Berisha: Edi Rama përjashtoi sot opozitën nga parlamenti, ekzekutoi pluralizmin politik. I bëj thirrje popullit opozitar që të ngrihemi kundër këtij regjimi

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një deklaratë pas përfundimit të seancës ku u miratua rezoluta që dënon Serbinë dhe sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.   

Por ajo që ndodhi në fund të seancës, ishte në qendër të deklaratës së kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Gjatë fjalës për gazetarët Berisha tha se, sot Edi Rama ka përjashtoi opozitën nga parlamenti dhe ka vrarë pluralizmin në parlament.

Berisha u bëri thirrje opozitarëve që të ngrihen në protesta kundër Edi Ramës dhe regjimit të tij.

FJALA  E PLOTE:

Pas çaste më parë, shqiptarët panë një akt rrugaçërie të pashembullt në parlamentin shqiptar. Ajo që kryen detyrën e kryetarit, faktikisht një njeri i keqpërdorur në shkallën më ekstreme nga Edi Rama, duke shkelur me të dy këmbët rregulloren e parlamentit, futi në rend të ditës, pas miratimit të rezolutës atë që nuk mund të ndodhte kurrë, sepse në çdo parlament rendi i ditës miratohet në mëngjes dhe në mëngjes ishte vetëm rezoluta për Kosovën.

Por në një mënyrë tinëzare, banditeske, e keqpërdorura në shkallë ekstreme që kryeson seancat e parlamentit, futi çështjet themelore, kërkesat e opozitës për komisione hetimor parlamentare dhe vendimin e Edi Ramës për ti përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën.

Ju e patë vetë se çfarë skene e shëmtuar ishte kjo.

Një skenë e tillë mund të ndodhë vetëm në parlamentin e Bjellorusisë. Faktikisht ky është përjashtimi i opozitës nga parlamentit. Faktikisht ky është ekzekutimi i pluralizmit politik në parlament.

Kjo qeveri që qëndron mbi krimin, drogën dhe vjedhjen, nuk respekton më asnjë lloj norme dhe parimi, institucional në parlament apo jashtë tij.

Koha po vjen për një përgjigje të fuqishme popullore, përndryshe unë ju garantoj se demokracia në Shqipëri është në grahmat e fundit të saj.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim të Edi Ramës, i cili i damkosur dhe i diskredituar në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtarë bën gjithçka për të mbajtur pushtetin e tij.

Edi Rama me aktet e tij, me vjedhjet monstruoze që ka bërë, aferat e mëdha që është implikuar, aferën McGonigal dhe lidhjet e tij patologjike me Aleksandër Vuçiç është pra një armik i të gjithë shqiptarëve.

Ndaj dhe jam këtu, për ti bërë thirrje popullit opozitar të ngrihemi një minutë e më parë kundër këtij regjimi, që nuk respekton, por shkelmon çdo ditë, liritë të drejtat e opozitës dhe qytetarëve në tërësi.

Pyetje: Z. Berisha do të thotë kjo se do të mbani një protestë, ditën që do të mbahet edhe samiti në datën 16.

Sali Berisha: Jo nuk kemi paralajmëruar protestë ditën e samitit, por kjo do të thotë se këtu kemi një qarje përfundimtare dhe kam besim se opozita me forumet e saj do ti japë përgjigje kësaj situate.

Pyetje:  Këto vendime i përshpejtojnë mbledhjet e forumeve dhe konsultimet me deputetët e tjerë?

Sali Berisha: Normale që i përshpejtojnë, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Kur hidhet për votim një komision rregullorja përcakton një diskutim pro dhe një kundër, kurse kjo nuk lejoi asnjë diskutim pro dhe asnjë kundër, por përdori kartonët për të rrëzuar të tre komisionet hetimore. Përdori kartonët për ti caktuar opozitës përfaqësuesin, këtu ka marrë fund çdo gjë si pluralizëm në parlament.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale