FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME BANORËT E DEGËVE 1, 3 DHE 14 NË TIRANË
EKSTRAKT
Gjatë një takimi me banorët e degëve 1, 3 dhe 14 në Tiranë, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, përshëndeti pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohje të veçantë për eurodeputeten italiane Erica Mazzetti, përfaqësuese e Forza Italia dhe e Parlamentit Europian, e cila ishte e pranishme në mbështetje të PD-së. Ai theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta midis PD-së dhe Forza Italia, si dhe miqësinë strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, duke i cilësuar këto si prioritete të rëndësishme për të ardhmen.
Gjatë fjalës së tij, Berisha prezantoi gjithashtu programin e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), duke e cilësuar atë si një plan konkret për rikthimin e shpresës në vend, veçanërisht për të rinjtë. Ai u zotua për reforma të thella ekonomike, rritje të pagave dhe pensioneve, mbështetje për të rinjtë, investime në arsim e shëndetësi, zhvillim teknologjik dhe rikthim të pasurive publike në duart e qytetarëve. Berisha e përshkroi këtë program si një rrugë drejt “Shqipërisë Madhështore”, ku të gjithë shqiptarët kanë mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen e tyre në vendin e tyre.
Gjatë takimit me banorët, Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se 11 maji do të shënojë fundin e Edi Ramës, të cilin e akuzoi për mashtrime, kopjime të programeve të PD-së dhe dështime të thella ekonomike e demografike. Berisha solli si shembull mashtrimet për pagat dhe pensionet, si dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi. Berisha theksoi zhdukjen e 130 milionë eurove në aferën e djegësit të Tiranës, duke akuzuar Ramën dhe Veliajn për korrupsion.
Duke iu drejtuar një votueseje 18-vjeçare, Kryetari i PD u zotua se qëllimi më i madh i PD është t’i kthejë kombit rininë e humbur dhe ta bëjë Shqipërinë vend ku të rinjtë ndërtojnë të ardhmen e tyre. Berisha premtoi dyfishim të buxhetit për arsimin, paga dinjitoze për mësuesit, eliminimin e barrierave për hyrjen në universitete, subvencionim të punësimit për të rinjtë, mbështetje për startup-e dhe politika për strehimin e çifteve të reja.
Gjithashtu, lideri opozitar, Sali Berisha theksoi se PD do të zbatojë një politikë të fortë demografike për të përmbysur rënien e lindshmërisë, me bonuse për fëmijët dhe mbulim të plotë të shpenzimeve për fëmijën e tretë dhe të katërt deri në moshën 23-Kryetari i PD, Sali Berisha sfidoi Edi Ramën për premtimin e pambajtur të shëndetësisë falas, duke e quajtur “burracak dhe rrenacak”. Ai theksoi se shqiptarët sot paguajnë 67% të shpenzimeve shëndetësore nga xhepi, shumë më tepër se qytetarët e vendeve të BE-së, dhe premtoi se brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së PD-së, do të zbatohet lista e rimbursimit të barnave të Italisë.
Berisha deklaroi gjithashtu se çdo pensionist që merr nën 200 euro do ta ketë këtë shumë si minimum, njësoj edhe për të papunët dhe studentët me bursë. Ai premtoi rroga minimale 500 euro dhe mesatare 1250 euro, kthim të TVSH-së për shtresat në nevojë përmes kartës së konsumatorit, si dhe dyfishim të buxhetit për shëndetësi dhe arsim.
Lideri demokrat, Sali Berisha u zotua për rikthimin e pasurive publike dhe për një shtet social që, sipas tij, Rama e ka shkatërruar.
Kryetari i PD, Sali Berisha u bëri thirrje grave dhe vajzave shqiptare që të votojnë më 11 maj për të ardhmen e familjeve të tyre dhe për rikthimin e burrave dhe djemve të larguar nga Shqipëria. Ai akuzoi Edi Ramën për largimin masiv të shqiptarëve dhe keqpërdorimin e statistikave të punësimit të grave, duke theksuar se kjo është pasojë e mungesës së burrave që janë detyruar të emigrojnë.
Berisha paraqiti programin ekonomik të PD-së si një projekt për Shqipërinë me taksat më të ulëta në Europë: ulje të TVSH-së, lehtësira për bizneset e vogla, reduktim të çmimeve të energjisë dhe ujit, si dhe rritje të tavanit për tatimin mbi fitimin. Ai premtoi Shqipëri dixhitale dhe energji falas pas tre vjetësh përmes paneleve diellore.

FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë të pranishëm në këtë shesh, të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës kudo që jeni sonte, përshëndetjet më të përzemërta.
E nderuar zonja Erica Mazzeti, mikeshë e shquar e PD, Shqipërisë dhe shqiptarëve, përfaqësuese e Forza Italia dhe Parlamentit Europian, e pranishme sonte midis nesh, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush.
Dhe unë dua t’u informoj miq se mikeshën tonë, e cila erdhi në mbështetjen tonë në ditët më të vështira, e falënderova edhe para 2 mijë delegatëve në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane me gjithë zemër.
Dhe e garantoj se për mua dhe PD-në, vazhdimi i asaj miqësie dhe bashkëpunimi të vendosur me të pavdekshmin Silvio Berluskoni është një prioritet shumë i madh.
Por edhe marrëdhëniet midis dy vendeve tona mike, midis Shqipërisë dhe Italisë, qëndrojnë në krye të përparësive tona.
Të dashur drejtues politikë të kësaj zone, Besart Xhaferri dhe Klevis Balliu, të dashur kandidatë për deputetë të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, krenari e vërtetë e qytetarëve të tiranës, krenari e PD dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, u përshëndes shumë përzemërsisht dhe u falënderoj për punën e mrekullueshme që keni bërë në këtë fushatë.
Miq, sot nisëm marshin tonë të pandalshëm drejt fitores së 11 Majit.
Drejt fitores që ne meritojmë.
Në qoftë se marrim historikun tonë, një histori e cila nuk qe e thjeshtë dhe e lehtë.
Por çfarë ishte ajo? Historia e njerëzve që besojnë, historia e njerëzve me ideale, historia e njerëzve që duan lirinë dhe vlerat.
Dhe ja ku jemi, të vendosur në një mision shpëtimtar.
Ne u ngritëm dhe shpëtuam opozitën nga një monstër njerëzore që kërkonte pas 30 vitesh të shndërronte Shqipërinë në një Shqipëri pa opozitë.
Dhe sot ne jemi këtu ballë për ballë me të. Ai në panik të thellë, i tmerruar nga vetja e tij, i tmerruar nga krimet që ka kryer, i tmerruar në atë shkallë nga braktisja e madhe e qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë.
Kudo që shkon mblidhet me zyrtarë të zgjedhur me listë dhe vazhdon banalitetin e tij.
Një banalitet të turpshëm, të padenjë, një banalitet me të cilin mendon se do fusë përçarjen në familjet tona.
Me një fjalor ordineri, ndër më të varfrit, kënetë, zhapinj, bufë, çyrykë, budalla, etj, fjalë të cilat janë fjalë të një mjerani që nuk gjen strehë ku të futet.
11 Maji po vjen, Edi Rama ke marrë fund, je i pashpresë.
Kalon nga një takim në tjetrin me përçartje.
Mendon dhe beson se mund të mashtrojë sot qytetarët shqiptarë.
U thotë meqenëse ndenji 3 muaj pa program, tani së fundmi ka nisur të bëjë kopje të shëmtuar të programit tonë. Edhe ato nuk i mban mend mirë, i ngatërron shifrat, i ngatërron të gjitha.
Sot u thoshte se në vitin 2030 do të keni rrogën minimale 630 euro. U thoshte se në vitin 2030 do keni pensionin minimal 200 euro.
Po kush i beson atij?
Ai është në stadin e tretë të pashpresë të njeriut.
Stadi i tretë i njeriut të marrë fund psikologjikisht si njeri është stadi në të cilin ai beson gënjeshtrat e tij.
Sot përpiqej të bindte shqiptarët se ka punësuar 300 mijë shqiptarë, në një kohë kur mbarë Europa, çdo shqiptar e di se largoi në 10 vite 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e Shengenit.
Miq, po vij nga Valencia, takova shumë miq të vjetër, shumë miq të mirë dhe natyrisht qëllimi im ishte të paraqes gjendjen në Shqipëri dhe të bëj avokatinë e kauzave tona të drejta.
Por vështirësia që unë gjeja të bindja miqtë e mi se janë zhdukur 130 milionë euro në djegësin e Tiranës nga Edi Rama dhe Erion Veliaj dhe djegësi nuk ka asnjë tullë, nuk do ta harroj.
Më duhe ta ktheja nga e para tre herë tregimin tim me habinë që krijonte.
Nderim të madh ju qytetarëve të Tiranës që e përcollët atje ku e meritonte Erion Veliajn.
Dhe u garantoj se ju do përcillni tek ai Edi Ramën shumë shpejt pas këtyre zgjedhjeve.
Unë falenderoj shumë votuesen 18-vjeçare që voton për herë të parë.
Besimi juaj zonjushë tek programi i PD është një detyrim shumë madhor për ne dhe unë ju jap fjalën ju se me këtë program, qëllimin më të madh, më final e kemi t’i kthejmë kombit rininë e tij, ta bëjmë edhe njëherë kombin të ri, siç duhet të jetë.
Dhe kombi bëhet i ri atëherë kur moshatarët e tu, të vendosin të ndërtojnë ëndrrën shqiptare në Shqipëri.
Në këto vite, mijëra e mijëra, mbi 600 mijë të rinj shqiptarë, morën rrugët e botës sepse ëndrrën e tyre nuk e ndërtonin dot në Shqipëri.
Pra, ëndrra, nga një ëndërr shqiptare, u shndërrua në një ëndërr që duhet të realizohej në dhera të tjera.
Kjo merr fund.
Ndaj dhe ne kemi një program që çdo i ri të shkollohet me një arsim cilësor, me dyfishim të buxhetit të arsimit.
Nuk do ketë mësues me rrogë minimale nën 1500 euro.
Nuk do ketë mesatare që do u pengojë ju të hyni në universitete.
Qeveria do bëjë gjithçka që pas përfundimit të studimeve ju të punësoheni, do paguajë sigurimet shoqërore te punëdhënësit tuaj për një vit.
Do ketë fonde dhe grante për startupet tuaja dhe suksesin tuaj.
Për çdo çift të ri një çati, ky është zotimi ynë para jush.
Kombi në moshën e rinisë së tij kërkon që ata qindra mijëra të rinj që ikën, u larguan, të rikthehen në vendin e tyre, t’i rikthehen ëndrrës shqiptare.
Investimet e tyre në Shqipëri për pesë vite do jenë pë asnjë taksë.
Kredi të buta dhe grante do u ofrohen atyre për strehim, për biznese, për suksesin e tyre.
Përsëri, një politikë e vendosur demografike.
Sot, për shkak të emigracionit, ju e morët vesh, ne jemi kombi me treguesin e lindshmërisë më të ulët në planet sipas OKB.
Ne do e përmbysim këtë.
Ju garantoj se për fëmijën e parë do ketë një bonus 70 euro.
Për fëmijën e dytë një bonus 60 euro.
Për fëmijën e tretë dhe të katërt, të gjitha shpenzimet nga lindja gjer në moshën 23-vjeçare do jenë nga shteti.
Miq, programi ynë është programi i zemrës së dhembshur.
Të dhemb në zemër kur sheh 760 mijë burra dhe gra, të moshuar, me pensione me të cilat nuk mbyllin dot muajin, me të cilat nuk blejnë dot ilaçet.
Dhe si shpërblim, në një pashpirtësi ekstreme, Edi Rama në buxhetin e fundit prej 8 miliardë, ndau për këta 760 mijë shqiptarë fisnikë, gjithsej 16 milionë euro.
Një shumë qesharake, një akt cinik.
Unë garantoj çdo pensionist që sot merr nën 200 euro, që 100 ditët e para të qeverisjes do ketë pensionin minimal 200 euro.
200 euro do jetë minimumi për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo fëmije me një prind, për çdo student me bursë.
Jo vetëm kaq, por të gjithë këta, të gjithë pensionistët, të gjithë personat me rrogë të ulët, e cilat nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, do kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin mbrapsht TVSH-në, e cila është 450 euro dhe të shkojë sa të shkojë në vite.
Miqtë e mi, ju e keni të qartë, e keni dëgjuar, sot problemet shëndetësore të njerëzve janë bërë probleme kryesore.
Njeriu që u premtoi shqiptarëve shëndetësinë falas, hajde këtu Edi Rama në ta mban. Je burracak se je rrenacak.
Hajde këtu, a nuk u premtove ti shëndetësi falas?
A u rrahe gjoksin për shëndetësinë falas? Po cila është e vërteta? Shqiptarët sot paguajnë 67 përqind të shpenzimeve për shëndetin e tyre nga xhepi i tyre. Paguajnë trefishin e italianqve, trefishin e gjermanëve, francezeve.
Paguajnë 820 milionë euro. Paguajnë katër herë më shumë se për bukën.
Kjo do të thotë se ata mbeten pa mjekim se nuk i kanë këto para, ose i shtrijnë dorën të tjerëve për lëmoshë, ose i porosisin në emigracion.
Zotimi ynë është solemn: 100 ditët e para Shqipëria vendos listën e rimbursimit të ilaçeve të republikës italiane.
Të dashur miq, ne nuk jemi sot në gjendje të krahasohemi me nivelin ekonomik dhe nivelin e jetesës të Italisë, por ilaçet do i kemi njëlloj si ata. Ne jemi në gjendje të bëjmë këtë.
Kjo do të thotë qindra milionë euro do mbeten në xhepat tuaj.
Kjo do të thotë që djemtë dhe vajzat tuaja të mos kenë nevojë të blejnë ilaçet për ju.
Kjo do të thotë zgjatje jete për shqiptarët, mjekim më të mirë dhe ne do e bëjmë këtë 100 ditët e para.
Do të dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë.
Do të dyfishojmë buxhetin për arsimin.
Rroga mesatare do jetë 1250 euro dhe vrapi ynë në rritjen e rrogave dhe pensioneve ndalet vetëm kur të dalim në krye të të gjitha vendeve të rajonit,.
Asnjë vend në rajon nuk është i pasur sa Shqipëria. Asnjë.
Ne ç’do bëjmë? Ne do ua kthejmë paratë ju, do ua kthejmë pasuritë publike ju.
Të dashur miq, 11 Maji është një ditë në të cilën çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve të tij politike, përveç një grushti të vogël njerëzish që përfitojnë në mënyrë të paligjshme rreth qeverisë dhe zyrtarëve, voton për veten e tij, voton për pensionin e tij, voton për shkollën e fëmijëve të tij, voton për kujdesin shëndetësor të vetes dhe fëmijëve të tij.
Po çdo biznes do të votojë për biznesin e tij sepse ne do ulim energjinë elektrike për bizneset e vogla dhe të mëdha nga 18 lekë në 6 lekë.
Sepse ne do ulim taksën e hapësirës publike nga 1500 në 120 lekë.
Sepse ne do përgjysmojmë tarifën e ujit për bizneset.
Sepse ne do rrisim tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin për bizneset e vogla nga 100 dhe 140 mijë euro në 180 mijë euro.
Sepse ne do ulim taksat për bizneset e tjera nga 23 në 10 përqind.
Do ulim TVSH-në nga 20 në 15 përqind.
Shqipëria, vendi me taksat më të ulëta në Europë, është programi ynë.
Miq, Shqipëria Madhështore është Shqipëria e ëndrrës të të rinjve tanë, e cila nuk mund të jetë tjetër veçse ëndërr dixhitale.
Ndaj dhe ne zotohemi ta shndërrojmë Shqipërinë në vendin e internetit 3, inteligjencës artificiale, dataqendrave dhe kriptomonedhave.
Ne do vendosim Shqipërinë në trenin e teknologjisë së lartë.
Shqipëria superfuqi energjetike në rajon. U garantoj se rezervat e jashtëzakonshme në diellit, erës, ujit të gjitha do shndërrohen në pasuritë tuaja publike.
Energjia do ulet fillimisht në 7 lekë për konsumatorët dhe pas instalimit të paneleve diellore, ajo do jetë falas pas 3 vitesh për çdo qytetar.
Miqtë e mi, kjo garë pra nuk është garë thjesht për pushtet e aq më pak për pushtetin e Sali Berishës.
Jo, kjo garë është një mision i madh, një mision të cilin e shprehu shumë bukur mikesha jonë, një mision për të shpëtuar Shqipërinë, një mision për të çliruar Shqipërinë.
Ndaj le të bashkohemi ne më 11 maj për t’u ndarë përfundimisht nga vjedhja e madhe që u bëhet shqiptarëve nga këta qeveritarë, për t’u rikthyer paratë dhe pasuritë publike shqiptarëve, për të zëvendësuar narkoshtetin me shtetin ligjor, për të respektuar liritë dhe të drejtat njerëzore, për barazinë e vërtetë gjinore.
Çfarë thoshte sot burreci 2 metra i gjatë? 70 përqind të forcave të punës e bëjnë gratë. Po, pasi burrat e tyre janë nisur në emigracion sepse nuk siguronin dot kafshatën këtu në Shqipëri. Por ky nuk është tregues.
Burrat kanë marrë rrugët e dheut për të siguruar jetesën e familjes së tyre dhe ai dilte e rrihte gjoksin se gratë në Shqipëri kanë arritur të jenë 70 përqind e forcës së punës.
Natyrisht për atë edhe 80 përqind, edhe 90 përqind po të shkojë është fare mirë sepse do karrigen e tij.
Kurse ne jo, ne duam barazinë gjinore, ne duam që forcat e punës të jenë të ekuilibruara, të punojë burri, të punojë edhe gruaja sepse në këtë mënyrë familja është më e mirëqenë, është më e fortë, më e sigurt.
Garantoj çdo nënë, çdo motër se përparësi absolute në programin tonë do jetë suksesi i tyre në biznese, në karrierë dhe në të gjitha drejtimet.
Ndaj dhe të dashura gra dhe vajza, nëna dhe motra, me 11 Maj votoni për veten tuaj, për burrat tuaj që kanë marrë rrugët e dheut, për djemtë që nuk janë këtu, për njerëzit tuaj që u përzunë me politikat e Edi Ramës nga Shqipëria, për dinjitetin tuaj, për dashurinë tuaj për familjen dhe Shqipëria.
Shqipëria madhështore.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!