FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij të mbajtur në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, e ka përshkruar Shqipërinë si një “diktaturë të bandave,” duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin dhe mafian shqiptare e ndërkombëtare.
Berisha theksoi se vendi ka humbur demokracinë, ku ligji është zëvendësuar nga një regjim i kontrolluar nga krimi dhe droga. Sipas tij, vota e lirë është konfiskuar, procesi zgjedhor është kthyer në farsë dhe Shqipëria është bërë peng i mafias.
Berisha ka akuzuar qeverinë për përdorimin e organizatave kriminale, si “Skrapi,” për të mbrojtur krimin elektoral dhe për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit. Lideri demokrat theksoi se shqiptarët kanë humbur votën e lirë, dhe pa të, nuk ka shtet ligjor, liri apo të drejta njerëzore.
Berisha e vuri theksin dhe te mediat, duke thënë se ato janë të kontrolluara nga qeveria dhe censuruara ashtu si në diktaturën komuniste, ku ka shtuar edhe se drejtësia është e vonuar dhe e kapur. Krimi elektoral, sipas tij, nuk ndëshkohet, por shërben për të manipuluar zgjedhjet në favor të qeverisë.
Kryetari i PD, Sali Berisha i është drejtuar kryeministrit Rama mbi përdorimin e drejtësisë së kapur për të burgosur kundërshtarët politikë dhe për të mbrojtur krimin elektoral. Berisha tha se Shqipëria është bërë një vend pa drejtësi të vërtetë, ku liderët e opozitës janë të burgosur për arsye politike.
Kryedemokrati Sali Berisha thekson se kriminelët që punojnë për Ramën zbatojnë urdhra për të shtypur opozitën, ndërsa prokurorët marrin ryshfete për të mbyllur dosjet e kriminelëve dhe trafikantëve të drogës, ku ka paralajmëruar se përgjegjësit për këto veprime do të japin llogari një ditë.
Lideri opozitar gjatë fjalimit të tij në protestën maratonë tha se, Shqipëria është marrë peng nga krimi dhe mafia, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe akuzon Edi Ramën dhe qeverinë e tij për shkeljen e ligjit dhe Kushtetutës.
Berisha ka përmendur vjedhjen masive të pasurive publike dhe lirimin e kriminelëve, duke thënë se mafia dhe krimi kontrollojnë vendin për përfitimet e tyre.
Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje që shqiptarët të betohen për të çliruar vendin nga këta “pengmarrës” dhe për të shpallur mafian shqiptare dhe ndërkombëtare “non grata”, ku ka theksuar nevojën për sakrificë dhe përkushtim për një Shqipëri të lirë dhe të integruar në Europë.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme, ju misionarëve dhe misionareve të kauzës së drejtës të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt, oratorëve guximtar që nga platformë e fjalës së lirë përcjellin tek shqiptarët të vërtetat e këtij regjimi shkatërrimtar mbi Shqipërinë.
Të dashur miq!
Sot është një ditë e veçantë në kalendarin botëror. Sot është dita e demokracisë, por për çdo shqiptar që don lirinë kjo është një ditë e trishtë, e zymtë.
Kjo ditë rikujton shqiptarët, vargjet e Aligerit; që thoshte se nuk ka dhimbje më të madhe se të kujtosh kohën e lumtur në zi, në kohë të keqe.
Nuk ka dhimbje më të madhe për ne sa të kujtojmë ditën e demokracisë sot, dhe në diktaturën e aleancës me krimin drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve dhe në diktaturën, të cilën Huntington e ka shpallur formën më të keqe të diktaturave, mobokracinë apo diktaturën e bandave.
Ne sot nderojmë ditën e demokracisë në një kohë kur në Shqipëri shteti ligjor është zëvendësuar me narkoshtetin.
Kur zbatimi i ligjeve në këtë vend në këtë vend, është katër kate më poshtë se në vendin e diktaturës komuniste në Vietnam.
Ne nderojmë sot këtë ditë në një kohë kur regjimi i bandave, drogës, ka vendosur në kontroll të plotë vullnetin politik të shqiptarëve, ka konfiskuar votën e lirë, shndërron në procesin e farsës elektorale, votën në krim dhe krimin në votë.
Asnjë vend tjetër në Europë nuk janë si Shqipëria, vend peng, peng i mafias mizore shqiptare dhe mafias ndërkombëtare.
Shqipëria pra është një diktaturë e bandave, por është njëkohësisht një vend i marrë këmbë e krye peng nga mafia shqiptare e ndërkombëtare.
Shqiptarët kanë humbur votën dhe pa votë nuk ka shtet ligjor.
Pa votë të lirë nuk ka liri dhe të drejta njerëzore.
Pa votë të lirë shpresa zbehet dhe shuhet.
Pa votë të lirë ecet drejt errësirës.
Pa votë të lirë ecet drejt të shkuarës.
Pa votë të lirë ecet drejt rrënimit.
Këta jemi ne sot.
Dita e demokracisë e gjen Shqipërinë me media të skllavëruara, media të pushtuara nga narkoshteti. E gjen Shqipërinë me një censurë që e ka njohur vetëm në diktaturën më të zezë komuniste.
E gjen Shqipërinë me gjithë përpjekjen guximtare të gazetareve e gazetarëve trima, përsëri linjat editoriale diktohen të gjitha nga zyra e zezë e Edi Ramës.
Në Shqipëri, njëlloj si dikur në diktaturë mediat hapin lajmet dhe faqet e tyre me të njëjtin titull siç e dikton zyra e kreut të krimit.
Në Shqipëri, mediat bëhen ortake në shpalljen e dështimeve, sukses që bën qeveria dhe akoma më keq në shpalljen e grabitjes dhe konfiskimit të votës, në fitore të qeverisë.
Dita e demokracisë e gjen Shqipërinë një vend pa drejtësi, një vend me drejtësi të munguar, një vend me drejtësinë në kontroll të plotë.
Shqiptari sot është i vetmi qytetar në botë, si në asnjë shtet tjetër të çfarëdo forme qoftë, që duhet të presë mbi 14 vite për një çështje civile.
Që duhet të presë mbi 10 vite për një çështje penale. Por Shqipëria është i vetmi vendi i planetit ku krimi elektoral, monstruoz nuk ndëshkohet, por bëhet mburojë e dhunimit masiv të zgjedhjeve nga këta kriminelë elektoral.
Dumanët, Krajat këta armiq të egër të opozitës dhe demokracisë sillen njëlloj si paraardhësit e tyre në diktaturës.
Skrapi kjo organizatë kriminale është bërë mburojë e krimit elektoral, me qëllimin e vetëm që të sigurojë vazhdimin e pushtetit të krimit.
Shqipëria është një vend pa drejtësi dhe me një drejtësi të kontrolluar.
Sot tre drejtuesit kryesorë të opozitës janë të burgosur ose në procese politike, sepse kriminelët e Skrapit të partisë zbatojnë urdhrat politikë të Edi Ramës, i cili nuk mund të fitojë kurrë ndryshe, por vetëm duke burgosur kundërshtarët e tij politik.
Pra Shqipëria, sot në ditën e demokracisë është vendi i burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, është vendi i mburojës kriminale të dhunuesve të zgjedhjeve dhe krimit elektoral.
Shqipëria është vendi ku prokurorët politik, ushqehen si shushunja me paratë e vrasjeve që u mbyllin dosjet, me paratë e kriminelëve që transportojnë tonelatat e kokainës, me paratë e plaçkitësve.
Nuk ka kriminelë më të mëdhenj kund, se sa sot në Skrapin e partisë, të cilët sillen si terroristë të vërtetë ndaj demokratëve.
Të cilët thërrasin demokratët dhe u thonë se të bëjnë këtë dhe atë.
O faqezi o kriminelë, fatin e Aranit Çelës do të keni dhe ju.
Hiena që lëpini dhe përtypni krimet, vrasësit, pagatorët tuaj, do të përgjigjeni një ditë për të gjitha këto.
Shqipëria në ditën e demokracisë është vendi i marrë peng nga krimi, nga balojzët e drogës, nga ministrat, Edi Rama këta kriminelë që nuk kanë interes tjetër përveç pushtetit dhe pasurimit të tyre.
Në këtë vend ligji nuk ekziston.
Në këtë vend kushtetuta është një letër pa vlerë.
Në këtë vend me urdhër të Edi Ramës, lirohen vrasës, çlirohen nga krimet e tyre makabre.
Në këtë vend vidhet ditën për drekë në paratë e qytetarëve, dhjetëra, qindra, por ndodh dhe miliarda euro.
Pasuritë publike, grabiten, plaçkiten nga soji dhe sorollopi i Edi Ramës dhe ministrave të tij
Miq!
Ajo që i ka ndodhur Shqipërisë, rrallë, shumë rrallë mund të ketë ndodhur në historinë e njerëzimit.
Mafia shqiptare, ndërkombëtare ka marrë peng këtë vend, ndaj çdo demokrat dhe demokrate këtë ditë duhet të betohet për çlirimin e saj, duhet të betohemi të gatshëm për çdo sakrificë.
Duhet të betohemi të nxjerrim Shqipërinë nga kthetrat e pengmarrësve të saj, vendas dhe të huaj, cilido qofshin ata. Ata që marrin peng një vend, janë armiq të tij.
Ky vend është vendi dhe duhet të jetë vendi i shqiptarëve të lirë, i shqiptarëve që e duan, që ndjehen krenarë, i shqiptarëve të cilët janë të vendosur ta integrojnë atë në familjen e madhe evropiane.
Në këtë vend mafia shqiptare ndërkombëtare duhet të shpallet ‘non grata’ sa më parë.
Ndaj dhe sot në nderim të kësaj dite që i mungon Shqipërisë, por që idealja është e gjallë në shpirt dhe zemrat tuaja, si shpresa e fundit e shqiptarëve.
Ftoj qytetaret dhe qytetarët të dalim në shesh betejë me guxim dhe sakrifica të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së opozitës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!