KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë konferencës për mediat të mbajtur gjatë ditës së sotme, ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës, duke e akuzuar për përdorimin e lejeve të ndërtimit si mjet për blerje votash në zgjedhjet e 11 majit 2025, të cilat ai i cilësoi si një ‘farsë elektorale kriminale dhe antikushtetuese’. Berisha deklaroi se gjatë periudhës zgjedhore janë dhënë 450 leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin, me përfitues kryesorë bandat e lidhura me narkotrafikun, të cilat, sipas tij, po kontrollojnë territorin dhe ekonominë e vendit përmes kartelit të ashtuquajtur ‘Troplinët’.
Nga selia blu, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama, se shpërbleu në mënyrë të paligjshme kartelin Troplini për blerjen e votave. Në konferencën me gazetarët, Berisha tha se Rama i dha kartelit Troplini, 40 mijë metër katrorë tokë publike për ndërtimin e kullave te stadiumi i Durrësit. Sipas kreut të PD-së, një vendim i tillë është komplet i paligjshëm, pasi ligji parashikon që tjetërsimi i pronësisë nga publiku te privati, kërkon 3/5 të votave në Këshillin Bashkiak.
Gjatë konferencës me median, lideri i opozitës, Sali Berisha vijoi me denoncimet ndaj bandave dhe klaneve mafioze, që u shpërblyen nga Edi Rama me leje ndërtimi, për vjedhjen dhe blerjen e zgjedhjeve të 11 majit. ‘Altin Hajri, famoz, vrasës brutal, një njeri, pronar lokali në të cilin u nda në copa trupi i Jan Prengës, gjoja në kërkim, merr pjesë aktive në fushatën elektorale dhe kërcënon demokratët. Altin Hajri është shpërblyer nga Edi Rama me datën 26 mars me leje ndërtimi pallat 21 kate, 18 mbi tokë, 3 nën tokë’, theksoi Berisha gjatë konferencës për mediat në selinë blu.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, akuzoi sërish kryeministrin Edi Rama për lidhje me kartele droge dhe organizata terroriste përmes projekteve ndërtimore në jug të vendit. Ai tha se leje për një kompleks hotelerie në Palasë iu dha kompanisë ‘Valona Konstruksion’, që përfaqësohet nga Besnik Lulaj, i lidhur sipas tij me kartelin Sinaloa të Meksikës. Berisha deklaroi se Edi Rama i ka pritur personalisht këta individë në zyrë dhe u ka dhënë licenca për kazino dhe hotel me 5 yje. Ai përmendi gjithashtu ndërtimet në Vlorë nga kompania ‘Feniks Konstruksion’, themeluar nga familjarë të Roland Shytit, pjesëtar i organizatës terroriste ‘Hakmarrja për Drejtësi’.
Sipas kryedemokratit, emri i të birit të Shytit, Jaho, është përdorur me datëlindje të falsifikuar për të maskuar përfshirjen e babait të dënuar. Ai theksoi se kompania tjetër partnere, ‘Blue Horizont’, drejtohet nga një sanitare pa përvojë, ndërsa pas saj fshihet emri i Agron Kapllanajt. Berisha akuzoi Olsi Ramën si financues të këtyre investimeve. Ai tha se me ardhjen e Ramës në pushtet, kriminelët janë kthyer në vend dhe kanë hapur biznese. Po ashtu, përmendi dhe kompaninë ‘Agrocon’ në Lushnje, që sipas tij është shitur për një shumë simbolike për t’u kthyer më pas në investitor strategjik. Berisha e quajti këtë një rrjet kriminal të lidhur drejtpërdrejt me qeverinë dhe me pastrim parash.
Gjatë fjalës së tij, lideri i opozitës Sali Berisha, ka deklaruar se ndërtimet masive që po shfaqen çdo ditë në qytetet shqiptare, e veçanërisht në Tiranë, janë ngritur mbi bazat e drogës, krimit të organizuar dhe vjedhjes së votës së qytetarëve shqiptarë. Në një denoncim të drejtpërdrejtë me emra konkretë dhe kompani të përfshira, Berisha hedh dritë mbi një sërë lejesh ndërtimi të dhëna nga qeveria, të cilat janë në pronësi ose kontroll të individëve me të kaluar kriminale, të dënuar për trafik ndërkombëtar droge apo të lidhur me struktura të korruptuara të administratës publike. Ai akuzon Edi Ramën dhe zyrtarë të tjerë të lartë si përgjegjës për këtë ‘narkotizim total të ekonomisë shqiptare’ dhe për përdorimin e ndërtimit si mjet për pastrimin e parave të pista.
Kreu i Partisë Demokratike u shpreh në konferencën e sotme se ‘të besosh që Altin Troplini të veprojë kundër Ramës dhe anturazhit të tij, do të thotë të mashtrosh veten tënde’. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor, duke e cilësuar atë si një provë të qartë të kapjes politike të drejtësisë. Sipas Berishës, gjyqtarët që morën këtë vendim nuk kanë asnjë lidhje me ligjin dhe drejtësinë, por janë në shërbim të plotë të qeverisë dhe të farsës zgjedhore që është më e shëmtuara në historinë e vendit.
‘Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha betejat që shqiptarët të votojnë të lirë. Ky vendim është dëshmi e nënshtrimit total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk njohin dhe nuk respektojnë. Ata mbrojnë qeverinë, mbrojnë farsën zgjedhore dhe bëhen pjesë e saj. Kjo është e vërteta,’ deklaroi kreu i PD-së, Saku Berisha.
Gjatë konferencës, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si përgjegjësin kryesor të asaj që e cilësoi ‘vjedhja e shekullit’, aferën e djegësit. Ai tha se prokurori Altin Dumani nuk e heton Veliajn për shkak të urdhrave të Edi Ramës. Berisha përmendi edhe aferën ‘5D’, duke treguar për përfshirjen e Olsi Ramës në projektin e një hoteli 20-katësh. Sipas tij, Veliaj është i paprekshëm nga drejtësia për shkak të lidhjeve politike. Ai kritikoi rëndë mënyrën e trajtimit të Veliajt në paraburgim, duke e quajtur shkelje të të drejtave të njeriut.
Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së, Sali Berisha i bëri thirrje Avokates së Popullit që të hetojë menjëherë këtë çështje. Ai krahasoi Dumanin me prokurorët e diktaturës, për mënyrën si po sillet ndaj opozitarëve. Sipas tij, ndalimi i komunikimeve ndaj Veliajt është i jashtëligjshëm dhe i papranueshëm. Berisha shtoi se statuse të rreme janë përdorur për të justifikuar masa ndëshkuese. Ai me tej u shpreh se drejtësia nuk mund të përdoret si mjet për hakmarrje politike.
FJALA E PLOTE:

Degradimi i zgjedhjeve në farsë elektorale me 11 maj 2025, ishte një nga aktet më të shëmtuara, më kriminale, më antikushtetuese.
Edi Rama përdori të gjithë fuqinë ekzekutive për të ndikuar në të gjitha mënyrat për denatyrimin, shkatërrimin, shndërrimin në farsë të procesit zgjedhor.
Sot kam zgjedhur të paraqes para jush disa nga qindra e qindra leje ndërtimi për dhjetëra milionë metër katrorë tokë sipërfaqe ndërtimi të dhënë gjatë fushatës elektorale.
Natyrisht siç do ta shihni ju, përfituesit më kryesorë do të ishin kartelet e narkoshtetit. Ato të cilat sundojnë mbi ligjin, qeverinë, territorin dhe gjithçka në këtë vend.
Lejet e krimit elektoral:
Edi Rama bleu vota me 450 leje për bandat e narkotrafikut, në periudhën këto të ndaluar me ligj që mund të jepeshin.
Nga prilli 2024 deri në maj 2025 janë dhënë mbi 1 mijë leje ndërtimi.
450 prej tyre gjatë periudhës zgjedhore.
Këtu nuk përfshihen mijëra e mijëra leje të dhëna për shtesa, rikonstruksione, etj, në mbarë Shqipërinë nga bashkitë e vendit.
Këtu përfshihen vetëm lejet që ka firmosur Adelajda Rroko, famozja, që është motra e dy lejtnantëve kryesore të kartelit Çela, vëllezërit Rroko, dhe që është faktikisht drejtoresha e planifikimit, e urbanistikës të Shqipërisë dhe firma mbi të është firma e Edi Ramës.
Tani, përgjatë vitit numri i lejeve të ndërtimit ka variuar nga 29-25 në muaj, por në dhjetor 2024-mars 2025 ato janë dyfishuar me 60 leje ndërtimi.
Në Durrës, të gjitha kompanitë kanë vetë një nipt, të regjistruar në zonën e Xhafzotajt, pra në kryeqytetin e Troplinëve. Duket qartë tendenca për të pasur sa më afër portin e Durrësit.
Kompanitë e ndërtimit të Elvis Doçit, Xhevdet Troplinit, Hysni Doçit, Eldemar Construction kontrollohet nga Visi i Pojës.
Me 24 dhjetor, imagjinojeni, ditën e Krishtlindjes, të kryesh mëkate edhe atë ditë, nuk ke as Krisht, as Muhamed, por je pa din dhe imam- merr leje ndërtimi për objektin Rock of Kavaja. Projekti është hartuar nga një studio kroate dhe në Shqipëri ka përfaqësues një mik të famozit Dorian Duçka. Administratori i Eldemar, Gëzim Hasa, një ish-polic i arrestuar për trafik kokaine në Itali së bashku me Denis Hasën, edhe ky përfaqësues në vitin 2010 i Eldemar.
Me 11 maj të vitit 2025, Elvis Doçi- se i kishte ardhur urdhri i arrestit, por Altin Troplini e mbante në xhep dhe i thotë shit dhe mbathja- me datën 11 maj, Elvis Doçi kalon në pronësi të Ceofarmën, me pronar Nadir Çausholli, 60 përqind të aksioneve të Rock of Kavaja. 6 ditë më vonë, palët paraqiten përsëri para noterit dhe deklarojnë rritje të kapitalit.
Pra, me datën 17, Elvis Doçi që në kohën që Altin Troplini mbante në xhep mandatin ndërkombëtar të arrestit të këtij eksponenti të kartelit më të rrezikshëm në Europë që disponon portin e Durrësit, ai bënte veprime për t’ia kaluar aksionet fiktivisht Nadir Çaushollit, i cili merr përsipër 100 përqind të investimit.
Kjo dëshmon që operacioni URA është dekonspiruar kohë më parë, gjë që ka sjellë kalimin e aseteve kriminale te njëri-tjetri dhe kjo është një aktakuzë e rëndë për Altin Troplinin që mbante në xhep mandatin e arrestit për Elvis Doçin, por që natyrisht e kishte informuar dhe ai po bënte veprimet e fundit para se të kalonte në informalitet.
Kompani mbështetëse e Eldemar dyshohet të jetë një prej kompanive më të mëdha të vezëve, Ovvital. Kjo kompani është në emër të Hysen Doçit dhe ortak me të është edhe Xhevdet Troplini ose Poja. Përgjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e Fatmir Troplinit, djalit të Xhevdet Troplinit, u gjetën tre milionë euro të fshehura që u deklaruan si të ardhura nga Ovvital. Kjo kompani nuk është nën sekuestro fare.
Tani jemi tek ky kartel, i cili është edhe karteli më i fuqishëm në europë, karteli që ka si pronë private portin e Durrësit dhe që shpërndan tonelatat e kokainës nga ai port në mbarë Europën.
Vetëm pak ditë pas këtyre veprimeve ka ndodhur një akt tjetër shpërblimi për kartelin Troplini.
Edi Rama, i cili udhëtoi edhe në Angli dhe u tha se Durrësi do kopjojë klubin e Mançesterit dhe se ka urdhëruar Fondin Shqiptar të Zhvillimit të investojë 65 milionë euro në stadiumin për ta bërë si stadiumin e Mançesterit, çfarë ndodh?
E gjitha kjo aferë, e marrë përsipër nga FSHZH, transferohet tek privati.
Prona publike prej 40 mijë metër katrorë i kalohet privatit, i jepet leje ndërtimi për 5 kulla, njëra prej të cilave 55 katesh, tjetra 31 kate dhe të tjerat edhe ato dhjetëra kate.
Ky tjetërsim i pronës publike, kjo grabitje e pronës publike, është një shpërblim që Edi Rama i bën përsëri klanit Troplini.
Sipas të gjithë treguesve, pas kësaj afere apo tani Niko Dovana dhe kompleksi që ndërtohet përreth është transferuar nga Hasanbelliu, që e ka pasur prej shumë e shumë vitesh klubin dhe kompleksin, është transferuar tek Fatmir Troplini, djali i Xhevdet Troplinit thuhet se është ky.
38 mijë metër katrorë tokë shpërblehet për votat që mbliodhi në Durrës dhe zonat e tjera për Arkend Ballën, Drazhin dhe përfaqësues të tjerë të botës së krimit në parlament.
Vendim komplet i paligjshëm sepse ligji i vendit parashikon që tjetërsimi i pronësisë nga publiku tek privati kërkon 3/5 të votave në Këshillin Bashkiak.
Pra kërkonte 31 vota në Këshillin Bashkiak të Durrësit, ndërkohë që për këtë vendim kanë votuar gjithsej 27 këshilltarë.
Dhe prefekti, natyrisht që ka tagrin dhe detyrimin ligjor të prishjes së vendimit, bën sikur nuk ka ndodhur gjë.
Pra, shpërblimi më i madh siç e shihni ju, përfituesit më të mëdhenj u bënë karteli më i fuqishëm në Europë, karteli Troplini.
Jo vetëm ai. Altin Hajri, famoz, vrasës brutal, një njeri, pronar lokali në të cilin u nda në copa trupi i Jan Prengës, gjoja në kërkim, merr pjesë aktive në fushatën elektorale dhe kërcënon demokratët.
Ky vrasës i shpërfytyruar thuhet se ka paguar për të shmangur akuzën për vrasjen në fillim gjer në 700 mijë euro dhe është lakuar emri i Altin Dumanit.
Por ky është i lirë që nga ajo ditë, gjoja në kërkim.
Altin Hajri është shpërblyer nga Edi Rama me datën 26 mars me leje ndërtimi pallat 21 kate, 18 mbi tokë, 3 nën tokë.
Bashkia e Durrësit, subjekti zhvillues shoqëria Pjeza 2022, Valentina Hajri, bashkëshortja e Altin Hajrit, një nga kapobandat e Shijakut. Hajri është në kërkim nga SPAK për pjesëmarrje në disa ngjarje kriminale, që nga trafiku i drogës, pengmarrje, vrasje, ndërhyrje në zgjedhje.
Altin Hajri është autori i vendosjes në lisë të sigurt të Jurgen Çyrbjes në vitin 2021.
Dhe e bukura është se Çyrbja, që e mbronte, i kërkonte ku po e kërkon policia, është në burg, kurse Altini është i lirë dhe merr leje për të ndërtuar pallat 21 katësh, për të larë paratë e drogës sigurisht.
Tani na del aksioner, ç’është e vërteta, ka qenë pronar kryesor. Dhe asgjë e tij nuk është konfiskuar. Golden në asnjë mënyrë, pavarësisht se aty doli njeriu i prerë copa, por Golden vazhdon aktivitetin sepse Altin Hajri është i paprekshëm.
Tjetër. Saimir Tusha, ky është blerës votash për famozin Drazhi. Leje ndërtimi për objekt me funksion banimi, disa pallate, gjer 5 kate mbi tokë dhe 2 kate nën tokë. Gjithnjë Durrësi domeni i tyre. Saimir Tusha është i dënuar për trafik droge. I është sekuestruar pasuria prej 2 milionë euro në vitin 2018. Në vitin 2011 është denoncuar nga PD, zonja Albana Vokshi, si blerës votash për mazhorancën. Në fushatën e 11 majit dyshohet se ka punuar për kandidatin e PS, Drazhi. Tusha rezulton pronar me 100 përqind të kapitalit dhe në shoqërinë Saeli Konstruksion.
Prandaj ta kenë të qartë qytetarët sepse Adelajda e dy lejtantëve të Suel Çelës është drejtoresha e përgjithshme e agjencisë së urbanistikës në Shqipëri sepse të gjitha klanet e drogës kanë vetëm një lavatriçe të pakufishme dhe ky është ndërtimi në Shqipëri. Kjo është arsyeja se pse Shqipëria e ka treguesin e ndërtimit tre herë më të lartë se BE.
Kompania guaskë e Arjen Ormenajt ka marrë leje zhvillimi për objekt mix prej 37 kate në bulevardin e ri në Tiranë me subjekt zhvillues Ylla Sula. Sipas informacioneve, pas këtij emri dyshohet se qëndron Arian Ormenaj, njeriu i akuzuar se pastron paratë e grupit Çopja të Elbasanit dhe Darit të Dubait. Yllka Sulaj pasi merr dhuratë nga një prej ortakëve italianë në Shqipëri, 14 përqind të aksioneve ia dhuron Arjen Ormenajt. Megjithëse selia e shoqërisë ishte në Tiranë, palët kanë preferuar të lidhin kontratën në Elbasan. Se aty ishte gjykatëse Fetahu, aty ishte prokurore Enkelejda Fetahu, aty ishin famëzinjtë prokurorë dhe gjykatës që ishin si motër dhe vëllezër binjakë me vrasësit dhe bandën e kartelit të Suel Çelës.
Pas kësaj, Yllka Sula bëhet ortake në kompaninë 55CA me ortak Julian Çuku. Yllka Sula rezulton aksionere ose ortake e vetme në 7 kompani ndërtimi, të gjitha me kapitale të papërfillshme. Dëgjojeni ju, superkontruktoren. Keni ju një imagjinatë të tillë? Ylli i ndërtimit në Europë shpallet Yllka me 7 kompani ndërtimi. Të gjitha me kapitale mafioze.
Vazhdojmë.
Leje ndërtimi për objekt rezidencial në Dhërmi, zhvillues Janaq Gerco dhe Namik Idrizi. Gerco është ortak me Arian Ormenaj në kompaninë B%J Invest. Aksionet Ormenaj i ka blerë në vitin 2019 nga një investitor durrsak me emrin Bekim Halilaj për 50 mijë lekë. Janaq Gerco është ortak dhe në 4 kompani të tjera ndërtimi, dy prej të cilave rezultojnë të pezulluara. Namik Idrizi nuk rezulton të jetë sipërmarrës i drejtpërdrejtë. Nga hulumtimet, Idrizi rezulton i punësuar si agjent doganor. Në vitin 2016 është arrestuar për kontrabandë të lëndëve drusore drejt Greqisë, bashkë me biznesmenin Agim Pisha. Ky i fundit një vit më pas do arrestohet për tentativë të nxjerrjes së 30 kg heroinë nga porti i Durrësit.
Natyrisht heroinën e ka karteli Çela, i patronuar fuqishëm nga Taulant Balla deri tani së fundmi.
Tjetër, vëllezërit Lulaj. Vëllezërit Sinaloa. Janë vëllezërit Hysa pas vëllezërve Lulaj.
Leje Ndërtimi për objektin: ‘Kompleks rezidencial dhe hoteleri me 1-5 kat mbi tokë dhe 1-3 kat nën tokë’, me vendndodhje në Palasë, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Valona Konstruksion’ sh.p.k.
Besnik Lulaj është përfaqësuesi i Luftim Hysës dhe vëllait të tij që sot kryesojnë kartelin Sinaloa të Meksikës, kartelin më të fuqishëm në botë, të cilët Edi Rama i priti në zyrë dhe u dha licencë për hotel me 5 yje dhe kazino.
Si anëtarë të këshillit mbikëqyrës së kompanisë Entertaiment rezultojnë Besnik Lulaj, aksioneri kryesor, Jetmir Shabani, pa të dhëna dhe Mihal Denaj, shofer ekskavatori tek Valona Construktion. Veç Valona Konstruktion, Lulaj është ortak ose aksioner kryesor dhe në 6 kompani të tjera.
Lulaj dikur ka qenë në PD, por pasi mori këtë rrugë, u përqafua me Edi Ramën. Që ta dinë shqiptarët.
Vazhdojmë. Pra, siç e shihni tani vjen karteli tjetër, karteli i cili ka në dosje para të gjithë këtyre aktiviteteve, 28 vrasje, grabitje dhe thyerje bankash.
Karteli i organizatës terroriste ‘Hakmarrja për Drejtësi’. Tani ja ç’bën Edi Rama se thuhet që këtu janë paratë e Olsi Ramës.
Leje ndërtimi për objektin: ‘Godinë banimi dhe shërbime’, me vendndodhje pranë Rrugës së Unazës, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqëritë ‘Blue Horizont 2005’ sh.p.k dhe ‘Feniks Konstruksion’ sh.p.k.
Feniks Konstruktion është kompania ne pronësi të Jaho Shytit dhje Ilir Shytit, djemtë e Roland Shytit, pjesëtar i ‘Hakmarrjes për drejtësi’. Roland Shyti ose ‘Mustaqekuqi’ është i njohur për aktivitetin e tij kriminal. Në vitin 2008, pas 12 vitesh hetime, u dënua me 25 vite burg pasi u shpall i fajshëm për 17 akuza që nga organizatë terroriste, vrasje, grabitje, rrëmbim, etj. Deri në vitin 2013 mendohet se Roland Shyti ka jetuar jashtë vendit, pasi vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë. Por pas ardhjes së Edi Ramës në pushtetit ai kthehet në Shqipëri. Shyti është përfolur dhe për lidhjet e tij direkte me Saimir Tahirin. Roland Shyti hap kompaninë Feniks Konstruktion në emër të djalit të tij Jaho Shyti. Por duket se statusi i tij si person i dënuar nuk e lejonte të ishte person juridik, dhe kështu e regjistron në emër të djalit të tij, Jaho Shyti në atë kohë 18 vjeç, por me datëlindje të falsifikuar. Themeluesi pra Jaho Shyti që është i datëlindjes 29.02.1996 në aktin e themelimit të kompanisë rezulton i datëlindjes 29.02.1969. Vetëm ky fakt do të bënte që ai të skualifikohej nga të gjitha vendimet qeveritare. Ndërsa kompania ‘Blue Horizont’ drejtohet nga një individ i panjohur me emrin Liljana Selimi. Nga hulumtimet tona në lidhje me këtë individ na rezulton se punon si sanitare në kompaninë HYDROSOLAR ENERGY (HSE)e cila ka vetëm dy punëtore, Liljana Selimi në pozicionin e sanitares, dhe Adriatik Kapllanaj, vëllanë e Agron Kapllanajt- i kuptoni ju tani, mentorit të Alibeut, të Enkeledit, shikoni lidhjet me ‘Hakmarrjen për Drejtësi’ ja ku dalin, si administrator dhe pronar i kompanisë. Një shkrirjë mafioze kriminale e paimagjinueshme.
Tjetër. Vëllezërit Shyti Rezultojnë pronarë edhe të pikës më të madhe të grumbullimit në Lushnje të quajtur Agrocon. Kjo kompani e krijuar në dhjetor të vitit 2013 nga shtetasi me emrin Klad Flaga, iu shit shoqërisë Balfin në vitin 2016 për vlerën e 100 mijë lekëve. Vetëm një vit më pas shoqëria Balfin merr statusin e investitorit strategjik me afat 1-vjeçar, për të ndërtuar në një sipërfaqe prej 3000 m2 zhvillimin e objektit ‘magazinim, grumbullim, paketim perimesh të prodhuara nga aktiviteti’.
Vazhdojmë.
Anton Gjinaj: Leje Ndërtimi për objektin: ‘Kompleks rezidencial dhe shërbime tregtare me 24, 26 dhe 28 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë’, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Hein–Invest’ sh.p.k. Administrator dhe ortak i vetëm është Ariola Hysa me numër nipt M22218026P e ditëlindjes 1994. Nuk ka deklarime, as historik biznesi. Pas hulumtimeve tona rezultoi se ëështë ekonomiste tek Alesio2014, me pronar Anton Gjinaj, ose i njohur dhe si Pashuk Gjinaj, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge. Pra, ju e shihni ndërtimi i tërë është në duart e drogës dhe trafikut.
Në vitin 2023, Gjinajt i janë sekuestruar 23 pasuri mes tyre edhe Alesio 2014. Ndërkohë sot e kësaj dite vazhdon aktivitetin e njëjta kompani
Leje ndërtimi për objektin: ‘Godinë banimi dhe shërbimesh 3, 4 dhe 5 kate mbi tokë, me 2 kate parkim nëntokë’, me vendndodhje në rrugën ‘Hamdi Sina’, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘F.Z Construction’ sh.p.k. Tefta Zekaj. Zonja në fjalë është nëna e Fejzo Zekaj, i arrestuar në vitin 2016 në Itali për trafik heroine, ndërsa në vitin 2019 i janë sekuestruar pasuritë që i ka kaluar në emër të nënës së tij dhe bashkëshortes Rida Zekaj, e cila figuron administratore në kompaninë ‘F.Z Construction’. Megjithatë lejet e ndërtimit i firmos Edi Rama dhe Adelajda Rroko.
Leje zhvillimi për objektin: ‘Godinë banimi dhe shërbimesh’, me vendndodhje në zonën e Unazës së Madhe, rruga ‘Teodor Keko’, Bashkia e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Ere Architecture&Construction’ sh.p.k., Etleva Shkoza, specialiste e nivelit të lartë në bashki. Burri i saj është i proceduar për mbajtje dhe përdorim narkotikësh.
Leje zhvillimi për objektin: ‘Niko Coastal Retreat’, struktura rezidenciale dhe hapësira shërbimesh të përbashkëta, me vendndodhje në segmentin e ri të rrugës Palasë-Dhërmi, Bashkia e Himarës, me subjekt zhvillues shoqëritë ‘Niko P&I’ sh.p.k dhe
‘Drimadhë I&I’ sh.p.k. Pamela Bardhaj, anëtare e këshillit bashkiak në Durrës dhe drejtoresha e spitalit në Durrës. Urdhëroni, mjekja me leje ndërtimi në Himarë.
Leje për rishikim të kushteve të lejes gjatë ndërtimit për objektin: ‘Soho Touers’, objekt me funksione komplekse, shërbim, hoteleri dhe rezidencial, me vendndodhje pranë Zogut të Zi, Bashkia Tiranë, me subjekte zhvilluese shoqëritë ‘Eb Construction’ sh.p.k dhe ‘Agroroma 2019’ sh.p.k., Ilir Bregasi, Igli Tare, Soni Agalliu- përgjegjës sektori te drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor.
Leje zhvillimi për objektin: ‘Godinë banimi dhe shërbimi’, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘E.S.E.C’ sh.p.k, Edmond Dako, administrator i 3D e Vangjush Dakos. Eksponent kryesor i mafies së Durrësit, kthetrat e tij edhe në Tiranë.
Leje ndërtimi për objektin: ‘Godinë rezidenciale apart-hotel’, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia Himarë, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Capital B’ sh.p.k. Redjan Basha, administrator dhe ortak tek Abkons me Redion Biba bashkëshorti i Erjola Muka, drejtor i përgjithshëm, Departamenti i Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit me ministre Belinda Balluku.
Leje Ndërtimi për objektin: ‘Dyeus Residence dhe Suits’, me pishinë dhe mur rrethues, me vendndodhje në Dhërmi, Bashkia e Himarës, me subjekt zhvillues shoqërinë ‘Artech Group’ sh.p.k. Arbër Habilaj, specialist në Bashkinë e Tiranës, Lejkë Habilaj, llogaritare RTSH dhe Gjergji Habilaj, avokat. Djali tjetër Geraldo Habilaj, specialist në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Përgjatë vitit të kaluar Habilajt kanë marrë 5 leje ndërtimit, në Tiranë dhe Vlorë. Se ç’lidhje kanë këta me Saje Habilajtn, nuk mund të them.
Pra, siç e shihni, të gjithë ndërtimet, miliona e miliona metër katrorë, u ngritën mbi drogën, krimin dhe grabitjen e votave të shqiptarëve.
Këto janë vetëm një shqyrtim i shkurtar. Por në qoftë se bëhet analiza e 450 lejeve të firmosura nga Edi Rama dhe mëkëmbësja e tij, Adelajda Rroka, ato bëhen të paktën minimumi 12 ton kokainë të lara, 10 ton heroinë dhe dhjetëra tonelata kanabis.
Ato bëjnë të paktën 10 milionë metër katrorë ndërtime dhe territore përreth.
Ato bëjnë pra, de facto narkotizimin e plotë të ekonomisë shqiptare.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi me prova, nxirrni dokumente ku thuhet se, familjarë të personave me precedentë penalë edhe gjatë kohës së fushatës kanë marrë leje ndërtimi. Dhe sipas jush kjo ka sjellë dhe tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve dhe ndërhyrjen e tyre në zgjedhje. Ju do të përgatisni ndoshta një padi ndaj Edi Ramës dhe Adelajda Rokaj për këto leje ndërtimi që kanë dhënë për persona që kanë familjarët e tyre me precedentë penalë.
Sali Berisha: Sigurisht ne do të marrim çdo hap, kombëtar dhe ndërkombëtar, por të besosh se Altin Troplini merr akte dhe vepron kundër Edi Ramës dhe anturazhit të tij të afërm, do të thotë të mashtrosh veten tënde, minimumi. Por ne hapat do i ndërmarrim.
Olta Blaceri, Vizion+: Kolegji zgjedhor rrëzoi sot kërkesën tuaj për të shpallur zgjedhjet e pavlefshme në 3 qarqet e fundit të vendit dhe javën tjetër pritet të shpallet dhe rezultati përfundimtar i 11 majit. Çfarë mund të bëjë PD në këtë situatë, betejë ligjore, ka ngelur më hapësirë …
Sali Berisha: Partia Demokratike do të ndërmarrë të gjitha beteja që shqiptarët të votojnë të lirë. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor është dëshmi e një nënshtrimi të plotë dhe total politik të atyre gjykatësve që vetëm ligjin nuk njohin dhe nuk respektojnë.
Mbrojnë qeverinë, mbrojnë farsën zgjedhore më të shëmtuar në historinë e vendit dhe bëhen pjesë e saj. Kjo është e vërteta.
Loreta Koleci, Zëri: Zhvillimet e fundit në koalicionin ‘Shqipëria Bëhet’ në debatin mes Endri Shabanit dhe Adriatik Lapajt dhe doja të dija mendimin tuaj në lidhje me këtë debat dhe si e parashikoni fatin e tyre politik.
Sali Berisha: Asnjë koment nuk do ti lejoj vetes të bëj, për një debat të brendshëm midis dy eksponentëve të një koalicioni. Mendoj se nuk më takon të komentoj debatin e tyre.
Loreta Koleci, Zëri: Dje Agron Shehaj përsëriti idenë e një kandidati apolitik, të përbashkët për opozitën në zgjedhjet e bashkisë bashkisë së Tiranës, nëse do mbahen. Si qëndroni ju kësaj ideje dhe a jeni gati të diskutoni me parti të tjera të vogla, për të pasur një kandidat të përbashkët apolitik.
Sali Berisha: Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjitha forcat opozitare, por lidhur me kandidaturën ajo do jetë objekt diskutimi.
Loreta Koleci, Zëri: Ju shpreheshit se SPAK po amnistonte Veliajn duke theksuar se, ai duhej hetuar për akuza edhe më të rënda. Ndërkohë pas komunikimit të akuzës ndaj tij, ju shprehet të shqetësuar për kushtet në burg, duke rëndë dakord se çdo i burgosur duhet të trajtohet me dinjitet dhe sipas ligjit. A mendoni ende se Veliaj duhet të hetohet për këto akuza, përtej atyre që i janë komunikuar.
Sali Berisha: Mendoj se Erion Veliaj është përgjegjës dhe fajtor për vjedhjen e shekullit, djegësin e Tiranës, por që Altin Troplini nuk guxon ta hetojë për shkak të Edi Ramës.
Mendoj se afera monstruoze e ‘5D’ e bën Erion Veliajn shumë herë më fajtor dhe më rëndë se sa këto që kemi dëgjuar deri sot, por ajo nuk hetohet për të sepse është thënë se me hotelin më të madh, 20 katësh në qelq që ndërtohet, është bashkëpronar edhe Olsi Rama. Është apo nuk është kjo duhet të jetë objekt diskutimi, por fakti që Veliaj nuk hetohet për të.
Hetohet për ato çështje që dihen.
Tani do të dal tek qëndrimi im.
Erion Veliaj, theksova dje, është i burgosur ordiner. Por i burgosuri i çdo karakteri ka një set të drejtash, detyrimesh, një minimum të cilat duhet ti respektohen. Pra nëse unë bëra fjalë dje, ua them se unë dënoj me forcën më të madhe, me forcën më të madhe. Dhe duhet ta dinë shqiptarët se, pas Edi Ramës, Erion Veliaj është njeriu i ligësive më të mëdha ndaj opozitës. Por prap se prap ne nuk mund të bëhemi si ata. Ne qëndrojmë tek liritë dhe të drejtat themelore.
Në këtë kontekst nëse ti e arreston tjetrin, person nën hetim dhe bën ato akte kafkiane ndaj tij, ti shkel çdo lloj kodi që nuk mund të shkelësh, se je një vend anëtar i Këshillit të Europës, ke firmosur të gjitha konventat kundër torturarev.
Ke firmosur Kartën Europiane të të drejtave të Njeriut, por nëqoftëse i saj, siç thuhet, statuse në Facebook të pashkruara nga ai, vetëm për ti ndërsyer prokurorët në rrafsh personal dhe gjykatësit kundër tij, atëherë ti kryen një krim, ke kryer një krim.
Përveç kësaj, të dhëna të tjera se atë e kanë privuar nga të drejtat ligjore që i takojnë.
Altin Troplini do të hyjë në histori. Mos shifni ju se, sot për sot e lavdërojnë apo i shkojnë apo i vijnë, por ai do hyjë në historinë e këtij vendi si një nga prokurorët më kriminelë, pothuaj të barabartë me prokurorët kriminelë të Enver Hoxhës.
Pse e them unë këtë? Shikoni në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë, ka ekzistuar një nen i trashëguar, i mbartur nga diktatura, ku i jepte prokurorit ti hiqet të pandehurit të drejtën e çdo komunikimi.
Në zbatim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe sinopseve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut të Strasburgut, në vitin 2017 autoritetet shqiptare e kanë hequr atë nen nga Kodi Penal.
Altin Troplini vazhdon ta aplikojë atë nen në mënyrën më kriminale. Dhe kjo ndodh, prore, dhe këtë e ka mbrojtur. Por vendosi dy herë gjykata, u përgjigj ai, kur i thanë, është në rregull.
Dmth sipas këtij, nuk dua ta prish gojën, po vendosi dy herë gjykata mund të shkruajë Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, mund të shkruajë vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe Kushtetutën e vendit.
Shikoni me ç’mercenar të zhveshur nga çdo lloj morali ligjor kemi të bëjmë.
Dhe e njëjta gjë bëhet edhe me Ilir Metën, pse komunikoi me një gazetar. 10 ditë asnjë komunikim, dënimi. Dënim me asnjë komunikim ndaj një njeriu që nuk ka akuzën, akoma.
E njëjta gjë më thonë bëhet ndaj Erion Veliajt.
Unë nuk krahasoj kurrë. Ilir Meta është një i burgosur politik, ky jo. Por nuk mund të ja bësh atë.
Sikundër janë dy statuse në Facebook, të atribuara atij, në të cilat ai me një fjalor kropolalik, sulmon njërin prokuror, paçka se autor kryesor është Altin Troplini aty. Se dy firma janë aty. Olsi Dado dhe Altin Troplini. Por Altini është shefi, nuk është Olsi shefi. Por Edi Ramës i duhej kjo në këtë formë.
Mirëpo pastaj avoketërit, njerëzit e tij kanë dëshmuar në publik se statuset nuk janë shkrojtur kurrë nga Erion Veliaj, por ngjasin shumë me ato shkrimet që bënte Edi Rama me emër të Bledi Manes. Është një gazetar dhe kur Edi Rama donte të shkarkonte të gjithë përroin e tij mizerabël psikik. Përdorte emrin e Bledi Manes dhe vazhdonte e shkruante kundër meje, kundër tij e atij me radhë.
Pra, çfarë kërkoj unë? I kërkoj Avokates së Popullit, të hetojë. Të hetojë këto sepse asnjëra e as tjetra nuk mund të bëhen. Askush nuk mund të publikojë statuse për të dhe askush nuk mund të ja ndalojë komunikimet.
Thuhet e treta, por këtë prap është avokate, thuhet se i dërgohen edhe dokumente të tjera, me të cilat janë gjëra që nuk duhet të bëhen kurrë nga dosja. Dërgohen për ta intimiduar për ta bërë. Por unë besoj se Avokatja e Popullit ka detyrë ta hetojë plotësisht këtë situatë.


