FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË QARKUN ELBASAN
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ditën e sotme në prezantimin e kandidatëve për Qarkun Elbasan, paraqiti programin për ndryshimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, duke u fokusuar në disa sektorë kyçë. Berisha tha se Elbasani do të jetë pjesë e Shqipërisë Madhështore, duke nisur me ndërtimin e bajpasit të Elbasanit dhe autostradës Shkodër-Milot si veprat prioritare. Për të stimuluar ekonominë, lideri opozitar premtoi uljen e taksave mbi ndërtimin, duke bërë që taksat të jenë 8-10 herë më të ulëta dhe duke mundësuar investime më të mëdha. Gjithashtu, Berisha gjtihashtu premtoi me ardhjen e PD në pushtet uljen e TVSH-së nga 20% në 15% dhe rritjen e rrogave për shqiptarët, duke përfshirë një rrogë minimale 500 euro dhe rritjen e pensioneve me një minimum jetik prej 200 euro për çdo pensionist.
Në sektorin e arsimit, Kryetari i PD, garantoi një rritje të ndjeshme të rrogave për mësuesit, që do të shkojnë deri në 1500 euro në fund të mandatit. Berisha gjithashtu premtoi dixhitalizimin e shkollave dhe përfundimin e praktikave të patronazhistëve në arsimin shqiptar, duke i rikthyer mësuesit në piedestal.
Një tjetër pjesë e programit të PD është mbështetja e madhe për fermerët dhe sipërmarrësit, duke u premtuar subvencione dhe taksa të ulëta. Berisha garantoi se politika e Ballkanit të Hapur do të mbyllet, duke mbrojtur interesat e fermerëve shqiptarë dhe duke i dhënë mbështetje të fortë prodhimit vendas, veçanërisht për kulturat si ullinjtë dhe bimët aromatike.
Për të rinjtë, Berisha garantoi mundësi për investime dhe rritjen e mundësive për të krijuar një jetë të qëndrueshme në Shqipëri, duke ofruar kredi të buta për ata që duan të martohen dhe krijojnë familje, si dhe për emigrantët që kthehen për të investuar në vend.
Në aspektin energjetik, Kryetari i PD, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria do të bëhet një superfuqi energjetike rajonale, duke përdorur burime të rinovueshme si uji, dielli dhe era. Ai premtoi se brenda tre viteve, shqiptarët do të kenë mundësinë të marrin energjinë falas përmes paneleve fotovoltaike.
Në përgjithësi, Berisha ka paraqitur një plan për një Shqipëri më të fortë ekonomikisht, ku të rinjtë do të kenë mundësi të qëndrojnë dhe të kontribuojnë, ndërkohë që do të zhvillohet infrastruktura, arsimi, dhe sektori i bujqësisë.
Lideri opozitar, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij bëri thirrje për bashkimin e demokratëve, duke theksuar se ata nuk kanë asgjë të përbashkët me deputetin Brava, i cili është i lidhur me Edi Ramën. Berisha akuzoi Ramën për përpjekjet për të shkatërruar PD-në dhe për të krijuar satelitë. Kryetari i PD theksoi nevojën për një opozitë të vërtetë dhe paralajmëroi se Edi Rama do të bjerë në datën 12 maj.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu besimin e plotë se PD do të fitojë, ku edhe theksoi rëndësinë e Elbasanit si simbol të fitoreve të partisë.

FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Elbasanit, të nderuar demokrate e demokratë, të nderuar kandidatë, përfaqësues të ardhshëm të qytetit të Elbasanit në parlamentin shqiptar, përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, për këtë entuziazëm të jashtëzakonshëm, energji e vërtetë e fitores sonë të ardhshme.
Tre javë më parë unë isha në qytetin e bekuar të Elbasanit për të festuar bashkë me ju festën tuaj dhe të gjithë shqiptarëve, Ditën e Verës, ditën e shpresës, ditën e ndërrimeve të mëdha.
Sot unë rikthehem sërish në këtë qytet për të dhënë mesazhin se këtë vit Elbasani dhe mbarë Shqipëria do të kenë një ditë të dytë vere dhe kjo do jetë 11 maji.
11 maji do të jetë dita e përfundimit të dimrit më të gjatë 12-vjeçar që përjetuan shqiptarët.
11 maji do jetë dita e pranverës së vërtetë të demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
11 maji do jetë dita kur rrezet e diellit do shkëlqejnë në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë.
Për Elbasanin madhështor dhe Shqipërinë madhështore të 4 viteve që vijnë.
Elbasani është një qytet i mrekullueshëm.
Elbasani historikisht ka qenë qytet i gjallërisë, i kulturës, i vlerave, i dijes, i prodhimit.
Pra ka qenë një qytet me trashëgimi tejet të çmuar.
Në 12 vitet e Edi Ramës, Elbasani u shkretua më shumë se në çdo pushtim, më shumë se në çdo luftë.
Elbasani në këto 12 vite pa ato që nuk i kishte parë ndonjëherë.
Pa banditët e qeverisë të zvarrisin komisarët.
Pa banditë të porosisin vrasjet e avoketërve dhe qytetarëve të tjerë.
Pa hienat e krimit të vërsulen mbi vullnetin e qytetarëve për të grabitur votat.
Pa gjykatës që porosisnin vrasjen e gazetarëve.
Elbasani i bekuar përjetoi shpopullimin më të madh, largimin e dhjetëra mijëra bijve dhe bijave të saj për të ndërtuar ëndrrën e tyre në dherat e tjera dhe jo në Shqipëri, jo në Elbasan.
Gjatë këtyre viteve, taksat tuaja, djersa juaj, mundi juaj, u vodhën. Me këto para, Edi Rama, ministrat e tij, zyrtarët e tij, u shndërruan në sheikët e Shqipërisë.
Por miqtë e mi, aq sa u pasuruan ata, aq shumë u varfëruan qytetarët shqiptarë.
Aq thellë u zhytën në mjerim, në varfëri të skajshme pensionistët shqiptarë.
Familjet shqiptare sot, mbi 40 përqind e tyre, nuk ushqejnë dot fëmijët e tyre siç duhet.
18 përqind e tyre nuk u garantojnë dot dy vakte fëmijëve të vet.
Me qindra e mijëra janë familjet në sofrën e të cilëve nuk mjaftonte ajo që shtrohej dhe detyroheshin t’u thoshin fëmijëve të tyre, merr rrugët e dheut, gjej fatin tënd.
Sepse Edi Rama zgjodhi të jetojë vetë në sarajet me themele dy herë më të gjata se vila e diktatorit Enver Hoxha.
Se Edi Rama zgjodhi me këto para të jetojë vetë, të ketë një oborr 4 herë më të madh se diktatori.
Por një gjë do u them këto, diktatori ishte njeriu më mizor, por atë oborr dhe atë vilë nuk e regjistroi në emrin e tij.
Kurse Edi Rama me 4 mijë euro kursime u bë me saraje dhe park 8 mijë metra katrorë.
Me këto para, ai shëtit me avion taksi 21 milionë euro në dy vite.
Me këto para, Lubi Balluku dhe Maznik Ndragheta u ulën në tavolina me 1 mijë euro bifteku.
Me këto para, Edi Rama shkon në ndeshje me 28 mijë euro biletën.
Me këto para, Edi Rama zhytet në luks gjithnjë e më shumë të vetes dhe familjarëve të tij.
Blen kopshtin e Edenit në oborr sepse do të çlodhë sytë me peshqit ekzotikë dhe bimët ekzotike. Nuk e bën asnjë kryeministër në botë.
Me këto para, Lubi Balluku lan makinën e vet 10 mijë euro në muaj, as në Gines nuk do gjeni një rekord të tillë.
Pra, këta njerëz prej 12 vitesh, si shushunja i shkretojnë, i varfërojnë, i mjerojnë shqiptarët.
Elbasani është dëshmi e njërës prej vjedhjeve më të mëdha të shekullit.
Ja ku është llamarina që solli Edi Rama me ministrat e tij.
Jashtë funksioni, nuk ka prodhuar asnjë kilovat orë që kur është instaluar.
Sot mali i plehrave është më i madh se kurrë sepse paratë përfunduan në llogaritë e Edi Ramës, Gjiknurit dhe ministrave të tij.
Kjo ishte vjedhja më e madhe sepse në Tiranë, djegësi 130 milionë euro, nuk ka asnjë tullë. Po 130 milionë euro janë që të gjitha taksat tuaja, janë mundi dhe djersa juaj.
Ata që duhet të vëzhgonin, të kontrollonin ndërtimin, ata mbyllën sytë. Lubi Balluku që kishte detyrë shtetërore mbikëqyrjen, nuk bëri qoftë edhe një raport të vetëm, sepse e dinte se 130 milionë euro ndaheshin midis Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
Miq, nuk ka një popull të dytë më të vjedhur se sa shqiptarët në 12 vite.
Alternativa e tyre mbeti vetëm të largohen nga ky vend sepse këtu nuk mund të siguronin mbijetesën, pa le më të ndërtonin ëndrrën e tyre.
Miqtë e mi, para kësaj situate, PD vjen para jush me një zotim solemn për të kaluar nga kjo gjendje dramatike në projektin e Shqipërisë Madhështore, e Shqipërisë së ëndrrave të djemve dhe vajzave shqiptare.
Edi Rama, pas 12 vitesh, përsëri bën bandillin, del para shqiptarëve me serialin e mashtrimeve.
Nuk flet për program. Për atë, për Edi Ramën, nuk është problem pensioni tmerrësisht i ulët. Nuk është problem largimi i të rinjve. Nuk është problem sundimi i krimit sepse ai sundon së bashku me ta. Nuk është problem falimentimi i ndërmarrjeve prodhuese për shkak të narkoeurove dhe Ballkanit të Hapur.
Për të, problem është opozita, i biri i të atit tregohet. Pasi bëri gjithçka për një Shqipëri pa opozitë, tani përpiqet t’ua paraqesë opozitën me krahasime, hardhuca, zhapinj, zhaba, etj.
Ai vërtet është shumë i pasur, ai vërtet ka saraje, ai vërtet ka rrëmbyer qindra mijëra tokë në Himarë, ai vërtet ka qindra milionë sipas OSBE në konto, por ka një gjë që i mungon atij.
Ai është i shkretë, është i varfër në kulturë. Ai gafoi duke më krahasuar mua me bufin, simbolin e mençurisë dhe urtësisë në të gjitha kohërat. Që nga Athinaja tek Harri Poter.
Ndaj dhe Edi Rama, je i pashpresë. Unë, bashkë me këta demokratë, të japim fjalën se me 11 maj do të nisim aty ku e meriton.
Miqtë e mi, ne paraqesim para jush sot kandidatë, djem, vajza, burra dhe gra fisnikë, njerëz që ju i njihni. Këtu kemi Tomorr Alizotin, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të brezit të tij.
Por edhe një nga përfaqësuesit më dinjitozë të asaj shtrese që sakrifikoi jetë dhe qindra e mijëra vite jete për liri, dinjitet dhe vlerat njerëzore, të persekutuarit politikë.
Ne vijmë këtu me këtë ekip, i njohur për ju dhe asnjë anonim.
Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh që u kanë shërbyer ju në të gjitha fushat.
Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë.
Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Edhe Balla, por Balla është mbrapa.
Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies.
Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën se ortakun tënd, Milorancin, antimafia italiane e çoi atë ku duhej të ishte.
Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij.
Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se banda aty ku është, se banda në qeveri, se Arbjani i Ndraghetës, se Taulanti i Suel Çelës do shkojnë aty ku e kanë vendin.
Mos mendoni ju se mund të lozni me virtytin, me guximin, me trimërinë e demokratëve, e qytetarëve të Elbasanit. Ju do merrni atë që meritoni.
Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, është i qytetërimit, është i burrërisë, është i mençurisë.
Miqtë e mi, fati i Elbasanit do jetë madhështia e tij.
Fati i Elbasanit do jetë Elbasani madhështor.
Elbasani madhështor fillon me virtytin më të arrirë të shpirtit të mirë shqiptar.
Nuk mund të pranojmë ne këtë hendek të tmerrshëm që është krijuar në shoqërinë tonë.
Nuk mund të pranojmë ne, që ata të cilët sollën mbi supet e tyre Shqipërinë, shkrinë djersët, shkrinë vitet, shkrinë jetën, të trajtohen tani më keq se një qen shtëpie në Gjermani. Të marrë një pension më të ulët se sa paguan ai vend për kafshët shtëpiake.
Merr fund kjo. Nuk është ky shpirti i Elbasanit, përkundrazi virtyti më kryesor i yni ka qenë bamirësia dhe shteti që nuk frymëzohet nga ky virtyt, nuk e meriton të ekzistojë.
Ndaj dhe ne do e nisim hapin e parë drejt Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore duke vendosur minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist, për çdo student, për çdo shtëpiak, për çdo qytetar që firmos në borderotë e shtetit shqiptar.
Nga kjo përfitojnë mbi 560 mijë pensionistë, përfitojnë të gjithë studentët që meritojnë bursën, përfitojnë të gjithë ata që janë në ndihmë ekonomike.
200 euro nuk janë shumë, por ka një kriter, me 6.3 euro në ditë, përjashtohet varfëria ekstreme. Çdo vend i lirë nuk pranon varfërinë ekstreme dhe ne, 100 ditët e para të qeverisjes sonë, do e zhdukim nga Shqipëria.
Do e zhdukim nga Shqipëria dhe ndaj tyre, ndaj kësaj shtrese, të cilët marrin sot 40-50 herë më pak se rrogëtari më i lartë.
Absurde, nuk ka në botë një gjë të tillë.
Ndaj kësaj shtrese ne do përdorim kartën e konsumatorit. Ata do i blejnë ushqimet, duke marrë mbrapsht TVSH-në. Ajo në një vit është 450 euro minimumi.
Rrogat minimale do të rriten në 500 euro. Sipërmarrësve u kërkoj mirëkuptimin. Unë e kuptoj që kjo është ngarkesë, por u jap fjalën e nderit që do ulim taksat në atë shkallë, sa atyre do u mbeten para më shumë në llogaritë e tyre se më parë.
Miqtë e mi, vendi, shoqëria, kombi nuk mund të jetë kurrë madhështor në qoftë se nuk u jep ndihmën e duhur atyre që jetojnë në kushte më të vështira. Në qoftë se thellon hendekun mes të pasurve dhe të varfërve siç ndodh sot. Ndaj dhe kjo merr fund.
Por unë jam këtu në qytetin djep i arsimit të Shqipërisë.
Rikujtoj sot një ditë në jetën time të veçantë, në vitin 2005, unë u kam premtuar në këtë qytet mësuesve të Shqipërisë dyfishimin e rrogave. Jam sot këtu po në Elbasan për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se në krye të një mandati, rrogat e tyre do jenë 1500 euro.
Jam sot këtu për t’u premtuar nga ky qytet, djep i arsimit, mësuesve shqiptarë, se ata nuk do largohen për mungesë orësh nga sistemi arsimor. Jo, klasat do zbresin në 20-25 nxënës dhe ata do mbajnë vendin e punës.
Jam këtu për t’u premtuar mësuesve të Shqipërisë se tabelat dixhitale do vendosen në shkollat e vendit. Dixhitalizimi i thellë i sistemit arsimor.
Jam këtu për t’u premtuar se shkolla e partisë për drejtorë dhe portali i partisë për mësuesit, marrin fund me datën 12 maj.
U përdorën si kurthe për të krijuar patronazhistë dhe militantë në arsim. Jo, mësuesit tanë do të respektohen në të gjithë dinjitetin e tyre dhe unë u them një gjë, atyre dhe shqiptarëve, po nuk vendosim mësuesin në piedestal, shkolla jonë nuk do ngrejë kokë kurrë.
Patëm disa rezultate në këto përpjekje të para që bëmë para disa vitesh. Arritëm një ngjitje vertikale në testin e PISA-s. Por çfarë ndodhi mbrapa? Çfarë ndodhi pasi u vendos portali i partisë? Çfarë ndodhi pasi u mbushën shkollat me patronazhistë?
Rënie në pikiatë e cilësisë së arsimit. Të fundit në botë nxënësit shqiptarë për mendimin kreativ.
Por ka një ligj, sado poshtë që të biesh, kurrë nuk duhet të ngurrosh të ngrihesh përsëri. Dhe ne do ngrihemi përsëri. Ne do rikthejmë arsimin aty ky ishte.
Shqipëria Madhështore mund të jetë vetëm një Shqipëri që prodhon, prodhon dhe prodhon.
Ndaj dhe shtylla e dytë e programit tonë është ekonomia, ekonomia, ekonomia, me objektivin më kryesor rroga për shqiptarët, vende pune për shqiptarët.
Made in Albania do jetë krenaria kombëtare e shqiptarëve.
Elbasani madhështor fillon me ndërtimin si vepër e parë e qeverisë të bajpasit të Elbasanit.
Po, po, e kam deklaruar dhe e deklaroj prapë, bajpasi i Elbasanit, autostrada Shkodër-Milot do jenë dy veprat e para që do ndërtohen me përparësi absolute nga qeverisja e ardhshme.
Elbasani madhështor, Elbasani që prodhon do ketë mbështetje absolute nga qeveria.
Biznesi do ketë taksat më të ulëta që ka njohur në histori. 10 përqind do jetë tatimi mbi fitimin. Por kësaj here kemi marrë një hap tjetër të guximshëm, kemi shembur një tabu tjetër që ishte TVSH-ja, do bjerë nga 20 në 15 përqind.
Çmimi i energjisë do pjesëtohet me tre, nga 18 do jetë 6 lekë.
Miq, dje udhëtova në tregun e Tiranës, sinqerisht u preka. Kushtet në të cilat ata burra dhe gra siguronin jetën në këmbë, pa asnjë lloj kushti, për të mbajtur familjet e tyre, ishin tronditëse.
Çfarë kishte? Çfarë gjeta aty? Sipërfaqen publike, që e kanë pasur përpara me 120 lekë metrin katror, Lali Vjedhësi ua kishte bërë 1500 lekë.
Fatura e ujit e dy-trefishuar. Asnjë shërbim. 8 deri në 10 përqind të xhiros taksat e tjera.
Një kasap, shitës mishi, më tha: Doktor, tani vetëm në ditë festash mund të arrijmë atë xhiro që kishim çdo ditë më përpara.
Ne jemi të vendosur pra të japim liri në iniciativën e tyre shqiptarëve.
Ne i besojmë forcës, i besojmë shpirtit krijues dhe iniciativës së lirë të shqiptarëve. Do zgjerojmë hapësirën për të, në mënyrë që shqiptarët të investojnë. Të punësojnë.
Pa asnjë taksë 5 vitet e para do jetë çdo emigrant që kthehet për të investuar dhe ndërtuar ëndrrën e tij në Shqipëri.
Po pse ikin të rinjtë? Se nuk mendojnë dot të blejnë një shtëpi. A e dini ju taksat që i vendosin këta mbi ndërtuesit?
Kanë hequr taksën mbi koston, vendosin taksën mbi çmimin e shitjes. Mund të mos jenë të shitura fare. Iu garantoj ju se taksat mbi ndërtimet do jetë 8 deri në 10 herë më e ulët. E paguani ju, nuk e paguan ndërtuesi dhe ndërtuesi rrit çmimin dhe fëmijët tuaj ikin jashtë.
Ndërtesat sociale, prerja me gërshërët e ligjit të kanaleve të krimit. Çmime normale. Subvencion, kredi të buta për çdo të ri që do martohet dhe të krijojë jetën në Shqipëri.
Kredi të buta për çdo emigrant që do kthehet për të investuar dhe jetuar në Shqipëri.
Po kush e vrau Shqipërinë Made in Albania? E vrau narkoeuro.
Mijëra e mijëra ndërmarrje fasonë dhe të tjera u mbyllën sepse me narkoeuron humbën menjëherë 38 përqind të fitimeve.
E vrau Ballkani i Hapur, sepse fermeri i Cërrikut, i Dumresë, nuk merr as një të dhjetën e fermerit serb. Dhe Edi Rama i hapi dyert për vëllanë e tij Vuçiç dhe këtu shkatërroi fermat.
Garantoj fermerët shqiptarë, Ballkani i Hapur në kosh të plehrave.
Garantoj fermerët shqiptarë se do subvencionohet 5 herë më shumë se sot, se kaq është në vendet përreth. Nuk po shkoj në Europë.
Ne vazhdojmë projektet tona gjersa të arrijmë në 20 milionë rrënjë ullinj në Shqipëri, ne vazhdojmë gjersa të 3-4fishojmë sipërfaqet e arrorëve.
Ne do subvencionojmë fuqishëm bimët aromatike sepse janë një burim i madh të ardhurash për shqiptarët.
Iu garantoj se në territorin e Shqipërisë nuk do futet asnjë kilogram pesticide dhe helme që nuk tregtohen në Europë.
Dhe se taksa asimetrike e vendosur nga Edi Rama kundër fermerëve për të favorizuar importet, merr fund. 2 muajt e parë taksa bëhet simetrike, si në shitje, edhe në blerje dhe paratë do i shkojnë fermerit.
Shqipëria prodhuese ka potenciale të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar. Unë u siguroj se ne do dyfishojmë prodhimin. Prodhimi do jetë krenaria jonë kombëtare.
U thotë fasonëve, se ju jeni industri e botës së tretë. Pra ikni se do vijnë senegalezë këtu, do marr të tjerë. Ajo është industri e klasit të parë, ajo është industri e veshjeve dhe markave më të mira. Në vend që ta subvencionojë…
Garantoj çdo sipërmarrje fason dhe ndërmarrjet e tjera se një bord do kompensojë qindarkë për qindarkë kursin e euros dhe nuk do mbyllin kurrë ndërmarrje për shkak të shtrirjes së euros përtokë nga narkosit.
Të rinjtë kanë ëndrra dixhitale. Miq, në histori kombet që kanë humbur trenin e revolucioneve industriale kanë mbetur shumë mbrapa. Ne nuk e kapëm dot në atë kohë, ishim të pushtuar.
Ne duhet të kapim me çdo çmim trenin e revolucionit të teknologjisë së lartë. Ndaj u garantoj se interneti 4, blockchain dhe kriptomonedhat, inteligjenca artificiale dhe dataqendrat, do të jenë përparësi absolute e investimeve të qeverisë sonë me sektorin privat.
Ne do e shndërrojmë Shqipërinë në një epiqendër rajonale të teknoligjisë së lartë.
Ne jemi ata që bëmë ndryshimin në energji dhe ju jeni dëshmitarë. Iu kujtohet ju, kur unë prisja shiritin me Statkraft për hidrocentralet e Devollit, Edi Rama shpërndante njoftimin se po përsërit mashtrimin. Sot ato janë realitet. Sot hidrocentralet e reja prodhojnë 60 përqind të prodhimit të vendit.
Por ai ishte hapi i parë. Sot para jush deklaroj se Shqipëria do jetë superfuqi energjetike në rajon.
Uji, dielli, era, do të jenë burime të pashtershme të energjisë së shqiptarëve. Nga jugu në veri, çatitë e tyre dhe të bizneseve të tyre, do mbulohen me panele fotovoltaike, dhe në krye të tre viteve, shqiptarët do marrin energjinë falas.
Miq, pra ne kemi një program me të cilin ne duhet të trokasim në çdo zemër.
Ku jemi ne sot? Ai na i ka mbyllur televizionet që i kontrollon me leje ndërtimi.
Ai mbylli TikTokun nga frika dhe tmerri i të rinjve që e kritikonin çdo ditë për arrogancën e tij.
Ai bën gjithçka që ne të mbetemi të izoluar.
Por ne kemi një armë në duart tona, njerëzinë për të trokitur në çdo zemër shqiptare, në çdo vatër, në çdo derë, me këtë program për të biseduar me të, se nuk është program as i këtij, as i atij, por është program i çdo shqiptari.
Ju e patë vetë reagimin e tregtarëve dje në treg. Cili ishte? Mirënjohje ishte. Mirëkuptim ishte. Besim ishte.
Prandaj të shkojmë t’u themi kudo se nuk synojmë asgjë tjetër, veçse që shqiptarët të punësohen dhe të marrin rroga më të larta. Të rritet mirëqenia e tyre.
Pra, ky është programi që kujdeset për të varfrit, që shndërron prodhimin në krenari kombëtare, që zëvendëson mafien me ligjin, pa të cilat kombi nuk bëhet dot.
Ky është programi i të gjithë shqiptarëve.
Miq, këtu ka parti të ndryshme. Këtë program ftojmë çdo qytetar ta votojë.
Edi Rama u përpoq pasi dështoi në asgjësimin e PD, në asgjësimin e PD, bëri gjithçka për të krijuar biza, duke krijuar satelitë dhe paterica.
Por ju e patë vetë, por sidomos e kam fjalën për të gjithë demokratët e Elbasanit, dhe kur them të gjithë demokratët e Elbasanit, pa përjashtim nga dita e themelimit gjer sot, bashkohuni me këta deputetë.
Se ju o demokratë, me Bravën nuk iu lidh asgjë. Atë e lidhin transaksionet me Ramën, kurse ju i keni investimet në PD.
Bashkohuni, votoni këta deputetë dhe u garantoj se PD është shtëpia juaj.
Së fundmi, dy fjalë, Edi Rama dhe altoparlantët e tij u thonë shqiptarëve se Sali Berisha ka 34 vjet në politikë.
Tani, e tregova edhe një ditë në një studio televizive, e vërteta është se Edi Rama është njeriu më jetëgjatë pa u largua nga politika asnjë ditë.
Por unë, kryeministër, u gjeta në një darkë në Gjermani, ku në tryezën time, krahas mikpritësit që shtroi darkën, ishte një këshilltar shumë i njohur, një ekonomist i madh i disa presidentëve amerikanë, Pol Uolker.
I zoti i shtëpisë më paraqet tek ai për reformat që kishim bërë, taksën e sheshtë, etj. Dhe i thotë, ka qenë president dhe kryeministër. Ai kthehet dhe më thotë, si Putini.
Unë i them, pak më ndryshe. I thashë, unë kam ndenjur 8 vite në opozitë. Kurse Putini kaloi nga president në kryeministër. U mërzit që ma tha atë fjalë, por mbeti mik gjithmonë me mua.
Tani, i lëmë këto.
U them tjetrën, Sali Berisha kishte dorëzuar çdo pushtet, vazhdonte rrugën në vjeshtën e tij, i qetë, por natyrisht avokat i interesit publik siç duhet të jetë çdonjëri prej nesh, pa asnjë ambicie për pushtet.
Në këtë moshë nuk ka ambicie pushteti, por nuk ka as ambicie për para. Ambiciet janë krejtësisht të tjera.
Mirëpo një ditë, pasi ndërmori intrigat që ndërmori kundër meje, zgjodha të luftoj vetëm. Shoh unë pastaj që do të vendosë opozitën nën kontroll.
Tani unë u them çdo shqiptari, demokrat, socialist, çfarëdo qoftë ai, a duhet vendi të ketë një opozitë, apo të ketë një lolo-opozitë siç bën dot Basha me Ramën? Më thoni pak.
Atë nuk e pranonit ju, atë nuk mund ta pranojë unë kurrë.
Shqipëria duhet të ketë një opozitë të vërtetë.
Dhe u bënë të gjitha përpjekjet për të na zhdukur, sot jemi më të fortë se kurrë, më të fuqishëm se kurrë.
Sot, Edi Rama i hape gropën opozitës, të jap fjalën e nderit se në atë gropë do biesh vetë me datën 12 maj.
Rrofshi ju, rroftë Elbasani.
Fitore, fitore, fitore!