Berisha: Dokumenti sekret i vitit 2013 i Xhorxh Sorosit parashikonte konsolidimin dhe përjetësimin e narkoshtetit të Edi Ramës. Kartelet po përleshen për Ministrinë e Brendshme. Troplinët me Agasin janë për Vlora Hysenin

KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT

EKSTRAKT

Kur ka kaluar 1 javë nga akuzat e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ndaj Xhorxh Sorosit dhe të birit të tij si organizatë kriminale në SHBA, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një konference për mediat, ka hedhur dritë një tjetër kapitull të ndikimit të këtij rrjeti  global në Shqipëri.

Gjatë konferencës, Berisha theksoi se, një dokument sekret i vitit 2013, i përgatitur nga fondacioni i Sorosit në Shqipëri, ‘jo vetëm që parashikonte, por edhe synonte konsolidimin dhe përjetësimin e narkoshtetit të Edi Ramës, një regjim i cili sot dominohet nga lidhje të ngushta me krimin dhe korrupsionin’.

Drejtuesi i opozitës theksoi se Partia Demokratike do të angazhohet maksimalisht për të çuar përpara një proces të ri politik. ‘PD do bëjë gjithçka për desorosizimin e Shqipërisë’, deklaroi ai, duke i bërë thirrje gjithashtu FBI-së ‘të hetojë udhëtimet me çarter të Edi Ramës dhe Aleksandër Sorosit’.  

Duke folur për ankimimin e rezultatit të farsës zgjedhore të 11 majit, kryedemokrati Sali Berisha nënvizoi se opozita shqiptare gjendet përballë një prove të jashtëzakonshme: ‘Opozita ndodhet para frontit më të gjerë dhe më të vështirë të betejës në historinë e saj.’ Ai akuzoi institucionet zgjedhore dhe KQZ-në se që prej 20 marsit ‘kanë marrë çdo vendim në favor të Partisë Socialiste, duke injoruar qindra dokumente për shkelje dhe krime elektorale’. Berisha shtoi se edhe Kolegji Zgjedhor ka vepruar kundër opozitës, duke u treguar ‘i bindur ndaj partisë në pushtet’.

Sipas liderit të demokratëve, Shqipëria është tashmë e kapur nga ndikimi i rrjetit të Sorosit: ‘Shqipëria është kthyer në kopshtin e Sorosit, ndaj opozita duhet të angazhohet për rikthimin e votës së lirë dhe desorosifikimin e vendit.’Në të njëjtën kohë, Berisha u shpreh i inkurajuar nga zhvillimet në SHBA. ‘Është inkurajues fakti që presidenti Donald Trump ka shpallur rrjetin e Sorosit organizatë kriminale dhe ka përcaktuar bazën ligjore për hetimin e tij’, tha kreu i PD, Sali Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse opozita do të marrë një vendim për sesionin e ri parlamentar, Berisha u përgjigj: ‘Patjetër. Forumet do mblidhen gjatë këtyre ditëve dhe do ketë një vendimmarrje para sesionit parlamentar.’

Gjatë konferencës me mediat, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përmendi dhe një përplasje të brendshme në kampin e Partisë Socialiste, në lidhje me kontrollin e Ministrisë së Brendshme. Berisha paralajmëroi se ‘kartelet më të fuqishme po përleshen për të siguruar emërimin e kandidatit të tyre në këtë post kyç’. Sipas kreut të PD, karteli i Troplinëve, së bashku me Engjëll Agasin, po mbështesin kandidaturën e Vlora Hysenit, aktualisht drejtuese e SHISH, Shërbimi Informativ i Shtetit, ish-drejtuese e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e shkarkuar nga Albin Kurti për lidhje të dyshimta me Beogradin. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Elbasanit vazhdojnë të qëndrojnë pas kandidaturës së Taulantit, duke krijuar një klimë tensioni dhe pasigurie.

‘Lufta për këtë pozicion është më shumë se thjesht një çështje personale,’ tha Berisha, duke e cilësuar atë si ‘një betejë për influencë dhe kontroll mbi strukturat e sigurisë dhe policisë në vend’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:

Bëhet një javë plot që presidenti i SHBA, Donald Trump, shpalli Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros, si organizatë kriminale në SHBA, që duhet të hetohen në përputhje me aktin ligjor RICO.

Kjo ngjarje, në pamje të parë, ngjarje e politikës së brendshme të SHBA, por në të vërtetë një ngjarje me rrezatim të fuqishëm botëror sepse rrjeti i Xhorxh Sorosit ka qenë rrjeti më botëror politik gjer sot.

Në rrjetin botëror të Xhorxh Sorosit, fener ndriçues i sorosizmit në Europë ishte dhe u bë Shqipëria e Edi Ramës.

Edi Rama personalisht me vëllanë e tij, me ish-gruan dhe bashkëshorten aktuale, është përfituesi më kryesor material i miliona e miliona parave të këtij fondacioni, i cili ka arritur të grabisë në mënyrë të ndryshme paratë e taksapaguesve amerikanë.

Në vitin 2013, fondacioni i Xhorxh Sorosit në Shqipëri harton një dokument sekret, tani imagjinoni, mafioz ë, në një vend përpilon dokumentin sekret mbi Shqipërinë e ardhshme.

Dokumenti sekret i Xhorxh Sorosit parashikonte:

1-Reformën konstitucionale apo kazmën konstitucionale.

2-Reformën e drejtësisë.

3-Reformën zgjedhore.

Dokumenti sekret i Xhorxh Sorosit parashikonte konsolidimin dhe përjetësimin e narkoshtetit të Edi Ramës, e narkoregjimit të Edi Ramës në Shqipëri.

Ndryshimet kushtetuese, reforma zgjedhore, truri i kësaj reforme përbëhej 100 përqind nga bashkëpunëtorët e fondacionit të Sorosit.

U mobilizuan presione të jashtëzakonshme që një reformë shkatërrimtare për sistemin e drejtësisë t’u imponohej shqiptarëve.

Xhorxh Soros është kryespekulanti i planetit që lobonte në OKB për të ndërprerë luftën kundër drogërave me rezolutë në OKB.

Pra, midis ndërtimit të narkoshtetit në Shqipëri dhe qëndrimeve pajtuese me drogën të Xhorxh Sorosit është një linjë politike e qartë.

Institucionet e Shqipërisë u vunë që të gjitha nën kontroll të drogës dhe narkoshtetit.

Vetëm pak vite më parë, Delina Fico do merrte nga fondacioni apo instituti East-West, 10 milionë euro të taksapaguesve amerikanë.

Edi Rama nuk flet asnjë fjalë.

Edi Rama hesht si fija e barit.

Edi Rama hesht si hija e varrit.

Në qoftë se në rastin McGonigal, deklaroi se ishte krenar me miqësinë me armikun e egër të lirisë dhe vlerave të kombit amerikan, njeriu që si hienë kalonte nga një zyrë në tjetër duke shpifur se presidenti Trump është aset i zbulimeve ruse, ky ishte një mik i shquar për Edi Ramën dhe pavarësisht se Edi Rama i dha atij 225 mijë dollarë me këshilltarin e vet Agron Neza dhe ia dërgoi me Dorian Duçkën, Altin Troplini nuk ka asnjë qëndrim, asnjë hetim për bashkëkriminelin me McGonigalin, Edi Ramën.

Përsëri Edi Rama nuk ndjehet, por ka një moment tjetër që unë prapë do ta shtroj këtu.

Vizitori më i shpeshtë i huaj në Shqipëri gjatë këtyre viteve ka qenë Aleksandër Soros.

Vizitat e tij çdo dy-tre javë tek vëllezërit e tij Rama-Veliaj me avionë të veçantë kanë lënë dyshime të shumta.

Për Edi Ramën është thënë se në 140 fluturimet e tij, ai ka transportuar valixhe diplomatike më shumë se të gjithë qeveritë evropiane në dy vite.

Është thënë se në valixhet diplomatike të Edi Ramës janë transportuar para dhe drogë.

Çfarë është transportuar çdo dy javë me çarterin e Aleks Sorosit?

Unë i bëj thirrje FBI-së të hetojë me hollësi të gjitha udhëtimet e çarterit të Edi Ramës dhe të gjitha udhëtimet e çarterit të Aleks Soros për të kuptuar të gjithë dimensionin e veprimtarisë kriminale të këtyre delinkuentëve ndërkombëtarë.

Garantoj Edi Ramën se PD do bëjë gjithçka për desorosizimin e këtij vendi, për të nxjerrë Shqipërinë nga narkoshtet, republikë e Xhorxh Sorosit, në një republikë të ligjit, qytetarëve të saj.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET

Marsi Korreshi, SYRI TV: Keni vendosur që të ankimoni në Kolegj zgjedhor certifikimin e zgjedhjeve të 11 majit. Sa besim keni për një vendimmarrje të Kolegjit kur Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve dhe të gjitha hallkat i kanë rrëzuar të gjitha kërkesat dhe pretendimet tuaja për farsë zgjedhore dhe tashmë që jeni zyrtarisht në vjeshtë me 1 shtator dhe me 12 shtator do të kemi Kuvendin e ri, pas dalljes dhe të qeverisë së re me 11 shtator nga Asambleja e PS. Çfarë do të bëjë konkretisht opozita si betejë e saj, për atë që e cilësoni si farsë zgjedhore. Do të jetë 12 shtatori një betejë e opozitës në Kuvend.

Sali Berisha: Pyetja është shumë e drejtë.

Siç keni konstatuar ju, nga data 20 mars gjer sot, çdo vendim i institucioneve të administrimit të zgjedhjeve është marrë në favor të PS.

Nga 20 marsi gjer sot, të gjitha shkeljet e mëdha të ligjit, të gjitha krimet elektorale janë injoruar totalisht me gjithë qindra e mijëra dokumente zyrtare, janë injoruar nga narkopolicia, janë injoruar nga institucionet e shqyrtimit të ankesave, KQZ-ja, janë injoruar tërësisht nga Altin Troplini. Të gjitha.

Çdo vendim i atij që quhet Kolegj Zgjedhor ka qenë kundër opozitës.

Megjithatë, thjesht dhe strikt për procedurë, ne kemi paraqitur rastet në Kolegj, të bindur se ai do i qëndrojë me besnikëri të madhe partisë shtet.

Opozita ndodhet para frontit më të gjerë dhe më të vështirë të betejës në tërë ekzistencën e saj.

Ajo duhet të bëjë çdo përpjekje për rikthimin e votës së lirë tek shqiptarët dhe desorosifikimin e Shqipërisë.

Nuk ka vend tjetër në Europë dhe në botë që të jetë shndërruar në kopshtin e Sorosit si Shqipëri.

Prandaj një front i dytë, por kësaj here ne jemi të inkurajuar dhe vlerësojmë faktin se për herë të parë në histori, presidenti Donald Trump i shpall këta persona dhe rrjetin e tij organizatë kriminale.

Dhe ka përcaktuar edhe aktin ligjor mbi të cilin ata do të hetohen.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Sa i takon aksionit opozitar në vjeshtë, kur do ti mblidhni forumet dhe a do të ketë një vendimmarrje para nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Sali Berisha: Patjetër. Forumet do të mblidhen gjatë këtyre ditëve dhe do ketë një vendimmarrje para sesionit parlamentar.

Anesti Bajramemaj, A2CNN: Nga ana e mazhorancës ka zëra se Komisioni i Integrimit në mos do ti hiqet opozitës, mund dhe të shkrihet fare si Komision Parlamentar. Keni një koment për këtë çështje.

Sali Berisha:  Komenti im është ky. Edi Rama i tmerruar nga krimet që ka kryer, nga farsa elektorale, nga damoskja tani me vetëkuptim, si anëtar i organizatës kriminale Sorosiane, është i aftë të marrë çdo vendim në verbëri.

Por ju garantoj ju, se opozita do të qëndrojë fuqishëm me dritën e transparencës. Pavarësisht nga përpjekjet e tij të dështuara, opozita do ti japë transparencën shqiptarëve.

Tani unë thashë se do më pyesje ti mua, se çfarë po zien në kartelet e drogës për emërimin e ministrave të Edi Ramës. Por kjo është kryesorja.

Priten përleshje të mëdha midis tyre, kush të marrë Ministrin e Brendshëm. Troplinët me Agasin janë për Vlora Hysenin. E keni marrë vesh besoj.

Të tjerë janë për atë Dyrmishin. Ata e lanë Arkend Ballën dhe duan Vlorën tani.

Këta të Elbasanit nuk heqin dorë nga Taulanti.

Tani, betejat po zhvillohen midis klaneve, karteleve të drogës. Mendoj se këto i interesojnë popullit më shumë. Prandaj dhe është detyrë që të ua themi.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale