Berisha: Edi Rama e dinte se ora e betejës vendimtare po afronte, prandaj zgjodhi dënimin me burg të Ervin Salianjit!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA TUBIMI QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’

EKSTRAKT

Gjatë fjalimit në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’, kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha ka bërë një  deklaratë e fortë ndaj qeverisë së Edi Ramës dhe ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Berisha ka shprehur përkrahjen e tij për Ervin Salianjin, duke e përshkruar atë si një qytetar të burgosur padrejtësisht në Europë, sepse guxoi të denoncojë krimin e organizuar, konkretisht vëllain e Xhafës, Geron Xhafën. Sipas Berishës, ky rast tregon për lidhjet e ngushta të qeverisë me trafikun e drogës dhe përpjekjet për të shtypur opozitën, duke krahasuar Edi Ramën me babanë e tij, Kristaq Ramën, për aktet e dhunës politike.

Kryedemokrati, Sali Berisha e paraqet këtë situatë si një përpjekje për të shkatërruar opozitën dhe lirinë politike në vend, duke e cilësuar qeverinë si një regjim diktatorial që ndjek shembullin e të kaluarës komuniste.

Berisha ka akuzuar me tone të ashpra qeverinë e Edi Ramës për arrestimin dhe burgosjen e Ervin Salianjit, duke e cilësuar si një akt kriminal që synon të zhdukë opozitën dhe ta kthejë Shqipërinë në një parajsë për krimin e organizuar. Ai e përshkruan këtë veprim si një përpjekje të qeverisë për të siguruar mandatin e katërt në pushtet, përmes persekutimit të kundërshtarëve politikë.

Lideri opozitar e krahason Ramën me diktatorë të vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, duke e quajtur “bastard i xhelatëve bllokmenë” dhe një “narkodiktator.” Berisha ka kritikuar kohën e arrestimit të Salianjit, ve cila ka ndodhur vetëm dy javë para çeljes së negociatave me BE-në, duke sugjeruar se kjo është një lëvizje për të treguar se negociatat po hapen me një regjim autoritar.

Berisha thekson se Rama dhe qeveria e tij po veprojnë në mënyrë të paligjshme dhe të pamëshirshme për të mbajtur pushtetin e tyre.

Lideri historik i PD, Sali Berisha ka folur është drejtuar me tone të ashpra kryeminsitrit Rama për përdorimin e burgosjes së Ervin Salianjit si një taktikë për të penguar opozitën dhe për të mbrojtur interesat kriminale të qeverisë. Sipas Berishës, Rama e dinte që opozita po përgatitej për një betejë të vendimtare kundër tij, që synonte krijimin e një qeverie teknike dhe rotacionin e pushtetit për zgjedhje të lira. Kjo betejë, sipas tij, është e pandalshme dhe pa kthim pas.

Berisha tha se, Salianji u burgos sepse kishte zbuluar lidhjet e shtetit me krimin e organizuar, përfshirë rolin e vëllezërve të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës në trafikun e drogës dhe lojërat e fatit. Kryetari i PD, Sali Berisha shton se këto interesa kriminale kishin më shumë ndikim në politikë dhe ligj sesa interesat e qytetarëve, duke sunduar mbi parlamentin dhe ligjin.

Berisha ka bërë thirrje për mobilizim të fuqishëm të opozitës dhe të gjithë shqiptarëve kundër regjimit të Edi Ramës. Ai e cilëson fillimin e protestave të opozitës në tetor si momentin e fillimit të fundit për narkoregjimin dhe si fillimin e fitores së opozitës së vërtetë. Berisha përqendrohet te nevoja për të luftuar kundër krimit, drogës, vjedhjes dhe manipulimeve elektorale, duke i përshkruar këto si sfidat kryesore të Shqipërisë sot.

Ai e thekson rëndësinë e një beteje për qeverinë teknike dhe për të mbrojtur dinjitetin e çdo qytetari të ndershëm.

Me tone entuziaste, Berisha ka ftuar qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në betejën për fitore, duke i cilësuar ata si heronjtë e së ardhmes.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe pëshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufijshme, ju guximtareve dhe guximtarëve, qëndrestarëve dhe qëndrestareve të lirisë, dinjiteti, shpresës dhe fitores së shqiptarëve.

Një mirënjohje të pakufijshme oratorëve që me fjalën e tyre përcjellin në zemrat dhe mendjet e qytetarëve shqiptarë të vërtetat që censuron narko-regjimi i Edi Ramës.

Një përshëndetje të përzemërt t’i dërgojmë ne deputetit, n/kryetarit të grupit parlamentar, Ervin Salianjit. Që është sot qytetari i vetëm i Europës i burgosur, sepse guxoi të denoncojë vëllain trafikant të kriminelit Fatmir Xhafa, Geron Xhafën, i cili në vend të burgjeve për të cilat kërkohej si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë, drejtonte nga Vlora nën mbrojtjen e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafës trafiqë droge dhe trafiqe të tjera kriminale.

Ky akt dëshmon edhe njëherë, se Edi Rama është bir besnik i xhelatit Kristaq Rama, dhe se Edi Rama do një Shqipëri pa opozitë, njëlloj si i ati që si xhelat firmoste ekzekutime dhe varje të kundërshtarëve politikë.

Të dashur miq, burgosja  e n/kryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji nuk erdhi në këtë regjim si rrufe në qiell të hapur. Jo, erdhi përkundrazi, si një akt kriminal i shëmtuar i përpjekjeve makabre të mafies shqiptare e ndërkombëtare për një Shqipëri pa opozitë, për nëj Shqipëri parajsë të krimit, për një Shqipëri të zbrazur nga shqiptarët.

Të dashur miq, regjimi i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë mandatin e 4-t për herë të parë në historinë e pluralizmit, duke burgosur, persekutuar drejtuesin e opozitës, sepse përndryshe Edi Rama dhe organizata kriminale që i drejton e ka të qartë se nuk mund të marrë kurrë mandat të ri.

E ka të qartë se për krimet që ka kryer ndaj shqiptarëve, për vjedhjet e tij që rrokin qiellin, për gjenocidin që ka kryer kundër shqiptarëve ai do dënohet me veprat më të rënda penale.

Bastardi i xhelatëve bllokmenë, i kthyer në narkodiktator arreston, burgos kundërshtarët politikë vetëm dy javë para çeljes së negociatave në BE, për t’i dëshmuar kështu shqiptarëve dhe europianëve se negociatat po çelen me Lukashenkon e Bjellorusisë, me diktatorin e Taxhikistanit, me diktatorin e Turkmenistanit, i cili nuk ka normë, nuk ka ligj që respekton përveç urrejtjes atërore ndaj opozitës, mbajtjes më çdo kusht të pushtetit të tij.

Opozita sot është në këmbë. Opozita sot është më e fuqishme, më e vendosur se kurrë për t’i dhënë përgjigjen që meriton Edi Rama.

Miqtë e mi, Edi Rama e dinte se ora e betejës vendimtare po afronte. E dinte se opozita kishte vendosur të ngrihej në një betejë vendimtare, në një betejë pa kthim, në një betejë të pandalshme për krijimin e qeverisë teknike, për zgjedhje të lira, rotacionin e pushtetit, fitoren e opozitës.

Pikërisht në këtë moment ai zgjodhi dënimin me burg të Ervin Salianjit, sepse provoi lidhjet e shtetit me drogën, lidhjet e Edi Ramës dhe të Fatmir Xhafës, Olsi Ramës me Gerondin që drejtonte traafiqet dhe lojërat e fatit nga Vlora, dhe që mbanin për Olsin dhe Gerondin vëllezërit kriminelë në pushtet 8 muaj pa votuar ligjin për lojërat e fatit.

Sepse, jo interesat e qytetarëve, por interesat kriminale të vëllezërve të tyre sundonin mbi parlamentin, mbi ligjin.

Të dashur miq, fillimi i protestave të opozitës në ditët e para të tetorit është fillimi i fundit të narkoregjimit, është fillimi i fitores të opozitës së vërtetë mbi regjimin antishqiptar të krimit, drogës dhe vjedhjes së qytetarëve.

Me këtë rast ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, iu bëj thirrje të gjithë opozitarëve të bashkohemi në këtë betejë. Beteja për qeverinë teknike, beteja kundër terrorit dhe dhunës ndaj opozitës.

Është betejë për dinjitetin e çdo shqiptari të ndershëm. Është betejë për interesin kombëtar të shqiptarëve, betejë për interesin e Shqipërisë.

Shqipëria me burgje politike.

Shqipëria me të burgosur politikë.

Shqipëria me farsë elektorale.

Shqipëria me drejtësi të kontrolluar nga diktatori.

Shqipëria e qytetarëve të plaçkitur gjer në palcë nga regjimi. Shqipëria e kodeve mafioze.

Është Shqipëri jo e shqiptarëve. Është Shqipëria, jo vend i bekuar i tyre, por vend i mallkuar i tyre.

Ndaj kush e ndien veten shqiptar të bashkohemi me guxim. Guximtare dhe guximtarë është koha juaj, është ora juaj, është ora e fitores, e shqiptarëve.

Ndaj dhe ke të ngrihemi ne si viganë, le t’i dëshmojmë Europës dhe mbarë botës se para se të votojmë me duart tona, do të votojmë me gjokset tona, do të votojmë me këmbët tona, do të votojmë me guximin tonë, do të votojmë me triumfin tonë, do të votojmë me fitoren tonë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale