Berisha: Do amendohet ligji për sponsorizimet, do dyfishojmë buxhetin për sportin! Do e çlirojmë nga mafia qeveritare që përfaqësohet nga Olsi Rama  

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR SPORTIN

EKSTRAKT

Gjatë prezantimit të programit për sportin të ‘PD-Shqipëria Madhështore’, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, është shprehur se, qeverisja e ardhshme do të dyfishojë buxhetin për këtë fushë.

Berisha akuzoi Edi Ramën se, edhe në këtë fushë mafia qeveritare ka përfaqësuesin e saj, i cili është Olsi Rama. ‘Në programin që ka hartuar departamenti i sportit, strategjia e sportit kombëtar është një strategji me të cilën së pari sporti çlirohet nga mafia qeveritare, e cila në çdo diktaturë është një pseudoaleat i sportit. Kur them unë këtë, vjen nga ana e dheut pse është vëllai i kryeministrit, merr klubin dhe vendos pabarazi absolute me klubet e tjera. Për meritën e vetme se mafia qeveritare përfaqësohet me vëllain e kryeministrit’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në prezantimin e programit për sportin të ‘PD-Shqipëria Madhështore’ ka vënë theksin edhe tek edukimi sportiv i nxënësve në shkollë, që sipas tij do të jetë një shtyllë kryesore sistemit arsimor. Berisha tha gjatë fjalës së tij, se qeveria do të mbështesë edhe sporte të tjera, e jo vetëm futbolli, edhe pse ky i fundit është më i famshmi ndër sportet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka premtuar amendim të ligjit për sponsorizimin në sport, me qëllim që të ketë më shumë autonomi.  Berisha theksoi në fjalën e tij se, ‘duke iu garantuar për mbështetjen e plotë të qeverisë së PD, ftoj të gjithë sportistët të punojmë së bashku për një Shqipëri Madhështore, e cila nuk mund të jetë kurrë e tillë pa një sport madhështor’.

FJALA E PLOTE:

Me këtë program garantohet një riorganizim, një transformim tërësor i infrastrukturës ligjore, organizative të këtij sektori jashtëzakonisht të rëndësishëm për një vend dhe një shoqëri, siç është sporti.

Në programin që ka hartuar departamenti i sportit, strategjia e sportit kombëtar është një strategji me të cilën së pari sporti çlirohet nga mafia qeveritare, e cila në çdo diktaturë është një pseudoaleat i sportit.

Kur them unë këtë, vjen nga ana e dheut pse është vëllai i kryeministrit, merr klubin dhe vendos pabarazi absolute me klubet e tjera.

Për meritën e vetme se mafia qeveritare përfaqësohet me vëllain e kryeministrit.

Sporti do të ketë ligjin e vet, në të cilin do garantohen me ligj të gjitha burimet financiare transparente, të pastërta.

Të gjitha investimet, sponsorizimet e sektorit privat dhe shtetëror me inkurajim të madh nëpërmjet të ligjit të sponsorizimit, të angazhimit të biznesit në mbështetje.

Krahas kësaj, buxheti për sportin do të dyfishohet.

Shanset e barabarta në raport me shtetin të klubeve, janë të domosdoshme për një garë të ndershme, fisnike të tyre brenda vendit dhe jashtë.

Mafia qeveritare në sport është problematike edhe në pazaret që bëhen pas perdeve në ato që quhen shitje dhe blerje.

Ligji do u japë përgjigjen më të rreptë.

PD e konsideron sportin dhe edukimin të pandarë nga njëri-tjetri.

Edukimi sportiv i nxënësve, i të rinjve do të jetë shtyllë kryesore e sistemit tonë arsimor.

Është sot e njohur se çfarë rëndësie ka në suksesin, në rezultatin e individit, performanca e tij, përgatitja e tij psikologjike dhe fizike.

Të dyja këto të lidhura shumë me sportin.

Degët e sportit do të gjejnë mbështetje, stimuj, jo duke i shpallur kapitenë apo kolonelë me paleta, por duke u shpërblyer pa i militarizuar ata apo ato për të gjithë meritën që kanë.

Duke shprehur mirënjohjen për përfaqësimin e tyre për kombin, flamurin në gara dhe ndeshje ndërkombëtare.

Sigurisht që futbolli mbetet sporti më popullor.

Por kjo nuk do të thotë që të eklipsohen, të injorohen sportet e tjera dhe mbështetja për sportet e tjera.

Jo! Do vendoset një proporcion i pranueshëm dhe i drejtë në mbështetjen e qeverisë dhe ministrisë së sporteve ndaj formave të tjera të sportit përveç futbollit.

Shqipëria, pavarësisht vështirësive të saj, por ka arritur maja evropiane dhe botërore dhe ky është fakt i pamohueshëm jo në një, por në disa sporte të tjera.

Ndaj dhe ne i qëndrojmë mbështetjes së fuqishme dhe përjashtimit të mbështetjeve të njëanshme në financime dhe mbështetje të tjera për lloje të ndryshme të sportit.

Artani ka bërë disa sugjerime shumë të drejta për ligjin e sponsorizimeve.

Ai ligj do amendohet plotësisht dhe do përshtatet për t’i hapur të gjithë hapësirën e nevojshme që investitorë të mund të investojnë, të bashkëinvestojnë në klube private, në forma të ndryshme.

Pra, të rriten njëlloj si në vendet me sport më të avancuar, burimet financiare për sportin dhe sportistët.

Thashë edhe njëherë, duhet ta bëjmë sportin element kapital të edukimit, të shkollimit të të rinjve dhe fëmijëve tanë.

Duke iu garantuar për mbështetjen e plotë të qeverisë së PD, ftoj të gjithë sportistët të punojmë së bashku për një Shqipëri Madhështore, e cila nuk mund të jetë kurrë e tillë pa një sport madhështor.

Pra, të bëjmë gjithçka për një sport të niveleve më të larta, më cilësore.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale