëgjuat nga Edi Rama vetëm premtime dhe mashtrime. Nëse i bëhet analizën 12 vjeçare, Edi Rama se profesioni i tij më i arrirë është mashtrimi dhe vjedhja, vjedhja dhe mashtrimi.

Unë nuk u kërkoj ju, as 4 vite, as 6 vite, as 12 vite.

Në këtë stad të moshës time, nuk kam asnjë ambicie as për pushtet, as për para.

Kam një ambicie të papërmbajtur, të ndryshoj jetën e shqiptarëve për mirë,

Kam një ambicie të papërmbajtur, të ua kthej shqiptarëve paratë e tyre, taksave të tyre, dhe jo të ua plaçkisin, siç ju plaçkisin sot.

Kam një ambicie të krijoj një mundësi për çdo shqiptar, se këta të rinj, këta qytetarë nuk kërkojnë gjë tjetër përveç se mundësi, por mundësi reale, jo mundësi me lugë bosh, jo mundësi me fjalë bosh.

Ndaj dhe ftoj ju, ftoj çdo socialist, çdo të lëkundur dhe të paparti të Hasit, ftoj çdo shqiptar të gjitha bindjeve, ftoj diasporën, emigracionin të votojnë ndryshimin, të votojnë shansin e madh të 100 ditëve  dhe Shqipërisë.

Shqipërisë do ti hapim një kapitull të ri, do ta ndajmë me këtë të keqe të madhe.

Shqiptarëve do u rikthejmë paratë e tyre.

Shqiptarëve do u krijojmë një mundësi të re, në mënyrë që Shqipëria të ecë në rrugën e begatisë, zhvillimit.

Edi Rama mund ti vesh çdo epitet, e meriton, e meriton sepse këtë që i bëri kombit ai në 12 vite, këtë shkretëtim të tmerrshëm nuk ja ka bërë asnjë pushtues.

Sa herë këto zona janë djegur, dhe pjekur, janë rikthyer përsëri për të ndërtuar jetën në to.

Edi Rama ka paraqitur si formulë zëvendësimin e shqiptarëve më xingalez, me bangladeshas, për faktin e vetëm se ata nuk votojnë dhe ai mund të rrijë në pushtet.

Miq në të gjitha kohërat, kush më shumë se ju nuk ka qëndruar në anën e të drejtës, në anën e historisë. Dhe unë kam bindej se edhe kësaj here do të qëndroni në anën e të drejtës, historisë, të pamposhtur.

Sepse ju qëndroni në radhë të parë për dinjitetin njerëzor, dhe ne do bëjmë gjithçka që të rikthejmë dinjitetin e qindra mijëra burrave dhe grave që u shkrinë për ndërtimin e Shqipërisë dhe sot trajtohen në mënyrën më të padenjë.

Poshtërohen me një pension i cili duhet të ishte sot, 450 mijë lek.

Malazezi që merrte në 2013, 138 mijë lek, merr sot 450 mijë.

Serbi që merrte 140 mijë lek, merr sot 405 mijë lek.

Maqedonasi merr 390 mijë lek.

Edhe Kosova merr më shumë se ju, që sa është bërë e pavarur.

4 muaj më parë Albin Kurti, e vuri buxhetin, gjysmën e buxhetit të Tiranës, jo 8 miliardë, më pak se 4 miliardë, 100 mln tha do e marrin pensionistët.

Në 8 miliardë Edi Rama, 16 milionë do marrin pensionistët. Dhe çfarë bëjnë, a i dëgjoni, sa të pashpirt janë.

Me 140 euro jetohet shumë mirë. Çfarë kanë pensionistët. Pensionistët jetojnë mirë. Këta të pashpirt, pasi i vjedhin pensionistët, pasi i vjedhin rrogëtarët e shtetit, pasi i vjedhin qytetarët, ndihen vetë në parajsë. Dhe kur janë vetë në parajsë nuk shohin më për të tjerët.

Këta të gjithë para ligjit do shkojnë. Ju jap fjalën se shtëpia do pastrohet.

E keni konstatuar ju fushatën e tij. Një fushatë që mund ti vesh shumë epitete, por nuk dua ta prish gojën time, sidomos këtu para jush. Po çfarë synon me të?

Synon që të mbulojë dështimet, të mbulojë vjedhjet e tmerrshme 12 vjeçare dhe mungesën e programit.

Flet për kënetë, flet për çyryk, bën mbledhje veçmas me gratë, veçmas me burrat, si në vitet ’50, pasardhës i frontit.

Sot ju thoshte se, Shqipëria thoshte, e ka fjalën për Shqipërinë e Enver Hoxhës, kishte industrinë e armatimit më të fuqishme në rajon.

Paçka se Jugosllavia prodhonte tanke, avionë e anije, dhe ky i thur lavdi Enver Hoxhës.

Ose u thoshte në shkolla mungonte shkumësi në vitin 2013.

Nxjerr nga goja vetëm trillime e mashtrime, se si e si të mund të marrë votën e të mashtruarve.

11 maji është dita e çdo shqiptari, e çdo atdhetari, e çdo hasjani, kuksiani, tropojasi.

Me 11 maj përcjellim Edi Ramën, atje ku e ka vendin. Se dje i thashë, për në Beograd, por mbrëmë ka bërë festë.

Jo Edi, harroje Beogradin, tjetër kund, po, po atje ku e ke vendin. Absolutisht.

Miq, duke përfunduar kam kënaqësi të ju informoj, është i mbaruar.

Në Valencia udhëheqësit politik kryesor të Europës, partitë e tyre, Kancelarit Merz, Ursula Van Derleyen, dhe të gjithë dinjitarët e Europës, votuan rezolutën me të cilën Edi Rama damkoset si armik i votës së shqiptarëve.

Damkoset si armik i pluralizmit.

Damkoset si armik i opozitës.

Damkoset si bashkëpunëtor i krimit dhe trafiqeve.

Damkoset si korruptor kryesor në Shqipëri dhe Europë.

Miq, të ndahemi me të keqen kjo është thirrja e Europës, kjo është thirrja e historisë.

Rrofshi ju, rroftë Hasi!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale