KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për shtyp hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, duke deklaruar se të dy nuk u shpallën në kohë në kërkim ndërkombëtar dhe vijuan aktivitetin e tyre në vende të Bashkimit Europian. Berisha tha se arrestimi i Ermal Beqirit në Francë ‘dëshmon rrezikshmërinë që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën’.
‘Me 24 prill kam denoncuar se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri nuk ishin në kërkim ndërkombëtar, megjithëse urdhër-arresti për ta ishte lëshuar më 25 dhjetor 2025. Agasi bleu dy avionë personalë në Austri dhe më pas regjistroi njërin prej tyre në Slloveni. Gjatë kësaj kohe janë kryer një sërë fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe të vendeve të Bashkimit Europian’, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se, Ermal Beqiri ka përfituar shuma të mëdha përmes AKSHI-t. ‘Ermal Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI i Lindës. Ky ishte njeriu që Edi Rama ua paraqiste personaliteteve më të larta të Europës si histori suksesi. Në të vërtetë ishte një bandit dhe një kriminel, i cili u arrestua nga autoritetet franceze’, u shpreh ai.
Lideri i opozitës Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejt Edi Ramën se, sipas tij, ka penguar zbatimin e mandateve të arrestit ndërkombëtar. ‘Nuk kam asnjë dyshim se prokuroria dhe Policia e Shtetit, po të mos kishin marrë urdhër politik nga Edi Rama, do të kishin proceduar menjëherë me mandatet e arrestit ndërkombëtar. Por nuk e bënë, sepse AKSHI ishte prona private e Edi Ramës’, tha ai.
Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për publikimin me vonesë të arrestimit të Beqirit, Berisha ngriti dyshime për fshehjen e informacionit. ‘Është mister pse lajmi u mbajt i fshehtë nga autoritetet shqiptare derisa u publikua nga mediat franceze. Edhe në këtë rast, Edi Rama përpiqej të fitonte kohë për lirimin e tij’, deklaroi kreu i demokratëve.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi edhe vendimin e Partisë Demokratike për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e miratimit të marrëveshjes së mbrojtjes me SHBA. ‘Ne nuk kundërshtojmë marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Në Gjykatën Kushtetuese do të ankimojmë vetëm procedurën antikushtetuese të përdorur për miratimin e saj, jo përmbajtjen e marrëveshjes’, theksoi ai.
Lideri i demokratëve Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestën opozitare. ‘Protesta që zhvillohet çdo natë është zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve. Ftoj çdo qytetar, brenda dhe jashtë vendit, ta mbështesë këtë lëvizje që bën krenar çdo shqiptar’, përfundoi Berisha.

FJALA E PLOTE:
Arrestimi në Francë i Ermal Beqirit si familjarit të Edi Ramës, Linda Ramës dhe bashkëpunëtorit më të ngushtë të kryemafiozit të Shqipërisë dhe rajonit, Ergys Agasi, dëshmon rrezikshmërinë e madhe që paraqet Shqipëria me krimin e saj të organizuar për rajonin dhe Evropën.
Ergys Agasi për muaj të tërë nuk u shpall në kërkim dhe këtu para jush, me 24 prill të vitit 2026, kam denoncuar se Agasi dhe Beqiri nuk janë në kërkim ndërkombëtar.
E vërteta është se në muajin prill, Agasi ka blerë dy avionë personalë në Austri.
Blerja e të cilëve kërkon autorizime të disa institucioneve të Austrisë, vend me një shtet ligjor ndër më të konsoliduarit.
Jo vetëm që ka blerë avionët në Austri, por ai në qershor ka regjistruar në Slloveni, njërin nga këta avionë dhe biznesin e tij.
Ndërkohë gjatë këtyre muajve, janë të vërtetuara një seri fluturimesh në hapësirën e NATO-s dhe vendeve të BE.
Pra, me 24 prill ne denoncuam këtu se Agasi dhe Ermal Beqirin nuk janë në kërkim ndërkombëtar, ndërkohë që urdhër-arresti për ta ishte i datës 25 dhjetor 2025.
Pra, edhe katër muaj më vonë, këta nuk ishin.
Agasi është i qetë, drejton të gjitha aktivitetet e tij herë nga Durrësi, herë nga Surreli, herë nga Manza, ku t’i dojë qejfi.
Kurse Beqiri ndërmori veprimtaritë e tij në disa vende anëtare të BE siç janë Austria, Sllovenia
dhe Franca.
Beqiri ka përvetësuar të paktën 200 milionë euro nga AKSHI i Lindave.
Lindës së AKSHI-t dhe Lindës së Surrelit, që kontrollonte AKSHI-n.
Pra, ky është suksesi që reklamonte me të gjithë propagandën e tij Edi Rama.
Paraqiste kriminelin Ermal Beqiri para personaliteteve më të larta të Evropës si historinë e tij të suksesit.
Një bandit, një kriminel, i cili u kap nga autoritetet franceze duke fluturuar në një zonë që për ata mund të ishte edhe për qëllime spiunazhi.
Dënoj këtë bashkëpunim të turpshëm të Edi Ramës me krimin.
Nuk ka dyshim se prokuroria dhe policia e shtetit, po të mos kishin marrë urdhër politik, do procedonin në kohën më të shkurtër për mandatet e arrestit ndërkombëtar.
Por ata nuk e bënin dot sepse AKSHI ishte prona private e Edi Ramës.
Këto janë përmasat e mafies më të rrezikshme në Evropë që kryesohet nga Edi Rama.
Berisha bën sërish thirrje: Të mbështesim me të gjitha mundësitë protestën që bën krenar çdo shqiptar, kjo është lëvizja më e fuqishme dhe më jetëgjatë e kontinentit
Gjithashtu, duke përshëndetur protestën qytetare popullore për suksesin e saj të jashtëzakonshëm si lëvizja qytetare më e fuqishme dhe jetëgjatë e kontinentit, si lëvizja qytetare në të cilën çdo i ri dhe çdo qytetar dëshmon sakrificën e tij të madhe që e bën për vendin e tij dhe qytetarët shqiptarë.
Protesta që zgjat çdo orë është një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do Shqipërinë, është një thirrje në ndërgjegjen e çdo të riu, e çdo të moshuari, e çdo vajze, nëne, motre, e çdo burri, djali të mbështesim këtë protestë që bën krenarë shqiptarët në mbarë botën.
Ata të rinj, ata qytetarë që protestojnë çdo natë me orë të tëra, në të vërtetë janë zëri i ndërgjegjes të një shoqërie të tërë të dhunuar, të shtypur.
Janë zëri i ndërgjegjes së interesit kombëtar.
Përfaqësojnë sakrificën e vërtetë qytetare dhe rinore për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo mbështetëse dhe mbështetës të PD, por edhe çdo qytetar shqiptar në Shqipëri dhe në botë, kudo që ndodhen, të mbështesin me të gjithë mundësitë e tyre këtë protestë që bën krenar çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dhe dinjitetit njerëzor, dinjitet njerëzor.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Ju folët për arrestimin e zotit Ermal Beqiri në Francë. Ndërkohë, ai u arrestua rreth ditës së shtunë dhe lajmi doli të martën nga një media franceze. Përse u mbajt i fshehur arrestimi i tij nga autoritetet shqiptare, duke qenë se ai ishte arrestuar të shtunën? Keni një koment në lidhje me këtë veprim të Policisë së Shtetit, duke qenë se në raste të tjera të paktën ka një lajmërim në një kohë më të afërt, pasi bëhen dhe procedurat e konfirmimit të personit mes dy vendeve?
Sali Berisha: Së pari, nuk ka dyshim që Ermal Beqiri u mbrojt, se në shumë e shumë raste ka qenë prestanome i Armand Frangut, emër që sapo ta shqiptoj do të kujtojë të Edi Ramës, kunatit të Linda Ramës, baxhanakut të Edi Ramës.
Për Ermal Beqirin janë një seri vendimesh qeveritare. Mos harroni dhuratën, e cila u krijua e tëra në funksion në pamje të lehtësimit fiskal të kompanive të teknologjisë së lartë. Në të vërtetë, për një zhvatje të turpshme të tyre nga klubi i Ermal Beqirit.
Lexoni vendimin, se si ata që paguanin një shumë marramendëse, fitonin platinin në klubin e një banditi e një krimineli. Kjo ishte arsyeja.
Këto ditë kanë qarkulluar foto të Presidentit Macron me Ermal Beqirin. Të jeni të sigurt se atë ia ka servirur Edi Rama, se kurrë Presidenti i Francës nuk mund të kishte dhe nuk mund të kishte një foto me një eksponent si ky.
Dhe unë edhe njëherë falënderoj autoritetet franceze që e arrestuan atë.
Është mister fshehja e lajmit nga autoritetet shqiptare gjersa e dhanë mediat franceze. Edhe në këtë rast do të thotë që Edi Rama përpiqej të fitonte kohë për lirimin e tij.
Sikundër kishte bllokuar për muaj të tërë urdhrin e arrestit ndërkombëtar, të blesh avion dhe të regjistrosh avion në Austri në prill dhe në qershor do të thotë që agjencitë e këtyre vendeve nuk kanë pasur asnjë njoftim që kanë dhënë certifikatat për mjetet e blera dhe përdorimin e tyre.
Klajdi Bodlli, SYRI TV: Duke u ndalur tek deklarata e djeshme e zotit Bardhi, i cili tha ‘do të çojmë në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e SHBA-së me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbrojtjen’. Ndërkohë sot ministri i Mbrojtjes e cilësoi qëndrimin e Partisë Demokratike si të papranueshëm dhe tha se procedura nuk është antikushtetuese.
Sali Berisha: Dua të sqaroj opinionin. Opozita në Shqipëri është në një dhunim konstant të të drejtave të saj kushtetuese. Dhe kjo është e njohur tashmë ndërkombëtarisht. Kjo është e sanksionuar në dokumente ndërkombëtare.
Edhe njëherë dua të qartësoj, absolutisht nuk kemi asnjë kundërshtim për marrëveshjen. E mbështesim plotësisht. Mbështesim plotësisht kërkesën e Presidentit Donald Trump për rritjen e shpenzimeve për çështjet e sigurisë. Koha i dha atij 100% të drejtë.
Partia Demokratike qëndron si forcë politike që ka anëtarësuar Shqipërinë në NATO, qëndron prapa çdo përpjekje për të mbushur detyrimet tona ndaj NATO-s.
Por Edi Rama kërkonte ta përdorte këtë marrëveshje për dhunimin e të drejtave kushtetuese, për dhunimin e radhës të së drejtës kushtetuese të opozitës. I pafytyrë, i pamoral, primitiv dhe delinkuent siç është, ndonëse kryetari i Parlamentit ra dakord me propozimin tonë për respektimin e Kushtetutës, pra për votimin në afatin kushtetues që ishte dita e premte, ai urdhëroi, ai urdhëroi me çdo kusht votimin pa u lexuar, në kundërshtim me afatin kushtetues.
Duke besuar se në këtë mënyrë do fitojë pikë dhe më shumë, do blejë influencë politike për veten e tij dhe për të sulmuar opozitën.
Opozita, edhe njëherë, në çdo kohë e mbështet marrëveshjen, mbështet synimin e marrëveshjes, termat e saj. Por opozita nuk mund të pranojë që kjo të ndodhë duke shkelur ajo mbi të drejtat kushtetuese të veta. Kjo e bën bashkëfajtore opozitën në dhunimin e Kushtetutës. Dhunim i evidentuar. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, ka një përcaktim kushtetues.
Nuk është hedhur marrëveshja në gjykatë, absolutisht. Është hedhur procedura jokushtetuese e përdorur për miratimin e saj. Po marrëveshjen, në termat kushtetues ne e votojmë në çdo kohë.
Anisa Kadesha, RTSH: Meqenëse SPAK ka shtyrë afatin e hetimeve për çështjen Balluku, sikundër ka pasur dhe kontrolle. A mendoni se do të ishte një hetim i plotë nëse SPAK do të kërkonte heqjen e imunitetit të saj në Kuvend?
Sali Berisha: Anisa, nuk e di sa është e vërtetë, por qytetari dixhital më njofton se kanë filluar ndërtimin e një mini-materniteti në SPAK.
Kur të shkoj herën e fundit do të bëj inspektimin dhe ta verifikoj a është e vërtetë, pastaj do t’i përgjigjem pyetjes tuaj.


