BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT, NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët, theksoi rëndësinë e 22 marsit, një ditë që përkujton largimin e Shqipërisë nga diktatura staliniste dhe nisjen e rrugës drejt demokracisë. Ai u shpreh se kjo ditë historike për shqiptarët shënon fitoren e lirisë dhe vullnetit popullor për një të ardhme më të ndritur.
Berisha ftoi qytetarët që të bashkohen në urimin që vitin e ardhshëm të festohet pa diktaturën aktuale dhe me triumfin e demokracisë, duke e drejtuar Shqipërinë drejt një të ardhmeje më të drejtë dhe më të begatë. Ai apeloi gjithashtu për një Shqipëri ku qytetarët të kenë mundësi të barabarta dhe të jetojnë në një shtet ligjor dhe të drejtë.
Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale ka kritikuar qeverinë për politikat e saj mbi çmimin e naftës. Ai theksoi se qeveria e trajton naftën si një privilegj të pakicës dhe jo si një energji të domosdoshme për të gjithë shqiptarët.
Sipas tij, çmimi aktual i naftës është një ndëshkim për qytetarët, duke e krahasuar atë me çmimin e naftës në Kosovë dhe Maqedoni, ku nafta merret nga Durrësi. Berisha premtuar se në një qeverisje të ardhshme, nafta në Shqipëri nuk do të shitet mbi çmimin që shitet në këto dy shtete.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, kryedemokrati Berisha theksoi një premtim të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve. Ai shpjegoi se një nga angazhimet kryesore të Partisë Demokratike është vendosja e një minimumi jetik, i cili do të sigurojë që asnjë qytetar shqiptar të mos marrë më pak se 200 euro në muaj.
Berisha nënvizoi se ky nuk është një premtim që ka si qëllim përfitime elektorale, por një angazhim që rrjedh nga vëzhgimi i gjendjes së mjerueshme të pensionistëve dhe shqiptarëve të tjerë. Ai bëri një krahasim me vendet e tjera të rajonit, si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kosova, të cilat ofrojnë pensione më të larta, dhe theksoi se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi të madh që do të sjellë një standard më të lartë jetese për qytetarët shqiptarë.
Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka paraqitur disa nga planet e tij për zhvillimin ekonomik të zonave verilindore të Shqipërisë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale. Ai theksoi se do të krijohet një plan ekonomik për shfrytëzimin racional të burimeve dhe potencialeve të këtyre zonave, me qëllimin që banorët të përfitojnë nga ky zhvillim. Berisha shtoi se një tjetër prioritet do të jetë krijimi i zonave të lira kufitare në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.
Po ashtu, ai garantoi mbështetje për investimet duke ofruar lehtësime taksash dhe subvencione për ato. Berisha përmendi gjithashtu një ligj të vitit 2013, që parashikonte 8 vite pa taksa për investimet në zonat malore, i cili u anulua nga qeveria aktuale dhe u zëvendësua me një paketë të favorizuar për trafikantët. Ai premtoi rikthimin e këtij ligji nëse opozita vjen në pushtet.
Duke iu përgjigjur interesit të qytetarëve, kryedemokrati Berisha theksoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është prioriteti më i madh kombëtar për Partinë Demokratike. Ai garantoi se PD do të mobilizojë çdo potencial dhe do të ndërmarrë reforma të nevojshme për të arritur këtë objektiv.
Berisha theksoi dallimin midis alternativës së PD-së dhe qeverisë aktuale, duke e bazuar integrimin në meritë dhe funksionimin e shtetit ligjor. Ai përmendi periudhën kur PD shpalli anëtarësimin në NATO dhe implementoi reforma për të bindur partnerët ndërkombëtarë. Berisha gjithashtu kujtoi arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave, të cilat u mundësuan me reformat e ndërmarra. Ai e kritikoi Edi Ramën për bllokimin e rekomandimit të statusit të kandidatit për Shqipërinë.
Lideri i PD, Sali Berisha, në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, premtoi mbështetje të plotë për tetraplegjikët. Ai tha se të gjitha pajisjet e nevojshme do të sigurohen nga shteti pa asnjë lloj sigurimi, ndërsa kujdestarët e tyre do të paguhen me sigurime shoqërore. Berisha u shpreh se do të ketë përpjekje edhe për punësimin e tyre, aty ku është e mundur, duke theksuar se objektivi është përmirësimi i jetës së tyre.
Kryetari i PD-së Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit me qytetarët theksoi rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe njoftoi disa masa të reja që do të ndërmerren në këtë drejtim. Ai akuzoi qeverinë aktuale për abuzime të mëdha, veçanërisht në lidhje me blerjen dhe shfrytëzimin e energjisë, duke përmendur shembuj të përfshirjes së sekserëve në këtë industri dhe duke kritikuar politikat e pasakta që favorizojnë korrupsionin.
Sipas Berishës, lufta kundër korrupsionit duhet të nisë me një zero tolerancë ndaj konfliktit të interesit, ndërsa ai shprehu shqetësim për disa parti të reja që, sipas tij, janë thjesht paterica të Edi Ramës, dhe përfshinë familjarët në listat e mbyllura.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh se arsimi do të jetë një prioritet kryesor, duke premtuar dyfishimin e pagave për mësuesit dhe modernizimin e sistemit shkollor.
Ai tha se do të rikthehen në punë mësuesit e larguar për arsye politike dhe se do të investohet në dixhitalizimin e plotë të arsimit. Sipas tij, cilësia e arsimit ka rënë ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe ky trend do të ndryshohet me shpejtësi. Berisha premtoi gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës shkollore, eliminimin e mësimit me turne dhe klasave me mbi 40 nxënës. Sa i përket të rinjve, ai tha se do të ketë stimuj fiskalë për punësimin e tyre, grante dhe kredi të buta për bizneset e reja si dhe mbështetje financiare për çiftet e reja.
MESAZHI:
Dua të uroj shqiptarët për këtë ditë të bekuar, 22 marsin, në të cilin ata me votën e lirë u ndanë nga diktatura më e keqe staliniste në Europë dhe nisën rrugën e demokracisë.
Le të urojmë së bashku që këtë ditë vitin e ardhshëm të festojmë pa diktaturën aktuale, por me triumfin e demokracisë dhe shpëtimin e Shqipërisë.
Gëzuar!
Tani erdha sot para jush për të marrë çdo pyetje që ju dëshironi dhe preferoj pa ndonjë hyrje të veçantë nga unë, të dëgjoj pyetjet tuaja.

PYETJE PERGJIGJE ME QYTETARET:
Klotida Mane: Ju keni premtuar përgjysmimin e çmimit të naftës. Sipas një llogarie që kam bërë vetë, nga përgjysmimi i taksave shteti nuk ka ndonjë humbje të madhe, pasi në 5 mijë lek karburant humbet vetëm 800 lek dhe ne do të vazhdojmë të paguajmë 2500 lek taksa, thjeshtë sasia e karburantit është më e madhe. Si mendoni ju, pse nuk e bën Rama këtë?
Sali Berisha: Rama nuk e bën këtë sepse Rama ka një koncept të veçantë. Para se të vija këtu po e dëgjoja në një video që i thoshte një pensionisti se ç’punë ka pensionisti me naftën.
Pra, edhe naftën e konsideron si një privilegj të atyre që kanë, në një kohë kur nafta është energji dhe është e domosdoshme për të gjithë shqiptarët. Ne do ta bëjmë këtë, nafta në Shqipëri nuk do shitet mbi çmimin që shitet në Kosovë dhe Maqedoni. Kosova e merr nga Durrësi naftën. Nuk mund të taksohet nafta 1.1 euro.
Që këtu është një ndëshkim për qytetarët.
Edi Beni: Ju dëgjoj shumë herë që të flisni për minimumin jetik, është përrallë elektoale apo do ta bëni vërtetë, se kemi gjithë këto vite që po na mashtrojnë me premtime bosh.
Sali Berisha: Edi, u garantoj që është një premtim, për të cilin kurrë nuk do të më shkonte ndërmend ta përdor për qëllime elektorale. Jo, është një premtim që buron nga thellësitë e shpirtit kur shoh gjendjen e mjerë të shqiptarëve, të pensionistëve shqiptare që merrnin në vitin 2013 pensione të ulëta, por ishin më të lartat në rajon. Dhe sot malazezi merr një pension 3 herë më të lartë se në vitin 2013, serbi dhe maqedonasi po njëlloj.
Po edhe Kosova që ka nisur rrugën e pavarësisë pak vite më parë, shpërblen qytetarët e vet me pensione qartësisht më të larta se Shqipëria. Jo, do vendoset minimumi jetik që asnjë shqiptar që mos marrë më pak se 200 euro në muaj dhe ky është vetëm fillimi.
Ky është vetëm fillimi!
Ada Cena: Çfarë plani ekonomik/social për zonat e varfra të vendit, si zonat verilindore. A do të ketë një mbështetje ekonomike për bizneset në këto zona.
Sali Berisha: Së pari, për zonat verilindore do ketë plan ekonomik për shfrytëzimin racional të të gjitha potencialeve dhe burimeve të tyre, ku duhet të përfitojnë banorët e këtyre zonave.
Së dyti, do bëjmë gjithçka që me qeverinë e Kosovës të krijojmë zona të lira kufitare.
Së treti, do bëjmë gjithçka që të subvencionojmë, të mbështesim investimet me lehtësime taksash.
Unë u them ju, se ligji i vitit 2013 parashikonte 8 vite pa taksa për investimet në zonat malore dhe atë ligj e anuloi Edi Rama dhe tani e riktheu me Paketën e Maleve për t’u dhënë trafikantëve të tij atë që nuk e meritojnë.
Erta Dani: Progresi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian: Cilat janë hapat dë do ndërmarrë Shqipëria nene qeverisjen e PD për të përmbushur kriteret e BE-së dhe çfarë pengesash ekzistojnë për procesin e anëtarësimit? A po bëhen reforma të mjaftueshme në fushat kyçe si drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit?
Sali Berisha: Zonja Dani, ju garantoj se për PD-në, interesi më madhor kombëtar është integrimi i Shqipërisë në BE. Kur them këtë, them që ajo do mobilizojë çdo potencial, do miratojë çdo ligj, do ndërmarrë çdo reformë në funksion të këtij procesi. Por, ka një dallim esencial midis alternativës tonë dhe kësaj të qeverisë ekzistuese.
Në këtë proces e bazojmë si një proces të bazuar mbi meritën, e funksionimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kur erdhëm në pushtet në vitin 2005, ne shpallëm anëtarësimin në NATO dhe fillimisht njerëzit përqeshnin me zotimin tonë. Por ne arritëm të bindnim çdo partner dhe çdo vend me zero tolerancë luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe me reformat që ndërmorëm, sepse e përgatitëm vendin për anëtarësim në NATO.
Po kështu me reforma, me funksionimin e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, absolutisht vetëm mbi bazën e reformave, ne arritëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të liberalizojmë vizat. Më kujtohet për fat të keq se se kishte faktorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë kundër. Edi Rama me suitën e tij dërgonte emaile në Bruksel se po hoqët vizat, prisni 800 mijë shqiptarë. Pra, ne çdo gjë e arritëm me meritë.
Arritëm të marrim edhe rekomandimin e statusit të kandidatit nga KE, që e bllokoi Edi Rama me tre ligje në parlament. Pra, praktika jonë ka funksionuar, është dinjitoze dhe është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Kjo praktikë bazohet në përmbushjen e kërkesave, kritereve, standardeve të BE që është interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë.
Luka Selfo: Si po ndikon largimi i trurit dhe migrimi i të rinjve në të ardhmen e Shqipërisë? Çfarë politika do të zbatohen për të frenuar këtë trend dhe për të ofruar mundësi për të rinjtë brenda vendit?
Sali Berisha: Largimi i trurit, hemoragjia rinore, janë fenomenet më të rënda, plagët më të rënda të këtij vendi. Ne do të bëjmë gjithçka nëpërmjet ‘brain gain’ dhe programeve të veçanta për të rinjtë që Shqipëria të bëhet vendi i ëndërrës së tyre, ëndërrës së ditë së tyre.
Për të rinjtë së pari në heqim mesataren dhe i krijojmë mundësitë secilit të provojë fuqitë dhe aftësisë e tij në univeristet.
Së dyti, do të bëjmë gjithçka për punësimin e të rinjve, duke përdorur stimuj dhe incentivë për të gjithë ata që punësojnë të rinj, duke paguar sigurimet shoqërore për një kohë 1 deri në 5 vjeçare sipas sektorit. Duke financuar me grante start upet e tyre, duke kredituar me kredi të buta strehimi dhe çdo çifti të ri.
Pra, Shqipëria që sot është një vend ku të rinjtë nuk imagjinojnë se mund të ndërtojnë ëndërrën e tij, ëndërrën shqiptare, projektin e tyre, ne do ta bëjmë një vend plotësisht të jetueshëm dhe të besueshëm për ëndërrën shqiptare.
Nga ana tjetër ne do të rikthejmë, kemi aktualisht një departament ‘Brain Gain’ me djem e vajza të shkëlqyer të një ekspertize të lartë, dhe jemi në komunukim të vazhdueshëm me to.
Kjo do të zgjerohet për një zbritej të tyre të butë në Shqipëri, për një mbështetje financiare për investime, me një mbështetje financiare për strehimin e tyre, me garancira për punësimin e tyre dhe unë jam optimist.
Pse jam optimist? Sepse në vitin 2005 kur erdhëm në pushtet, në administratën e shtetit shqiptar kishte gjithsej 1.5% punonjës të shkolluar jashtë shtetit. Kur e dorëzuam e kemi dorëzuar me 22% punonjës të shkolluar jashtë shtetit.
Dhe pa llogaritur qindra të tjerë që u kthyen në jetën e tyre private. Rikthimi i të rinjve dhe shqiptarëve nga jashtë vendi në Shqipëri është kusht themelor për ‘Shqipërinë Madhështore’ dhe ne jemi të bindur se ne do e realizojmë këtë duke lehtësuar 5 vite pa asnjë taksë të gjithë shqiptarët jashtë vendit që do vijnë të investojnë në vendin e tyre dhe me favorizime të tjera.
Xhemil Martraku: Jetoj në Londër dhe jam inxhinier, e jam gati të vij në Shqipëri për të kontribuuar për rrëzimin e Ramës. Kë duhet të kontaktoj.
Sali Berisha: Unë të shpreh mirënjohje të pakufishme zoti Matraku për vendimin që keni marrë.
Vetëm të verifikoni emrin në qendrën tuaj të votimit të qytetit apo të fshatit nga jeni larguar.
Po të kesh ndonjë vështirësi, ju lutem telefononi në faqen e PD, Diaspora Voton, dhe do marrësh edhe udhëzime më të hollësishme që mund t’u duhen.
Era Foto: A ka ndonjë politikanë që ju ka surprizuar ndonjëherë në mënyrë pozitive apo negative?
Sali Berisha: Pyetje interesante, sigurisht që ka politikanë që më kanë frymëzuar shumë.
Këta politikanë që më kanë frymëzuar, më kanë frymëzuar me akte madhore të guximit.
Më ka frymëzuar shumë Çërçilli kur thotë se nuk dorëzohemi kurrë por do luftojmë në tokë, në det, në ajër, në një kohë kur situata ishte dëshpëruese për Britaninë e Madhe.
Më ka frymëzuar jashtë mase Ronald Regan kur deklaroi se çështja gjermane është çështje e lirisë së njerëzimit, zoti Gorbaçov rrëzojë këtë mur.
Më ka frymëzuar shumë Donald Tramp kur guxoi të thotë se armiku më i rrezikshëm është armiku i brendshëm, në kuptimin që janë ata që mbanin flamurin e censurës, që politizonin në mënyrë ekstreme drejtësinë, që ndërmerrnin shkatërrimet masive të simboleve të historisë së SHBA si në revolucionin kulturor kinez apo kundër kishave dhe xhamive në Shqipëri.
Pra, ata që më kanë frymëzuar më shumë kanë qenë njerëzit e vendimeve të guximshme.
Më ka frymëzuar Martin Luter, që para konklavës që do ta hidhte në zjarrin e truve, u thotë gjykatësve se gjithçka kam thënë, e kam thënë me ndërgjegje të plotë dhe me bindjen time më ët plotë.
Pra, frymëzuesit e mi më të mëdhenj janë guximtarët më të mëdhenj.
Unë ndoshta e kuptova në këtë formë.
Luan Gjergji: Kohët e fundit, Qeveria e Edi Ramës po propagandon se ka bërë investime të mëdha në infrastrukturë. Çfarë do të bëjë qeverisja e PD në infrastrukturën e vendit për të përmirësuar rrjetet rrugore, energjinë, dhe teknologjinë? Si do të menaxhohet zgjerimi i qyteteve dhe zhvillimi urban i qëndrueshëm?
Sali Berisha: Po të marrësh buxhetin, zërat e buxhetit nga viti 2013 gjer në vitin 2024, janë investuar në infrastrukturë 12 miliardë euro dhe ju, as unë e as njeri, nuk mund të tregojë një rrugë të filluar nga Edi Rama dhe të përfunduar prej tyre me paratë e buxhetit përveç tunelit të Llogarasë.
Që të gjithë kanë qenë rrugë në vazhdim me fonde të garantuara nga qeveria e mëparshme dhe për fat të keq akoma një pjesë e tyre nuk ka përfunduar. Nuk ka përfunduar rruga Qukës-Qafë Plloçë, nuk ka përfunduar rruga Korçë-Ersekë, nuk kanë përfunduar një seri rrugësh të tjera që kanë ngelë pa rrugë. Pra rruga e vetme dhe ajo nuk ka përfunduar, vepra e vetme nuk ka përfunduar akoma bajpasi i Vlorës dhe është në përfundim e sipër.
Çfarë dua të them me këtë i dashur Luan? Këto 12 miliardë euro janë përdorur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, janë përdorur për shtrimin e pllakave të gurit në sheshet e 61 bashki të vendit.
Të siguroj me përgjegjësi të plotë se, nga këta 12 miliardë euro maksimumi 1.3 miliardë do të mjaftonin për të gjitha ato që është ndërtuar gjatë qeverisë së Edi Ramës. 20 km rrugë që këta i përmendin çdo ditë Limuth-Qafë Thanë janë ndërtuar me para të kompanisë private.
Pra, sheshet që kanë kushtuar 2.3 miliardë euro, në mënyrë absolute sipas të gjithë ekspertëve mund të ndërtoheshin me 300 mln euro. Rrugët janë abuzimi më i tmerrshëm që ka ndodhur në historinë e Shqipërisë.
Autostrada Lushnje-Fier është ndërtuar me 1 mln euro kilometrin. Sot kjo rrugë ndërtohet me 10 mln euro kilometrin. Treguesi i çmimeve në ndërtim është rritur vetëm me 30 %, që do të thotë se rruga sot duhe të ndërtohet sot me 1.3 milionë euro dhe kurrë me 10 mln euro.
Edi Rama ka abuzuar në mënyrën më të tmerrshme.
Imagjinoje vetë, unaza e Tiranës e cila edhe pas 15 vitesh ende nuk është ndërtuar akoma. 13 km e fundi i copëtoi Lubi Balluku në 14 tendera, se si e si të vjedhë më shumë.
Ose tunelin e Llogarasë i vuri kryq ofertës me 130 mln euro dhe ja dhanë ofertës me 180 mln euro duke marrë në një dorë 50 mln euro.
Çfarë do bëjë qeveria? Kam shpallur tre veprat, po ti quajmë të emergjencës, janë autostrada Shkodër-Milot, zgjerimi i autostradës Tiranës-Durrës, bajpasi i Elbasanit. Këtu kemi ne 3 bllokimet më të mëdha kombëtare. Këto bllokime do të marrin fund në kohën më të shkurtër.
Së dyti, kanë lënë gjithsej 30 mln euro për mirëmbajtjen e rrugëve. Mirëmbajtja e rrugëve kërkon të paktën 200-300 milionë euro. Dhe rrugët do të mirëmbahen. Do të ngrihen në përmasat e rrugëve europiane, akset kryesore kombëtare.
Do të vazhdohet me unazën e Shqipërisë, e cila fillon në Valbonë, qarkon të gjithë zonën Veri dhe Juglindore, kthehet në zonën Perëndimore dhe shkon gjer në Vermosh. Kjo unazë është e domosdoshme për të shpëtuar Shqipërinë rurale nga shkretëtimi i saj i plotë. Çdo qendër e vogël do të lidhet me rrugë automobilistike me aksion kombëtar.
Ne i kemi patur dhe i kemi shumë të qarta. Por nga ana tjetër ne rikthehemi projektit të Shqipërisë, superfuqi energjitike.
Më parë në shpallëm Shqipërinë, superfuqi e vogël energjitike e energjisë së rinovueshme në rajon. Sot ne nuk themi e vogël, ne themi Shqipëria superfuqi energjike në rajon. Pra do të shumëfishojmë prodhimin e energjisë nga dielli, era, uji dhe gazi.
Në këtë kontekst ai që do të përfitojë më shumë se kushdo tjetër do të jetë qytetari shqiptar.
Ne kemi një projekt-plan.
Së pari për vendosjen e paneleve diellore nga jugu në veri për të gjitha familjet që duan. Do të paguajnë 3 vite tarifën e energjisë siç u takon dhe pas 3 vitesh do e gëzojnë falas.
Së dyti, do të përdorim të gjitha potencialet e kësaj energjie për të shumëfishuar në qindra e qindra megavat prodhimin nga panelet diellore që sot janë ulur çmimet shumë.
Së treti, Shqipëria ka platformat më të fuqishme të erës. Vetëm territori i Pukës, lehtësisht pa u shtyrë në zonat e thella, të studiuar prej 3200 megavatësh me energji ere. Shumë të madhe ka Tepelena. Karaburuni është platforma ndër më të fuqishmet e erës në Europë.
Së katërti ne kemi gazjellësin, një ndër më të mëdhejtë e Europës, me të cilin Shqipëria bëri një kontribut thelbësor, jashtëzakonisht të rëndësishëm. Prodhimi i energjisë nga gazi do të jetë drejtimi tjetër dhe së fundi, garantoj shqiptarët se do të ndërmirret gazifikimi i Shqipërisë.
Futja e gazit në përdorim tek qytetarët që është një lehtësi e madhe ulje e ndjeshme e kostos së jetesës.

Tori Dhima: Me tokat e bregut është bërë masakër doktor, si do të ua merrni hajdutëve tokat e gjyshërve tanë, se ngelëm rrugëve të botës.
Sali Berisha: Keni shumë të drejtë. I nderuar zotëri, tokat i mori Rilindja, të themi të vërtetën, sepse ai ish-kryetari i mëparshëm, Vasil Bollano, u tregua një njeri i ndershëm dhe me gjithë hetimet, nuk patën ku të gjejnë qoftë një shkelje të vetme.
Për të grabitur tokat, burgosi në mesnatë me akuza dhe dëshmitarë false, Fredi Belerin sepse ai nuk do pranonte t’ia dorëzonte Edi Ramës dhe mafies së tij shtetërore tokat.
Tani mësohet se Edi Rama, me vëllain e tij dhe Nushët kanë marrë një sipërfaqe prej 224 mijë metra tokë që nuk u takonte kurrë për të cilin nuk kanë asnjë dokument kadastral.
Dhe garantoj se do u merret.
10 mijë metra katrorë ka marrë ish-ministrja grabitqare Olta Xhaçka. Kur unë e denoncoja në parlament, ajo mashtronte e thoshte e ka tokë të familjarëve të vet. Ajo nuk kishte asnjë metër tokë aty.
Pra, është e vërtetë ajo që thoni ju, tokat e bregut i grabiti dhe po i plaçkit mafia, ne do ia nxjerrim nga kthetrat mafies dhe do ia kthejmë banorëve të vet.
Lela Koni: Çfarë do të bëjë Partia Demokratike në reformën në Arsim. Si do të ecë Shqipëria në drejtimin e duhur dhe çfarë dhe bërë për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të ofruar më shumë mundësi për të rinjtë në tregun e punës?
Sali Berisha: Së pari, arsimtari. Ne do vendosim arsimtarin në piedestalin që ai meriton në mënyrë që ai të përmbushë misionin e tij. Arsimtari është misionar, në këtë kontekst ne do shkojmë drejt dyfishimit të rrogave të mësuesit.
Drejt modernizimit të sistemit shkollor me teknologjitë më të larta. Dixhitalizimit të plotë të tij. Drejt standardeve që bëjnë që mësuesit të kenë nivelin përkatës arsimor dhe ata që janë larguar për arsye politike apo arsye të tjera, të rikthehen.
Drejt modernizimit të plotë të infrastrukturës shkollore. Zonjë, ju mund t’i referoheni fakteve. Në vitet 2006-2013, në testin e PISA-s, cilësia në arsimin shqiptar pati rritje vertikale.
Në vitet 2015-2023, në testin e PISA-s, cilësia e arsimit pati rënie katastrofale, rënien më të madhe në botë me 69 pikë në matematikë dhe në vendin e fundit në botë për mendimin kreativ, nxënësit tanë.
Kjo gjendje do ndryshojë me shpejtësi, por gjykoj se para së gjithash do fillojë nga mësuesi.
Natyrisht infrastruktura do bëjë që të mos ketë më shkolla me turne. Të mos ketë klasa me 40 nxënës dhe shumë ndërhyrje të tjera.
Sa u përket punësimit të të rinjve, do ketë incentiva dhe stimuj fiskal për çdo të ri të punësuar.
Do ketë grante dhe kredi të buta për çdo biznes të tyre.
Do ketë kredi të buta për çdo çift të ri për të filluar jetën e tyre.
Pra, do ketë një përkrahje direkte të veçante për të rinjtë.
Laura Sela: Kush është personi historik që do të kishit dashur të takoni dhe të bëni një debat politik. Pse e refuzon Rama debatin politik me ju?
Sali Berisha: Personalisht nuk kam refuzuar debate dhe mendoj se debati është detyrim për çdo politikan. Është detyrim para publikut që të ndjek, para publikut që të voton dhe nuk duhet të kesh frikë nga transparenca.
Natyrisht politikanë të mi të admiruar janë disa, theksova Çërçillin, kam admiruar guximin e jashtëzakonshëm të Gorbaçovit kur tha se Rusia nuk është e askujt, të Ronald Reganit kur kërkoi rrëzimin e Murit të Berlinit, të Sharl de Gol që e bëri Francën, të Donald Trump që pati guximin e jashtëzakonshëm të deklarojë si armiqtë më të rrezikshëm të SHBA ekstremin e majtë, që propagandonte censurën, që sulmoi gjinitë njerëzore që u rikthye te ‘woke culture’ një kulturë e revolucionit bolshevik dhe kinez.
Lume Hysi: Lufta kundër korrupsionit është një fushë ku qeverisja e PD gjatë viteve 2005-2013 ka treguar se ja del. Cilat janë masat e reja që do të ndërmarrë qeverisja e ardheshme e PD që të përmunbushë detyrimet dhe normat që kërkon BE për anëtarësimin e vendit në Union.
Sali Berisha: Zero tolerancë ndaj korrupsionit. Korrupsioni luftohet me ligje dhe zbatim ligjesh.
Po u jap një shembull. Duke parë abuzimet e tmerrshme të kësaj qeverie me blerjen e energjisë, BB dhe FMN i nxorën kartonin e kuq dhe i kërkuan të ndërtojë bursën, të blejë dhe ta shëse në bursë energjinë.
Kjo sepse Lubi Balluku zbrazte digat dhe ia shiste sekserëve të saj energjinë me një çmim qesharak. Sekserët e Lubisë, që e blinin me 40 euro, e shisnin në bursë, ku mund ta shiste Shqipëria vetë, me 160 euro. 120 euro i ndanin me Lubinë dhe mafien e energjisë.
Pra, në qoftë se zbatohen me rigorozitet ligjet dhe transparenca, ato janë gërshërët më të mira në luftën kundër korrupsionit.
Por ka një ligj themelor në luftën kundër korrupsionit dhe ky është ligji i konfliktit të interesit.
Në qoftë se ti, nuk lufton me zero tolerancë konfliktin e interesit në tendera, prokurime dhe koncesione, ti faktikisht favorizon korrupsionin.
Ishte i frikshëm vendimi i disa partive që quhen të reja gjoja, por që janë paterica të Edi Ramës, kur pashë që futën familjarët e tyre në listat e mbyllura.
Nga dy dhe tre familjare në listat e mbyllura.
Imagjinoni ju një qeveri të tyre, do ishte një qeveri me familjare.
Do bënin atë që bën Eid Rama sot që ndan paratë me baxhanakun, ndan pronat me vëllain, ndan shuma me familjarët e vet.
Këto janë origjina e tmerrshme e korrupsionit.
Sikundër ministrat, me ligj nuk do mund të merren në asnjë mënyrë me prokurimet publike dhe koncesionet. Nuk janë marrë. Dhe kjo i bën ata syçelët ndaj korrupsionit në ministritë e tyre. Do institucionalizohen dhe forma të tjera.
Do bëhet një audit i përgjithshëm i vjedhjeve 12-vjeçare në mënyrë që të gjenden fondet ku kanë shkuar, t’u kthehen paratë shqiptarëve, por në mënyrë që edhe e shkuara të mos përsëritet më.

Joni Pasha: Në Shkodër keni bërë premtimin se diaspora do të paguajë tre herë më pak energji elektrike, për biznesin dhe do të jenë 5 vite pa taksa. Sa e realizueshme është kjo dhe sa ndikim do të ketë në buxhet.
Sali Berisha: I dashur Joni, tani të them të vërtetën, për energjinë nuk do e paguajë vetëm diaspora, por çdo biznesmen shqiptar.
Energjia do zbresë nga 18 dhe 24 lekë që blihet sot, do zbresë në 6 lekë. Gjer në vitin 2013, energjia është shitur me 67 lekë. Tani energjia do jetë fiks 6 lekë për çdo biznes.
Së dyti, pa diskutim që do lihen 5 vjet pa taksa dhe natyrisht do paguajnë sigurime shoqërore, por edhe aty do shohim për lehtësira.
Kurse asnjë taksë tjetër gjersa të ngrihet në këmbë dhe të bëhet i suksesshëm biznesi i tyre.
Impakti në biznes? Asnjë impakt negativ sepse këto janë investime të cilat pas 5 vitesh fillojnë dhe japin.
Bardha Hysa: Ku e gjeni gjithë këtë energji doktor, na e thoni formulën dhe neve?
Sali Berisha: Puna është sekreti i rinisë së përjetshme.
Isa Gega: Ke ndonjë plan për pushtetin vendor se reforma e ka shkatërruar. E gjithë bota funksionon me bashki e komuna.
Sali Berisha: E keni shumë të drejtë, pushteti vendor është shndërruar në një vasal të pushtetit qëndror dhe kjo është një fatkeqësi e madhe. Keni shumë të drejtë.
Kushtetuta e Shqipërisë i jep autonomi të plotë pushtetit vendor. Kushtetuta e Shqipërisë nuk lejon qeverinë qendrore ti diktojë qeverisë vendore. Puçi që ndodhi së fundi është shprehja më evidente, ku Edi Rama merr përsipër dhe emëron kryetaren e deleguar që nuk ekziston në asnjë nen të ligjeve dhe kushtetutës.
Defakto mori përsipër të jetë edhe vetë kryetar bashkie. Natyrisht kjo është e thjeshtë. Kërkon në radhë të parë zbatimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe kartës Europiane.
Por një ndarje tjetër territoriale është e domosdoshme sepse shqiptarëve u bë ky përqendrim në bashki, me pretendimin se do të kursehen shërbimet me vendosjen e shërbimeve digjitale. Në të vërtetë numri i punonjësve është mbidyfishuar sot me periudhën para reformës dhe mbi taksat e qytetarëve rëndon një burokraci dy herë më e madhe.
Shërbimet u janë larguar qytetarëve edhe ditë e netë të tëra.
Kështu që kjo reformë do të rishikohet me përparësi.
Indrit Jahja: Po për invalidët, tetra dhe paraplegjikët çfarë do të bëhet doktor, se nuk është njësoj si ai që ka një gisht jo funksional me atë që është në karrige me rrota?
Sali Berisha: Tetraplegjikët do kenë të gjitha lehtësirat maksimale për jetën e tyre. Të gjitha pajisjet që u duhen atyre, do përballohen nga shteti pa asnjë lloj sigurimi. Kujdestari do paguhet kur është rasti me sigurime shoqërore e çdo gjë.
Do bëhen përpjekje për punësimin e tyre në rastet kur ata mund të punojnë. Pra gjithçka për ndryshimin e jetës së tyre.
Edi Tanushi: Pse duhet të paguajnë taksë pastrimi e ndriçimi emigrantët që vijnë një herë në vit, si ata që jetojnë gjithë kohës aty.
Sali Berisha: Është absurde dhe kjo nuk do të ndodhë pas 11 majit.
Jani Marku: Po tuneli Reps-Gjegjan do ta hapni, sepse i jep goxha jetë asaj zone e cila po vdes.
Sali Berisha: Do studiohet, e shkurton rrugën por do të studiohet.
Alkida Mehmeti: Si do ta garantoni meritokracinë kur njerëz të shkolluar janë injoruar edhe nga PS edhe nga bashkëpunëtorët tuaj të afërt.
Sali Berisha: Mbi bazën e meritokracisë u arrit që administrata e mëparshme nga 1.5 % të shkolluar jashtë shtetit, të ketë 22 përqind në fund të mandatit të dytë. U arrit që numri i të graduarve në adminsitratë të rritet me shpejtësi.
Pra ne do të bëjmë gjithçka që njerëzit sipas meritës të marrin vendin e tyre. Mund të ketë pasur raste abuzimesh nuk e përjashtoj, por trendi ka qenë ky.
Ndoc Lasku: Janë bllokuar nga sistemi shumë emigrantë të djathtë. Kush na siguron se vota jonë do të lexohet drejt dhe ashtu siç duhet.
Sali Berisha: Vota do të lexohet drejt, sepse aty kemi përfaqësuesit tanë.
Por ftoj çdo emigrant që u bllokua nga sistemi të bëjë çdo përpjekje për të ardhur dhe votuar direkt në Shqipëri si një kontribut historik për vendin dhe kombin e tij.
***
Faleminderit shumë dhe njëherë, nga zemra ju uroj gëzuar këtë ditë të bekuar dhe ju ftoj që me këtë program të ndërmarrim një bisedë, një dialog, një debat me njëri-tjetrin dhe me çdo qytetar shqiptar, për të bindur se PD ka ndërmend të rikthejë, tu japë paratë shqiptarëve.
Tu kthejë shqiptarëve paratë që vidhen në mënyrë të paimagjinueshme në rrugë dhe vepra publike. Paratë që mungojnë, që janë marrë për inceneratorin që nuk ekziston, me udhëtimet me 21 mln euro të kreut të qeverisë, me drekat dhe darkat me shishe 33 mijë euro, që kushtojnë dhjetëra e dhjetëra pensione, me kopështin e Edenit sa 30 mijë pensione në oborrin e qeverisë.
Pra, pavarësisht cilido që mund të jetë i dëshpëruar dhe i zhgënjyer, të mbledhë forca dhe kurajo, të ndahemi nga kjo e keqe për një udhëtim krejt tjetër, drejt Shqipërisë Madhështore, Shqipërisë së ëndërrës shqiptare.
Faleminderit!