Berisha: Rama përdori një skemë për të përdhosur deputetët martirë. Konsensusi për rezolutën, arritje e madhe kombëtare

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, foli për mediat pas aktivitetit përkujtimor me rastin e 76-vjetorit të dënimit të deputetëve dhe grupit të intelektualëve.

Gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për arritjen e konsensusit për një rezolutë të përbashkët të të gjitha forcave politike për dënimin e Serbisë në lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në Banjskë të Kosovës, ku humbi jetën një punonjës policie.

FJALA E PLOTE:

Përulemi para deputetëve martirë, të cilët hapën për së gjalli varret e tyre, për të qëndruar besnikë ndaj vlerave themelore të individit dhe një shoqërie të lirë.

Në kushte terrori të kuq, ata vendosën të grupohen në emër të pluralizmit politik si një opozitë e vërtetë.

Ata, ndjenë se paslufta për shqiptarët do të ishte një pushtim i ri i egër dhe pavarësisht nga kjo situatë e krijuar, ata vendosën të kundërshtojnë regjimin, vendosën të sakrifikojnë jetën, rininë dhe çdo gjë të tyre për të vërtetat që duhet të qëndrojë çdo njeri.

Ekzekutimi i deputetëve të quajtur të pavarur, ishte de facto ekzekutimi i pluralizmit politik në Shqipëri.

Sot ne erdhëm këtu në respekt të kujtimit të tyre dhe familjarëve të tyre, që ishin këtu të pranishëm.

Se, natyrisht, organizimi i kësaj ceremonie nga njeriu, i cili ka trashëgimi direkte familjare ekzekutimin e disidentit kolos, Havzi Nelës, jo në 46-ën, por në 88-ën, dhe nuk kërkon ndjesë për aktin prej xhelati të babait të tij biologjik, është një ironi e tmerrshme fati.

Ne erdhëm këtu për familjarët, siç e patë në mënyrën më absurde, Instituti i Studimeve të Përndjekjes Politike ishte zëvendësuar me Autoritetin e Dosjeve.

Kjo është skema e Edi Ramës për të përdhosur edhe njëherë deputetët martirë.

Dënoj këto skema të shpërfytyruara, të padenja dhe shpreh edhe njëherë nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme për sakrificën e deputetëve guximtarë, kurajozë, të cilët luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga një diktaturë që u vendos fill pas mbarimit të luftës në këtë vend.

Konsensusi për rezolutën është një arritje e madhe kombëtare.

Pyetje: Zoti Berisha, kur dje treguat se kur ka konsensus politik arrini dhe konsensusin mes dy palëve që ishte rezoluta e përbashkët për Kosovën, pse për interesa të Shqipërisë konflikti mes PS e PD nuk merr asnjëherë zgjidhje?

Sali Berisha: Për interesat e kombit shqiptar, që nga viti 2013 gjer më sot, ne kemi qenë në pozita të kundërta në qëndrimin ndaj Kosovës me PS-në dhe Edi Ramën dhe kjo është shumë e njohur.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën, mendoj unë se duhet të ndërtohen së pari në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme.

Sado që jemi vëllezër, nuk jemi një shtet dual, jemi dy shtete të pavarura.

Dhe në këtë kontekst, respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy shtetet, është kusht themelor se është respektim i sovranitetit.

Kjo nuk ka ndodhur në këto 10 vite, të mos hyj këtu për të listuar të gjitha aktet.

Mendoj se konsensusi shënon një arritje të madhe kombëtare. Se u ra dakord të mbështetej plotësisht rezoluta e Kosovës. Këtë prisnin shqiptarët e Kosovës nga parlamenti i Shqipërisë, priste çdo shqiptar që e do këtë vend.

Plus dy rekomandime të tjera.

Tani mund të thoni ju se çfarë ndodhi? Aq sa mund ta merrni vesh se çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur, me promotorin e tij, mund të merret vesh.

Po për ne, rëndësi ka që deputetët sot do të votojnë mbështetjen e plotë për rezolutën e Parlamentit të Kosovës dhe ky është një akt shumë i rëndësishëm në një moment shumë të rëndësishëm.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale