FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
Sot mbushet një vit nga qëndresa dhe lufta heroike e kombit ukrainas kundër agresionit barbar rus.
Një vit më parë, diktatori mizor i Kremlinit, urdhëroi trupat ruse të sulmojnë pa asnjë shkak, asnjë arsye, një komb, një vend të lirë, të pavarur, demokratik, një fqinj dhe në rrafshin etnik, një komb vëlla.
Në të njëjtën kohë ai kërcënoi vende të tjera edhe anëtare të NATO-s dhe vringëlliu edhe potencialin e tij bërthamor.
Ky agresion në të vërtetë në fillim shtangu dhe tkurri për një moment Evropën dhe botën, të cilat përjetonin me ankth ditët e numëruara të rënies së Kievit dhe mbarë Ukrainës në kthetrat e pushtuesit barbar.
Por ndërkohë që të tjerët prisnin dhe paralajmëronin për çështje ditësh kapitullimin e Ukrainës, Presidenti Volodimir Zelenski, forcat e armatosura, dhe kombi liridashës ukrainas u ngritën në zenitin e guximit, trimërisë, atdhetarisë dhe me një qëndresë epike shndërruan në kocka dhe hekurishte autokolonat e mijëra tankeve dhe agresorëve rus që po marshonin drejt Kievit.
Pas këtij shembulli frymëzues dhe të jashtëzakonshëm vendet anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara mobilizuan potenciale të mëdha financiare, logjistike, armatime moderne me të cilat luftëtarët e pamposhtur të Ukrainës bënë që agresori të dështojë me turp në rrafshin strategjik, taktik, operacional dhe sot pas një viti de fakto të mundet në çdo rrafsh ushtarak, ekonomik, politik.
Agresioni rus ndaj Ukrainës konsolidoi si asnjëherë më parë unitetin e Aleancës së Atlantikut të Veriut, vendosmërinë e kësaj aleance dhe udhëheqësit të saj, SHBA, për të mbrojtur me fuqinë e tyre çdo centimetër të territorit të vendeve anëtare të NATO-s. Lufta e kombit ukrainas nën udhëheqjen guximtare dhe largpamëse të Presidentit Zelenski, çliroi Evropën nga ‘pushtimi’ energjetik rus. Kjo luftë faktoi se ekspansionizmi rus është rreziku më i madh për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Sot, në këtë përvjetor njerëzit e lirë në mbarë botën përulen me nderimin më të madh para qëndresës së jashtëzakonshme dhe sakrificës sublime të dhjetëra e mijëra luftëtarëve ukrainas të lirisë që luftuan dhe ranë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e vendit tyre.
Partia Demokratike e Shqipërisë, duke dënuar me forcën më të madhe agresionin barbar rus dhe mbështetur fuqishëm rezistencën e fuqishme të popullit të Ukrainës ndaj tij, konsideron luftën heroike të kombit të Ukrainës kundër agresorit rus, si një luftë jo vetëm për sovranitetin dhe lirinë e vendit të tij, por si një luftë mburojë e pakapërcyeshme për mbrojtjen e lirisë në Evropë dhe në botë.
Në takimin tonë para një jave, unë ju informova ju se ekipi i famëziut McGonigal, tradhtarit të kombit amerikan, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza, kalonin nga një lokal në tjetër, nga një hotel në tjetër, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’u zhvatur atyre miliona euro.
Njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022, miliona për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv, Ora Neës, Ylli Ndroqi.
Dorian Duçka dhe Agron Neza, këta mafiozë kriminelë dhe të pafytyrë, jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi gjobën, por refuzimi i tij në prani të dëshmitarëve, t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve.
Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur. Këtë denoncim ai e ka bërë edhe zyrtarisht pranë autoriteteve amerikane.
Por, Ylli Ndroqi dhe jo vetëm ai, janë dëshmitarë të skenave të shëmtuara që këta çakenj, kërcënonin biznesmenët e tjerë, natyrisht edhe në praninë e Taulant Ballës.
Mbrojtja që Edi Rama i bën Dorian Duçkës dhe Agron Nezës është mbrojtje që i bën vetes së tij. Kjo skemë është e bekuar dhe e përdorur edhe për interesat e Edi Ramës.
Unë e përgëzoj Ylli Ndroqin për qëndrimin e tij të guximshëm dhe burrëror ndaj këtyre mafiozëve, por e përgëzoj edhe për vendimin që mori, pasi unë natyrisht pa autorizimin e tij publik, nuk e bëja, për ta bërë publike këtë ngjarje të shëmtuar në restorantin Padam, në të cilin gjobat e Duçkës dhe Nezës ishin stratosferike. Gjobat që ata vinin në një ditë ishin të ardhurat e një restoranti apo një hoteli në 1 apo 2 vite.
SKAP-i i partisë fut kokën nën jorgan. Nuk ka qëndrime më të turpshme se këto. Gjobëvënës që qarkullojnë në emër të McGonigal me lejen dhe autorizimin e kryeministrit. Për SKAP-in, asgjë nuk ka ndodhur.
E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të blacklistuar dhe përgojoheshin emra.
Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën. Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i plaçkitur ato ata në mënyrën më antiligjore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim.
Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare.
I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme. Sepse në këtë mënyrë do të mund të merren të gjitha masat, do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit.
Nëse Agron Neza dhe Dorian Duçka gjobitën një seri biznesmenësh, atë e bënë në emër të FBI-së, atë e bënë në emër të McGonigal. Ajo që u tregonte, njëri distinktivin, kurse tjetri me krenari të madhe, ambasadoren si ndjekëse të tij, viktimave. Uroj që ky problem të hetohet, ne do kontribuojmë, do përpiqemi. Komisioni hetimor do krijohet do apo nuk do Edi Rama dhe do të bëjmë gjithçka të japim kontributin tonë në interesin më të mirë të Shqipërisë, por edhe të partnerëve tanë.
Edhe njëherë dënoj këtë veprimtari të shëmtuar, të turpshme.
Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se përgjegjësia absolute, përgjegjësia numër një, përgjegjësia kryesore për aferën e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama, ai është Edi Rama, ai është Edi Rama. Personi tjetër në zinxhir, Arben Ahmetaj u tha dje shqiptarëve të njëjtën gjë: nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëviz qeverinë.
Unë ju them ju, Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ka të drejtë, nuk kam qenë kryeministër tha, dhe qeverinë mund ta lëvizë vetëm kryeministri dhe askush tjetër. Përveç kryeministrit dhe zyrës së tij nuk ka njeri që mund të mbledhë 17 dokumente për 24 orë nga qeveria, asnjë tjetër, siç ka ndodhur. Përveç kryeministrit pra dhe njëherë, askush tjetër nuk mund të lëvizë zyrat kryesore të administratës për të grumbulluar 17 dokumente të firmosura nga zyrtarët në një ditë.
Çfarë tregon kjo? Interesin absolut të Edi Ramës për aferën. Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë u them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën.
Mos bëj gjykatësin, i tha Ramës. Ai zgjodhi këtë argument, në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë.
Arben Ahmetaj është i implikuar nuk ka diskutim, ua them unë, por njëshi në distancë është Edi Rama. Por kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë, për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme. Një kryeministër i firmos vetëm kur e ka personale, kur ai është i verbuar nga pasuria që mund të grabisë me këtë kontratë dhe harron çdo gjë.
Pushteti i çdo kryeministri mbaron aty ku fillon ligji, dhe Edi Rama nuk mund të thotë që nuk e dija, sepse Edmond Ahmetaj ja çoi dy herë me shkrim, që kjo metodë e negociatave të mbyllura nuk ekziston dhe nuk mund të praktikohet.
Së dyti, shkojmë prap tek aktakuza fundosëse e Arben Ahmetajt. Ka një moment që vetëm Edi Rama mund ta lëvizë: fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. E gjithë qeveria të bëhet së bashku, atë nuk e lëviz dot pa firmën e kryeministrit.
Këtu është Arben Ahmetaj brenda. Se dje u hoq sikur është dorëjashtë, por nuk është dorëjashtë. Se ai ka firmosur për fondin rezervë të Këshillit të Ministrave. Ka zbatuar një urdhër të paligjshëm dhe ai që zbaton një urdhër të paligjshëm është përgjegjës.
Arben Ahmetaj, në intervistën e tij, ia numëroi ku e meritonte, Erion Velisë. Dhe aty, Arben Ahmetaj ka të drejtë. Sepse ai vetë, thotë që nuk ka firmosur për Elbasanin, Tiranën dhe Fierin. Për Tiranën, e sigurt që nuk ka firmosur. Për Elbasanin, sado që është thënë se Shkëlqim Cani nuk ka firmosur, rezulton se ka firmosur.
Prandaj edhe këtu, ky që e quajnë Tigri i Korrupsionit, nuk ka vënë firmën.
Por nuk ka diskutim se Erion Veliaj, pas Edi Ramës, nga ana ligjore, është njeriu me ligj, më kryesorët.
Sepse djegësi i Tiranës ishte 128 milionë euro, në një kohë kur Elbasani dhe Fieri shkonin gjithsej 50 mln euro. Erion Veliaj shkeli çdo ligj që ajo të bëhej realitet. Firmosi vendime që i takonin Këshillit Bashkiak, kur këshilli nuk ishte mbledhur asnjë ditë, firmosi vendime që i takonin Qarkut, kur qarku nuk ishte mbledhur asnjëherë.
Erion Veliaj, është, ndaj dhe e tha ai, ndiqni paratë, tha Arben Ahmetaj, mori të famshmen e Al Kapones, sepse të ndjekësh paratë të çojnë tek Veliaj dhe Rama, sepse fusha e Sharrës, grumbullon plehra me 29 euro tonin, në një kohë kur kontrata e thotë që këtë tarifë vetëm kur të digjet.
E vërteta, Arben Ahmetaj nuk ka firmosur për Tiranën, ka larë duart. Shkruan se ky është një problem i qeverisë vendore. Dhe sipas tij, ka bërë një seri vërejtjesh për këtë. A mund të quhet i pafajshëm ai që sheh krimin, por nuk e denoncon? Arben Ahmetaj nuk e firmosi për Tiranën, ai thotë edhe për Fierin nuk kam firmosur, por këtë duhet ta verifikoj. Por për Tiranën ai lan duart, por ministri nuk mund të lajë duart, ministri duhej të thoshte se kjo nuk mund të bëhej se është e kundraligjshme dhe tani kërkon të fshihet.
Të dy janë përgjegjës. Sigurisht Erion Veliaj ka shkeljet më të mëdha, në një, dy, tre raste.
Intervista e tij mbrëmë hodhi dritë të plotë mbi të vërtetat, të cilat në këtë sallë, që nga viti 2014, i kanë denoncuar zyrtarë të PD, gazetarë. Beteja është e ashpër, është personale midis Ramës dhe Ahmetajt.
Edhe dy vjet po të rrëmonin, nuk mund të imagjinoni kush ia dha Adriatik Doçit faturat që i mohonte Arben Ahmetaj.
Pra, nëse ai nuk e bën publik, do detyrohem t’i bëj publike. Ua them këtu sot. Po dole për të bërë transparencë, bëje të plotë se do detyrohem t’ia them këtu, se kush janë dokumentet dhe cili është presioni shtesë që i ka bërë Edi Rama atij. Ai e ka të dokumentuar, prandaj i tha mos bëj gjykatësin. Se këtu siç e shihni, personazhet në skenë janë qeveritarë mafiozë. Është e hidhur kur detyrohemi që në çdo konferencë merrem me këta. Por këta janë e keqja e vendit ndaj dhe ne do i denoncojmë!
‘Name and shame’, kjo i mbetet opozitës.
PYETJE – PËRGJIGJE
Pyetje: Jonida Omeri, Fax News: Në një takim që z.Alibeaj ka realizuar ka deklaruar se në 3 mars gjykata do të japë një vendim të drejtë, madje vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë, me gjyqtar Agron Zhukrin e ka konsideruar një vendim korruptiv. Si i përgjigjeni kësaj deklarate?
Berisha: Alibasha është një zëdhënës e Edi Ramës. Mjerani i Edi Ramës. Edhe njëherë sqaroj shqiptarët: PD s’ka asnjë problem, as me gjykatën, as me logon në kuptimin që: ka një vendim gjykate i 25 marsit të vitit 2022 në të cilin konsiderohen legjitime të gjithë dokumentet, ndryshimet në statut, e gjithë procedura e kuvendit të 11 dhjetorit. Kjo mbyll çdo gjë.
Edi Rama mban peng nëpërmjet kancelarit rregjistrimin e këtij vendimi në regjistrin e forcave politike, këtu është i gjithë problemi. Ai ka shkuar edhe më tej, në bashkëpunim me guvernatoren Yuri Kim dhe Erion Velinë, e dokumentuar kjo botërisht, kanë ndërhyrë dhe kanë shpallur palë atë që kurrë nuk ka qenë palë. Nuk ka histori më të turpshme në historinë e drejtësisë sesa kjo.
Këta treguan se nuk njohin asnjë parim. S’kanë asnjë moral për të drejtën dhe ligjin, këta që bënë këtë dhe kjo është inekzistente për ne.
Akti i vetëm i asaj gjykate, i atij trupi është të konstatoja se ai që ankohet është një skllav i mjerë i Edi Ramës dhe nuk ka asnjë legjimitet në ankesën e tij. Kaq është i gjithë problemi. Ne vazhdojmë betejën tonë.
Është e trishtë, sesi eksponentë të medias, jo mediat në tërësi. Se mediat kanë nëj rol pozitiv të jashtëzakonshëm në transparencë e të gjitha këto. Por sesi Edi Rama nxjerr lakej dhe lëpirës të tij nëpër studio dhe ekrane për të mashtruar qytetarët shqiptarë për çdo gjë. Nuk e di a e ndoqët ju mbrëmë. E ndiqni sigurisht. A e morët vesh?
Allison Gurriera është bërë shtriga e mediave të kontrolluara nga Edi Rama. Individë të shpërfytyruar, të damkosur nga raporte ndërkombëtare si hajdutë dhe gjobvënës të tmerrshëm mbi gjykatësit dhe prokurorët e vendit dikur, marrin përsipër të përgënjeshtrojnë Allisonin edhe për faturat e restorantit Saint George. E kuptoni ju? Ajo ishte në darkë aty. Aty kërciti 10 mijë dollarë vera apo çfarë ishte shishja dhe këta dalin nëpër media dhe thonë: ajo ishte një gënjeshtare. Aty edhe e japin menunë e Saint George.
Çfarë janë këto media kështu, a më kuptoni? Po kjo është e tmerrshme, nuk ndodh në botë kjo. Nuk ndodh në botë. Një njeri që e ka vendin në burg, iu them unë ju. Plarent Ndreca, e ka vendin në burg. Absolutisht. Po pse në burg? Sepse, ju e dini aferën e uniformave? A e dini ju se një nga mekanizmat kryesore të vjedhjes është sepse u përgjysmua numri i uniformave që do të prodhoheshin në të njëjtën shumë. A e dini, apo jo këtë? Lexoni tenderin. Dhe njeriu që ka firmosur për përgjysmimin është Plarent Ndreca. Është njeriu, sekretar i përgjithshëm që ka firmosur për përgjysmimin. E ka kapur dhe Edi Rama tani atë, dhe e nxjerr nga studio në studio vetëm për të shpifur dhe për të trilluar. Po ky është njëri prej tyre. Janë pra një grup, të cilët nga mëngjesi deri në darkë janë shndërruar në gjeneratorë shpifjesh dhe trillimesh për qytetarët. Morët vesh apo jo?
U futa tha në internet, gjeta faturën e St.George dhe aty tha shkonte 100 euro maksimumi që mund të shpenzoje. Ajo kishte qenë aty, kishte ngrënë.
Pse u ndala te këto shembuj?!
U ndala te këto shembuj se, ku shkon vulgariteti, shpërfytyrimi i shpifsëve të paguar që nuk ndiejnë asnjë përgjegjësi ndaj qytetarëve. Po vetëm paratë që marrin nga Rama nga klanet e tij. Kush e paguna Sokol Ballën? Pyesni ju lutem. Për të kuptuar se çfarë kalbësire ekziston. Kush e paguan atë? Me çfarë parash paguhet Sokol Balla? Unë dhashë një shembull. Po këta janë një grup të cilët kalojnë nga një studio në tjetrën me misionin e vetëm të mashtrojnë shqiptarët.
Kur dëgjoj unë, se vakti në Saint George nuk kushtoka as 100 euro. Kur shkojnë deri aty, janë të aftë të shkojnë kudo. Dhe tani shtriga botërore, zonjë atdhetare, patriote e e vërtetë vendit të vetë e cila kur konstatoi se, ia ktheu të gjitha ato që meritonte McGonigalit dhe Edi Ramës. Nuk e dini ju. Shkoni e pyesni njerëz të cilët flasin me Edi Ramën në telefon. Njeriu më i vështirë që njoh unë për të folur në telefon gjithë jetën time quhet Edi Rama. Më pyesni ju, keni fol ndonjëherë me të? Kurrë! Po pse është më i vështirë, nga e di unë? Sepse nuk e lëshon telefonin. E fillon tani dhe vazhdon dy orë, nuk të lëshon. Po, ju them të vërtetën juve a më kuptoni?
Dhe ajo ishte e mërzitur se kapte telefonin dhe ai fliste me kryeministrin. Tipike e tij. Prisni tani kur të dalin këta lakejt e tij dhe të thonë që ka dy vite që nuk përdor telefon. Ka tre vjet që nuk flet më në telefon Rama. Kjo është diktaturë e gënjeshtrës, e relativizmit.
Arestina Skënderi, A2 CNN: Z.Berisha, PAA, LZHK e drejtuar nga Dashamir Shehi, PDIU DHE BD kanë deklaruar se nuk do të jenë në aleancë me PD në zgjedhjet e 14 majit. A përkthehet kjo në më pak këshilltarë bashkiak dhe kryetarë bashkie për opozitën, dhe çfarë pengoi që këto aleatë të përhershëm të bëhen bashkë pikërisht në këtë moment për zgjedhjet lokale.
Berisha: Nuk besoj se ata kanë nxjerrë në kandidat për Tiranën, por ka një gjë këtu. Pothuajse çdo forcë politike përpiqet të provojë veten me këshilltarë. Gjë shumë normale, të themi të vërtetën. Ai do që të dijë rekordin e vetë elektoral. Do që të dijë se cilat janë kuotat në elektoratin e tij. Ato i dinë, sepse kanë garuar të dyja, por tani së bashku të dyja besojnë se mund t’u rritet. PDIU akoma është në zonën gri, por shoh se nga po shkojnë. Nuk mund të them se do vijnë nga PD, apo do shkojnë nga PS, nuk mund të them.
Por një gjë u them. Në qoftë se ka patur armiq më të egër, popullata çame ka patur Enver Hoxhën i cili për 45 vjet, ata shkodranë dhe minoritarët grek i kishte në të gjithë epiqendrën e kasaphanës e luftës së klasave. Kështu që, çdo çam duhet të mendojë kur afrohet me nipin e Spiro Kolekës dhe me të birin e Kristaq Ramës. Havzi Nela nuk ishte çam, por kishte çamë të tjerë të persekutuar në shkallën më të lartë prej tyre.
MCN: Z.Berisha, ditën e djeshme keni deklaruar se pas vrasjes së 22 vjeçares keniane Yoko fshihen në qeveri. Fill pas kësaj akuze ju nisët një sërë akuzash për Taulant Ballën. Ishte një lidhje rastësore, apo ky është politikani që fshihet pas kësaj ngjarje dhe deklaruat se z.Balla dhe z.Rama do të mbajnë përgjegjësi personale, çfarë nënkuptoni me përgjegjësi personale?
Berisha: Krim-ministri Edi Rama do të mbajë përgjegjsi personale. Unë ju them ju rastin e vajzës nga Kenia ne do ta bëjmë çështje ndërkombëtare, ta dijë Edi Rama. Të mos fshehë vrasësit, e di shumë mirë ai, por të dalë sepse nuk mund të vriten njerëzit në atë mënyrë. Këtë them unë, vrasësi fshihet nga qeveria dhe kjo është një gjë shumë shumë e rëndë.
Jam marr me këtë, ta dini, jam marr jo pak, dhe po merrem ç’është e vërteta, po qendrim më kriminal sesa ka mbajtur policia dhe hetimi i kësaj vajze, nuk mund të gjindet. Dhe ato të gjitha janë bërë me porosi, sepse vrasësi fle në qeveri.
-Sipas Kushtetutës ju pretendoni se Komisioni Hetimor për çështjen McGonigal ngrihet automatikisht nëse kërkon më shumë se 28 deputetë, por keni precedentë. Vetëm para pak muajsh ju kërkuat një Komision Hetimor për udhëtime me çarter. Pse nuk e çoni këtë komision në Gjykatën Kushtetuese dhe të vendosë ajo nëse do të ngrihet automatikisht, apo jo për të qenë dhe provë për Komisioni Hetimor për çështjen McGonigal.
Berisha: Njëherë ka një rregull, por s’mund të pengojë parlamentin. Parlamenti mund të votojë kundër, por parlamenti nuk mund të pengojë kurrë votimin për Komisionin Hetimor. Parlamenti automatikisht duhet ta ngrejë atë. Por, ta supozojmë në verbërinë e vetë, por parlamenti nuk mund ta pengojë kurrë pa e sjellë në seancë. Është gjëja më elementare kjo, se çdo gjë tjetër.
Kryesia e parlamentit thotë: nuk e sjell në seancë. Kushtetuta autorizon të drejtën e ngritjes së komisionit. Besoj se e morët përgjigjen.
Ardit Hoxha, Euronews: Z.Berisha, ka të bëjë me çështjen e z.Ahmetaj lidhur me deklaratat që bëri gjatë ditës së djeshme. Z.Ahmetaj deklaroi dje se PL nuk e përmend atë me emër për shkak se nuk ka firmë dhe për këtë e cilësoi të drejtë opozitarizmi që PL bën me këtë çështje, por në shumë raste ju dhe PD e keni përmendur dhe e keni cilësuar z.Ahmetaj si përgjegjës. A jeni në një linjë më PL në akuzat që bëni në këtë çëshje?
Berisha: Që unë theksova në vlerësimin tim ku qendron përgjegjësia direkte e Ahmetaj. Ahmetaj nuk ka firmosur për djegësin e Tiranës, del që nuk ka firmosur as për Elbasanin. Në pamje të parë është dorë jashtë, s’mund të thuash që jo. Por, Ahmetaj nuk mund të firmoste për prekjen e fondit rezervë të Këshillit të Ministrave. Në qoftë se Ahmetaj kundërshtonte këtë si rregull kryeministri ose e zëvendësonte, ose nuk firmoste dot vetëm. Por Ahmetaj nuk e ka bërë këtë. Sesi mund të shpëtojë Ahmetaj kur ëhtë treguar frikacak, ai duhet të poaguajë çmimin. Këtë për fondin e Këshillit të Ministrave. Për Tiranën e vërteta është që e ka shkruar aty kjo nuk është kopetencë e imja. Dhe ka rreshtuar gjëra të cilat ai e dinte që nuk janë të vërteta dhe nuk do ndodhin. Nuk ishte e vështirë të merrej me mend. Pra si të thuash, ai ka thënë po vidhni, po unë s’po firmos. Kështu është përmbledhja. Për këtë ai shkon bashkë me ata që kanë firmosur për vjedhje në burg. Nuk shpëton në vlerësimin tim.