Berisha: Ish-kunata e Edi Ramës u heq etiketat ilaçeve të skaduara dhe ua jep fëmijëve të sëmurë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka kritikuar me tone të ashpra kryeministrin Rama për rrënimin e arsimit në Shqipëri, duke e quajtur atë “shkatërrimtarin më të madh pas Enver Hoxhës”. Berisha ka folur për dëmtimin e sistemit arsimor nga Edi Rama dhe për përpjekjet për të përmirësuar imazhin e tij përmes vizitave në shkolla.

Gjatë fjalimit të tij të mbajtur në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, Berisha ka akuzuar Erion Veliajn për korrupsion dhe ka përshëndetur protestuesit që luftojnë kundër tij në Bashkinë e Tiranës.

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës së tij tha se, Edi Rama është përgjegjës për gjendjen e fëmijëve dhe arsimit në Shqipëri, duke përmendur se një pjesë e madhe e tyre vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe rënia e rezultateve arsimore. Lideri demokrat e ka akuzuar Ramën për korrupsion dhe e sfidon atë që të lexojë studimet e Linda Ramës mbi gjendjen e fëmijëve, duke sugjeruar se këto të dhëna tronditëse do ta bënin të reflektonte.

Lideri historik demokrat, Sali Berisha ka kritikuar ashpër kryeministrin  Ramën për rënien e numrit të nxënësve në shkolla si dhe për keqmenaxhimin e sistemit arsimor dhe mjekësor. Ai ka përmendur raste konkrete të braktisjes së shkollave dhe ka akuzuar si përgjegjëse ish-kunatën e Ramës për shpërndarjen e ilaçeve të skaduara te fëmijët e sëmurë.

Berisha e cilëson Ramën si përgjegjës për këto probleme dhe e quan “Neroni i arsimit shqiptar”, duke theksuar dështimin e tij në mbrojtjen e fëmijëve dhe arsimit.

Berisha drejtoi thirrje të fuqishme për prindërit dhe mësuesit që të kërkojnë testimin e drogës për oficerët që shkojnë në shkolla. Kryetari i PD, Sali Berisha i tha se këta të fundit kanë lidhje me trafikantët e drogës.

Berisha ka përfunduar me një apel për t’u ngritur në protesta të fuqishme kundër korrupsionit dhe vjedhjes së pasurisë publike nga qeveritarët.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju, qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Mirënjohje të përzemërt oratorëve të fjalës së lirë në këtë platformë qytare si dhe protestuesve të sotëm tek Bashkia e Tiranës, të cilët janë të vendosur në betejën gjer në fitore, pa kthim gjersa të pastrojnë bashkinë nga njeriu, nga hajduti më i shpërfytyruar që Tirana ka njohur, Erion Veliaj.

Të dashur miq, këto ditë Edi Rama, i diskredituar në shkallë ekstreme nga rrënimi që pësoi sistemi arsimor gjatë qeverisjes së tij, kalon nga një shkollë në një shkollë tjetër.

Përpiqet të zbusë imazhin e tij të nxirë me pafajësinë e vogëlushëve në shkollat tona, por natyrisht dhe frikën që u mbjell mësuesve tanë.

Sonte do t’i them Edi Ramës se në historinë e Shqipërisë do mbetesh, meqenëse shkon çdo ditë në shkolla, do të mbetesh shkatërrimtari më i madh i shkollës në Shqipëri pas Enver Hoxhës.

Edi Rama, asgjë më të dhimbshme pas dëbimit të shqiptarëve nga Shqipëria nuk ka se mjerimi i fëmijëve dhe rrënimi i arsimit.

Por ti nuk ke ndjenja, ty vjedhja, lidhjet e krimit të kanë zhveshur nga ndjenjat njerëzore.

A e din ti Edi Rama se 18 përqind e vogëlushëve janë me dy vakte ose një vakt në ditë?
Po pse? Se vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh. Se Lubia vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh. Se Korba e Kovidit vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh. Se Linda e Arsimit ndërtoi vilën vetëm duke vjedhur.
Ju u vidhni edhe fëmijëve kafshatën, ju jeni raca më çnjerëzore.
A me din ti Edi Rama që kalon nga shkolla në shkollë për të përmirësuar imazhin tënd, se 47 përqind e fëmijëve nuk kanë ushqimin që u nevojitet?
A e din apo jo se në këto vite, një përpjekje e madhe që u bë për cilësinë e arsimit, u përmbys si në asnjë vend tjetër të planetit?
Po ty këto, as që të shqetësojnë fare se ti ke vetëm një hall, pasurimin tënd i pangopur duke vjedhur fëmijët e atyre prindërve.
A e din ti që në 8 vitet e Rilindjes, nuk po them se janë tetë vitet e vdekjes, po janë tetë vitet e agonisë së arsimit shqiptar, sepse shkolla e atyre vogëlushëve ku shkon ti, zbriti në mënyrë të tmerrshme me 62 pikë në matematikë, e cila është shtyllë kryesore e arsimit në botë?
Po mendimi krijues i nxënësve? Zbriti në fundin e botës.
Po ti nuk ke ndjenja. Po ti duhet të kishe turpin më të madh të paraqitesh në derën e një shkolle.
Edi Rama, lexoji pak studimet e Linda Ramës për gjendjen e fëmijëve në Shqipëri me projektet e PNUD. Lexoji se i ke në familje.
Po t’i lexosh ato, do kapësh kokën me dorë. Po ty nuk të bëjnë përshtypje. Sepse ai që vjedh, ai justifikon gjithçka.

Edi Rama, kalove në disa shkolla, po të vret ndërgjegjia ty që këtë vit nga 630 mijë nxënës që hynë në vitin 2013, u futën në arsimin parauniversitar gjithsej 350 mijë.
Shko pak në Korçë Edi Rama, të të thonë se në klasat e 10-ta, nga 1600 nxënës që u regjistruan vjet, këtë vit u regjistruan 1080. Një e treta më pak brenda një viti.
Shko në Nepvravishtë, se kishe postuar një ditë se ty të japin çdo kollitje mediat, po a e dini se Nepravishta kishte vetëm dy fëmijë në shkollë, kurse Lunxhëria, ajo luginë mahnitëse, gjithsej 6 fëmijë në klasat e para.
Pse mor kalon nga shkolla në shkollë, je turpi i dheut. A e di ti se atyre fëmijëve ua turpëron Shqipërinë ti?
A e di ti që dheut të atyre fëmijëve të pafajshëm i ke dhënë vulën e narkoshtetit?
A e di ti Edi Rama që moshatarët e këtyre vogëlushëve në spitalet tona nuk kanë mjekim, nuk kanë ilaçe?
A e di ti se ish-kunata jote u heq etiketat ilaçeve të skaduara për t’ua dhënë fëmijëve?
I di ti këto apo jo, që kalon nga shkolla në shkollë, po ç’të lidh ty o i zi me shkollat, po të paktën me fëmijët lëre cinizmin.
Se ti je Neroni i arsimit shqiptar.
Po, po.
A e di ti Edi Rama se me lukuninë tënde u vodhën 25 mijë kompjutera në shkollat e vendit dhe u zhduk interneti në shkolla, një arritje historike ajo.
Po ç’të lidh ty me arsimin?
Ti je turpi i shqiptarëve, je turpi i fëmijëve shqiptarë.
Je e zeza e tyre!

Ndaj dhe miqtë e mi, a e dini ju çfarë bëri sot?
Një fjalë tërkuzë për oficerët e shkollave.
Të gjithë me testin e drogës, asnjë në shkollë, asnjë polic pa testin e drogës.
Ju prindër, mësues, mos pranoni këmbë njeriu me uniformë pa i bërë testin e drogës.
Të sjellë testin e drogës, pastaj pranojeni se ai është shpërndarës i rrezikshëm i drogës së qeveritarëve, i drogës së zyrtarëve më të lartë.
E kupton apo jo, kur ti bën ministra trafikantë droge, çfarë bëjnë oficerët në shkolla, na thuaj pak?
Ndaj dhe thirrja ime për të gjithë mësueset dhe mësuesit, për të gjithë prindërit, nxënësit dhe nxënëset, të ngrihemi se nuk meritojmë kurrë një arsim të tillë.
Të ngrihemi se Shqipërisë nuk i mungon asgjë që të ketë fëmijë të ushqyer njëlloj si vende të tjera.
Të veshur njëlloj, të edukuar njëlloj.
Të ngrihemi se janë këta hajna, se janë kjo lukuni që vjedh nga mëngjesi gjer në darkë, vjedh në kurriz të fëmijëve tanë, vjedh në kurriz të të sëmurëve tanë, në kurriz të të rinjve tanë.
Edhe njëherë, përshëndetjet më të përzemërta.
Protestë, mosbindje civile.
Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale