Berisha: Gratë e PPE mbështetën PD në ditët më të vështira! Kjo narkodiktaturë u bekua me heshtje edhe nga BE

FJALA PËRSHËNDETËSE E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN NDËRKOMBËTARE: ‘FUQIA E GRAVE NË POLITIKË’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij përshëndetëse në konferencën ndërkombëtare me bordin ekzekutiv të Forumit të Grave në EPP, me temë: ‘Fuqia e Grave në Politikë’, ditën e sotme, shprehu mirënjohje për gratë e PPE-së, si: Rosalia Biro’, Albana Vokshi, Mariya Gabriel, Doris Pack, etj., për mbështetjen që i dhanë PD-së gjatë periudhave të vështira.

Berisha kritikoi Bashkimin Evropian dhe administratën e SHBA-së për mbështetjen e ‘heshtur’ ndaj regjimit të udhëhequr nga narkodiktatura në Shqipëri, duke e quajtur vendin një narkodiktaturë të parë në Evropë. Lideri Opozitar, Sali Berisha e vuri gjithashtu theksin tek arrestimet dhe brutalitetin ndaj liderëve të opozitës, si dhe kontrollin e mediatik dhe të drejtësisë nga regjimi. Ai gjithashtu akuzoi prokurorinë e veçantë për pasivitet në hetimet që lidhen me regjimin dhe theksoi se liderët e opozitës po arrestoheshin dhe burgoseshin pa prova.

Në fjalën e tij, Kryedemokrati, Sali Berisha përgëzoi zonjat e PPE-së si luftëtare të pamposhtura dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj PD-së dhe kauzës së lirisë.

Berisha solli në rikujtesë vitet 1990-1992, kur Europa kishte një angazhim të fortë për të drejtat dhe liritë themelore, duke shprehur shqetësim për heshtjen aktuale ndaj situatës në Shqipëri.

Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha vlerësoi këtë organizim si një mbështetje të rëndësishme për PD-në dhe lirinë në vend.

FJALA E PLOTË

E nderuar zonja presidente Biro’, e dashur Albana, e nderuar zonja Mariya Gabriel, zonja Doris Pack, mike e vjetër e PD dhe e Shqipërisë, zoti Thomas Kunz. Të nderuara zonja të ardhura nga vende të tjera dhe nga Brukseli, zonja të pranishme në këtë sallë, anëtare të LDG në Shqipëri.

Është një nder i madh që na keni bërë zonja presidente me praninë tuaj dhe unë u jam shumë mirënjohës.

Por unë kam një mirënjohje ët veçantë për të gjitha ju sepse në një proces kafkian që pësoi PD, në të vetmen narkodiktaturë të instaluar në Europë, presidenca e gruas së PPE, presidentja e nderit zonja Doris Pack dhe ju zonja të nderuara, keni dhënë mbështetjen tuaj për PD-në, për gruan demokratike, që luajti dhe luan një rol të jashtëzakonshëm në betejën kundër këtij regjimi, të cilin Europa nuk e ka njohur në historinë e vet.

Është narkoshteti i parë që instalohet në Europë.

Në rast se 20 vite më parë lexova se narkodiktaturat janë forma më e shëmtuar e diktaturave, shkruante Samuel Hungtington, asokohe duke ardhur nga një diktaturë staliniste, siç ishte Shqipëria, nuk u binda shumë.

Por kur përjetoj këtu këtë realitet, ajo është një e vërtetë e madhe.

Kjo narkodiktaturë ka pasur probleme të shumanshme.

Së pari, ndonëse shkruhet gjerësisht dhe është analizuar gjerësisht, përsëri edhe lehtë nuk pranohet.

Nuk pranohet sepse ndërtimi i kësaj narkodiktature u mbështet nga administrata e shkuar e SHBA, por në njëfarë mënyrë u bekua me heshtje edhe nga BE.

Dhe kjo bëri që narkodiktatori i këtij vendi të shëtisë në Europë dhe botë me atlete të bardha, të hiqet si piktor apo sportist, në një kohë kur ai ishte personi që arrestonte tre liderë të opozitës në projektin e tij Shqipëria pa opozitë.

Dhe jo vetëm i arrestonte ata tre liderë, por njërin prej tyre e brutalizonte në mënyrën më të dhunshme nën kamera, duke e filmuar, vetëm për të shfryrë hakmarrjen e tij ndaj kundërshtarit dhe për të terrorizuar popullatën.

Ju jeni këtu në një vend që po të shihni, ka plot media, por problemi i tyre është se ato të gjitha, përveç një ose dy, kanë një kontroll rigoroz nga zyra e narkodiktatorit.

Shqipëria ka një prokurori, e cila lavdërohet në mënyrë të paimagjinueshme gjerësisht.

Por kjo prokurori speciale është një prokurori, e cila nuk prek asnjë aferë që shkon tek narkodiktatori.

Ndërkohë që arreston, burgos, pa prova, vetëm si persona nën hetim liderët e tre partive kryesore opozitare, merr mandate deputetësh, merr mandate të zgjedhurish vendorë nga opozita.

Sot kemi deputetë në burg, kemi të tjerë drejtues në arrest shtëpie.

Në rast se në vitet 1990-1992, siç e theksoi e nderuara Doris Pack, në Europë kishte një interes real për liritë dhe të drejtat themelore, organizoheshin konferenca, flitej në mënyrë të vazhdueshme, sot nuk flitet shumë për liritë dhe të drejtat themelore të një kombi që vuan një narkodiktaturë.

Sot, rastet konkrete mbyllen me një formulë bizare, nuk komentojmë për raste konkrete.

Pra, i theksova këto momente, sepse këto janë gjëra tashmë të njohura.

Por këto zonja të shihni këtu janë luftëtare të pamposhtura kundër këtij regjimi dhe kanë një meritë të jashtëzakonshme.

Në momentet më të vështira këto nuk kanë ngurruar që të dalin ballë për ballë.

E theksova për të shprehur mirënjohjen ndaj jush sepse nuk ka qenë kjo situatë në presidencën tuaj dhe fakti që zgjodhët Shqipërinë për të organizuar këtë ngjarje, është një mbështetje shumë e madhe për ne.

Unë do doja të thoja disa fjalë të tjera, por u kërkoj mirëkuptimin tuaj, sepse sot në Shqipëri kurorëzohet udhëheqësi i Kishës Ortodokse dhe kjo është një ngjarje e madhe për kombin, pasi paraardhësi i tij shkoi në amshim.

Dhe më duhet të jem i pranishëm në ceremoninë e kurorëzimit të kryepeshkopit, ndaj dhe u kërkoj ndjesë dhe dua të largohem.

U falënderoj shumë për praninë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale