Berisha: Fati i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart tuaja. Më 14 maj votoni ndryshimin, votoni kandidatët e primareve!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË FUSHË ARRËZ, HIL CURRI

EKSTRAKT 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatit të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Fushë Arrës, HilCurri, ka bërë thirrje për votë masive për kandidatët e primareve.

Berisha theksoi në fjalën e tij, se kandidatët e dalë nga vota e primareve, janë mbështetur nga i gjithë populli opozitar.

‘Njëkohësisht Hil Curri, pasi meritoi besimin tuaj, ka fituar mbështetjen jo vetëm të PD-së, por edhe të 24 partive të tjera, të spektrit opozitar, pra mbështetjen e mbarë popullit opozitar’.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha ka hedhur akuza ndaj kandidatit të Edi Ramës, kryebashkiakut në detyrë të Fushë Arrësit, Fran Tuci. Berisha tha se, Tuci është si Edi Rama, i cili vetëm vjedh dhe tendrat ja jep thjeshtës dhe baxhanakut të tij. 

Ai me dhjetëra e dhjetëra tendera, njëlloj si ky Frani këtu, që edhe nëse nuk ja fiton i vëllai, ja ndërmjetëson i vëllai ato tenderat. Edhe Edi e ka baxhanakun famoz, baxhanaku i Edit që ta dini ju, fiton absolutisht mbi 100 tendera. E kanë privatizuar. Por jo vetëm baxhanaku, por edhe thjeshtra i shkatërroi të gjitha kompanitë e projektimeve sepse thjeshtra ka krijuar një kompani vetë dhe është lidhur me një kompani të huaj, e ajo e huaja i fiton të gjitha tenderat dhe merr nënkontraktore thjeshtrën e Edi Ramës’, nënvizoi gjatë fjalës së tij në Fushë Arrës, kryetari i PD-së, Sali Berisha.

FJALA E PLOTË

Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të bashkisë së Fushë Arrësit, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.

Së pari një përkulje me mirënjohjen më të madhe, nderimin më të thellë, para jush, burrave dhe grave të këtij qyteti dhe kësaj bashkie, për mbështetjen tuaj fisnike, për shpirtin tuaj liridashës dhe mbështetjen që i keni dhënë PD-së në çdo kohë. Mbetem pafundësisht mirënjohës ndaj jush.

E dashur deputete e PD-së dhe drejtuese politike e zgjedhjeve në qarkun e Shkodrës, Greta Bardeli.  

I dashur deputet i PD-së dhe drejtues politik e zgjedhjeve në Pukë, Ludovik Hasani.

I dashur kryetar i PD-së Fushë Arrës, zoti Hilë Kola.

I dashur kandidati ynë dhe kryetari i ardhshëm i bashkisë Fushë Arrës, zoti Hil Curri.

Zonja Selimi, zoti Qafa. 

Miq të dashur! 

Vij sot në këtë shesh dhe ju takoj me një kënaqësi të veçantë, por në dallim me të gjitha takimet që kemi bërë deri sot, për të paraqitur kryetarë bashkie e deputetë, sot unë vij për të paraqitur jo kandidatin tim, apo të kryesisë së PD-së, por për të paraqitur Hil Currin, kandidatin tuaj. Kandidatin e vullnetit tuaj të lirë, e votës tuaj, e dinjitetit tuaj. 

Njëkohësisht Hil Curri, pasi meritoi besimin tuaj, ka fituar mbështetjen jo vetëm të PD-së, por edhe të 24 partive të tjera, të spektrit opozitar, pra mbështetjen e mbarë popullit opozitar.

Këto zgjedhje në të vërtetë, më shumë se çdo zgjedhje tjetër ndonjëherë që nga 1992, janë zgjedhje në të cilat, çdo shqiptar, demokrat, socialist, i paparti, voton për veten e tij në radhë të parë, voton për fëmijët e tij, për të ardhmen e këtij vendi, dhe kjo duke votuar për Hil Currin. Janë vota për veten tuaj, sepse Franc Tuci kandidon, më falni, kandidon dhe nuk ka sot një socialist në Fushë Arrës, që mund të na thotë këtu, se e kam propozuar unë Fran Tucin, apo e kam votuar unë Fran Tucin që të rikandidojë.

Kandidon pasi ai me fondet e demokratëve, socialistëve, të paparti, ka krijuar parajsën e vet, të enturazhit të tij dhe ka injoruar tërësisht problemet e mëdha të qytetarëve të Fushë Arrësit, të të rinjve, burrave dhe grave të kësaj bashkie dhe qyteti.

Fran Tuci ka disa dosje, është famoz, ka disa dosje në prokurorinë e partisë, por në qoftëse i duket se po rëndohet, e ftoj të vijë këtu në këtë shesh, ta zgjedhë ditën dhe ju të gjithë burra e gra aty, bashkë me Hil Currin ti nxjerrin xhepat, të tregojë çdo gjë, çdo qindarkë që kanë, cila është origjina e tyre, çfarë do bëjnë për ju. 

Por Fran Tuci nuk vjen, se nuk e lë Edi Rama e para, sepse po të dalë Frani me Hilën këtu, detyrohet të dalë edhe ai me SaliBerishën, dhe po të dalë ai me Sali Berishën i themi hajde njëherë të fillojmë pak me pasuritë. Ai në sarajet e Surrelit, SaliBerisha në një apartament si shumica e qytetarëve prej 32 vitesh. 

Ai me dhjetëra e dhjetëra tendera, njëlloj si ky Frani këtu, që edhe nëse nuk ja fiton i vëllai, ja ndërmjetëson i vëllai ato tenderat. Edhe Edi e ka baxhanakun famoz, baxhanaku i Edit që ta dini ju, fiton absolutisht mbi 100 tendera. E kanë privatizuar. 

Por jo vetëm baxhanaku, por edhe thjeshtra i shkatërroi të gjitha kompanitë e projektimeve sepse thjeshtra ka krijuar një kompani vetë dhe është lidhur me një kompani të huaj, dhe ajo e huaja i fiton të gjitha tenderat dhe merr nënkontraktore thjeshtrën e Edi Ramës.

Kur filloi detyrën si kryeministër, OSBE i tha Edi Ramës se ke të fshehura 200 mln euro në kontot ofshore. Më shifër me raport. Edi Rama kurrë nuk guxoi ta kundërshtoi as ta hedhë në gjyq.  

Se çdo njeri po të të thonë një gjë që ti se ke, atëherë ti ke dy rrugë. 

E para ta mohosh, e dyta ta hedhësh në gjyq. Ti thuash hajde e provoje këtu në sallën e gjyqit, shpifjen që ke bërë. Asnjërën as tjetrën, po pse, sepse e kishte ndërmend të vidhte, jo 200-400, 800, 1 miliardë sa të mundej, paratë tuaja. 

Pra, Frani këtu është një miniaturë e Edi Ramës. Të tillë janë këta, këta nuk punuan për qytetarët. Ju në këto zgjedhje votoni për veten tuaj.

Ftoj çdo qytetar pavarësisht nga përkatësia partiake, të mendojë pak pse po ikin shqiptarët sikur të kishte rënë kolera në këtë vend. Çfarë po ndodh me ta. Pse shqiptarët në 8 vite kanë ikur shumë më tepër, dyfishin se sa ukrainasit që jetojnë në breshëritë dhe raketat e agresioni rus. Kaq pak të lidhur qenkan me tokën e tyre, familjet e tyre këta njerëz që marrin dhenë. Nuk është e vërtetë që janë kaq pak të lidhur me familjet e tyre, me vendin, por ka një të vërtetë tjetër të hidhur. 

Sepse 8 vite Edi Rama ngriu rrogat, nuk rriti rrogat. Mirëpo në kushte tregu çmimet rriten. Në kushte tregu forcë që të ndalojë rritjen e çmimeve të mallrave nuk ka, është forcë natyrale. Dhe qeveritë për të mbrojtur qytetarët, rritin dhe rritin e rritin gjithnjë rroga e pensione. 

Ju jeni dëshmitar nga viti 2005-2013 u dyfishuan pensionet, u mbidyfishuan rrogat. U rritën çmimet me 40%, por 60% mbeti në xhep nga rrogat. Nuk ishte se ishim të pasur, jo, por ishte varfërim në pakësim ai. Dhe ne nga 4.3 që e kishim mjerimin, varfërinë ekstreme, pra njerëz me të ardhura nën 1 dollarë në ditë, e ulëm në 1.03%, dhe po përgatiteshim që këto 15 mijë familje në të gjithë Shqipërinë, i regjistruam dhe do ti nxirrnim nga mjerimi.

Çfarë bëri ky. Sa erdhi në pushtet, vetëm në qarkun e Kukësitmiqtë e mi, ka hequr nga ndihma ekonomike 20 mijë familje. Dhe Kukësi, qarku masivisht, ikin, ikin se nuk jetonin dot. 

Por ti si shtet, atë që jeton me 1-2 dylym tokë, në të gjithë botën e paguan që të rrijë aty. I paguan. Ose ndihmë, ose një lloj pensioni të veçantë, e gjithë bota, se ai s’ka si rri aty, pse do rrijë. Ky ua hoqi ndihmën ekonomike.

Po a ndryshoi gjë në 9 vite. Më falni, 3 ditë më parë Banka Botërore deklaroi se Shqipëria është vendi në të cilin vetëm 20% e atyre që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, marrin ndihmë ekonomike. 

Ja pra pse ikin, ikin nga dhimbjet e urisë, ikin nga lotët e mjerimit sepse nuk mund të jetojnë në vendin e tyre. Ikin dhe vetëm ikin. Ikin sepse, do më falni, do të bisedojmë pa fjalim, do bisedojmë sepse kjo është votë për ju, për çdo qytetar. Kjo nuk është votë për Edi Ramën, as për Sali Berishën, por është votë për veten tënde. 

Çfarë ndodh? Pse i ngriu rrogat, çfarë bëri me paratë. Paratë ky, ka dyfishuat taksat. Vitin e kaluar 2022, ka mbledhur nga taksat tuaja, 5.8 miliardë euro. Ne i kishim taksat e përgjysmuara. Ne kemi filozofi tjetër. Ne besojmë se paratë në xhepat tuaj, janë më të dobishme për shoqërinë se sa në arkën e shtetit. Por kjo është njëra anë. Ka mbledhur 5.8 miliardë.

Në vitin 2013 kemi mbledhur 3.8 miliardë. Me këto para dyfishuam rrogat, pensionet, ndërtuam 11 mijë kilometra rrugë. Qindra kilometra në çdo rreth. Ndërtuam mbi 1300 shkolla e kopshte. Çfarë ka bërë zotëria? Ku janë paratë tuaja. Paratë tuaja janë në xhepat e qeveritarëve dhe klientelës së tij. Sepse ky ndërton një rrugë 24 milionë euro kilometri në fushë. 

Tuneli i Kalimashit, me gjithë problemet që pati, ka kushtuar 17 milionë euro kilometri, në një kohë kur tuneli i Kërrabës ka kushtuar 14 mln euro kilometri. Në një kohë kur në Europë, në fushë ndërtohet me 2 ose 3 mln euro kilometri. Ai vjedh dhe vetëm vjedh. Prokurojnë për së pari, për së dyti e me radhë.

Po vodhi kryeministri të gjithë të tjerët zinxhir vjedhin sa të munden. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri, kjo ka ndodhur me qeveritë vendore, kjo ka ndodhur me drejtoritë e tij kudo që janë. Ndaj dhe rrugët nuk ndërtohen, rrogat nuk rriten, pensionet nuk rriten dhe njerëzit nuk kanë alternativë veç se të ikin me shpresë se diku do të mund të gjejnë një qoshe ku të kenë më pak dhimbje ekonomike. 

U ndala në këto krahasime sepse shpesh i dëgjoni të thonë; hë mo se njëlloj janë këta. Jo nuk jemi njëlloj, nuk jemi njëlloj as si filozofi qeverisëse, por as si praktikë qeverisëse e kemi faktuar se jemi krejt ndryshe. Ndaj ju ftoj secilin prej jush me datën 14 maj të votojnë numrin 1 në krye të fletës së votimit, keni  ‘Bashkë Fitojmë’, keni numrin 1 tek këshilltarët. 

Kurse për kandidatë të votojnë numrin 2, të votojnë Hil Currin dhe ju garantoj se Hil Curri, i cili mishëron të gjitha virtytet tuaja do të jetë një shërbëtor i përulur para jush, që do të bëjë gjithçka për të ju shërbyer ju, për tu garantuar ju shërbimet më të denja që meritoni. 

Do të menaxhojë në mënyrën më transparente të gjitha burimet buxhetore, do të përkujdeset për të gjithë territorin, fshatrat, qytetin. Do të përkujdeset në mënyrë të veçantë për fëmijët, për shkollat, kopshtet. Do të bëjë gjithçka për perspektiva të reja. Fushë Arrësi ka pasuri të jashtëzakonshme, por problemi është se ato nuk kthehen në mirësi për ju.

Unë kam një thirrje nga zemra, për të gjitha gratë dhe vajzat, nënat dhe motrat të pranishme këtu dhe kudo që janë sot. Kjo fushatë para së gjithash dhe mbi të gjitha, besoj se duhet të jetë fushatë e juaja, sepse jeni ju të cilat mbani mbi supe, mbani në zemër, brengën më të thellë të boshatisjes së familjeve tona sot. Të përcjelljes së fëmijëve tuaj në të 4-anët e dheut sepse nuk mund të jetojnë. Nuk kanë punë, s’mund shkollohen dhe detyrohen të marrin rrugët e dheut. Jeni ju që përballeni të topitura me mospasjen në ushqimin e përditëshëm të fëmijëve tuaj, të të afërmve tuaj, të familjarëve tuaj.

Nuk ka barë më të pamerituar se sa kjo. 

Të gjitha këto vijnë sepse një njeri, një grup si organizatë kriminale përvetëson fondet, buxhetin. 

Po drejtohem edhe për një arsye tjetër grave dhe vajzave. Edi Rama nuk ka asnjë respekt ta keni të qartë nga unë, nuk ka paturkurrë në politikë, njeri mizogen si Edi Rama për gratë. Por çfarë bën? Bën fasadën, emëron 12, 13 ministre dhe unë haptas e kam lavdëruar dhe i kam thënë bravo, shumë mirë bëre. Ne jemi të gjithë që gratë, vajzat të marrin rolin e tyre dhe absolutisht nëse ato nuk harrojnë se janë, bashkëshorte, nëna, motra ato janë shumë të dobishme se burrat kudo që të jenë. 

Por çfarë ndodh? Ato janë, e kam thënë dhe e them me keqardhje, ato janë badiguardet e Muhamer Gadafit. Vriten 3 gra në një ditë në Tiranë. Dhe ju e dini shumë mirë, e dini shumë mirë, cili ka qenë kodi ynë qoftë dhe patriarkal për gratë, cili ka qenë. Dhe kryeministri nuk thotë një fjalë dhe qeveria nuk thotë një fjalë dhe ministret nuk thonë një fjalë. A nuk është kjo një inkurajim, a nuk përbën kjo një rrezik të madh për gruan. 

Në çdo aspekt unë ua them ju se fati i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më shumë se sot në duart tuaja. Ndaj dhe bëni gjithçka që me 14 maj çdo njeri që njifni, e gjithë familja, të gjitha lidhjet tuaja, të votojnë ndryshimin, të votojnë 1-shin, ‘Bashkë Fitojmë’, të votojnë Hil Currin, 2-shin, kandidatin e ndryshimit, kandidatin e 24 partive.

Rroftë populli i Fushë Arrësit, rrofshi ju!

Rroftë Puka, rroftë Shqipëria! 

Faleminderit shumë!  

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale