Berisha: I tmerruar nga revolta, i lebetitur nga 7 tetori, njëlloj si Maduro, Rama përjashtoi 24 deputetë të parlamentit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Mbrëmjen e sotme në protestën maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha ka kritikuar me tonë të ashpra qeverinë Rama, duke e krahasuar atë me regjimet diktatoriale si ai i Nicolas Maduro në Venezuelë.

Berisha ka theksuar se qeveria është e frikësuar nga revolta popullore dhe nga data 7 tetor, duke përmendur përjashtimin e 24 deputetëve të opozitës nga parlamenti, përfshirë kryetarin e grupit parlamentar dhe zëvendës-kryetarin e Partisë Demokratike. Berisha u shpreh se, qeveria është një organizatë kriminale që bashkëpunon në trafiqe, krime dhe vjedhje, duke paralajmëruar për një revoltë të pashmangshme popullore që do të largojë qeverinë nga pushteti.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka drejtuar një mesazh të fuqishëm kundër qeverisë shqiptare, të cilën ai e akuzon për krim të organizuar dhe lidhje me mafien ndërkombëtare. Ai thekson se populli shqiptar po ngrihet kundër një “narkodiktature” dhe një regjimi që, sipas tij, përhap korrupsionin dhe përdor paratë e krimit për të blerë mbështetje. Berisha nënvizon se kjo betejë është jo vetëm një luftë kombëtare për liri dhe demokraci, por edhe një luftë europiane dhe ndërkombëtare kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

Lideri demokrat, Sali Berisha i është drejtuar me tonë të ashpra kryeministrit Rama dhe Erion Veliajn, duke i akuzuar për përpjekje për të manipuluar opinionin publik përmes fotografive me figura ndërkombëtare si Aleksis Sorosi, me qëllim që të fshehin krimet e tyre, lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Berisha i ka akuzuar për tradhti ndaj shqiptarëve, duke përmendur lidhjet e tyre me Serbinë dhe rolin e tyre në projektet për ndarjen e Kosovës. Kryedemokrati ka paralajmëruar se Rama dhe Veliaj nuk mund të fshehin krimet e tyre dhe përpjekjet për të dëmtuar Kosovën, duke e quajtur Ramën “armik të shqiptarëve” dhe “tradhtar”.

Berisha ka bërë kritika për qeverisjen Rama, duke theksuar gjendjen e rënduar të pensionistëve shqiptarë në krahasim me pensionistët italianë, që ai thotë se marrin pensione shumë më të larta. Berisha akuzon Ramën për cinizëm dhe përpjekje për të manipuluar publikun me propagandë për turizmin dhe për pensionet e ulëta në Shqipëri.

Berisha e quan këtë një formë të poshtër manipulimi, duke i kujtuar se shqiptarët nuk hanë “bar” dhe se qeveria nuk mund të fshehë gjendjen e vështirë ekonomike.

Kryetari i PD, Sali Berishaka përfunduar fjalën e tij me thirrjet për fitoren e popullit kundër Ramës dhe regjimit të tij në 7 tetor, duke paralajmëruar një ndryshim të madh politik.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, më miqësore, më të pakufishme. Mirënjohje ndaj jush guximtare dhe guximtarë të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve të parlamentit të fjalës së lirë, të cilët me fjalën e tyre frymëzojnë mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, ndriçojnë me dritën e së vërtetës mendjet e tyre dhe shpërndajnë terrin e hipokrizisë, terrin e demagogjisë, terrin e propagandës vulgare që regjimi diktatorial i bazuar në lidhjet me krimin, me drogën me vjedhjen e shqiptarëve shpërndan në mediat e tij çdo minutë, çdo orë në Shqipëri dhe mendjet e shqiptarëve.

Miqtë e mi, beteja e pandalshme, beteja pa kthim ka filluar.

Sot narkoregjimi njëlloj sikur të ishte Maduro i Venezuelës, i tmerruar nga revolta e deputetëve, i lebetitur nga 7 tetori që po afron mori masa ndëshkimore dhe përjashtoi për herë të parë në historinë 32 vjeçare pluralizëm, përjashtoi 24 deputetë nga përlamenti, ndër të cilët përjashtoi kryetarin e grupit parlamentar pasi ka burgosur zv. kryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm të PD dhe 22 deputetë të tjerë.

Këta anëtarë të organizatës kriminale të Edi Ramës, këta bashkëpunëtorë në krim, në vjedhje dhe trafiqe me atë që panë me sytë e tyre në oborrin e parlamentit e kuptuan se kjo betejë është betejë për jetë ose vdekje, është betejë për triumfin e demokracisë, ligjit dhe Kushtetutës.

Ata e panë se shpresë për ta nuk ka më, se revolta popullore që po zien në të katërta anët e vendit do t’i fshijë dhe do t’i hedhë në koshin e plehrave të historisë, aty ku e kanë vendin si keqbërësit më të mëdhenj në historinë e kombit shqiptar.

Ata mendojnë se duke zbrazur parlamentin do shpëtojnë nga ndëshkimi popullor, po ata harrojnë se sot me guximin, trimërinë e parlamentarëve të opozitës, janë qindra e mijëra shqiptarë të gatshëm të ëvrsulen kundër tyre, të gatshëm t’ju shpërblejnë urrejtjen dhe hakmarrjen e tyre, të gatshëm t’ju rezervojnë fundin që meritojnë.

Miqtë e mi, kjo betejë është beteja më e madhe, më fisnike, më e drejtë në Ballkan, në Europë dhe më gjerë. Një popull ngrihet kundër narkodiktatorit. Një popull ngrihet kundër organizatës kriminale që quhet qeveri. Një popull ngrihet kunëdr organiztës kriminale që quhet drejtësi. Një popull ngrihet kundër mafies më të rrezikshme të Ballkanit, Europës dhe më gjerë.

Një popull ngrihet kundër mafies ndërkombëtare që ushqehet me paratë e krimit, të mafies shqiptare dhe e mbështet atë.

Një popull lufton pra për dinjitetin e tij, për liritë e tij, për votën e tij të lirë, për të ardhmen e vet dhe të vendit të tyre, por ky popull lufton gjithashtu kundër një regjimi trafikantësh, kriminelësh, banditësh që eksporton ço ditë krim, drogë, vrasje në vendet përreth në Europë dhe në botë kundër një regjimi që shpërndan çdo ditë thasë me para për të korruptuar, për të rektutuar mafiozë të tjerë, McGonigalër e kompani.

Në këtë aspekt beteja jonë është sa kombëtare, aq europiane, aq ndërkombëtare. Kauza jonë është sa kombëtare, aq europiane, aq ndërkombëtare.

Miqtë e mi, keni vënë re se tani që kërkojnë vrimën e miut, Edi Rama dhe Erion Veliaj bëjnë çmos të paraqesin ndonjë foto me Aleksis Sorosin apo me ndonjë amerikan tjetër. Se mendojnë se me këto foto do mund të fshehin vjedhjet e tyre, se me këto foto do mund të fshehin lidhjet e tyre me krimin, se me këto foto do mund të fshehin shpirtin e tyre antishqiptar, se me këto foto do mundin të fshehin krimet e tyre.

Miq, mos harroni se këtu do jeni, se për këto foto nuk do jetë e largët dita kur do të përfundojnë në burg të dy dhe të tjerë e të tjerë.

Me asnjë foto, i them Edi Ramës, me asnjë njeri, me asnjë qeveritar dhe as me kërkënd nuk mund të fshehësh vjedhjet e tua, nuk mund të fshehësh lidhjet e tua me krimin, nuk mund të fshehësh Olsin tënd të lidhur këmbë e krye me drogën, nuk mund të fshehësh pasuritë përrallore që ke bërë dhe ke vendosur duke vjedhur shqiptarët.

Nuk fsheh dot asgjë, shpirtit tënd të shitur antishqiptar. Nuk fsheh dot veten si argat i shpifur i Aleksandër Vuçiç.

Nuk i fsheh dot ti aktet tua armiqësore ndaj shqiptarëve në Kosovë, nuk i fsheh dot kurrë ato. Projektet e tua për të ndarë Kosovën me Serbinë. Nuk i fsheh dot kurrë ato, kriminel.

Thirrjet e tua kur shpallje veriun e Kosovës Donbas, sepse ashtu të urdhëronte padroni yt.

Nuk i fsheh do  kurrë lobimit që bëre kundër heqjes së vizave për Kosovën. Nuk fsheh dot ti armik i shqiptarëve padinë që bërë ndaj udhëheqjes së Kosovës në gjykatë me porosi të Dushanit dhe të Vuçiçit.

Jo, jo nuk shpreh dot kurrë përpjekjet puçiste për të rrëzuar qeverinë e Kosovës me mbeturina të Serbisë dhe Jugosllavisë. Nuk i fsheh dot ti këto sanksionet që vure kundër Kosovës, se në historinë e kombit je tradhëtari më faqezi që ka patur Shqipëria.

Me çfarë fotoje do të fshehësh ti këto akte kundër gjysmës së kombit tënd? Me cilën foto na thuaj pak mund të fshehësh gjenocidin që ke kryer ndaj shqiptarëve në 8 vite me kushte të kalkuluara për t’i dëbuar nga Shqipëria? Mbi 1 milionë shqiptarë.

Me cilën foto, thuaji shqiptarëve. Të gjitha fotot e botës nuk zbardhin fytyrën tënde të zezë, faqen tënde të zezë. Nuk të mbron asgjë nga urrejtja popullore, hakmarrja popullore, fitorja e popullit mbi ty.

Me cilën, o njeri cinik dhe i pashpirt, se hajdutëria të ka marrë çdo normë, çdo qelizë njerëzore. Me cilën foto do mbulosh ti cinizmin ekstrem që tregove ndaj 770 mijë shqiptarëve në pension.

Me cilën, apo do ta mbulosh këtë o faqezi me lajmet që jep se Shqipëria është vendi i preferuar për turistët italianë, sepse këtu pensionet janë pa taksa.

Po cinizmi dhe poshtërsia nuk ka emër tjetër, përveçse Edi Rama.

Po ai turisti italian që vjen në Vlorë apo në Durrës ka pensionin 2 mijë euro, pensionin 1500 euro. Ai merr sa 20 pensionistë shqiptarë që ti i ke lënë të numërojnë kafshatën.

Ç’je ti mor i pashpirt! Pse me këtë propagandë neverie të turpshme, pse u thua ensionistëve: shikoni, jemi bërë parajsa e pensionistëve italianë.

Po pse, bar hanë pensionistët shqiptarë? Po nuk e dinë ata se italiani që vjen me të shoqen merr secili nga një pension 1500-2000 euro?

Si je kaq pervers mo? Si je kaq i pashpirt? Ç’i ke ndërsyer këto media të mashtrojnë njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës shqiptarët. Të cilat në vend se t’u përcjellin shqiptarëve lotët e mjerimit të çdo pensionisti, u japin sihariqet se po vijnë pensionistë nga Leçja, Verona, dhe se erdhi kjo kroçiere dhe ajo kroçierë për të marrë gjysmë milioni euro naftë falas nga portet tona.

Miqtë e mi, 7 tetori është larg, por mirëseardhtë.

Është radha jonë, është dita jonë, është radha e fitores.

Fitore, fitore, fitore!

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale